ETËRIT E KISHËS PËR LUFTËN DHE PAQEN (P.2)
Autori: Joan Kostof
“Lum ata që bëjnë paqe” (Matth. 5.9), dmth., ata që bëjnë që paqja të mbretërojë fillimisht brenda zemrës së tyre dhe më pas në mesin e vëllezërve që gjenden në mosmarrëveshje. Sepse çfarë dobie ke nëse vendos paqen në mesin e të tjerëve dhe në zemrën tënde ndizet lufta e pasioneve. (Jeronimi, SC 242, 107).
Sepse shkruhet “Lum ata që bëjnë paqe” (Matth. 5.9), pyes veten nëse është e dobishme që të kujdesemi për paqen e të gjithëve.
Është më e dobishme që dikush të paqësojë zemrën e tij. Kjo vlen për të gjithë dhe i lumtur është ai që e zbaton këtë gjë. Por qetësimi i atyre në konflikt nuk është punë e të gjithëve, por e atyre që mund ta arrijnë atë pa dëmtuar brendësinë e tyre. (Libri i Brasanufios dhe Joanit).
Në kundërshtim me keqkuptimin e shumë njerëzve se çdo paqe është e mirë, ose se çdo ndarje është e keqe, apo edhe se të krishterët nuk duhet të zemërohen, Etërit, të ndriçuar nga Shpirti i Shenjtë, bëjnë dallime shpëtuese dhe pranojnë se paqja e dëshiruar duhet të jetë ajo që shoqërohet me drejtësi dhe virtyt. Aty ku këto elemente nuk ekzistojnë, qoftë individualisht, qoftë në përgjithësi, imponohet ndarja dhe zemërimi i drejtë, por pa armiqësi ndaj njerëzve, por vetëm me luftë të keqkuptimeve të tyre. Mosmarrëveshja mbi taktikat nuk është gjithmonë mëkat për të krishterët.
Askush të mos mendojë se unë sugjeroj që ne të duam çdo paqe. Sepse siç njoh mosmarrëveshjen e shkëlqyer, kështu njoh unitetin shumë të dëmshëm. Kur flas për paqen, kam parasysh të duhurën dhe atë që përpiqet për një kauzë të mirë dhe na bashkon me Perëndinë. Aty ku mosbindja është e dukshme, ne duhet të preferojmë zjarrin, thikën dhe rrethanat kritike dhe duart e tiranëve, sesa të marrim pjesë në majanë mëkatare dhe të biem dakord me ata që janë të sëmurë në besim.
Është më e preferueshme lufta, sesa paqja që na ndan nga Perëndia, për këtë arsye Shpirti i Shenjtë e armatos njeriun e butë në mënyrë që të bëhet luftëtar, sepse ai me të vërtetë di që të luftojë drejtë (Grigor Theologu, BEII 58, 274, 7).
Mijëra herë është më e mirë ndarja që bëhet për arsye besimi, sesa bashkimi, kur ai lidhet me pasionet (Grigor Theologu, ΒΕΠ 59, 17, 5).
Ekziston edhe luftë e ligjshme, siç ekziston edhe paqe më e tmerrshme nga çdo luftë e pazgjidhshme. Paqe e tillë është psh., ajo që: “Ndjeva një çiban shpirti për të paligjshmit dhe të pafetë, duke parë paqen dhe begatinë e këtyre mëkatarëve”. Sepse grabitësit bashkohen me njëri-tjetrin dhe armatosen kundër atyre që nuk dëmtojnë asgjë. Dhe ujqërit mblidhen në një tufë kur duan të gllabërojnë.
Pra, mos mendoni se paqja është një gjë e mirë kudo, sepse shpesh është më e keqe se çdo luftë. Kushdo që, për shembull, ka marrëdhënie paqësore me ata që janë kundër Providencës Hyjnore dhe që bën kompromis me të ligjtë që deformojnë moralin e mirë, në fakt ai është shumë larg sferës së paqes. Për këtë arsye Ap. Pavli thotë: “Nëse mundet, sa varet nga ju, të keni paqe me të gjithë njerëzit” (Rom. 12.18). Sepse e dinte shumë mirë, se shumë herë paqja nuk dë të ishte e mundur (Isidor Pilusiotis, PG 78, 1088 C).
“Mos pandehni se kam ardhur të vë paqe mbi dhe; s’kam ardhur të vë paqe, por thikë” (Matth. 10.34). Një luftë e mirë është e domosdoshme për të prishur një paqe të keqe (Jeronimi, SC 242, 207).
“S’kam ardhur të vë paqe, por thikë” thotë Krishti. Atëherë si i lajmëron Nxënësit, që kur të hyjnë në shtëpi, të luten: “Le të vijë paqja në këtë shtëpi”? (Matth. 10.12) Dhe si ëngjëjtë psalin: “Lavdi Perëndisë në më të lartat dhe mbi dhenë paqe dhe mbi njerëzit mirëdashje”? (Lluk. 2.14) Si është e mundur që të gjithë profetët ungjillëzonin këtë gjë? Sepse paqja e vërtetë mbretëron, kur pjesa e sëmurë pritet, kur pjesa që shkakton mosmarrëveshje ndahet. Vetëm në këtë mënyrë mund të pajtohet qielli me tokën. Në të njëjtën mënyrë edhe mjeku shëron pjesën e mbetur të trupit, pra kur heq pjesën e pashërueshme.
