E Diela e shtatë e Llukait (Llk.8: 41-56.)
November 7, 2021 at 12:12 am,
No comments
Zyra e Katekizmit e Kryepiskopatës së Tiranës
Predikim i përgatitur nga z. Miron Çako
"Dhe ja erdhi një njeri me emrin Jair, që ishte kryetar i sinagogës dhe ai i ra ndër këmbë Jisuit dhe iu lut që të shkonte në shtëpinë e tij 41Sepse ai kishte një vajzë të vetme rreth dymbëdhjetë vjeçe dhe ajo po vdiste. Ndërsa ai po shkonte atje, turma po shtyhej rreth tij.42Dhe një grua që kishte rrjedhje gjaku prej dymbëdhjetë vjetësh dhe kishte shpenzuar ndër mjekë gjithça ajo kishte, pa mundur që të shërohej nga asnjeri43
Iu afrua nga pas dhe i preku cepin e rrobës së tij dhe në atë çast iu pre rrjedhja e gjakut 44Dhe Jisui tha: “Kush më preku”? Pasi të gjithë e mohuan, Pjetri dhe ata që ishin me të, thanë: ‘Mjeshtër, turmat po shtyhen dhe po të ngjeshin dhe ti thua: “Kush më preku?”45Por Jisui tha: “Dikush më preku, sepse e kuptova që një fuqi doli prej meje”. 44Atëherë gruaja duke parë që nuk u fsheh dot, erdhi duke u dridhur dhe i ra ndër këmbë dhe i tregoi në prani të gjithë popullit përse e kishte prekur dhe si ishte shëruar në çast 47Dhe ai i tha: “Merr zemër bijë, besimi yt të shpëtoi, shko në paqe!” 48
Ndërsa ai vazhdonte të fliste erdhi një nga shtëpia e kryetarit të sinagogës dhe i tha: “Vajza jote vdiq, mos e shqetëso mësuesin”.49
Por Jisui mbasi i dëgjoi këto fjalë tha: “Mos druaj, ti vetëm beso dhe ajo do të shpëtojë” 8^50
Por si arriti në shtëpi, nuk la asnjeri të hyjë, përveç Pjetrit, Jakovit dhe Joanit dhe atin dhe nënën e vajzës 51Por të gjithë qanin dhe vajtonin. Por Ai tha: “Mos qani, ajo nuk ka vdekur por po fle” 52Dhe ata e përqeshni duke e ditur se kishte vdekur〖53
Por ai mbasi i nxori jashtë të gjithë, e kapi për dore dhe thirri duke thënë: “Vajzë çohu!” 54Dhe asaj iu kthye fryma e saj dhe menjëherë u çua, pastaj Jisui urdhëroi që t’i jepnin të hante 55
Dhe prindërit e saj mbetën të habitur. Por Jisui i porositi të mos i thoshin kurrkujt për ngjarjen.
Komenti i Ungjillit
Në këtë ungjill që lexojmë këtë të dielë, na tregohen dy mrekulli që u bënë nga Zoti Jisu Krisht. Njëra kur dikush e preku Zotin dhe tjetra kur dikush u prek nga vetë Zoti.
Por le të flasim me radhë për të gjitha ato që na u treguan dhe mëson Ungjilli i kësaj të diele.
Jairi ishte kryetari i sinagogës e cila ishte qendra lokale për adhurimin judaik. Drejtuesi i sinagogës ishte përgjegjës për administrimin, mirëmbajtjen e godinës dhe mbikqyrjen e shërbesës që bëhej në sinagogë tè shtunèn. Ishte disi e pazakontë që një drejtues sinagoge të binte në këmbët e një predikuesi shëtitës siç e quajnin Krisht dhe t’i lutej që t’i shëronte vajzën.
