“DJEMA , RUANI VETEN NGA IDHUJT " (lLetra e parë: 1 Joani 5-21).
May 3, 2023 at 3:24 pm,
No comments
Shkrim nga Katekisti Miron Çako
Maj 2023
Njeriu duke qenë një qenie fetare e kërkon Trashendenten. Por kur njerëzit, edhe pse të krijuar sipas ikonës së Perëndisë si qenje intelektuale (Zan.1,26), u mashtruan nga djalli, babai i gënjeshtrës dhe njerivrasës që nga fillimi (Joan.8,44) duke rënë në mëkatin fillestar (Zan.3,6-7) e humbën orientimin drejt vizionit të qartë të Perëndisë, u errësuan në arsyetimin e tyre dhe ranë në idhujtari.
Idhujtaria është të besuarit në një qenie, individ, objekt, apo rite të krijuar nga fantazia, frika dhe veçanërisht nga mashtrimet demoniake, që i`u shfaqeshin njerëzve si "zota". Njerëzit i`u shërbenin sikur ata janë Zoti i tyre dhe i shihnin, ato qenje, individ, apo objekte dhe rite si sigurues të mbrojtjes, lumturisë dhe shpresës së jetës njerëzore.
Idhujtaria është mohimi dhe fyerje ndaj Zotit Trashedent dhe Imanent që të çon autamatikisht në demonolatri (në adhurim demonësh), ashtu si na thotë psalmisti :“Sepse gjithë perënditë e kombeve janë idhuj (demon), por Zoti ka bërë qiejt” (Psalmi 96-5). Apostull Pavli e vazhdon kritikën për idhujtarinë duke e lidhur me kultin e demonëve, tu bësh fli idhujve do të thotë tu bësh fli demonëve: “Jo, por them se gjërat që flijojnë johebrenjtë, ua flijojnë demonëve dhe jo Perëndisë; tani unë nuk dua që ju të keni pjesë me demonët” (1Korintasve.10,20).
Njeriu edhe pse mëkatoi në fillim nuk e humbi tërësisht arsyen e tij si qenie intelektuale. Ai kishte mundësi që nga arsyeja e errësuar përsëri ta njhte Perëndinë që është një, por me vetëdashje pranoj të mashtrohrt nga djalli dhe fantazia e tij, sepse si pasojë e rënjes ishte i prirur në rebelim dhe në mëkat. Kështu krijuan zotat e personalizuar që i përligjnin dhe përjetësonin pasionet e tyre mëkatare. Të tilla ishin si perëndia i epshit me Afërditën, i verës dhe i dehjes me Dionisin, i luftës dhe hakmarrjes me Mërkurin, e të tjerë zota pa fund aq sa pasione njerëzore ka, dhe kështu gjithë bota ishte e mbushur me idhuj dhe tempuj kushtuar tyre.
Për të gjithë këtë mashtrim dhe marrëzi kolektive na flet edhe Bibla në shumë libra të saj veçanërisht tek Libri Urtësisë: “Vërtet të pakuptim prej natyre ishin të gjithë ata njerëz që nuk e njohën Perëndinë, njohja që prej të mirave që shihen nuk ia dolën ta kuptojnë Atë që është, që, duke i parë veprat, nuk e njohën Mjeshtrin (Zotin). Por, o zjarrin, o erën, o ajrin e hollë, o kupën qiellore ose ujët e ose dritëdhënësit e qiellit i mbajtën për zota, zotërues të botës. Nëse, të mahnitur nga bukuria e tyre, i kanë mbajtur për hyjni, duhet ta dinë se sa më i mirë nga ato është Zotëruesi i tyre: sepse, i krijoi Ai që është, zanafilla dhe Autori i vetë bukurisë. Nëse i ka habitur fuqia dhe veprimtaria e tyre, duhet ta kuptojnë se sa më i fortë se ato është Ai që i krijoi ato: sepse prej madhërisë dhe bukurisë së krijesave mund të njihet me krahasim Krijuesi i tyre. Por të tillët s'meritojnë vetëm një qortim të lehtë, a ndoshta gabojnë në mënyrë duke kërkuar Perëndinë se dëshirojnë ta gjejnë duke jetuar në mes të veprave të tija mundohen t'i depërtojnë, i besojnë pamjes së jashtme pasi sendet që shohin janë të bukura. Porse mjerisht as këta s'mund të arsyetohen: nëse qenë të aftë të kenë aq dijeni sa që të shqyrtojnë gjithësinë, si vallë s'e patën më lehtë ta zbulojnë Krijuesin e të gjithave?Por të mjerë janë ata - dhe shpresojnë në gjëra të vdekura - që i mbajnë për zota veprat e duarve të njerëzve, ar, argjend të punuar me mjeshtri, figura kafshësh, gurë të pavlerë, të gdhendurin me dorë mjeshtërore” (Urtësia 13,1-10).
