SI I SHËRON KISHA ORTHODHOKSE TË SËMURËT ?
July 28, 2023 at 9:17 am,
No comments
SI I SHËRON KISHA ORTHODHOKSE TË SËMURËT?
Nga Katekisti Miron Çako
Kisha Orthodhokse përveçse është Shtëpia e Perëndisë (1 Timotheu 3-15) është edhe një Spital që shërohen të gjtha sëmundjet, shpirtërore, mendore, trupore, ashtu si na thotë Shën Agustini i Hipos: "Kisha është spital për të sëmurët dhe jo muze për shenjtorët".
Ky fakt nuk duhet të na çudisë aspak, sepse Kreu i Kishës (Kolosianët 1-18) është Krishti Biri dhe Fjala e Perëndisë i bërë njeri prej Shpirtit të Shenjtë dhe Gjithmonë Virgjëreshës Mari.(Simboli i Besimit)
Kur erdhi dhe veproi në tokën e Izraelit ai i shëronte të gjithë të sëmurët ashtu si na njoftojnë të gjthë ungjillorët: "Dhe fama e tij u përhap në gjithë Sirinë; dhe i sillnin të gjithë të sëmurët që vuanin nga lëngata dhe dhimbje të ndryshme, të demonizuar, epileptikë dhe paralitikë; dhe ai i shëronte.(Mateu 4-24)
"Edhe kudo që hynte në fshatra ose në qytete ose në ara, vinin të sëmurët nëpër tregje dhe i luteshin të preknin qoftë edhe cepin e rrobës së tij; edhe gjithë sa e preknin, shëroheshin"(Marku 6-56).
"Dhe në atë orë Jezusi shëroi shumë veta nga sëmundjet, nga fatkeqësitë dhe nga frymërat e liga, dhe shumë të verbërve ua dhuroi të parit" (Luka 7-21).
"Aty ishte një njeri i lënguar prej tridhjetë e tetë vjetësh. Jisui, duke e parë shtrirë dhe duke ditur se prej shumë kohe ishte në atë gjendje, i tha: ''A dëshiron të shërohesh?''. I lënguari u përgjigj: "Zot, unë s'kam njeri që, kur lëviz uji, të më fusë në pellg; dhe, ndërsa unë po shkoj, një tjetër zbret para meje''. Jisui i tha: ''Çohu, merr vigun tënd dhe ec!''. Njeriu u shërua në çast, mori vigun e tij dhe eci."(Joani 5,5-9)
Shërimi që u bënte Jisui të sëmurëve ishte një shënje mesianike: "që kështu të përmbushej fjala e profetit Isaia kur tha: ''Ai i mori lëngatat tona dhe i mbarti sëmundjet tona''(Mateu 4 -24).
“Ai vet i barti mëkatet tona në trupin e tij mbi drurin e kryqit që ne, të vdekur për mëkate, të rrojmë për drejtësi; dhe me plagët e tij ju u shëruat" (1 Petros 2-24) .
Sipas krishtërimit orthodhoks sëmundja ekziston në botë vetëm për shkak të mëkatit. Nuk do kishte aspak sëmundje as fizike dhe as mendore, nëse njeriu nuk do të kishte mëkatuar i nxitur nga djalli (Zanafilla 3,1-5).
Sipas fjalëve dhe vprave të Krishtit sëmundja është robëri tek djalli, prandaj ka një lidhje të ngushtë sëmundja me mëkatin edhe djallin shkaktar i mëkatit, këtë na e tregojnë faktet ungjillore.
“Dhe kur u ngrys, i sollën shumë të pushtuar nga demonë; dhe ai, me fjalë, i dëboi frymërat dhe i shëroi të gjithë të sëmurët" (Mateu 8-16).
“Kur perëndoi dielli, të gjithë ata që kishin të sëmurë me sëmundje të ndryshme i prunë tek ai; dhe ai i shëroi duke vënë duart mbi secilin prej tyre. Prej shumë vetëve dilnin demonë që bërtitnin dhe thoshnin: ''Ti je Krishti, Biri i Perëndisë''. Por ai i qortonte dhe nuk i lejonte të flisnin, sepse ata e dinin se ai ishte Krishti".(Luka 4, 40-41)
"Dhe ja, ishte një grua, e cila prej tetëmbëdhjetë vjetësh kishte një frymë lëngate, dhe ajo ishte krejt e kërrusur dhe në asnjë mënyrë nuk drejtohej dot. Dhe kur Jisui e pa, e thirri pranë vetes dhe i tha: ''O grua, ti je e liruar nga lëngata jote''. Dhe i vuri duart mbi të dhe ajo u drejtua menjëherë, dhe përlëvdonte Perëndinë....A nuk duhej, pra, të zgjidhej nga këto pranga, ditën e shtunë, kjo që është bijë e Abrahamit dhe që Satani e mbajti lidhur prej tetëmbëdhjetë vjetësh?''(Luka 13,10-17).