Në këtë gjendje dëshpëruese dhe të pashpresë Jairit duket i'u kujtuan ato çfarë ai kishte dëgjuar për Krishtin, se u kthente dritën të verbërve, urdhëronte të paralizuarit të ecnin, lebrozët të pastrohen, shëronte çdo sëmundje dhe çdo lëngatë, kështu Jisui mund t’i shëronte edhe vajzën atij.
Të dashur më Krishtin shumë njerëz që mendojnë se kanë një status në shoqëri e ndjejnë si të tepërt që të shkojnë në kishë aq më tepër të përulen si besimtarë të thjeshtë dhe t’i kërkojnë Zotit mëshirë.
Por të gjithë përpara Perëndisë janë të vegjël dhe ajo që për njerëzit duket e lartë për Perëndinë është e ulët. Prandaj secili pavarësisht statusit ka nevojë të shkojë me përulësi në këmbët e Krishtit dhe me besim dhe me lutje të përulur t’i kërkojë shërim për vete, ose për fëmijët e tij.
Ndërsa ai po shkonte atje, turma po shtyhej rreth tij 42 Shumë njerëz e rrethuan Jisuin ndërsa ai po shkonte drejt shtëpisë së Jairit.
Ìshte një turmë pa një qëllim të vërtetë, ndoshta kishin kuriozitet për të parë personin e Tij, ndoshta e shikonin atë si fatsjellës, prandaj dhe shtyheshin për ta prekur, për të marrë sipas tyre shërim magjik.
Kjo situatë na kujton edhe atë turmë njerëzish që shpeshherë vijnë në festat e Kishës sidomos kur janë ditë të shenjta si dita e Pashkës, Krishtlindjes etj.
Më shumë këta njerëz interesohen thjesht për të ndezuar qiririn ose për të kryer ritualin e thyerjes së vezës, ose për të marrë gjethen e dafinave duke menduar se kjo mjafton dhe është fatsjellëse për ta.
Por asnjëherë këta njerëz nuk interesohen të takohen personalisht me Zotin Krisht, pra të qëndrojnë në Liturgjinë Hyjnore dhe të marrin pjesë në Misterin e Kungatës Hyjnore që është një takim personal me Krishtin.
Këta njerëz i ngjajnë asaj turme që edhe pse shtyhej rreth Zotit nuk mund të merrte asgjë dhe gjithë mundimi i tyre shkonte kot.
Dhe një grua që kishte rrjedhje gjaku prej dymbëdhjetë vjetësh dhe kishte shpenzuar ndër mjekë gjithça ajo kishte, pa mundur që të shërohej nga asnjeri43 Iu afrua nga pas dhe i preku cepin e rrobës së tij dhe në atë çast iu pre rrjedhja e gjakut44 Ishte shumë e vështirë të depërtohej brenda asaj turme që pa besim kërkonte të prekte Krishtin. Por ja një grua hapi rrugë përmes turmës me qëllim që ta prekte Jisuin dhe sapo bëri kështu ajo u shërua.
Shikoni ç’ndryshim të madh ka ndërmjet asaj turme kureshtare që shtyhej për të parë Jisuin dhe kësaj gruaje që zgjatet për të prekur cepin e rrobës së tij.
Duke u përkulur ajo preku cepin e rrobës së tij, palën ose thekën që formohet në fund të veshjes së një judeu. Afrimi i saj te Krisht ishte me ndrojtje, me përulësi dhe me besim. Për shkak se ajo u afrua dhe e preku në këtë mënyrë Zotin në atë çast iu pre rrjedhja e gjakut.
Kjo grua kishte vuajtur nga një rrjedhje kronike gjaku që prej 12 vjetësh. Mjekë të ndryshëm te të cilët ajo kishte shkuar kishin përdorur disa terapi të ashpra dhe e kishin bërë më keq, madje në ungjillin sipas Markut(5; 22- 43) ia kishin shpenzuar të gjitha paratë.