Apostull Pavli ju drejtohet kombeve: “Sepse, megjithëse e njohën Perëndinë, nuk e përlëvduan as e falënderuan si Perëndi, përkundrazi u bënë të pamend në arsyetimet e tyre dhe zemra e tyre pa gjykim u errësua…e ndryshuan të vërtetën e Perëndisë në gënjeshtër dhe adhuruan dhe i shërbyen krijesës në vend të Krijuesit, që është i bekuar përjetë. Amin.”(Rom.1,21-25).
Kjo është arsyeja që njerëzit mbas rënies u bën paganë dhe politeistë duke besuar në shumë perëndi dhe duke krijuar shumë fe dhe rite të panumërta. Prandaj politeizmi ose multifetarizmi që vazhdon deri më sot tregojnë se njerëzimi ka rënë në idhujtari dhe e kërkon Zotin në një rrugë të gabuar, ndryshe nga ajo që zbuloi Perëndia Atë nëpërmjet Fjalës dhe Birit të tij (Joani,1.9-10) dhe Shpirtit të Shenjtë.(Joani 16-13)
Perëndia një qenie Hyjnore në tri persona, ose Trinia e Shenjtë: Ati, Biri dhe Shpirti i Shenjtë, ndërhyri për të korrigjur këtë anomali fetare, që fyente dinjitetin hyjnor por njëkohësisht mashtronte,përçante njerëzit mes zotave të tyre dhe talleshin dhe viktimizoheshin nga demonët.
Në Bibël na tregohet se si Perëndia edhe pse i la njerëzit e lirë në zgjedhjen e tyre të gabuar përsëri nga dashuria e tij ndërhyri dhe iu shfaq një njeriu me emrin Abram (1900 vjet pr K) që jetonte në Haran të Babilonisë dhe e nxit të largohej nga vendi dhe idhujt e shtëpisë së atit të tij .(Zanafilla.12)
Nga Patriarku Abraham, Isaku dhe Jakobi (Izrael), u krijua një popull i ri, populli i Izraelit që qëndroi për 430 vjet në Egjipt, vëndin e idhujtarisë dhe magjisë. Zoti i nxori me dorën e tij të fuqishme nga Egjipti nëpërmjet profetit Moisi dhe ju shfaq atyre me madhështi në Malin Sina duke bërë Beslidhje me ata dhe ju kushtetutën Hyjnore, Dekalogun.
Tek Dekalogu (10 porositë) urdhërohen qartë kundër idhujtarisë: "Unë jam Zoti, Perëndia yt, që të nxori nga vendi i Egjiptit, nga shtëpia e skllavërisë. Nuk do të kesh perëndi të tjerë para meje. Nuk do të bësh skulpturë ose shëmbëlltyrë të asnjë gjëje që ndodhet aty në qiejt ose këtu poshtë në tokë ose në ujërat nën tokë. Nuk do të përkulesh para tyre dhe as do t'i shërbesh (Eksodi.20,2-5).
