KRISHTËRIMI DHE LIRIA: “PROMOVIMI I LIRISË NJERËZORE PËRMES KISHËS” (P.2)

Autori: Georgios Manolis, Teolog
Vazhdim...
Liria, përbën një element të krijimit të njeriut “sipas ikonës së Perëndisë”, si edhe për shpëtimin e tij. Njeriu shumë herë mohon komunikimin me Perëndinë dhe kërkon me furi lirinë kozmike, por përfundon në skllavëri, pasi gjendet larg Perëndisë.
Liria absolute nuk mund të ekzistojë, pasi liria përfundimtare është brenda kushtetutës së Perëndisë, i cili është i vetmi që posedon liri ekskluzivisht absolute dhe është në thelb i vetmi që dallohet për autonominë e tij. Njeriu lëviz brenda kuadrit të lirisë që mori nga Zoti, përmes jetës së tij, e cila identifikohet me jetën në Krishtin. Njeriu, i cili është pjesë e gjithë jetës në Krishtin, ka mundësinë të shijojë dhuratën e lirisë së vërtetë përmes kungimit me burimin e lirisë, i cili nuk mund të jetë tjetër veçse vetë Perëndia, i cili transmenton formën absolute të lirisë në botë përmes energjive të tij të pakrijuara. Njeriu, si rezultat i energjisë së Perëndisë, u bë pjesë e ciklit të jetës përmes varësisë nga Krijuesi i tij. Njeriu si krijesë, bëhet pranues i lirisë nga Perëndia, sepse është ikonë e Krijuesit të tij dhe është një natyrë që i nënshtrohet logjikës dhe autonomisë.
Koncepti i lirisë në mësimin e Kishës nuk ka kuptimin e autonomisë, por të heteronomisë. Liria përcaktohet në marrëdhënien e njeriut me Perëndinë, me njerëzit e tjerë dhe mjedisin e tij. Kjo lidhje nuk është asgjë tjetër përveçse lidhje dashurie. Pa dashuri, liria nuk ekziston. Dashuria vepron lirisht, sepse shkatërron çdo egoizëm dhe asgjëson çdo marrëdhënie hakmarrjeje.
Liria është dhuratë e Perëndisë por edhe element njerëzor, pasi bashkë me ikonën mori edhe ngjashmërinë sipas Perëndisë. Ngjashmërinë e kanë vetëm ata që me shumë dashuri lirinë e tyre i’a nënshtruan Perëndisë. Njeriu bëhet bashkë-përgjegjës dhe bashkë-krijues i lirisë së tij kur përpiqet të bëhet i pavarur nga mëkati dhe të jetojë jetën në Krishtin.
Pranimi i lirë i thirrjes së Perëndia përbën thelbin e lirisë më Krishtin. I lirë nuk është ai që është i emancipuar, por ai që i bindet Perëndisë. Lufta kundër pasioneve, dhe kryesisht kundër egoizmit njerëzor, është luftë për fitimin e lirisë.
Liria më Krishtin kultivohet brenda së vërtetës. Në kontrast me gënjeshtrën, e cila skllavëron njeriun dhe spekulon në kurriz të lirisë së tij, e vërteta, që është Krishti, e çliron njeriun, “njihni të vërtetën dhe e vërteta do t’ju çlirojë” dhe e drejton në shpëtimin e tij. Shpëtim, që është rezultat i sinergjisë së dy faktorëve, Hirit Hyjnor dhe lirisë njerëzore.
Hiri Hyjnor e shoqëron njeriun në çdo hap dhe e ndihmon dhe e forcon në luftën e tij për t’ju përgjigjur ftesës së tij për shpëtim. Por i takon lirisë njerëzore të përgjigjet ose ta refuzojë atë. Shpëtimi përbën një dhuratë të Perëndisë dhe e fiton ai i cili lirisht bashkohet dhe kungohet me Perëndinë.
Liria, pra në jetën e krishterë varet plotësisht nga dërgimi i Hirit Hyjnor i Perëndisë, i cili është i vetmi që mund ta ofrojë atë tek njeriu. Sigurisht, meqenëse njeriu është krijuar sipas ikonës dhe ngjashmërisë së Krijuesit të tij, atëherë ai gjithashtu bashkëpunon në fitimin e lirisë së vërtetë që nga momenti kur ai është zotëruesi i autonomisë. Në fund të fundit, autonomia e njeriut lidhet drejtpërdrejt me lirinë, jo vetëm në kontekstin e krijimit të njeriut, por edhe në lidhje me krijimin e tij sipas ikonës së Perëndisë. Njeriu, brenda kufijve të lirisë që gëzon, thirret të ecë drejt së mirës ose së keqes sipas zgjedhjes së tij, i lirë të vendosë për orientimin e tij gjithmonë në sajë të autonomisë, gjë që presupozon ekzistencën relative të logjikës.
Vazhdon...