Shën Sozomen Mrekullibërësi
Një kodik i kishës së Trinisë së Shenjtë Rizokarpasu tregon se si Shën Sozomeni ishte me origjinë nga Karpasia e Qipros, ndërsa prej shërbesës së tij, si edhe prej burimesh të tjera, mësojmë se jetoi para pushtimit latin të Qipros (rreth 1100). Që në vogëli, prej prindërve të tij shpresëtar u drejtua në studimin dhe njohjen e fjalës së Perëndisë dhe me kalimin e kohës arriti një formim dhe njohuri të rrallë për kohën.
Kur u rrit vendosi që të largohej prej shtëpisë së tij dhe të shkonte në shkretëtirë. Aty i lirë prej çdo kujdesi trupor, vetëm një gjë mendonte: Si t’i pëlqente Perëndisë. Më vonë shkoi në një shpellë. Hyri brenda, bëri shenjën e Kryqit dhe me një zë që dridhej nga emocioni dhe frika filloi të psalte me zë të ulët: “Le të ngrihet zemra ime për ty o Fjalë, dhe nuk do të kem zili, për asnjë dëfrim të botës” (Andifoni i tretë i T.IV). Sepse tek ty Krishti im, tek Ty Fjalë e Perëndisë, le të ngrihet zemra ime. Dhe atëherë o Zot, asgjë nga kotësitë e botës nuk mund të më largojë prej teje.
Sa më shumë kalonte koha, fama e Shenjtit përhapej. Askujt nuk i mohonte dashurinë dhe ndihmën e tij. Vendqëndrimi i tij ishte i hapur për të gjithë. Dhuntinë shëruese, të cilën i’a fali Perëndia, e ofroi tek të gjithë ata që me besim dhe pendim të sinqertë përiknin tek hiri i tij dhe i kërkonin shërim.
Dhe kështu, pasi jetoi në mënyrë të pëlqyeshme prej Perëndisë, e dorëzoi shpirtin tek Zoti. Trupin e tij të shenjtë e morën me shpresëtari të krishterët dhe e varrosën në thellësi të shpellës. Varri i tij u bë “shërim sëmundjesh”. Aty përikin edhe sot të sëmurë nga vende të ndryshme për të gjetur shërimin e tyre.
Kujtimi i shenjtit kremtohet më 20 Nëntor në shumë vende të Qipros, ndërsa në disa vende të tjera kremtohet më 21 bashkë me të kremten e Hyrjes së Hyjlindëses në Tempull. Atë ditë me mijëra besimtarë nga vende të ndryshme mblidhen në shpellë, ku shenjti asketizoi. Shkojnë edhe tek kisha e Shën Sozomenit në Potamia ose në Rizokarpaso dhe tek të gjitha kishat që janë në emër të tij për ta nderuar dhe për të lavdëruar Perëndinë e Plotfuqishëm për shenjtorët e Tij. Kështu mrekullitë e shenjtorit vijojnë. Dhe besimtarët që me shpresëtari vrapojnë tek hiri i tij, i psalin çdo herë me devotshmëri shpirtërore.