Dhe gjenerali bën të njëjtën gjë, kur ndan ata që bashkohen me qëllim të keq. E njëjta gjë ndodhi edhe me Kullën e Babelit. Paqja e dëmshme përfundoi me mosmarrëveshje të dobishme dhe kështu lindi paqja e vërtetë. Të njëjtat taktika ndoqi Pavli, i cili ndau farisenjtë dhe saducenjtë, të cilët ishin aleat kundër tij (Veprat. 23). Pra uniteti nuk është gjë e mirë kudo, sepse edhe grabitësit pajtohen me njëri-tjetrin.
Sigurisht, lufta nuk është qëllimi i Krishtit, por pasojë e mendimit të keq të njerëzve. Sepse Ai donte që të gjithë të pajtoheshin për çështjen e devotshmërisë, por për shkak se ata nuk pajtohen, shfaqet lufta. Ai thotë, “nuk erdha të sjell paqen” duke dashur kështu të parapërgatitë nxënësit e tij për ato që ata do të ndeshnin në të ardhmen. Mos mendoni, sikur t'u thotë atyre, se jeni shkaktari i sherrit. Jo! Unë i shkaktoj këto sepse ata kanë një dimension të keq. Pra, mos u shpërqëndroni kur hasni situata persekutimi. Prandaj erdha, për të shkaktuar përçarje. Kjo ishte ajo qe doja.
Mos u shqetësoni, pra, kur të shihni se toka ka shumë vatra luftërash të tilla dhe krijoni idenë se ajo do të shkatërrohet. Vetëm kur pjesa më e keqe pritet, atëherë qielli bashkohet me më të mirën. Të gjitha këto i thotë duke parashikuar të keqen e të tjerëve. Dhe nuk tha thjeshtë “Luftë”, por “Thikë”, që është akoma më e rëndë. Por mos u shqetësohen nga fakti se këto fjalë thuhen me një ton të ashpër.
Ai foli kështu, sepse donte t'ua stërviste dëgjimin me ashpërsinë e fjalëve, që të mos hiqnin dorë nga gjithçka në rrethanat e vështira që do të hasnin më vonë. Për të mos thënë që i bindi nxënësit duke i lajkatur dhe duke ju fshehur vështirësitë që ata do t’i ndiqnin, prandaj i shpreh vështirësitë befas dhe në mënyrë të padurueshme. Sepse është më mirë të shohësh paqen në vepra sesa në fjalë.
Për këtë arsye ai nuk u mjaftua vetëm me këto, por duke zbuluar formën e kësaj lufte e tregon më keq se një luftë civile dhe thotë: “Erdha që të ndaj njeriun (besimtar) nga babai i tij (jo besimtar), dhe bijën nga nëna e saj dhe nusen nga vjehrra e saj” (Matth. 10.35). Sepse do të përballen jo vetëm miqtë, jo vetëm bashkëqytetarët, por edhe të afërmit dhe njerëzimi do të ndahet në dysh. Dhe kjo luftë nuk është vetëm me ata që kemi afër, por edhe me më të dashurit për ne dhe me ata persona, për të cilët kemi më shumë nevojë.
Kjo është pikërisht ajo që tregon fuqinë e Krishtit, sepse, megjithëse dishepujt dëgjuan për vështirësitë, ata përqafuan fjalët e Tij dhe bindën edhe të tjerët t'i përqafonin ato. Natyrisht, arsyeja e mosmarrëveshjes nuk është Ai, por dinakëria e njerëzve. Por ai thotë se e shkakton vetë, sepse kjo mënyrë është e zakonshme në Shkrimin e Shenjtë. Shkrimi i Shenjtë përmend diku tjetër: “Perëndia u dha atyre frymë përgjumjeje, sy që të mos shohin, edhe veshë që të mos dëgjojnë” (Rom. 11.8). Ngjashëm flet edhe këtu, që të mos mërziten, kur do të shahen dhe do të ofendohen, pasi do t'i kenë kuptuar këto fjalë.
Nëse disa tani e kanë të vështirë të mos pajtohen, le të kujtojnë një histori të vjetër, e cila ka ndodhur në kohët e lashta dhe që vërtet tregon se Dhiata e Vjetër ka lidhje me të Renë dhe se Ai që flet këtu (në të Renë) është njësoj si Ai, i cili gjithashtu dha të Vjetrën. Një herë Ai u toleroi hebrenjve zemërimin e dukshëm, dhe kështu disa vranë bashkatdhetarët e tyre. Kjo ndodhi si kur ata bënë dhe adhuruan Viçin e Artë (Eksodi 27: 27-28) dhe kur morën pjesë në ceremonitë pagane të Beelfegor (Nr. 25.49). Ku janë tani ata që thonë se Perëndia i Dhjatës së Vjetër është i keq, ndërsa Perëndia i Dhjatës së Re është i mirë? Ja ku edhe Perëndia i Dhjatës së Re përmbyti botën me gjakun e të afërmve. Por, duhet të theksojmë se edhe kjo gjë është një shembull dashurie, që ka për njeriun (por jo për mëkatin e tij). (Joan Gojarti, PG 57, 405).