HIPOKRIZIA FETARE!
August 5, 2023 at 11:43 am,
No comments
Nga Katekisti: Miron Çako
“ PARA SË GJITHASH RUHUNI NGA BRUMI I FARISJENVE , QË ËSHTË HIPOKRIZIA”.(Luka 12-1)
Hipokrizia si fjalë vjen nga greqishtja (υποκρισία) “ipocrisis” që do të thotë shtirje dhe gjykim i padrejtë. Në greqishten e lashtë ipocrisis quheshin aktorët e dytë që imitonin të parët në iskenimet e tyre në teatër.
Hipokrizia kur aplikohet në jetën reale, ose teatrin e jetës është shtirja e një njeriu që pohon se zotëron cilësi, aftësi, virtyte, parime, besim që në të vërtetë nuk i ka, ashtu si dhe Shën Vasili thotë ; “Hipokrit është ai që luan një person tjetër në teatër . Kështu edhe në këtë jetë shumë njerëz veprojnë njësoj me aktorët e teatrit . Të tjera gjëra kanë brenda zemrës së tyre dhe të tjera gjëra tregojmë së jashtmi për njerëzit e tjerë “
Gjithashtu hipokrizia është një veprimi që ka si qëllimi dënimin apo thirrjen për dënim të një personi tjetër kur akuzuesi hipokrit e di se po thotë gënjeshtra, se është fajtor për veprimin, por përsëri kërkon të dënohet i akuzuari që është i paditur për intrigën që i është bërë fshetas nga hipokriti.
Sipas psikologjisë hipokrizia cilësohet si dobësi e karakterit njerëzor që e ka burimin tek gabimi themelor i egoizmit, kur njerëzit synojnë ti shpjegojnë veprimet e tyre sipas rrethanës në të cilën ndodhen dhe ju intereson. Ata nuk duhan ta njohin veteveten, gabimet dhe dobësitë e tyre por i justifikojnë. Të udhëhequr nga pasioni i hipokriozisë ndaj vetes dhe tjetrit shkojnë deri aty sa i gjykojnë dhe dënojnë të tjerët për dështimet e tyre dhe ndërkohë vazhdojnë dhe i përligjin (justifikojnë) veprimet e tyre dashkaqe. Ky quhet projekson i hipokrizisë. Hipokrizinë në përgjithësi mund ta përkufizojmë me një fjali: “të tjera thua dhe bën, e të tjera mendon”.
Për sa i përket hipokrizisë fetare, ajo është e përshkruar shpesh si mungesë e sinqeritetit në mardhënie me hyjnoren dhe me parimet morale e fetare.Hipokrizia fetare është e interesuar për një moral sipërfaqësor të sjelljes së jashtme dhe jo për zellin e pendimit .Hipokriti fetar është bllokuar në formula dhe forma , duke shpërfillur thelbin , kënaqet mer moralin dhe etikën sipërfaqësore dhe ritualeve fetare duke shpërfillur komunikimin e zemrës me Perëndinë, një komunikim i sinqertë me mirënjohje , pendim përulësi që vjen nga një njohje e vërtet e vetes .
Hipokrizia fetare është pasojë e mosnjohjes të mëkatshmërisë së madhe personale, prandaj edhe Zoti Jisu Krisht tha : Hipokrit hiqe më parë trarin nga syri yt pastaj do të shikosh qartë të nxjerësh lëmishten nga syri i vëllait tënd”( Mateu 7-5)
Hipokrizia fetare fatkeqësisht është një sëmundje shpirtërore e fshehtë për sytë e njerëzve madje ndonjëherë edhe për atë që është i infektuar. Është e fshehur si thamë nën një përshpirtshmëri fetare dhe ritualiste, por nuk vonon dhe një ditë, në një situatë, në një vendim, në një qëndrim, në një veprim, ajo shfaqet me të gjithë të keqen dhe shëmtin e saj.
Hipokrizia fetare nuk është thjeshtë një gënjeshtër e rastit për një përfitim të çastit por një mashtrim i vazhdueshëm i vetes, një gjendje e keqe e shpirtit i mbuluar me petkun fetar si me fjalë të zgjedhura fetare, me buzqeshje dhe xheste mirsjellje “dashurie” që bëhen ose për të fituar simpantin dhe lëvdat e të tjerëve, ose edhe për tu hakmarrë ndaj të afërmit. I shtyrë nga cmira dhe xhelozia personi bën inskenim me fjalë, xheste dhe veprime që duken të mira edhe qënësisht fetare, por brenda tyre ka shtirje dhe keqdashësi deri në ligësi.
