"Hebrenjtë paguan 50 qeska aspra Kurt Pashën, për të vrarë Shën Kozmain" Publikuar në gazetën Gazeta Shqiptare 31/08/2014
October 20, 2021 at 12:38 pm,
No comments
"Hebrenjtë paguan 50 qeska
aspra Kurt Pashën, për të vrarë Shën Kozmain"Miron
Çako, replikë me Prof.Dr. Pëllumb Xhufin Takimi i Ali Pashës dhe i Shën Kozmait në gusht
të vitit 1779, çfarë bisedun ?
Prof.
Pëllumb Xhufi
Unë
një farë zoti Çako, quhem Miron Çako me kombësi dhe nënshtetësi shqiptare. Në
vitin 1991 kam mbaruar studimet e larta në Institutin e Lartë të Arteve, dega
skulpturë dhe më vonë Akademinë Teologjike "Ngjallja e Krishtit" që
sot ndodhet në Manastirin e Shën Vlashit, Durrës. Shërbej prej gati 20 vjetësh
si laik në KOASH me titullin katekist (mësues) dhe prej 15 vjetësh jam
përgjegjës i Zyrës së Katekizmit (mësimdhënies) të KOASH-it. Pra, nuk jam nga
Çakot që mendon ti, pavarësisht gjithëditurisë tënde.
I nderuar z. Xhufi, kur lexova rastësisht shkrimin tuaj të fundit kundër Shën Kozmait
të Kolkondasit, në fillim pa ndonjë interes sepse të them të drejtën, të më
falësh, por e ke bërë bozë, aq më tepër shkrimin tuaj të radhës e kishit
shkruar në fillim si një i përçartur, i kapur nga sindroma e persekutimit, por
në faqet më pas u tregova më i interesuar, duke lexuar me vëmendje ato që kishe
shkruar dhe që të jepnin përshtypjen e një kërkimi dhe studimi shkencor dhe
vërtetë prezantuese për një historian si ju që doni të thoni gjithmonë "të
vërtetën". Por të them të drejtën, në fund të shkrimit tuaj të gjatë, m'u
kujtua një nga profecitë e Shën Kozmait: "Edhe
e keqja do të vijë nga të shkolluarit" (profecia 54).
Jam i detyruar të shpjegoj interpretimin e kësaj profecie për të mos i lënë
hapësirë keqinterpretuesve. Shën Kozmai që ishte mik i librit dhe një erudit,
njohës i katër gjuhëve të huaja (hebraisht, turqisht, italisht, frëngjisht) siç
pranoni edhe ju, më në fund në shkrimin tuaj të radhës dhe hapi 250 shkolla në
gjithë Ballkanin dhe në Shqipëri, me këtë profeci i ndriçuar nga Hiri i
Perëndisë do të thotë se e keqja e popullit dhe e vetë shoqërisë do të vijë nga
njerëzit që shkollohen, por diturinë që u jep shkolla, aftësitë intelektuale që
kanë dhe fitojnë do t'i përdorin për
keq, me ligësi, me dinakëri, pa urtësi, duke i mashtruar dhe i gënjyer njerëzit
e thjeshtë, duke e fshehur të vërtetën ose duke thënë një pjesë të saj, aq sa u
intereson. Kjo është një metodë e vjetër e djallit, i cili guxoi ta bënte edhe
me vetë Krishtin, Zotin tonë, por që e përdorin edhe mashtruesit e çdo kohe. Ju
zoti Xhufi jeni lodhur shumë për të gjetur fakte të reja nga arkivat e
Vatikanit që sipas jush komprometojnë figurën e Shën Kozmait, por edhe me këto
fakte të reja që ju mendoni se vetëm ju i dini nuk thatë ndonjë gjë të re ose
të panjohur për ata që i dinë gjërat si ka ndodhur me të vërtetë dhe na i kanë
treguar haptazi në lidhje me vrasjen e Shën Kozmait. Ju e mbyllni artikullin
tuaj me konkluzionin se "ndryshe nga ç'thonë kronikat kishtare, ku shquhet
qartë nervi antisemit, vrasja e tij nuk erdhi si rezultat i komplotit të
