Shën Gjergji, Martiri i ri nga Kratova : 11 Shkurt
Neomartiri i shenjtë Gjergj lindi në qytetin Kratova të Serbisë prej prindërve besëmirë Dhimitrit dhe Sarës. Që në moshë të vogël u dha pas studimit të fjalës hyjnore dhe më pas mësoi edhe artin e argjendarit. Humbi babain e tij në një moshë të re dhe duke pasur frikë se mos, për shkak të bukurisë së tij, ai do të rrëmbehej në oborrin e Sulltan Bajazitit II (1481 - 1512), shkoi në Bullgari dhe qëndroi në Sofie pranë një prifti që quhej Petro. Ai prift i dha atij çdo mjet për të mësuar shkrimet e shenjta. Dhe kështu shenjtori jetoi një jetë asketike dhe të pëlqyeshme nga Perëndia.
Osmanët u munduan që ta islamizonin dhe për këtë arsye rekrutuan një mësues myslyman me përvojë, i cili për t’ju afruar Gjergjit i ofroi atij ar për të bërë bizhuteri. Dhe në kontakt me të Gjergji i tregoi se besimi i vetëm i vërtetë ishte besimi i Krishterë, ndërsa feja myslymane ishte një mashtrim. Për këtë arsye ai u soll para kadiut. Me gjithë joshjet, premtimet dhe kërcënimet, Martiri qëndroi i patundur në besimin e tij. Prifti Petro e vizitoi në burg, e puthi dhe i tha: “Gëzohu Gjergj, ti sot lavdërove Krishtin, siç bëri dikur edhe martiri i parë Stefan, dhe si Stefani i ri në kohën e Ikonoklastisë dhe shumë Shenjtorë të tjerë”. Pas këtyre Shenjti u çua përsëri përpara kadiut, i cili i premtoi se do ta birësonte dhe do t’i falte pasuri dhe lavdi të pafundme, nëse do të mohonte Krishtin. Shenjti përsëri tregoi predispozitën e tij për t’u martirizuar dhe pohoi Krishtin. Atëherë kadiu, duke iu nënshtruar presioneve të turmës, ia dha Martirin turmës së tërbuar, e cila e lidhi dhe e zvarriti nëpër rrugët e qytetit. Kështu Shën Gjergji u tregua si Martir i Besimit dhe vdiq nga zjarri në vitin 1515, në Sofie të Bullgarisë.