KRISHTËRIMI DHE LIRIA: “PROMOVIMI I LIRISË NJERËZORE PËRMES KISHËS” (P.3)
Autori: Georgios Manolis, Teolog
Vazhdim...
“Kush do që të më ndjekë mua, le të mohojë veten e tij dhe le të ngrejë kryqin e tij dhe të më ndjekë”. Kisha brenda Kryqit dhe thirrjes për mohim të vetes për secilin prej nesh, tregon tek të gjithë mënyrën e jetesës me të cilën ftohet njeriu që të jetojë, në mënyrë që i kryqëzuar bashkë me Zotin të denjësohet edhe ai për Ngjalljen, duke marrë prej Zotit hir edhe fuqi. Kryqi i Krishtit është një simbol i bindjes, përulësisë, dashurisë dhe lirisë së plotë, ndërsa njëkohësisht është edhe arma kundër urrejtjes së egoizmit, mëkatit, pasioneve, egoizmit dhe çdo forme të skllavërisë.
Përfundimisht liria është rezultat i çlirimit të njeriut nga prangat e forcave shkatërruese dhe e vetmja rrugë që të çon në shpëtim është vetëdija për dobësinë njerëzore dhe ndryshimi i qëndrimeve me qëllim nxjerrjen në pah të aspektit më të mirë të natyrës njerëzore që tërhiqet prej Perëndisë. Jeta e të Krishterit nuk konceptohet e ndarë nga mirësia e lirisë dhe njëkohësisht liria e vërtetë ndeshet përfundimisht si element i jetës së krishterë. Liria e plotë realizohet brenda jetës në Krisht si pjesë e patjetërsueshme e saj dhe plotëson qëllimin primar të besimtarit, nevojën e tij si person dhe përsosjen e tij shpirtërore.
I krishteri brenda jetës së Kishës shijon lirinë dhe kufizon sjelljen e tij, pa nënkuptuar kjo gjë mohimin ose kufizimin e lirisë së tij. Në fund të fundit, Ungjilli nuk imponon rregulla dhe praktika, por bëhet një udhërrëfyes i njeriut, duke siguruar dhuratën e Lirisë. I krishteri e ka lirinë edhe në jetën tokësore, por përjetimi i plotë i saj realizohet në shpëtimin e tij.
Me veprën e Ekonomisë Hyjnore që u realizua në personin e Krishtit, njeriu çlirohet ontologjikisht nga mëkati, djalli dhe vdekja eskatologjike dhe fiton lirinë karizmatike. Perëndia, i nisur nga dhembshuria e skajshme për njeriun mori natyrën njerëzore që të çlirojë njeriun, rinovon ikonën e njollosur dhe e gjallëron atë me hirin e parëkrijuar të prototipit (njeriut të parë).
Çlirimi themeltar i natyrës njerëzore nga pushteti i djallit, prishjes dhe vdekjes, u realizua me mishërimin e Fjalës Perëndi, ndërsa me Ngjalljen e Krishtit u vulos çlirimi ontologjik i njeriut nga skllavëria e tij e shumëfishtë. Mishërimi, kryqëzimi dhe Ngjallja e Krishtit kanë një kuptim çlirues për njeriun. Që njeriu të çlirohet nga skllavëria e mëkatit, i ligu dhe vdekja, mjafton të marrë pjesë mistikërisht në vdekjen dhe Ngjalljen e Krishtit.
Jeta në Krishtin presupozon pjesëmarrjen e besimtarit në misteret e Kishës dhe kjo pjesëmarrje nuk mund të jetë gjë tjetër përveçse rezultat i vullnetit të lirë të njeriut, dhe në të njëjtën kohë liria realizohet brenda kryerjes së mistereve. Sigurisht Eukaristia Hyjnore, si kulmi i jetës liturgjike, realizon dhe ndërton në kohë dhe hapësirë trupin mistik të Krishtit që është Kisha. Më pas mund të themi se si Kisha jonë jeton nga Tryeza e Eukaristisë Hyjnore dhe çdo herë që kryhet misteri i Eukaristisë Hyjnore vepron hiri i Perëndisë dhe aty ku vepron hiri i Perëndisë përjetohet liria, liria e plotë në Krishtin.