hebrenjve të Beratit, por si rrjedhojë e një dakordësie midis venecianeve të
Korfuzit dhe Kurt Pashës, mikut të tyre". Por ju përsëri nuk po thoni të
vërtetën dhe po e shtrembëroni atë dhe nuk e kuptoj pse? Por e vërteta është se
pavarësisht se venedikasit ishin kundër Shën Kozmait, sepse ai i ndalonte
orthodhoksët të ktheheshin në vartësi të kishës katolike me anë të uniatizmit,
(një metodë që edhe nga vetë kisha katolike është dënuar), por ata që urdhëruan
dhe paguan për vrasjen e Shën Kozmait ishin tregtarët hebrenj të Beratit të
cilët e shikonin Shën Kozmain si pengesë të interesave të tyre, sepse Shën
Kozmai mësonte të krishterët që pazarin ta bënin të shtunën dhe jo të dielën
dhe dimë që për hebrenjtë e shtuna ose sabati, ishte ditë e veçantë dhe ditë
pushimi e tyre. Kjo prishi interesat e tyre ekonomike dhe paguan me 50 qeska
aspra Kurt Pashën e Beratit që kishte respekt për Shën Kozmain, madje i kishte
bërë edhe një fron Shën Kozmait të veshur me kadife që shenjti e mbante me vete
kudo ku predikonte, duke hipur sipër atij, por meqenëse Kurt Pasha ishte i
dobët moralisht e tradhtoi shenjtorin dhe dërgoi njerëz për ta vrarë.
Armiqësinë e hebrenjve për Shën Kozmain na e tregon vetë shenjti në një letër
dërguar vëllait të tij në 2 mars 1779, pesë muaj përpara se ta vrisnin. "Mbetsh
me shëndet shpirtëror dhe trupor. Dhjetë mijë të krishterë më duan dhe një më
urren. Një mijë myslimanë më duan dhe një jo dhe aq. Me mijëra hebrenj kërkojnë
vdekjen time dhe një jo".
Pra, si nga ajo që thatë juve, jo plotësisht të vërtetë dhe si nga faktet që
janë tërësisht të vërteta, Shën Kozmai nuk u martirizua, as si agjent i Portës
së Lartë, sepse Kurt Pasha nuk do të guxonte ta bënte këtë, as nga revolta
popullore si antishqiptar, por për hir të Krishtit nga hebrenjtë që e luftonin
kishën e krishterë dhe besimin në Krishtin prej shekujsh.
Unë zoti Pëllumb nuk dua të bëj polemikë me ju nga ana historike, sepse nuk
pretendoj të jem i tillë, por ca gjëra janë kaq të vërtetuara në lidhje me Shën
Kozmain saqë dhe njeriu naiv nuk mund të gabojë. Por më lejoni t'ju bëj një
pyetje: “Përse ju zoti historian nuk i referoheni në shkrimet tuaja historisë
shumë të njohur me personalitete shqiptare, të cilët e kanë nderuar Shën
Kozmain në kohë të ndryshme dhe këtu flas për Ali Pashë Tepelenën, Imzot Fan S.
Nolin, Kryepeshkopin Kristofor Kisin, etj. Ju shkoni dhe gërmoni në arkivat e
Vatikanit duke na servirur opinionet e agjentëve të Venedikut që fundja fundit
nuk ishin në interes dashamirës ndaj popullit tone dhe anashkaloni mendimet dhe veprimet e këtyre
personaliteteve që kanë lënë gjurmë në historinë e kombit të Shqipërisë. Kjo
është fyese dhe e pamoralshme, por dhe një veprim i pafalshëm për një historian
si ju që dini dhe keni lexuar shumë. Më lejoni mua që nuk jam historian t'jua servir juve dhe atyre që do ta lexojnë këtë
shkrim, opinionin dhe nderimin që i bëri Ali Pashë Tepelena Baba Kozmait. Duhet
ta dinë të tjerët dhe këtë duhet t'ua thoni ju si historian se Ali Pasha dhe
Shën Kozmai kishin një lidhje të veçantë, madje ka dhe dy letra midis tyre.
