Oshënar Prohori nga Rusia : 10 Shkurt
Oshënar Prohori ishte me origjinë nga Smolensku i Rusisë dhe ndoqi jetën murgjërore duke u bërë murg në manastirin e Shpellave të Kievit prej igumenit Joan, i cili ndjeu zellin e Prohorit. Oshënari ushtrohej me rreptësi të madhe dhe me saktësi në parimet e jetës murgjërore. Ajo që e dallonte ishte kreshma. Asnjëherë nuk shijoi ndonjë ushqim tjetër përveç ujit dhe bukës së bërë nga një bimë e hidhur ruse e quajtur “lebenta”. Për këtë arsye quhet edhe “Lebentotis”. Dhe Perëndia i Shenjtë, që pa asketizmin dhe dashurinë e Oshënarit, bimën e hidhur e bëri të ëmbël.
Vitet në të cilat jetoi Oshënari ishin të vështira për Rusinë dhe për popullin e saj. Trazirat e luftërave sollën zi buke. Vdekja kërcënoi popullin e Kievit. Oshënari, pa u lodhur, mblidhte bimën e hidhur “lebenta” dhe çdo ditë përgatiste bukë dhe ua shpërndante vëllezërve të tij të uritur. Disa donin të imitonin Oshënarin dhe të bënin bukën e tyre nga kjo bimë e hidhur. Por ishte e pamundur që të hahej sepse ishte shumë e hidhur. Atëherë kuptuan se diçka e mrekullueshme ndodhte me asketin e shenjtë, i cili e kryente këtë punë me Hirin e Perëndisë.
Në kohën e Oshënarit ndodhi edhe lufta civile ndërmjet hegjemonit Mihail Sviatopolk dhe princave të qyteteve Vladimir dhe Peremislsk. Kievi përsëri vuajti nga ushqimet dhe problemi u zmadhua kur ndaloi së paturi kripë. Atëherë Oshënari mblodhi të gjithë hirin nga qelitë e murgjërve dhe filloi që të lutej. Hiri u bë kripë, të cilën Oshënari e shpërndante dhe nuk mbaronte kurrë.
Më pas tregtarët u ankuan te sundimtari mizor Mihail Sviatopolk, i cili urdhëroi që kripa të çohej në oborr për t'u shitur. Atëherë kripa u bë përsëri hi dhe e vërteta u zbulua, që të lavdërohej Emri i Perëndisë. Hegjemoni, i dërrmuar, shkoi në manastirin e Shpellave dhe me përulësi i’u afrua Oshënarit, i cili profetizoi edhe fitoren e hegjemonit kundër Poloftsonëve.
Oshënar Prohori fjeti me paqe në vitin 1107. Hegjemoni Mihail e varrosi trupin e Oshënarit pranë manastirit të Shën Andonit të Shpellave.