Hipokrizia tek njerëzit sipas Biblës u mësua ose u injektua nga babai i gënjeshtrës djalli i cili nga zilia e fshehu ligësinë e tij me hipokrizi eusforike dhe u foli njerëzve me anë e zvarranikut fjalët mikluese se po të hanin nga fruti i ndaluar: “Ju s'keni për të vdekur aspak” (Zanafilla 3-4).
Që nga ajo kohë hipokrizia endet si një virus diabolik për të infektuar sidomos ata që qëndrojnë në atmosferën e fetarisë.
Prandaj edhe Etërit e Shenjtë thonë për hipokrizinë:
“Hipokrizia është maska e djallit për të mashtruar botën”. Shën Maksim
“Hipokrizia është nëna dhe shkaku i gënjeshtrës”. Joan Sinaiti Rrëfimtari
“Hipokrizia është fryt i zilisë, kur ne kemi urrejtje në zemrat tona”. (Shën Vasili i Madh)
Hipokriti fetare çdo lutje, lëmoshë apo asketizëm hiperbolik e bën me sforco vetëm për të rënë në sy të tjerëve apo që të fitojë benefitet për vete dhe të arrij qëllimin e tij të paramenduar. Sado buzët dhe duart bëjnë veprime të “mira” zemra është e mbushur me qëllime të këqija që i di vetëm hipokriti, ashtu si thotë edhe Shën Joan i Shkallës: “Hipokrit është një person që jeton dy jetë një që e shohin të tjerët dhe një që vetëm ai e di”, por e di edhe Zoti Perëndi “që heton zemrat dhe mendjet” (Psalmi 7-9).
Shën Tikon i Zadonskut na thotë “Hipokriti përdor fenë si maskë për të fshehur mëkatet e tij, por Zoti sheh përmes maskimit”.
Zoti Perëndi e ka denoncuar haptas këtë sëmundje të fshehtë që kap individë, grupe madje edhe popuj, ashtu si denonconte Izraelin me gojën e profetit Isai “ky popull më afrohet mua vetëm me gojën dhe më nderon me buzët e tij, ndërsa zemra e tij më rri larg dhe frika e tij ndaj meje është vetëm një urdhërim i mësuar nga njerëzit”(Isai 29-13).
Hipokrizia fetare fatkeqësisht kap të gjithë fetarët por më shumë ka ndikim tek ata që marrin një pushtet, ose një status dhe parësi fetare, të cilët për të mbajtur pozicionet e tyre fetare padrejtësisht, ose për karrierë, ose edhe më keq për të hequer qafe ata që i konsiderojnë si armiq sillen dhe veprojnë me hipokrizi, por hipokrizia keqdashëse i kthehet në një bumerang hipokritit, sepse duke dashur të mashtrojë të tjerët edhe të mos duken motivet e tij të fshehta ai në të vërtet mashtron veten, humbet rrugën e dritës, madje bëhet i pa aftë të shikojë dritën e të vërtetës, bëhet një i verbër që i udhëheq të verbërit edhe të dy bien në gropë (Luka 6-39).
Shembulli unikal i hipokritëve fetar ishin, sktribët, farisenjtë, kryepriftërinjtë priftërinjtë e kohës së Jisuit, të cilët edhe pse në sy të njerëzve admiroheshin si më fetarët e popullit ose ajka e inteligjencës teologjike, ishin armiqtë e përbetuar të Jisuit. Ata nuk lanë gurë pa lëvizur që ta gjenin në gabim dhe ta akuzonin edhe kur nuk arritën dot ta kapnin në gabim shpifën kundër tij nga zilia dhe manipuluan turmën mosmirënjohëse që të thërriste për Krishtin: “Kryqëzoje”(Mateu 27-23) .
Zoti Jisu Krisht i Drejti dhe i Vërteti por edhe i Gjithmëshirshmi i fali mëkatarët edhe ata që për skripët dhe farisenjtë nuk mund të faleshin, siç ishin doganierët edhe prostitutat, por ndaj hipokritëve të pandreqshëm Ai ishte shumë i ashpër dhe i drejtëpërdrejtë. Krishti i qortoi publikisht në mënyrë shembullore edhe të frikshme me fjalët: “Mjerë ju skribë edhe farisenj hipokritë” (Mateu 23-16).
Në këto mjerime, që gjenden tek ungjilli sipas Mateut, Zoti Krisht zbulon si në një skaner metaztazat e kësaj sëmundje që kap gjithë qenien e hipokritit, mendjen, zemrën shpirtin dhe trupin.