Aliu kishte një respekt të veçantë për Shën Kozmain, sepse Shën Kozmai me hirin
profetik i tregoi të gjithë jetën Aliut. Kur Shën Kozmai përndiqej nga njerëzit
e Kurt Pashës në Tepelenë, u drejtua nga shtëpia e Aliut. Atje e priti nëna e
Aliut, Hankoja. Pas pak erdhi dhe djali i saj, Aliu, i cili në atë kohë ishte
në arrati. Tek po rrinin në sofër, Kozmai me syrin e tij tejshikues dalloi tek
i riu një të ardhme të çuditshme. Hankoja e pyeti Shën Kozmain për Aliun dhe
Kozmai duke parë Aliun në sy i tha: "Do të bëhesh njeri i madh, do
sundosh gjithë Arvaninë, do të nënshtrosh Prevezën, do të sundosh Pargën,
Sulin, Delvinën, Kardhiqin dhe pjesën e Kurt Pashait. Do të lësh emër të madh
në botë". Dhe shtoi: - "Ky është vullneti i providencës
hyjnore, por vetëm kujtohu që gjatë gjithë kohës të duash dhe të mbrosh të
krishterët, nëse do që të mbetet pushteti edhe në pasardhësit e tu".
Dhe mbasi Shën Kozmai u largua nga Tepelena bashkë me Aliun, Aliu e pyeti
përsëri Shën Kozmain për të ardhmen e vet: Si dhe nëse do të shkonte në
Stamboll? Dhe Shën Kozmai i tha: "Do të shkosh edhe në Stamboll, por
me mjekër të kuqe". Aliu nuk e kuptoi frazën
e fundit dhe u ndanë si miq. Ky takim midis Aliut dhe Shën Kozmait ka ndodhur
në muajin gusht në vitin 1779, pak ditë para martirizimit të Shën Kozmait në 24
të gushtit të 1779. Martirizimi i Shën Kozmait u bë në Mujalli të Fierit dhe
varrimi i tij u bë në Kolkondas, pranë Kishës së Shën Mërisë. Njëri nga ata që
kishte vrarë shenjtin dhe pati marrë kalimafin e tij dhe ishte kthyer duke e
mbajtur atë në kokë dhe duke tallur shenjtin, por në çast e lanë mendtë. Hoqi
rrobat dhe vrapoi duke thirrur se ai e vrau shenjtin. Kjo gjë ra në veshët e
Kurt Pashës. Ai e urdhëroi dhe e hodhi në burg ku hoqi keq e më keq dhe më në
fund vdiq. Kurt Pasha u pendua për atë që kishte bërë dhe u përpoq ta fshihte
krimin kundër Baba Kozmait. Por gjërat kishin marrë dhenë. (Marrë nga Sinaksari
i Shën Nikodhimit).
Përsëri historia na thotë se si kaluan disa vjet, Ali Pashë Tepelena pasi mundi
Kurt Pashën dhe u bë zot i Beratit kërkoi varrin e Kozmait dhe për nder të tij
ndërtoi një kishë. Në mënyrë që kisha të bëhej sa më e mirë dhe të merrte një
karakter sa më popullor jo vetëm që dha vetë një shumë të madhe parash, por
urdhëroi edhe gjithë komunitetet e rrethit të ndihmonin në këtë vepër. Në një
letër të Aliut shkruar në Gjirokastër thuhet: "Të interesoheni të gjithë, ta ndërtoni dhe të gjithë rumët e
Beratit, myzeqarë dhe vllehë grabovarë, katunde dhe çifligje: Ju lajmëroj se ja
ku vura një epitrop që të më ndreqin manastirin e plakut Kozma dhe ndihmova
edhe unë me të holla dhe të ndihmoni edhe ju si t'ju thotë dhespoti, me qëllim
që të ndreqet ky manastir. Dhe ata që nuk do të japin ndihmën e tyre do të më
mbetet hatri dhe do ta paguajnë dyfish, ashtu si ju urdhëroj, kështu të bëni
pas këtij vendimi". Në Gjirokastër, 12 shtator 1813.