Kur shpresa për t’u shëruar nga ana e mjekësisë kishte marrë fund ajo vendosi të shkojë te Jisui. Kjo që i ndodhi kësaj gruaje të lodhur dhe të munduar nga terapitë mjekësore edhe të shkatërruar ekonomikisht fatkeqësisht na tregon gjendjen e shumë pacientëve sot të cilët nuk gjejnë shërim nëpërmjet shkencës së mjekësisë dhe aq më keq shfrytëzohen nga mjekët jo humanë, që nuk respektojnë as betimin Hipokratit për të shpëtuar jetë njerëzore.
Por kur këta pacintë humbasin çdo lloj shprese nga ana e mjekësisë, atëherë kujtohen për Kishën. Do të ishte shumë më mirë dhe një rrugë më e shkurtër dhe me pak shpenzime sikur këta njerëz ose çdokush nga ne,kur e viziton një sëmundje duhet të bëjë një tjeër rrugë më të shkurtër.
Në fillim duhet të gjejë kush është shkaku që i erdhi kjo sëmundje? Ne dimë që shkaku i sëmundjeve është mëkati. Dhe nqs gjejn mëkat tek vetja, duhet të kryejë menjëherë misterin e Pendim-Rrëfimit dhe pastaj
Misterin Efqelisë ashtu siç na thuhet te letra e Jakovit: “A është i sëmurë ndonjë nga ju? Le të thërrasë një nga pleqtë (priftërinjtë) e Kishës dhe ata të luten përmbi të dhe ta lyejnë me vaj në emër të Zotit dhe lutja e besimit do ta shpëtojë të sëmurin dhe Zoti do ta mëkëmbë dhe nëse ka bërë mëkate ato do t’i falen.” Jak 5:14-16)
Një nga arsyet që Misteri i Efqelisë është jo i efektshëm për të gjithë është sepse kryhet pa u bërë në fillim Misteri i Pendim-Rrëfimit. Pavarësisht se misteret janë të pavarura ato kanë lidhje me njëri-tjetrin, sepse aty ku ka mëkat nuk mund të zbresë Hiri i Perëndisë ose e kundërta hiri bëhet gjykim dhe dënim.
Dhe n.q.s. ai vazhdon të jetë i sëmurë atëherë kjo është një përgjigje që duhet t’i drejtohet mjekut dhe nuk duhet ta shikojë atë si “zotin” dhe ilaçin si veprim magjik, sepse dhe mjekun dhe ilaçi janë instrumenta të Zotit që i përdore për shërimin e trupit tone, sepse “I Zotit është dheu dhe gjithça në të (Psalmi. 24:1)
Prandaj për besimtarin,vajtja në spital edhe kryerja e terapisë gjithmonë duhet shoqërohet me një lutje paraprake, që mjeku të ndriçohet nga Perëndia për të bërë diagnozën e saktë dhe ilaçi të jetë efikas për shëndetin.
Dhe Jisui tha: “Kush më preku”? Pasi të gjithë e mohuan, Pjetri dhe ata që ishin me të, thanë: ‘Mjeshtër, turmat po shtyhen dhe po të ngjeshin dhe ti thua: “Kush më preku?”45
Por Jisui tha: “Dikush më preku, sepse e kuptova që një fuqi doli prej meje”. 46
Nuk është se Jisui si Zot i kudondollur, nuk e dinte se kush e preku atë nga pas. Por Ai donte që gruaja të bënte një hap përpara dhe ta tregonte kush ishte. Ai dëshironte t’i tregonte asaj se manteli i tij nuk kishte veti magjike, por ishte besimi që ajo shfaqi shkaku i shërimit të saj. Ai gjithashtu ishte duke mësuar turmave një mësim. Sipas ligjit judeas një burrë që prekte një grua me fluks gjaku ose perioda bëhej ceremonialisht i papastër.
