ETËRIT E KISHËS PËR LUFTËN DHE PAQEN (P.1)
Autori: Joan Kostof
Etërit nuk hezitojnë të theksojnë nevojën e paqes së brendshme dh të qetësisë shpirtërore. Paqja botërore ndonjëherë bëhet për një qëllim të keq. Por paqja e Krishtit na motivon jo vetëm të bëjmë paqe me të tjerët, por edhe me veten tonë. (Amoni i Aleksandrisë, PG 85, 1492D).
Paqja është maja e piramidës së bekimeve; ajo karakterizohet nga qetësia e ndërgjegjes. Kështu njeriu që ka paqe duket nga karakteri i tij i butë. Por ai që luftohet nga pasionet e tij nuk e ka shijuar ende paqen që vjen nga Perëndia, të cilën Zoti ua dha dishepujve të Tij (Joani 10:27) e cila, “kapërcen çdo mendje” (Filip. 4.7) dhe do të ruajë shpirtrat e atyre që e meritojnë. Këtë paqe uron edhe Apostull Petro për Kishat, kur thotë: “hir dhe paqe u shumofshin mbi ju” (1Pet. 1.2) (Vasili i Madh ΒΕΠ 52, 54, 1).
“Kërko paqen dhe siguroje atë” (Ps. 33.15). Këtë nënkuptonte Zoti, ku tha: “Paqe po ju lë, paqen time po ju jap juve; jo siç e jep bota jua jap juve. Le të mos trazohet zemra juaj, as të mos frikësohet” (Joan. 14.27). Prandaj, kërkoni paqen e Zotit dhe përpiquni ta shijoni atë. Dhe këtë gjë nuk do ta arrini veçse “duke u shtrirë në ato që janë përpara, sulem drejt qëllimit për çmimin e thirrjes së Perëndisë prej së larti në Krishtin Jisu” (Filip. 3.14). Sepse aty gjendet paqja e vërtetë. Për sa kohë të jemi të lidhur me dëshirat trupore, gjendemi në të njëjtin rreth me ata që na shqetësojnë. Kërkoni pra paqen, zhdukjen e zhurmave të kësaj bote.
Fitoni një gjendje mendore të qetë dhe një gjendje shpirtërore të patrazuar, saqë as edhe pasionet të mos e tronditin atë. Kështu në zemrën tuaj do të keni si mbrojtëse paqen e Perëndisë, e cila kapërcen çdo mendje. Ai që kërkon paqen, kërkon Krishtin, sepse Ai është Paqja (Efes. 2.14). “Sepse ai është paqja jonë, ai që i bëri të dyja një, edhe rrëzoi murin ndërmjetës të ndarjes, duke shfuqizuar në trupin e tij armiqësinë, domethenë ligjin e porosive urdhëruese, që të ndërtojë në veten e tij nga të dy një njeri të ri, duke bërë paqe” (Efes. 2.15). “Ai paqtoi me gjakun e sakrificës së Tij në kryq, si ëngjëjt me të gjithë ne, si edhe njerëzit mes tyre dhe me Perëndinë” (Kol. 1.20) (Vasili i Madh, ΒΕΠ 52, 87, 3).
Apostull Pavli dëshiron që luftërat, betejat dhe trazirat të ndalen, dhe për këtë arsye i nxit klerikët të luten për sundimtarët dhe arkondët (1Tim. 2.2). Ekzistojnë tre lloje luftra, të cilat janë të frikshme. Njëra është lufta e përbashkët, kur ushtarët tanë luftohen prej armiqëve. E dyta, kur ndërsa në botën e jashtme dominon paqja, ne luftojmë njëri-tjetrin. Dhe e treta, kur gjithësecili lufton veten e tij. Kjo e fundit është me e frikshmja. Sepse lufta e armiqve të jashtëm nuk mund të na dëmtojë në gjëra thelbësore.
Sigurisht që ka masakra dhe vrasje, por kjo nuk e dëmton në mënyrë të pashmangshme shpirtin. Por edhe lufta e dytë nuk mund të na dëmtojë në asgjë, nëse ne nuk duam. Sepse edhe kur të tjerët na luftojnë, ne kemi aftësinë të jemi paqësorë. Ja çfarë thotë profeti David: “Shpifën për mua në vend që të më donin, por unë lutem për ta” (Psalm. 108.4) dhe “Isha paqësor me ata që urrejnë paqen dhe kur bashkëbisedova me ata, më luftuan pa arsye” (Psalm. 119.7).