Në një tjetër letër të Aliut, dërguar nga Janina na thuhet: "Ahir Duhaxhit e mi, Mitropolit i
Beratit dhe Haxhi Janko! Ju përshëndes dhe ju tregoj se sa më shkruat i mora
vesh dhe u informova me anën e igumenit që u kujdesët për plakun Kozma. Ja tek
po vjen ay, igumeni dhe Nikolla bashkë me kryemjeshtrin dhe të vini dhe të
rregulloni odat dhe kullën e manastirit që të shquhet nga të gjithë manastiret,
sepse tani me ardhjen time aty dëshiroj ta gjej të mbaruar. Pra, të kujdeseni
të gjithë që ta ndreqni dhe të gjithë rumët e Beratit, të mëdhenj dhe të vegjël
të ndihmoni. Po i shkruaj dhe Ibrahim Arapit t'ju ndihmojë në çdo punë. Të bëni
sikurse ju shkruaj. Ju përshëndes. Në Janinë në 12 shtator 1814".
Është për t'u theksuar dhe nderimi i Aliut për kokën (lipsanin) e Shën
Kozmait. Ali Pasha porositi në Venecia veshjen e kokës së Shën Kozmait me flori
dhe argjend, e cila u punua nga Nikolas Klykys. Shpeshherë Aliu e merrte në
Janinë kokën dhe e puthte me shpresëtari të madhe. Kur një fanatik mysliman i
tha njëherë se nuk bënte mirë të nderonte një të pabesë kaur, Ali Pasha i tha: "Më sillni një mysliman si këtë të
krishterë dhe do t'i puth këmbët". Një herë tjetër kur i sollën kokën
e Shën Kozmait në divan, një sheh Haxhi Sehriu, i thirri Aliut: "Ke bërë gjynah të madh" - por
pashai qetë, qetë i tha: "Po je i
marrë, o sheh i varfër. Sikur ta kishe njohur s'do të flisje kështu. Ky
kallogjerë o Haxhi ishte profet i vërtetë. Erdhi në shtëpinë time në Tepelenë
dhe më uroi dhe m'i tha të gjitha sa kisha bërë, sikur t'i kishte të shkruara
të gjitha në qitap".
Madje, kur Aliu ishte në fund të jetës së tij bënte plane për të ngritur
krye kundër sulltanit urdhëroi kallogjerët që t'i sillnin për ndihmë dhe kokën
e Shën Kozmait nga Kolkondasi, duke organizuar edhe një litani madhështore
gjatë gjithë rrugës deri në Janinë. Biografi i Aliut, Davenport, na kanë lënë shumë
informata që kishte mbledhur nga njerëzit që e kishin parë me sy këtë nderim të
madh që i kishte bërë Pashai xha Kozmait. Të gjitha këto që parashtruam gjenden
në librin me titullin "Kozmai nga Etolia" me autor Fani Mihallopullo
dhe përkthyer nga greqishtja prej Dhimitër Bedulit. Një fakt tjetër historik na
thotë se në vitin 1918 një arkeolog austriak e përvetësoi kokën e florinjtë dhe
e çoi në Vjenë ku ndodhet edhe sot në muze.