Po ashtu tek ligji Përtërirë na përsëritë urdhërin: “Me qenë, pra se nuk patë asnjë figurë ditën që Zoti ju foli në Horeb nga mesi i zjarrit, tregoni kujdes të veçantë për shpirtërat tuaja, me qëllim që të mos shthureni dhe të mos gdhendni ndonjë shëmbëlltyrë, në trajtën e ndonjë figure: paraqitjen e një burri apo të një gruaje, paraqitjen e një kafshe që është mbi tokë, paraqitjen e një zogu që fluturon në qiell, paraqitjen e çdo gjëje që zvarritet mbi dhe, paraqitjen e një peshku që noton në ujërat poshtë tokës; sepse duke ngritur sytë në qiell dhe duke parë diellin, hënën, yjet, të tëra, domethënë tërë ushtrinë qiellore, ti të mos nxitesh të biesh përmbys përpara këtyre gjërave dhe t'u shërbesh, gjërave që Zoti, Perëndia yt, u ka dhënë tërë popujve që ndodhen nën të gjithë qiejtë; por Zoti ju mori dhe ju nxori nga furra e hekurt, nga Egjipti, për të qenë populli i tij, trashëgimia e tij, ashtu siç jeni sot”(Ligji i Përtërirë 4,15-20)
Por edhe pse ligji është kaq i prerë kundër idhujtarisë përsëri populli i Izraelit, i ndikur nga idhujt e Egjiptit dhe djalli, ra në idhujtari në këmbët e malit Sina duke ju falur një demi të gdhendur nga vetë populli (Eks.32,1-8).
Profetët gjithmonë shprehnin indinjatën e Zotit për idhujtarinë e Izraelit që adhuronte idhujt e kombeve, madje duke e quajtur atë një kurvëri me idhujt mbrapa të cilëve fshihen demonët, ashtu si profeti Jezekel thotë: “Kështu thotë Zoti, Zoti: “Duke qenë se paratë e tua janë shkapërderdhur dhe lakuriqësia jote është zbuluar në kurvërimet e tua me dashnorët e tu dhe me tërë idhujt e tu të neveritshëm dhe për shkak të gjakut të bijve të tu që u ke ofruar atyre, ja, unë do të mbledh tërë dashnorët e tu me të cilët ke bërë qejf, të gjithë ata që ke dashuruar bashkë me ata që ke urryer; do t`i mbledh nga çdo anë kundër teje dhe do të zbuloj para tyre lakuriqësinë tënde, me qëllim që ata të shohin gjithë lakuriqësinë tënde. Do të të gjykoj si gjykohen gratë që shkelin kurorën dhe ato që derdhin gjakun dhe do të sjell mbi ty gjakun e tërbimit dhe të xhelozisë” (Jezekeli.16,36-38)
Jo vetëm Izraeli por edhe kombet qortoheshin nga profetët që të vinin në vete dhe ti braktisnin idhujt, ashtu si profeti Isaia qorton: “Mblidhuni dhe ejani, afrohuni bashkë, ju që keni shpëtuar nga kombet! Nuk kanë mend ata që mbajnë një shëmbëlltyrë prej drurit të gdhendur prej tyre dhe i luten një perëndi që nuk mund të shpëtojë”(Is.45, 20).
Njerëzimi duhet të vinte mendjen në punë dhe të pranonte se është një Krijues i vetëm që meriton adhurim, ashtu si na flet vetë Zoti me gojën e profetit:"Para meje asnjë Zot nuk është krijuar dhe pas meje nuk do të ketë asnjë" (Isaia 43, 10).
Idhujtaria është përcaktuar si ndotje shpirtërore, morale dhe shkaktare e shumë fatkeqësive, natyrore, kombëtare, familjare dhe personale, sepse :“Shpikja e idhujve ka qenë fillimi i fëlligështisë dhe zbulimi i tyre solli prishjen e jetës. Nuk kanë qenë në fillim as nuk do të jenë përgjithmonë. Erdhën në botë prej kotësisë njerëzore, prandaj edhe zhdukjen e kanë të caktuar...Kështu jeta njerëzore lejoi të zihet në kurth, sepse njerëzit, fli të fatkeqësisë ose të tiranisë, ia dhanë Emrin e Perëndis gurit e drurit” (Urtësia.14, 12-21)
Për këtë idhujtari si izraelitët edhe kombet që nxisnin xhelozinë e Zotit u ndëshkuan në mënyrë shëmbullore me uri, luftra, pushtime, shkatërrime dhe katastrofa natyrore.
