Shën Tarasi, Kryepiskop i Kostandinopojës : 25 Shkurt
Shën Tarasi lindi, u rrit dhe u arsimua në Kostandinopojë prej prindërve fisnikë dhe besëmirë, Gjergjit, gjykatës dhe patric dhe Evkratisë. Shenjti ishte edhe xhaxhai i Shën Fotit (6 Shkurt). Për shkak të formimit të tij të madh u ngjit në gradën e protasikritit (i pari nga sekretarët specialë të perandorit).
Rrethanat kishtare në atë kohë ishin mjaft të rënda. Ekzistonte akoma lufta kundër ikonave dhe pozita e Orthodhoksëve u bë akoma edhe më e vështirë pas vdekjes së Patriarkut Pavli IV Qiprianit (30 Gusht). Mbretëresha Irini nga Athina, e cila ishte regjente e birit të saj të mitur Kostandini VI (780-798), kuptoi se nevojitej një udhëheqës kishtar me devotshmëri, përgatitje teologjike dhe aftësi administrative për t'iu përgjigjur rrethanave dhe problemeve. Kështu prej laikëve Patriark i Kostandinopojës u zgjodh Tarasi, me gjithë refuzimet e tij, pasi mori premtimin prej mbretërve se do të thirrej një Sinod Ekumenik që do të diskutonte çështje të ndryshme teologjike dhe kishtare. Hierotonia e Patriarkut të ri u bë më 25 Dhjetor 784.
Gjatë patriarkatit të tij, Shenjti u kujdes për krijimin e lidhjeve me Kishën Perëndimore nën Papa Adrianin I dhe për thirrjen e Sinodit VII Ekumenik në vitin 787 në Nikea. Ky Sinod dënoi ikonomakët dhe anuloi Sinodin ikonomak të vitit 754, duke u bazuar edhe tek shkrimet teologjike të Shën Joan Damaskinit (4 Dhjetor). Mbledhja e tetë e Sinodit u bë në Kostandinopojë, në pallatin mbretëror, ku Mbretëresha Irini dhe biri i saj Perandori Kostandin nënshkruan Vendimet e Sinodit.
Devotshmërisë dhe moralit të Shenjtit i atribuohet edhe vëmendja e Kishës ndaj simonisë, domethënë mitdhënies për përfitimin e gradave kishtare, veçantërisht froneve episkopale. Paralelisht Shenjti zhvilloi një veprimtari të pasur bamirëse e shoqërore dhe u shqua për lëmoshë ndaj të varfërve.
Dashuria e tij për murgjërinë u shpreh edhe me ndërtimin e Manastirit në ngushticën e Bosforit, në të cilin edhe u varros pas fjetjes së tij oshënare të mërkurën e javës I të Kreshmëve në vitin 806. Perandori Mihail I Rakbe (811-813) e veshi varrin e Shenjtit me argjend, duke treguar kështu si ai ashtu edhe mbretëresha Prokopia respektin e tyre për kujtimin e Shenjtorit.