Zoti Pëllumb Xhufi si mund t'i injoroni këto fakte dhe të mos na i tregoni apo
mos ndoshta për juve edhe Ali Pasha është si ata fshatarët e paditur që "nderonin si shenjtor renegatin
Ballaban Pasha dhe faleshin gjithë përgjërim para tyrbes së tij?" Apo
mos ju doni të na thoni se Ali Pasha ishte agjent i grekëve meqë i dërgonte letrat
e tij në greqisht? Po mirë Aliun, po pse imzot Fan Nolin, të cilin ju e nderoni
dhe e përdorni shumë në shkrimet tuaja nuk e përmendni për nderin që i bëri
Shën Kozmait. Ju duhet të dini ose më lejoni t'jua them se Fan Noli në librin e
Kremtores përkthyer nga greqishtja në Boston, mars 1947 në parathënie përmes të
tjerash thotë: "Përkthimin e kemi bërë lirisht, pas kuptimit dhe jo fjalë pas
fjale, nga greqishtja, me përjashtimin e këndimeve të Shën Kozmait të Beratit,
të cilat i parafrazuam nga version shqip i kryehirësisë së tij, imzot Kristofor
Kisi kryepeshkopit të Shqipërisë". Pra, ashtu si Ali Pashë
Tepelena që guxoi të formojë një shtet shqiptar kundër Portës së Lartë nderonte
Shën Kozmanë, po ashtu dhe Fan Noli një tjetër shqiptar që ishte inisiator për
autoqefalinë e Kishës dhe për krijimin e një qeverie demokratike dhe u bë
kryeministër, e nderonte Shën Kozmain duke e quajtur Shën Kozmai i Beratit, po
ashtu dhe Kryepeshkop Kristofor Kisi i pari kryepeshkop kanonik i KOASH-it e
nderonte Shën Kozmain se ishte i pari që përktheu shërbesën e tij nga
greqishtja në shqip në vitin 1931. Dhe ky nderim që bëhej në kishën e shenjtit
në Kolkondas të Fierit që nga viti 1815, ku në të merrnin pjesë shqiptarë të
krishterë dhe myslimanë, çdo vit në 24 të gushtit, pra një shekull e gjysmë
përpara se Shën Kozmai të kanonizohej shenjt nga Patriarkana Ekumenike në 20
prill 1961 dhe të njihej i tillë nga e gjithë kisha orthodhokse në botë tregon
se këta shqiptarë të shquar që lanë gjurmë në historinë e popullit tonë, të
shtetit shqiptar dhe të KOASH-it, po edhe për njerëzit e thjeshtë që e kujtonin
dhe e nderonin shenjtin nga gojëdhënat e prindërve dhe gjyshërve të tyre, nuk e
shikonin Shën Kozmain si agjent grek, si luftënxitës dhe përçarës të
territoreve shqiptare, - siç thoni juve sot, por si një shenjtor të vërtetë që
shkriu jetën në dashuri për Zotin dhe për njeriun dhe që ia vlen të nderohet
ashtu si u bë edhe këtë radhë në manastirin e tij të rindërtuar me kontributin
e KOASH-it.
Mos ndoshta ju zXhufi edhe këto personalitete të historisë moderne të
Shqipërisë si Fan Nolin, Kristofor Kisin dhe gjithë ata të njohur dhe të
panjohur që e kanë nderuar Shën Kozmain si shenjtor deri më sot, meqenëse në
heshtje nuk janë dakord me opinionin tënd për Shën Kozmain do t'i gruponi dhe
do t'i etiketoni si ata fshatarët e pashkollë që i faleshin Ballabanë Pashës si
shenjtor? Ju këtë fatkeqësisht e keni bërë. Në shkrimin tuaj ju e keni thënë
duke e paralelizuar nderimin e Shën Kozmait si dëshmor me atë të Ballabanë Pashës
si tradhtar. Ja çfarë shkruani: "E
pra, mosdija dhe fanatizmi i kohëve të shkuara na ka lënë trashëgimi edhe
ndonjë hero dhe profet të rremë". Dhe përsëri shkruani: "Nëse ishte vërtetë e tillë atëherë
adhurimi orthodhoks për Shën Kozmain duhet të jetë një keqkuptim, siç ishte
vetë adhurimi i besimtarëve myslimanë për Ballabanë Pashën". Kjo është
fyese për personalitetin dhe kulturën e atyre njerëzve, por edhe për gjënë më
të shenjtë që ka njeriu jo ateist: Besimin në Zotin dhe në shenjtorët. Mos ju
është mbushur mendja se vetëm ju mund t'i dalloni armiqtë e shqiptarëve, kurse
të tjerët janë treguar sylesh. Dhe një nga Fjalët e Urta thotë: "Para se të vij rrënimi, vjen
kryelartësia".