Edhe në Beslidhja e Re që bëri Perëndia (Ati, Biri dhe Shpirti i Shenjtë ) me Kishën Orthodhokse Katholike dhe Apostolike (Veprat e Apostujve 2) përsëri vazhdon përpjekja për ti shpëtuar njerëzit nga idhujtaria, sepse; “u kthyet nga idhujt te Perëndia, për t’i shërbyer Perëndisë së gjallë e të vërtetë”(1Selanikasve.1-9)
Mësimet apostolike ndalonin të krishterët të merrnin pjesë në festa pagane, në flijme idhujsh dhe ushqime idhujsh, ashtu si apostull Pavli shkruante: “Por në qoftë se dikush ju thotë: ''Kjo është nga flijim idhujsh'', mos hani, për atë që ju paralajmëroi dhe për shkak të ndërgjegjes, sepse ''toka është e Zotit dhe gjithçka që ajo përmban''. (1.Korintasve.10;25-30).
“Dhe çfarë marrëveshje ka tempulli i Perëndisë me idhujt? Sepse ju jeni tempulli i Perëndisë së gjallë, sikurse tha Perëndia: ''Unë do të banoj në mes tyre, dhe do të ec ndër ta; do të jem Perëndia i tyre dhe ata do të jenë populli im”(2 Kor 6,16). Prandaj: “dilni nga mesi i tyre dhe ndahuni prej tyre, thotë Zoti, dhe mos prekni asgjë të ndyrë, dhe unë do t'ju pranoj"(2.Korintasve 6,17)
Idhujtaria është e patolerushme dhe duhet braktisur si kusht i panegocjueshëm për të hyrë në Mbretërin e Perëndisë: “Prandaj, të dashurit e mi, largohuni nga idhujtaria” (1.Korintasve 10,14).
Sipas mësimit apostolik, idhujtaria klasifikohet së bashku me mëkatet e tjera të vdekshme të mishit si: “kurorëshkelja, kurvëria, ndyrësia, shthurja, idhujtaria, magjia, armiqësimi, grindjet, xhelozitë, mëritë, zënkat, përçarjet, tarafet, smira, vrasjet, të dehurit, grykësia dhe gjëra të ngjashme me këto, për të cilat po ju paralajmëroj, si kurse ju thashë edhe më parë, se ata që i bëjnë këto gjëra nuk do të trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë”(Galatasve 5 19-21)
Ai që mbetet në idhujtari dhe vdes si i tillë mbetet jashtë Mbretërisë së Zoti: “Jashtë janë qentë, magjistarët, kurvarët, vrasësit, idhujtarët dhe kushdo që do dhe zbaton gënjeshtrën”(Zbulesave.22,15).
Ata fatkeqësisht nuk mund ti shpëtojnë ndëshkimit të përjetshëm të ferrit: “Kurse për frikacakët dhe të pabesët, dhe të neveritshmit dhe vrasësit, dhe kurvëruesit, dhe magjistarët, dhe idhujtarët, dhe gjithë gënjeshtarët, pjesa e tyre do të jetë në liqenin që digjet me zjarr dhe squfur, që është vdekja e dytë.” (Zbulesa 21-8)
Kisha Apostolike në të cilën vazhdon lufta e pamëshirshme mes Zoti Jisu Krisht dhe botës së mëkatit, përjeton një histori, ku është i pranishëm tundimi që njerëzit të bien gjithmonë në idhujtari për të adhuruar «shëmbëlltyrën e Egërsirës» (Zbulesa 13-14).
Edhe pse krishterimi për kaq shekuj mëson kombet ti braktisin idhujt dhe ti shërbejnë Perëndisë së vërtetë (1Selanikasve :1-9) përsëri idhujatria është një sëmundje infektive që nuk zhduket, por momentin që gjenë terren dhe kushtet e favorshme menjëherë shfaqet duke sëmurur shpirtrat, ndyrësuar vëndin dhe demonizuar njerëzit.
Idhujtaria është një tundim i përhershëm dhe shfaqet në trajta të ndryshme sapo hiqet dorë nga shërbimi ndaj Zotit dhe njeriu bëhet skllav i gjithfarë zotërinjsh, të krijuar prej vetes dhe inspirimit demoniak.
Në kohën që po jetojmë ka ende shumë individ, grupe fetare, popuj që besojnë dhe ju falen idhujve, në tempuj , mbajnë statuja, piktura, hajmali, bëjnë rite pagane, madje ato po na rishfaqen me shumë zell dhe esteri nga e kaluara dhe koha e sotme quhet neopaganizëm .
Përveç idhujve primitiv sot ka idhuj të rinj modernë që fatkeqësisht janë bërë idhujt global të këtij brezi apostat dhe imoral.