Te Levitiku (15:19-20) na thuhet: "Në qoftë se një grua ka një fluks në trupin e saj dhe ky është një fluks gjaku, papastërtia e saj do të zgjatë shtatë ditë. Kushdo që e prek atë do të jetë i papastër deri në mbrëmje. Kushdo me të cilin ajo shtrihet gjatë papastërtisë së saj do të bëhet i papastër. Kudo që mbi të cilën ulet do të jetë e papastër. "
Pra edhe gruja sipas ligjit ishte e papastër,kjo ishte një nga arsyet që ajo nuk guxoi t’i shfaqej Zotit haptas dhe ta prekte siç bënin njerëzit e tjerë, prandaj ajo preku vetëm cepin e rrobës së tij. Por judenjtë i kishin hiperbolizuar kërkesat e ligjit dhe për të mos u bërë të papastër shmangnin me kujdes jo vetëm prekjen por edhe të folurën dhe shikimin ndaj grave me flusk gjaku.
Në kontrast me judenjtë, Jisui i shpalli turmës se kjo grua e papastër sipas ligjit e kishte prekur atë dhe Ai e shëroi atë. Sepse vetë Zoti kishte ardhur të na çlironte nga mallkimi i ligjit. Në mendjen e Jisuit kjo grua që vuante nuk duhej lënë pa u vënë re,si krijesë e Perëndisë ajo meritonte vëmendje dhe respekt, dashuri që është përmbi ligjin. Siç thotë apostull Pavli te Korintasit: “Shkronja vret por fryma jep jetë” (II Kor. 3:6)
Por Jisui tha: “Dikush më preku, sepse e kuptova që një fuqi doli prej meje”. 46
Në këto vargje na tregohet se Zoti Krisht ndjeu një prekje që ishte ndryshe nga të tjerat. Ai e dinte se besimi i dikujt e kishte prekur, sepse kishte ndjerë një rrjedhje të fuqisë së tij. Sigurisht kjo nuk do të thotë që Ai ishte bërë pak më i fuqishëm nga ç’ishte më parë.
Por thjesht që ky shërim i kushtoi diçka nga vetja ishte një lloj shpenzimi. Në këto vargje na jepet një gjë shumë e rëndësishme se çdo shërim dhe mrekulli që bënte Zoti shoqërohej në fillim me faljen e mëkateve, pra të gjitha mëkatet ngarkoheshin mbi vetë Atë dhe për të gjitha i pagoi në kryq ku shpenzoi gjithë jetën për njerëzit “ashtu siç thuhet te profeti Isaia: “Njeri i dhimbjes, njohës i vuajtjes, ai mbante sëmundjet tona dhe kishte marrë përsipër dhimbjet tona, por ne e konsideronim të goditur dhe të rrahur nga Perëndia dhe të përulur, por ai u tejshpua për shkak të shkeljeve tona, u shtyp për paudhësitë tona, ndëshkimi për të cilin kemi paqen është mbi të dhe për shkak të plagëve të tij ne jemi shëruar” (Isaia 53:4-5)
Atëherë gruaja duke parë që nuk u fsheh dot, erdhi duke u dridhur dhe i ra ndër këmbë dhe i tregoi në prani të gjithë popullit përse e kishte prekur dhe si ishte shëruar në çast .47
Plani i kësaj gruaje ishte të largohej pa u vënë re dhe në heshtje. Por Zoti nuk do ta linte që ajo të humbiste bekimin e njohjes dhe të pranimit publik të Shpëtimtarit të saj. Dhe kur gruaja erdhi dhe ra ndër këmbë dhe i tregoi të gjithë popullit përse e kishte prekur dhe ishte shëruar në çast.
Dhe Ai I tha – merr zemër bijë, besimi yt të shpëtoi, shko në paqe. 48
Zoti i tha asaj fjalë që japin siguri shpirtit të saj. Rrëfimi i hapur për Krishtin ka rëndësi të jashtëzakonshme, pa të nuk mund rritesh, në jetën e krishterë. Asnjëri nga ne nuk mund të thotë që besimi është vetëm për mua. Por ne duhet të rrëfejmë haptazi çfarë bëri Zoti për neve dhe ky është kusht për shpëtimin tonë.