A mund të na thoni ju se me gjithë këtë punë që bëni prej kaq shumë kohësh, me
shkrime, intervista, çfarë doni të arrini? Ku e keni qëllimin? Para disa kohësh
ju akuzonit Fortlumturinë e tij kryepeshkopin Anastas si agjent të grekëve dhe
antishqiptar. Tani keni filluar me Shën Kozmain po me të njëjtat teza. Mos në
axhendën tuaj doni të filloni edhe me Jisu Krishtin, si agjent të hebrenjve ose
edhe si agjent të grekëve meqenëse tradita na thotë se me Pilatin komunikoi
greqisht si gjuha zyrtare në atë kohë; apo se edhe ungjijtë u shkruajtën
greqisht. Mos doni në axhendën tuaj të mëvonshme të na urdhëroni me qarkore t'i
prishim dhe t'i mbyllim kishat meqenëse ato janë të kushtuar shenjtorëve dhe që
kanë emra të shkruara në greqisht në afresket e tyre. Mos doni në axhendën tuaj
të ribëni atë që bëri arkitekti i Shqipërisë ateiste-komuniste me satelitët e
tij në vitin 1967 duke e futur Shqipërinë në historinë e botës me faktin e
hidhur se, ekziston një kohë dhe ekziston një popull, që me ligj e mohoi Zotin?
Për botën e qytetëruar kjo quhet marrëzia e shekujve. Mos doni t'i
riindroktrinoni përsëri masat me thënien revolucionare "Feja opium për popullin" dhe t'i nxisni me penën tuaj të
marrin drapërin dhe çekanin dhe të shkatërrojnë ato që mbetën nga histeria
ateiste-komuniste dhe që me shumë mund u restauruan nga KOASH-i dhe që janë
dëshmi dhe fakte historike dhe kulturore për ata që duan të njohin më shumë për
Shqipërinë dhe për të kaluarën e saj. Për këtë punoni ju zoti Xhufi? Por ju si
historian dhe me shumë njohuri nuk e keni kuptuar këtë fakt historik dhe
ekzistencial se pa tempull nuk ka qytetërim. Prapë prova do të bëjmë ne zoti
Xhufi? Apo e harruat historinë e shkuar. Ju e dini se një histori e harruar
rrezikon të përsëritet. Kush është qëllimi i propagandës tënde? Mos doni të
prishni harmoninë fetare midis komuniteteve, duke hequr gurët e themelit të
kësaj harmonie dhe bashkëjetese siç është edhe Shën Kozmai, i cili nderohet
prej shekujsh nga të krishterët, nga myslimanët dhe bektashinjtë, të krishterët
e nderojnë si Shën Kozmain dhe bektashinjtë si Baba Kozmai. Ju mos doni të
shkatërroni edhe këtë vlerë kaq të brishtë të bashkëjetesës fetare që na ka
mbetur për t'ia treguar botës, me të cilën sot na mburrin dhe na marrin për
shembull. Mos jeni ju, të më falni për epitetin, një fantazmë e historisë
ateiste-komuniste që kaluam? Kujt i shërbeni ju që doni t'i rivrisni
shenjtorët? Mos atyre hebrenjve që paguan 50 qese për kokën e Shën Kozmait. Apo
Kurt Pashës që u shit për aspra dhe e tradhtoi Shën Kozmanë. Apo Venedikut që
kërkonin ta vrisnin Shën Kozmain, siç e thoni ju vetë, se ai ndalonte prozelitizmin
në uniatë të popullit vendas. Sido që të jetë, çfarëdo axhende dhe qëllimi që
të kesh, për mua dhe për të gjithë ata që i nderojnë vlerat morale dhe njerëzit
që i shfaqin ato, kjo që po bën ti dhe grupi yt është antikombëtare, antivlerë,
amorale, antihistorike, (duke shkatërruar edhe atë pak histori që na ka mbetur
nga masakra e atyre që thonin "Historia fillon me ne") dhe e
rrezikshme duke manipuluar turmat dhe bie ndesh me vizionin evropian që ka
shteti dhe populli ynë për t'u bërë pjesë e përbashkët e Evropës. E një
bashkëjetese paqësore me fqinjët, e respektimit të vlerave kulturore dhe shpirtërore,
e thënies së historisë me të vërtetë, pa shtrembërime, fanatizëm dhe
anathema.