Një nga këta idhuj të sotëm është paraja. Paraja edhe pse është e shpikur nga njerëzit është kthyer në një zot për njerëzit. Zoti Jisu Krisht na thotë: “Askush nuk mund t'u shërbejë dy zotërinjve, sepse ose do të urrejë njërin dhe do ta dojë tjetrin; ose do t'i qëndrojë besnik njerit dhe do të përçmojë tjetrin; ju nuk mund t'i shërbeni Perëndisë dhe mamonit”(Mateu 6,24). Njerëzit për para mohojnë Zotin, ashtu si Juda tradhëtoj Krishtin (Marku 14-10-11).
Ata vrasin, gënjejnë, tradhëtojnë dhe çfarë nuk bëjnë duke e çuar për tokë dinjtetin njerëzor dhe shpërfytyruar qenjen njerëzore në çnjerëzore nga dëshirë për të pasur më shumë para, sespe besojnë se paraja është zoti që do ti shpëtojë, mbrojë dhe do tju sigurojë një jetë pa probleme. Por njerëzit gënjehen shumë, sepse paraja është një zot i rremë, një idhull i krijuar nga njerëzit , që nuk të regullon jetën por ta vështirëson madje të krijon shumë dhimbje, vdekje të parakoshme dhe humbje të shpirtit kur të kontrollon , ashtu si na thotë apostulli: “Sepse lakmia për para është rrënja e gjithë të këqijave dhe, duke e lakmuar atë fort, disa u larguan nga besimi dhe e depërtuan veten e tyre në shumë dhimbje”(Timotheu 6-10).
Një tjetër idhull i sotëm janë kënaqësitë që njerëzit kërkojnë ti ofrojnë vetes me çdo kusht dhe çmim, si kënaqësia e seksit, pijes, drogës, filmave, pornografisë, telenovelave, futbollit, turizmit, etj. Kënaqësia është një idhull dominues në këtë brez që njerëzve ju merr kohën edhe energjitë në vend që tja ofrojnë Zotit, si burimi i çdo të mire dhe kënaqësie të vërtetë, ashtu si thuhet tek psalmi: “Gjej kënaqësinë tënde në Zotin dhe ai do të plotësojë dëshirat e zemrës sate”( Psalmi 37-4).
Një nga idhujt e sotëm është gastronomia, që e kanë kthyer si qëllim të jetës stomakun e tyre, në perëndinë e tyre, njerëzit madje edhe të krishterë janë bërë robër të ushqimeve, se çfarë do hamë, çfarë do pimë, ndryshe nga ajo që tha Zoti: “Mos u shqetësoni, pra, e mos thoni: “Çfarë do të hamë?”, “Çfarë do të pimë?” apo “Me se do të vishemi?”. Janë kombet ato që i kërkojnë të gjitha këto gjëra, ndërsa Ati juaj qiellor e di se ju keni nevojë për të gjitha këto. Kërkoni së pari mbretërinë e Perëndisë e drejtësinë e tij dhe ai do t'jua japë edhe ato gjëra" (Mateu 6,31-34).
Sa të krishterë nuk vijnë në Liturgjinë e të djelës sepse do shkojnë të bëjnë pazar ose do të gatuajnë në shtëpi, kjo tregon se ushqimi dhe stomaku i tyre është bërë një idhull më i rëndësishëm se Zoti ashtu si na thotë apostulli: “sepse ata nuk i shërbejnë Zotit tonë Jisu Krisht, por barkut të tyre” (Rom.16-18): “Dhe fundi i tyre është humbje, perëndia i tyre është barku dhe lavdia e tyre është në turp të tyre; ata mendojnë vetëm për gjërat tokësorë” (Filipianët 3-19).
Po ashtu një idhull i sotëm është estetika e jashtme. Njerëzimi i sotëm është kthyer vetëm në mish (Zanafilla 6-3) dhe i vë më shumë rëndësi bukurisë së jashtme se sa bukurisë së shpirtit. Pamja e jashtme është bërë sot një idhull sa njerëzit harxhojnë kohë, para dhe energji pa fund nëpër palestra, klinika estetike, për tu bërë sa më tërheqës tek të tjerët, apo seksi, por harrojnë se në mënyrë të pashmangshme do të plaken dhe do të vdesin, sepse në Bibël mësojmë se : “Ditët e njeriut janë si bari; ai lulëzon si lulja e fushës në qoftë se era i kalon sipër, ai nuk është më dhe vendi i tij nuk njihet më” (Psalmi.103,15-16). “Sepse çdo mish është si bari dhe çdo lavdi njeriu si lule e barit; bari thahet dhe lulja bie, por fjala e Zotit mbetet përjetë"(1.Petros 1;24-25).