Ashtu siç thotë edhe Apostull Pavli: “Kush beson me gjithë zemër dhe rrëfen me gojë se Jisu Krishti është Zot, ai do të shpëtojë” (Romakëve. 10:9)
Mbasi ajo grua bëri pohimin e saj publik atëherë Zoti jo vetëm që ripohon shërimin fizik të saj, por mbi të gjitha në pohimin e tij përfshin edhe bekimin e madh të shpëtimit të shpirtit gjithashtu.
Kjo grua njihet nga Kisha Orthodhokse si Shën Veronika, e cila në shenjë mirënjohjeje për atë që Zoti i bëri asaj ajo mori guxim dhe mes turmës armiqësore dhe ushtarëve që ishin bërë si bisha kundër Krishtit shkoi dhe iu afrua që ishte i rrëzuar nën peshën e kryqit, rrugës për në Golgotha.
Ajo shkoi t’i japë ujë dhe t’i fshijë gjakrat e faqes së tij me një peshqir. Tradita na thotë që Zoti mori peshqirin nga duart e Veronikës dhe e vendosi në fytyrën e tij dhe aty mbeti e stamposur fytyra e Zotit dhe kjo mbahet si një nga ikonat e para dhe quhet Peshqiri i Shenjtë. Madje Shën Veronika bëri dhe një statujë në nderim të Zotit Krisht ku njerëzit vinin dhe luteshin dhe aty bëheshin shumë mrekulli.
Kjo histori ungjillore nuk është një mit por është një ngjarje reale, një grua që erdhi dhe e preku Krishtin. Kisha e ka predikuar për qindra vjet këtë mrekulli për të treguar që kjo grua përfaqëson dhe simbolizon gjithë njerëzimin. Të gjithë ne jemi të sëmurë në forma të ndryshme, përveç sëmundjeve fizike dikush është i sëmurë edhe nga zemërimi, nga lakmia edhe nga pasionet e tjera si nga kurvëria, shkelja e kurorës, dikush tjetër është i sëmurë nga urrejtja e madhe gjithsekush nga ne ka nevojë të prekë Krishtin që të shërohet në mënyrë të mrekullueshme.
Dikush mbase mund të thotë: Krishti nuk po ecën sot nëpër rrugë, ku të shkojmë dhe ta prekim.?
Pikërisht dhe arsyeja pse Krishti themeloi Kishën e Tij në botë, ishte që Krishti të ishte i pranishëm gjatë gjithë shekujve deri në ardhjen e dytë pranë njerēzve dhe popullit të tij. Në Kishë nëpërmjet mistereve ne prekim pikërisht Krishtin dhe ai na shëron nga çdo sëmundje shpirtërore dhe trupore..
Ndërsa ai vazhdonte të fliste erdhi një nga shtëpia e kryetarit të sinagogës dhe i tha: “Vajza jote vdiq, mos e shqetëso mësuesin”.49
Shërimi i gruas me fluks gjaku ndoshta nuk e vonoi shumë Jisuin por ishte e mjaftueshme që një lajmëtar të mbërrinte me lajmin e vdekjes së bijës së Jairit dhe si rrjedhim shërbesa e Jisuit do të ishte e panevojshme tani që fëmija vdiq.
Por Jisui mbasi i dëgjoi këto fjalë tha: “Mos druaj, ti vetëm beso dhe ajo do të shpëtojë” 50
Zoti Jisu nuk do të hiqte dorë aq shpejt sa erdhi dhe lajmi i keq. Ai iu përgjigj Jairit me fjalë ngushëlluese, inkurajuese dhe me një premtim: “mos ki frikë, ti vetëm beso dhe ajo do të shpëtojë”
Zoti Krisht nuk kërkon të besojmë vetëm në fuqinë e tij shëruese mbi sëmundjet, por të besojmë në fuqinë e tij mbi vetë vdekjen, pavarësisht se kjo është përtej çdo arsyeje dhe shprese njerëzore.