Zoti Xhufi më lejo të them dy fjalë si katekist, si atë që di ta bëj mirë me
hirin e Zotit. Në ungjill na urdhërohet: 'Bekoni
dhe mos mallkoni'. Besoj se Shën Kozmai të bekon dhe lutet për ty si për
stërgjyshërit e tu, të cilët e kanë parë dhe njohur Shën Kozmanë dhe uratën e
tij kanë marrë. Edhe ne të krishterët të bekojmë dhe nuk të mallkojmë,
pavarësisht se na ke fyer shumë, se jo vetëm se jemi krijesa të Perëndisë dhe
ikona të tij, pavarësisht se e beson ose jo, por jemi dhe bashkëkombës,
ngrohemi në një diell, jetojmë në një vend, punojmë dhe kontribuojmë për të
mirën e vendit që të gëzojmë ne, por dhe të tjerët mbas nesh. Të bekojmë dhe
nuk të mallkojmë, se na ke bërë një të mirë të madhe të gjithë neve
orthodhoksëve, sepse të nxitur nga veprimi yt dhe i të tjerëve kundër
shenjtorit dhe kishës, me dashje ose padashje, me dije ose padije, na nxite t'i
rikthehemi jetës së atij, ta ristudiojmë veprën e tij, ta rivlerësojmë, ta
nderojmë siç i ka hije këtij isapostulli, këtij dëshmori të madh të Krishtit,
këtij miku të Zotit dhe të njeriut, këtij ndriçuesi të dijes, këtij bashkuesi
të kombeve, këtij ruajtësi të besimit, domethënë: të heqim atë pluhurin e kohës
nga ky diamant shpirtëror që e stolis Kishën tonë Orthodhokse, por edhe vendin
tonë.
Dije se beson apo nuk beson, jo vetëm ti që je njeri, por dhe vetë djalli që
është babai i gënjeshtrës dhe të gjithë ata që i falen atij, punën e Zotit
bëjnë pa dashur. Sepse është shkuar: "Ai
i zë të diturit në krenarinë e tyre". Dhe përsëri: "Zoti njeh mendimet e të diturve se janë të kota".
Por në fund më lejo edhe këtë: Një njeri i urtë thotë: "Mos e prish me të gjithë. Me njerëzit edhe po nuk e rregullove
nuk ka gjë, të mbetet Perëndia. Por po e prishe me Perëndinë dhe Shenjtorët e
tij, kush do të të justifikojë dhe të të mbrojë kur të mbetesh i vetëm?".
"Është e frikshme të biesh në duart e Perëndisë së gjallë"!
"Duaje të afërmin tënd si veten"
Shkrim i përgatitur nga Pergjegjesi zyres katekizmit e Kryepiskopatës së Tiranës : Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë
Z. Miron Çako