Bukuria e vërtet ajo shpirtërore sepse ajo është e pavdekshme, për atë duhet të përpiqemi ta stolisim, me besim në Zotin dhe me mirësi, kurse ajo trupore është një bukurie e rreme, tunduese, egoiste dhe një idhull madje e kotë , ashtu si thuhet tek Fjalët e Urta :"Si një unazë ari në feçkën e një derri, kështu është një grua e bukur që nuk ka mend." (Fjalët e urta 11:22)
Apostul Petro këshillon gratë e krishtera si të stolisin veten: “Stolia juaj të mos jetë e jashtme: gërshëtimi i flokëve, stolisja me ar ose veshja me rroba të bukura, por njeriu i fshehur i zemrës, me pastërtinë që nuk prishet të një shpirti të butë dhe të qetë, që ka vlerë të madhe përpara Perëndisë” (I Petros 3; 3-4).
Edhe lakmia është idhujtari. Lakmi janë gjërat që njeriu i mendon dhe edhe pse ndoshta nuk i realizon përsëri ato mendime dhe dëshira konrollojnë psiqikën dhe energjitë tona duke u bërë një idhull. Apostulli tërheq vëmendjen : “Bëni, pra, të vdesin gjymtyrët tuaja që janë mbi tokë: kurvërinë, ndyrësinë, pasionet, dëshirat e këqija dhe lakminë, që është idhujtari” (Kolosianët 3-5).
Një tjetër idhull i sotëm është forca ushtarake dhe pushteti politik. Sot vendet nuk maten me vlerat morale por me forcën ushtarake, sa mbushje bërthamore kanë për ta shkatërruar njëri tjetrin dhe qytetrimin tonë. Politika dhe politikanët sot janë bërë idhuj, madje "perëndi".
Njerëzit e varin gjithë jetën tek buzët dhe propaganda e tyre shpesh e gënjeshtër, i adhurojnë politikanët. Por gabohen sepse në shumicën e rasteve zhgënjehen dhe e gjejnë veten të shfrytëzuar, të varfëruar, të vdekur nga idhujt e tyre partiak. Krishti e quajti mbretin Herod një dhelpër (Luka 13-32) dhe psalmisti këshillon: “Mos kini besim te princat dhe as te ndonjë bir njeriu, që nuk mund të shpëtojë. Kur fryma e tij ikën, ai kthehet përsëri në tokë dhe po atë ditë planet e tij zhduken. Lum ai që ka Perëndinë e Jakobit si ndihmë, shpresa e të cilit është tek Zoti, Perëndia i tij, që ka krijuar qiejtë dhe tokën, detin dhe gjithçka është në to, që ruan besnikërinë përjetë, që u jep të drejtë të shtypurve dhe ushqim të uriturve. Zoti çliron të burgosurit" (Psalmi 146 3-7).
E gjithë kjo idhujtari politike sot do ti drejtojë njerëzit në adhurimin e bishës, antikrishtit, ashtu siç thotë zbulesa: “Dhe do ta adhurojnë të gjithë banorët e dheut, emrat e të cilëve nuk janë shkruar në librin e jetës së Qengjit, që ishte vrarë që nga krijimi i botës” (Zbulesa.13-8).
Prapa këtyre idhujve të vjetër, primitiv edhe modern fshihet një mosnjohje e Zotit unik i Trinisë së Shenjtë (Atin, Birin dhe Shpirtin e Shenjtë) i cili është i vetmi që meriton besimin dhe adhurimin, ndryshe nga idhujt që janë shumë dhe azgjë ,prandaj: “Mos u mashtroni, vëllezërit e mi shumë të dashur; çdo gjë e mirë që na jepet dhe çdo dhuratë e përsosur vjen prej së larti dhe zbret nga Ati i dritave, pranë së cilit nuk ka ndërrim dhe as hije ndryshimi” (Jakovi 1 ;16-17).