Shërimi i të sëmurëve ishte shenjë se mbretëria e Perëndisë tashmë kishte ardhur me fuqi tek njerëzit e sëmurë dhe të vdekshëm për shkak të mëkateve të tyre dhe të skallavëruar nga djalli, demonët: "Por në se unë i dëboj demonët me gishtin e Perëndisë, mbretëria e Perëndisë, pra ka arritur deri te ju" (Luka 11-20).
Kështu Krishti na tregoi që kur një njeri çlirohet nga mëkati dhe e keqja ai çlirohet edhe nga sëmundja dhe vdekja, shpirtërore dhe me ngjalljen e të vdekurve edhe nga ajo trupore. (Zbulesa 20 -12)
Në Mbretërinë e Perëndisë nuk do të ketë "as sëmundje as dhimbje as psherëtimë por vetëm jetë të pambaruar"(Shërbesa e varimit): "Dhe Perëndia do të thajë çdo lot nga sytë e tyre; dhe vdekja nuk do të jetë më; as brengë, as klithma, as mundim, sepse gjërat e mëparshme shkuan. “Dhe ai që rrinte mbi fron tha: “Ja, unë i bëj të gjitha gjërat të reja.” Dhe më tha: “Shkruaj, sepse këto fjalë janë të vërteta dhe besnike”(Zbulesa 21,4-5).
Zoti Jisu Krisht këtu fuqi për të shëruar ja delegoi Apostujve: “Shkoni dhe predikoni duke thënë: "Mbretëria e qiejve u afrua". Shëroni të sëmurët, pastroni lebrozët, ngjallni të vdekurit, dëboni demonët; falas morët, falas jepni”(Mateu 10,7-8).
“Kështu ata shkuan dhe u predikonin njerëzve që të pendoheshin; dhe dëbonin shumë demonë dhe vajosnin me vaj shumë të lëngatë dhe i shëronin."(Marku 6 -13)
Apostujt fuqinë për të shëruar ja deleguan Kishës Apostolike: "A është i sëmurë ndonjë nga ju? Le të thërrasë pleqtë e kishës dhe ata të luten përmbi të, dhe le ta lyejnë me vaj në emër të Zotit, dhe lutja e besimit do ta shpëtojë të sëmurin dhe Zoti do ta mëkëmbë; dhe nëse ka bërë mëkate, ato do t’i falen" (Jakovi 5,14-15).
Kisha Orthodhkse i shëron të sëmurët me urata, egzorçizma dhe në mënyrë të veçantë me misterin e Efqelisë, ashtu si këshillon Apostull Jakovi.(Jakovi 5: 14-15)
Sipas Kishës Orthodhokse qëllimi i këtij misteri është shërimi dhe falja. Meqënëse nuk është gjithmonë dëshira e Perëndisë që të jetë një shërim fizik, përmbajtja e misterit mbetet gjithmonë lutja e Krishtit, që të bëhet gjithnjë dëshira e Perëndisë. Për më tëpër, qëllimi i qartë i misterit është që, nëpërmjet lyerjes së trupit të sëmurë, vuajtjet e personit të mund të shenjtërohen dhe të mund të bashkohen me vuajtjet e Krishtit. Në këtë mënyrë, plagët e mishit shenjtërohen dhe jepet forcë që vuajtjet e personit të sëmurë, të mos jenë për vdekjen e shpirtit të tij, por për shpëtimin e përjetshëm, në ngjalljen dhe jetën e Mbretërisë së Perëndisë.