Por nga lufta e tretë nuk mund të shpëtoni pa humbje. Sepse kur trupi lufton shpirtin dhe nxit dëshirat e tmerrshme dhe armatos kënaqësitë trupore, inatin dhe zilinë, nuk është e mundur të marrim pjesë në të mirat që na ka premtuar Zoti, nëse kjo luftë nuk ndalet, por në mënyrë të pashmangshme ai që nuk e shtyp këtë rrëmujë do të bjerë dhe do të marrë plagë, të cilat shkaktojnë vdekjen, duke çuar në ferr. Ndaj duhet të kujdesemi çdo ditë, që as te ne të mos shpërthejë kjo luftë, por edhe nëse ndodh të shtypet dhe të qetësohet. Por çfarë dobie ka universi të gëzojë paqe të thellë, dhe pikërisht në atë periudhë kur ju vetë po luftoni veten tuaj? Këtë paqe duhet të kemi edhe ne. Dhe kur ta kemi asnjë gjë e jashtme nuk mund të na lëndojë. Sigurisht që për këtë paqe kontribuon shumë edhe paqja e jashtme. Për këtë arsye Ap. Pavli thotë: “Që të jetojmë një jetë të qetë” (1Tim. 2.2) (Joan Gojarti, PG 62, 533).
“Lum ata që bëjnë paqe” (Mat. 5.9). Paqebërës është ai që i fal paqe tjetrit. Sigurisht nuk do të ishte e mundur që dikush t’i falte tjetrit diçka që ai vetë nuk do ta kishte. Për këtë arsye Perëndia dëshiron që fillimisht të jesh ti i mbushur prej të mirave të paqes dhe më pas t’i shpërndash ato tek të tjerët. Por fillimisht le të shohim se çfarë është paqja. Çfarë është tjetër përveç lidhjes dashurore ndaj njerëzve tanë? Dhe çfarë konsiderohet në kundërshtim me dashurinë? Urrejtja, zemërimi, inati, zilia, hipokrizia, rrënimet e luftës. A e sheh se nga sa dhe cilat sëmundje na shëron ajo që shprehet me një fjalë, d.m.th. paqe? Ajo mund ti përballojë dhe t’i zhdukë të gjitha të këqijat e mësipërme. Sepse, ashtu siç kur mbizotëron shëndeti, sëmundja zhduket dhe kur shfaqet drita, errësira nuk mbetet, po ashtu kur lind paqja, të gjitha pasionet e mbjella nga armiku treten. (Grigori i Nisës, PG 44, 1284 Α).
Meqenëse ai që bën paqe quhet bir i Perëndisë, a mund ta imagjinoni vlerën e atij që tashmë lidh me miqësi ata që tashmë janë pajtuar? Le të jetë ky "profesioni" ynë, domethënë të pajtojmë armiqtë me njëri-tjetrin, por dhe ata që nuk janë as armiq dhe as miq, por para së gjithash le të pajtojmë veten tonë me ne.
Sepse, sikurse është i pabesueshme ai që përpiqet të pajtojë të tjerët, ndërsa ruan urrejtje në shtëpinë e tij dhe është në grindje me gruan e tij, dhe njerëzit i thonë: “Mjek, shëro veten tënde”, kështu ndodh edhe në rastin e armiqësisë me veten tonë.
Por çfarë është kjo armiqësi? Është armiqësia e shpirtit për dëshirat trupore, armiqësia e së keqes për virtytin. Le ta zhdukim këtë armiqësi, ta shfuqizojmë këtë luftë, që t'u flasim të tjerëve të qetë dhe në paqe, pa u fajësuar nga ndërgjegjja jonë. Vazhdimisht zemërimi lufton brenda nesh butësinë, lakmia për para lufton përbuzjen e parasë, xhelozia zemrën e mirë. Le ta ndalojmë këtë luftë, le t'i mundim këta armiq, le t'u japim fitoren virtyteve, le të qetësojmë qytetin tonë, domethënë botën tonë të brendshme. (Joan Gojarti PG 60, 266).