Shën Theodhor Bizantini, Martir i ri : 17 Shkurt
Neomartiri i shenjtë Theodhor ishte me origjinë nga Neohori i Kostandinopojës. Prindërit e tij ishin Haxhi-Anastasi dhe Smaragdhoja dhe vëllezërit e tij ishin Andoni dhe Gjergji, anagnost i Kishës së Madhe dhe më pas Mitropolit i Adrianopojës me emrin Grigor (1830-1840).
Theodhori ishte zograf. Myslimanët u munduan që ta tërhiqnin në fenë myslymane dhe ia arritën. Por shenjti më vonë u pendua për këtë veprim. Kështu shkoi në Kio dhe qëndroi pranë një ati shpirtëror, Shën Makario Notara (17 Prill). Aty çdo ditë studionte martirizimet e Shenjtorëve si edhe libra të dobishëm për shpirtin. Nga dita në ditë rritej brenda tij dëshira për martirizim. Kështu arriti në Mitilini, ku para krerëve pohoi besimin e tij tek Krishti dhe dënoi fenë myslimane. Shën Theodhori burgoset dhe vuan prej torturave, dhe shumë martirizimeve çnjerëzore. I lidhën këmbët në dru dhe i shkuan në fyt një zinxhir të rëndë. I mbështollën kokën me një litar dhe i vunë dy copa tullash. Pastaj me një shkop ia shtrënguan kokën aq fort, sa sytë i dolën nga vendi. Por ushtari i Krishtit thoshte: “I krishter, i krishter, i krishter jam”.
Në mëngjesin e së shtunës, Shenjti i kërkoi një shërbëtori të krishterë mjete që t’i shkruante Episkopit, që t’i dërgonte Kungatën Hyjnore. Pasi u kungua me Misteret e Shenjta e çuan tek vendi i ekzekutimit, ku vraponte me dëshirë të madhe. Aty vdiq me varje në vitin 1774 (ose sipas të tjerëve në 1795).
Pas tre ditësh të krishterët morën lipsanin e shenjtë të tij dhe e varrosën në pjesën jugore të kishës së të Tërëshenjtës së Krisomalusas. Në vitin 1798 lipsani i shenjtë i Martirit u zhvarros dhe u transferua në Kishën metropolitane të Mitilinit.