Është e vërtetë që vdekja do të vijë në mënyrë të paevitueshme tek çdo njeri. Të gjithë do të vdesin, edhe ata të cilëve në këtë jetë i është dhënë një zgjatje nëpërmjet shërimit, me qëllim që të kenë më shumë kohë në tokë. Prandaj, shërimi i të sëmurit nuk është në vetvete një qëllim përfundimtar, por thjesht një “mjet” i dhënë nga Perëndia, si shenjë e mëshirës së tij dhe si një hir për mundësi të mëtejshme të njeriut, për të jetuar për atë dhe për të tjerët, në jetën e kësaj bote. (Besimi Orthodhoks Adhurimi II)
Siç e shikojmë Kisha Katholike Apostolike Orthodhkose ndryshe nga shkenca e mjekësisë nuk përdor as i promovon barnat apo terapitë mjeksore, as nuk propogandon kundër tyre, vetëm kur ato bien ndeshë me etikën e krishterë dhe mos respektimit e lirisë dhe jetës njerëzore të krijuar sipas ikonës së Perëndisë. (Zanafilla 1-26)
Tek besimtari duhet të ketë një balancim të qartë mes fuqisë shëruese të Zotit që është e plotë në Kishë dhe trasmetohet me Misteret e Shenjta , uratat për shërim, që i bëjnë klerikët orthodhks dhe ndihmës mjekësore të mjekut, ashtu si na thotë urtësia e Sirakut për barnat e sëmundjet: "Nderoje mjekun sikurse i takon, sepse edhe atë e ka krijuar Perëndia. Prej Perëndisë ai e ka dijen edhe prej mbretit ai merr dhurata. Dija e mjekut ia lartëson kokën dhe lavdërohet para të mëdhenjve. Perëndia nga toka i krijoi barnat e njeriu i mençur nuk i neverit. A nuk u ëmbëlsua nga druja ujët e hidhur që njerëzit ta pranonin fuqinë shëruese të saj? Vet Perëndia u dha dije njerëzve që të lavdërohej me mrekullitë e veta. Me to bëhen shërime e zbuten dhimbjet, barnatari bën përzirje barnash, e kështu s'ka mbarim për veprat e tija: kështu përhapet shëndeti mbi fytyrën e tokës. Biro, në sëmundjen tënde mos ji i prishur, por lutju Zotit e ai do të shërojë. Largohu së keqes, pastër ruaj duart, pastroje zemrën tënde. Kushto fli të erëndshme, kushto ende dhe dhuratë të majme simbas pasurisë sate. Por jepi vend edhe mjekut, sepse edhe atë Zoti e krijoi, mos lejo të të largohet, sepse edhe vepra e tij është e domosdoshme. Ka raste kur shërimi është në dorën e tyre. Po, edhe ata i luten Zotit që t'i drejtojë në njohjen e vërtetë e ta shpejtojë shërimin. Kush mëkaton para Krijuesit të vet, rëntë në duar të mjekut!(Urtësisa e Sirakut)
Për ta thënë më thjeshtë ka një ndarje mes shërimit që bën Kisha Apostolike sipas fuqisë dhe hirit shërues të Zotit Jisu Krisht që shëron çdo sëmundje dhe lëngat në popull (Mateu 4-23) dhe shërimit që bën shkenca e mjekësisë që shëron me ilaçe dhe terapi por jo të gjitha sëmundjet dhe lëngatat tek njerëzit.
Po ashtu ka një dallim se si i shërben një prift orthodhoks një të sëmuri që i vjen me besim dhe kërkon shërimin e Zotit nëpërmjet mistereve dhe uratave të kishës që i kryen nga prifti, dhe shërbimit mjekësor që bën një mjek i cili duhet të shërbejë me humanizëm, të respektoj dinjitetin njerëzor dhe ti qëndrojë besnik betimit të mjekut (Hipokratit): "Me të hyrë në radhët e anëtarëve të profesionit mjekësor dhe farmaceutik, betohem solemnisht se jetën time do ta vë në shërbim të njerëzimit...Nuk do të lejoj, as në rrethana kërcënimi që, dija ime mjekësore dhe farmaceutike të përdoret në kundërshtim me ligjet e njerëzimit."
Asnjëherë nuk duhet të ngatërrohen rolet e kishës si trupi mistik i Krishtit (Efesianëve 1-23) me atë të mjekësisë për shërimin e të sëmurëve, të tjera "ilaçe" përdor kisha të tjera mjekësia. Kisha edhe kur përdor element fizik, si vaj, verë, bukë, ujë, nuk i përdor si qëllim në vetë−vete sikur ato bëjnë çudi dhe shërime si barna mjeksore, por me anën e këtyre elementëve fizik të dukshëm kisha nëpërmjet lutjes që i bën Perëndis At, në emër të Birit me anë të Shpirtit të Shenjtë i shenjtëron dhe i bënë ato mbartëse të hirit shenjtërues dhe shërues të Krishtit tek besimtarët që i marrin me besim, si Verën dhe Bukën e shenjtëruar, në Trup dhe Gjak të Krishtit në Kungatën Hyjnore, Vajin e Bekuar në Efqelinë dhe Ujin e Bekuar në Ajazëm.
Po ashtu nuk duhet të ngatërrohen rolet e priftit me atë të mjekut, d.m.th ai nuk duhet të heqi rrobën e zezë të priftit dhe të veshi rrobën e bardhë të mjekut, duke propoganduar ilaçe dhe terapi që i takojnë mjekësisë dhe jo priftërisë që është si një ikonë e Krishtit në popull dhe botë. Madje edhe mjeku nuk mund të bëjë rolin e priftit, sepse pa Misterin e Priftërisë ai kurrë nuk mund ta kryej shërbim hyjnor tek paciantët, ashtu si e kryen prifti tek të sëmurët.