Por si arriti në shtëpi, nuk la asnjeri të hyjë, përveç Pjetrit, Jakovit dhe Joanit dhe atin dhe nënën e vajzës.51
Por të gjithë qanin dhe vajtonin. Por ai tha: “Mos qani, ajo nuk ka vdekur por po fle”52
Zoti mori tre nga nxënësit e tij më të afërt për të qenë dëshmitarë të kësaj vepre të madhe që do të bënte.Nxënësit që i shohim edhe në malin Tabor, Pjetri, Jakovi dhe Joani janë simbol të tre virtyteve më të larta të krishtera si besa, shpresa dhe dashuria. Pra besa, shpresa dhe dashuria përmbusheshin në Krishtin Zot i cili erdhi jo vetëm për të shëruar por për të shkatërruar dhe vetë vdekjen si armikun më të madh dhe të fundit të njeriut.
Ata u ndeshën me vajtimin e disa grave që përdorej në vendet e lindjes si vajtuese me pagesë dhe dikush e ka quajtur atë një pikëllim sintetik pa shpirt.
Kjo ndodh shpesh në raste të tilla të përmotshme, pra qajmë se duhet të qajmë dhe nuk mund të bëjmë gjë tjetër, pra është një vajtim që nuk ndryshon asgjë, një kapitullim përpara vdekjes.
Kur njerëzit dëgjuan që Zoti tha se vajza nuk kishte vdekur por po fle ata e përqeshën atë. Lotët e tyre u kthyen në përçmim kundër Krishtit.
Pavarësisht se njerëzit e përqeshën Ai nuk u tërhoq nga sjellja e tyre, sepse Zoti nuk preket nga qëndrimet e njerëzve edhe kur ato janë dashakeqe ose të paarsyeshme.
Edhe sot kur dëgjojmë për vdekjen si gjumë dhe për ngjalljen nga të vdekurit kjo shkakton një lloj qeshje tek shumë njerëz, ashtu siç qeshën ata në shtëpinë e Jairit. Por harrojnë që këta njerëz nuk qeshin thjesht me fjalët por me vetë Zotin.
E megjithatë prapë Zoti nuk zemërohet me njerëzit, ai vazhdon të bëjë mrekulli edhe kur njerëzit nuk e besojnë fuqinë e tij edhe për të ngjallur të vdekur.
Zoti e quan vdekjen një gjumë sepse mbas ngjalljes së tij si
Perëndi-Njeri ngjallja e të gjithë të vdekurve është e sigurtë. Këtë e shpallim në Simbolin e Besimit: “presim ngjalljen e të vdekurve dhe jetën e ardhshme të amëshuar, amin” dhe siguri për këtë është Ngjallja e Krishtit.
Prandaj dhe apostull Pavli thotë te Korintasit: “Po tashti Krishti u ngjall prej së vdekurësh dhe është fryti i parë i atyre që kanë fjetur, sepse ashtu sikur erdhi vdekja me anë të një njeriu kështu erdhi ngjallja e të vdekurve me anë të një njeriu sepse sikur të gjithë vdesin në Adamin të gjithë ngjallen në Krishtin. Por secili sipas radhës së vet Krishti fryti i parë pastaj ata që janë të Krishtit në ardhjen e tij, pastaj do të vijë fundi, armiku i fundit që do të shkatërrohet është vdekja...(I Korontisve. 15:20-26)
Njerëzit që nuk besojnë në ngjalljen e të vdekurve, kanë vdekur shpirtërisht para se të vdesin fizikisht dhe janë thjesht si kufoma ose si shtazë pa mend që vetëm marrin frymë.