Kisha Orthodhkse asnjëherë edhe në sëmundjet epidemike vdekjeprurëse si kolera, murtaja, gripi etj përgjat shekujve edhe pse ka këshilluar besimtarët për kujdesin nga infektimi, asnjëherë nuk ka mbyllur dyert ose është distancuar nga të sëmurët të prekur nga këto epidemi ose të ketë ndot prej tyre.
Kisha ka vepruar ashtu si Krishti i cili nuk u distancua nga të sëmurët, por mori mbi vete sëmundjet e lëngatat e tyre (Mateu 4-24) dhe i shëroi duke i prekur, ashtu si preku edhe e shëroi lebrozin: "Dhe ja, një lebroz erdhi dhe e adhuroi, duke thënë: ''O Zot, po të duash, ti mund të më shërosh Jisui e shtriu dorën, e preku dhe i tha: ''Po, unë dua, shërohu''. Dhe në atë çast u shërua nga lebra e tij." (Mateu 8:2-3)
Kleri orthodhoks në imitim të Krishtit nuk u shmanget të sëmurëve përkundrazi sipas betimit që ka bërë tek Zoti ai më shumë se mjeku që bën betimin e Hipokratit duhet të jetë i gatshëm t'ju shërbejë të sëmurëve në çdo rrethanë duke çuar shërimin e Zotit tek besimatrët me Misteret dhe uratat e Kishës Apostolike edhe sikur kjo t'i kushtojë atij jetën, ashtui si kemi në rastet e shenjtorëve.
Që kisha përdor të tjera ilaçe dhe terapi ndryshe nga mjekësia na i tregojnë qartë shenjtorët anargjendë si Shën Pandelejmoni (27 Korrik), çiftet Shën Kozma dhe Shën Damian, (17 Tetor, 1 Nëndor, 1 Korrik), Shën Kir dhe Shën Joan (30 Janar), Shën Trifoni (1 Shkurt), Shën Thalaleu (20 Maj), Shën Hermolau dhe Shën Samsoni (21 Qershor), Shën Diomedi (16 Gusht ).
Këta shenjtor edhe pse kishin studiur dhe ushtronin shkencën e mjekësisë pa para, ashtu si Zoti porositi apostujt: "Falas morët falas jepni"(Mateu 10,7-8), prandaj edhe quhen anargjendë (pa para), nuk i shëronin njerëzit vetëm me barna por sëmundjet e pashërueshme në njerëz edhe në kafshë i shëronin me fjalën e predikimit të Ungjillit dhe me fuqinë e Zotit, që vepron tek njeriu sipas besimit.
Nga sinaksari i shenjtorëve anargjendë Shën Kir dhe Shën Joan (30 Janar) na thuhet: Shën Kiri ishte një i krishterë i devotshëm nga Aleksandria, i cili ushtronte profesionin e mjekut dhe njëkohësisht shëronte shpirtra dhe i drejtonte te Krishti. Ata që shkonin tek ai, i këshillonte: “Nëse doni të mos sëmureni, ruhuni nga mëkati. Sepse sëmundja është shpesh pasojë e mëkatit”. Shëronte trupat me anë të lutjes dhe i sillte në jetë shpirtrat e atyre që kishin rënë në idhujtari. Shën Kiri me Shën Joanin bashkëpunëtor vdiqën si martir të Krishtit, bashkë me Shën Anastasia dhe bijat e saja , Shën Theodhoti, Shën Theoktisti dhe Shën Evdhokia në vitn (305 ps K).
Në shekullin e 7-të, Shën Sofroni i Jerusalemit u shërua nga një sëmundje e syve, pasi iu shfaqën të dy Shenjtorët. Kiri i shëroi njërin sy me shenjën e kryqit dhe më pas Joani ia ktheu tërësisht shikimin, kur i puthi syrin tjetër. Në shenjë mirënjohjeje, Shën Sofroni shkroi një lutje për mrekullitë e tyre. Shën Kiri dhe Joani renditen mes anargjendëve të tjerë.
Kisha u këndon atyre: "Duke pasur burime o Shën Anargjendë, dhurojuni shërimet gjithë atyre që kanë nevojë, se u bëtë të denjë për dhurata shumë të mëdha prej burimit të pareshtur të Krishtit Shpëtimtar; se Zoti ju thotë si zelltar të njëjtë me Apostujt: Ja, ju kam dhënë fuqinë kundër shpirtrave të ndyrë, që të nxirrni demonë dhe të shëroni të sëmurë dhe çdo dobësi; prandaj, pasi keni jetuar mirë sipas porosive të tij, falas morët, falas jepni, duke shëruar pasionet e shpirtrave dhe të trupave tanë" Amin.
Miron Çako.