Por ai mbasi i nxori jashtë të gjithë, e kapi për dore dhe thirri duke thënë: “Vajzë çohu!” 54
Dhe asaj iu kthye fryma e saj dhe menjëherë u çua, pastaj Jisui urdhëroi që t’i jepnin të hante.55
Duke kapur për dore vajzën ai i tha asaj në gjuhën aramaike “talitha kumi” shqerkë zgjohu. Menjëherë vajza 12 vjeçare u ngrit dhe filloi të ecë.
Vajza e Jairit u ngjall me urdhrin “zgjohu” siç zgjohet një njeri nga gjumi për të treguar se vdekja është një proces kalimtar, një gjumë i përkohshëm dhe vetë proçesi i ngjalljes do jetë ashtu siç zgjohemi nga gjumi.
Kjo është shpresa jonë, prandaj edhe lutemi për të fjeturit që Zoti t’ua ndjejë gabimet dhe të fitojnë ngjalljen e lavdishme.Ashtu siç lutemi në shërbesën e përshpirtjes
“Se Ti je ngjallja dhe jeta dhe prehja shërbëtorin tënd të fjetur o Krisht Perëndia ynë” (Shërbesa e varrimit)
Ngjallja e vajzës së Jairit po ashtu e djalit të vejushës dhe e Llazarit katërditësh na tregojnë ngjalljen e përbashkët e të gjithë të vdekurve, sepse Zoti Jisu Krisht është Zot i jetës dhe i vdekjes.
Pastaj Jisui urdhëroi që t’i jepnin të hante .55
Jo më kot Zoti dha këtë urdhër, e para për të provuar që ajo nuk ishte një ngjallje imagjinare por një jetë e vërtetë ashtu si dhe Zoti kërkoi diçka për të ngrënë kur u shfaq i ngjallur te nxënësit:
“Po duke qenë se nuk besonin prej gëzimit dhe ishin të çuditur ai u tha atyre, a keni diçka këtu për të ngrënë?”
Dhe ata i dhanë një pjesë të peshkut të pjekur dhe hoje mjalti dhe Ai mori dhe hëngri para tyre”. (Luka.24:41-43)
Por ka edhe një kuptim shpirtëror.
Shpirtrat që janë ngjallur prej së vdekurësh me anë të Misterit të Pagëzimit që nuk është gjë tjetër veçse vdekje dhe ngjallje në Krishtin ashtu si shën Pavli thotë: “Vëllezër sa u pagëzuam më Krishtin në vdekjen e tij u pagëzuam, u varrosëm pra bashkë me atë me anë të pagëzimit në vdekje që ashtu si Krishti u ngjall prej së vdekurësh me anë të lavdisë së Atit kështu edhe ne të ecim në jetë të re” (Romakëve. 6:3-4)
Këta besimtar të rilindur duhet që të ushqehen nga Kisha me misterin, ushqimi i pavdekësisë që është Kungata Hyjnore ose Trupi dhe Gjaku i Krishtit.
Këto dy mrekulli janë kombinuar të jenë mësimi i Ungjillit që na mëson që ta prekim Krishtin duhet të kemi dëshirë, guxim, përulësi dhe besim si gruaja me fluks gjaku. Por te disa njerëz vjen vetë Jisui t’i prekë, këta kanë rënë shumë poshtë sa janë të vdekur shpirtërisht por Krishti Perëndia i prek me mënyra të ndryshme, psh nëpërmjet predikimeve që mund të dëgjojnë në Kishë, nëpërmjet leximit të Ungjillit ose të bisedave të rastësishme për fenë ose të një ndodhie dhe mrekullie në jetën e tyre si shpëtimi nga një aksident, ose sëmundje vdekjeprurëse,sepse vetë Zoti tha te gruaja e sëmur “Ki zemër bijë, besimi ytë të shëroi”(Luk8 48) dhe tek Jairi që i vdiq vajza “Mos ki frikë ti vetëm beso dhe ajo do të shpëtoj.(Luk 8 :50)
Lavdi Perëndisë, Zotit tonë Jisu Krisht, për të gjitha.Amin.