Krishti ju tregon atyre por edhe të gjithëve që do të infektohen nga kjo sëmundje se kush janë qëllimet e fshehta të zemrës dhe të mendjes, dhe si shfaqen me fjalë dhe veprime të mbuluara nën petkun e kopsitur fetar.
Në mjerimin e parë Zoti Jisu Krisht ju tha: “Por mjerë ju, o skribë dhe farisenj hipokritë! Sepse mbyllni mbretërinë e qiejve para njerëzve; sepse as ju nuk hyni, as nuk i lini të hyjnë ata që janë për të hyrë” (Mateu 23-13).
Krishti në këtë mjerim është duke ju treguar se hipokrizia fillon me ngurtësimin e zemrës që çuditërisht i bën hipokritët e papenduar deri armiq të Ungjillit të hirit dhe me skandalet e hipokrizisë së tyre bëhen pengesë për shpëtimin e të tjerëve që ju rrinë pranë.
Mjerimi i dytë: “Mjerë ju, o skribë dhe farisenj hipokritë! Sepse gllabëroni shtëpitë e të vejave dhe për sy e faqe bëni lutje të gjata; për këtë arsye ju do të pësoni një dënim më të rreptë” (Mateu 23-14). Këtu, vihet re që të dënohen interesat për përfitime ekonomike të hipokritit fetar, duke shfrytëzuar dobësitë dhe gjendjen e vështirë shoqërore dhe psikologjike të njerëzve.
Mjerimi i tretë: “Mjerë ju, o skribë dhe farisenj hipokritë! Sepse përshkoni detin dhe dheun për të bërë prozelitë, dhe kur ndokush bëhet i tillë, e bëni bir të Gehenas dhe dy herë më të keq se ju!” (Mateu 23-15). Në këtë rast kemi të bëjmë me denoncimin e një zelli fanatik dhe egoist për të bërë pasues të bindur dhe lajkatar, informator të cilët bëhen dy herë më shumë hipokrit se vetë mësuesit e tyre që janë hipokrit.
Mjerimi i katërt: “Mjerë ju, udhëheqës të verbër, që thoni: "Në qoftë se dikush betohet për tempullin, kjo s'është gjë; por në qoftë se betohet për arin e tempullit, është i detyruar" (Mateu 23 -16). Në këto vargje dënohen devijimet e tyre dinake dhe teknicialitetet për të devijuar nga Ligji dhe porositë e Perëndisë për të përfituar vetë të ardhurat që i takonin Zotit dhe tempullit (Mateu 23 -16).
Mjerimi i pestë: “Mjerë ju, skribë dhe farisenj hipokritë! Sepse ju llogaritni të dhjetën e mëndrës, të koprës dhe të barit të gjumit, dhe lini pas dore gjërat më të rëndësishme të ligjit: gjyqin, mëshirën dhe besimin; këto gjëra duhet t'i praktikoni pa i lënë pas dore të tjerat” (Mateu 23-24). Nëpërmjet këtyre fjalëve, Zoti Jisu Krisht është duke denoncuar kundër ritualizmit që duket korrekt së jashtmi, por që brenda nuk ka drejtësinë, mëshirën dhe as besnikërinë.
Mjerimi i gjashtë: “Mjerë ju, skribë dhe farisenj hipokritë! Sepse pastroni anën e jashtme të kupës dhe të pjatës, ndërsa përbrenda janë plot me grabitje dhe teprime. Farise i verbër! Pastro më parë përbrenda kupën dhe pjatën, që edhe përjashta të jetë e pastër” (Mateu 23 25-26). Në këtë rast kemi të bëjmë me denoncimin e eksternalizmit ose devotshmërisë të jashtme, sepse edhe pse nga jashtë ishin të kuruar fetarisht dhe moralisht, brenda zemra e tyre, shpirti i tyre, ishin të mbushura me cmirë, zili, grabitje, e çdo teprim tjetër devijues.
Në duhet të dimë se ekziston një ndryshim mes personit edhe personalitetit, sepse si në përgjithësi por edhe në veçanti, hipokriti kërkon të theksoj pikërisht atë personalitet të cilën duan që të tjerët të mendojnë për ata. Kjo dukuri është e ndryshme nga ajo që Zoti thekson në lidhje me personin, dmth. për faktin se çfarë jemi ne në të vërtetë.
Mjerimi i shtatë na thuhet: “Mjerë ju, o skribë dhe farisenj hipokritë! Sepse u ngjani varreve të zbardhuara (me gëlqere), që nga jashtë duken të bukur, por brenda janë plot eshtra të vdekurish dhe gjithfarë papastërtish. Kështu edhe ju nga jashtë u paraqiteni njerëzve si të drejtë; por përbrenda jeni plot hipokrizi dhe paudhësi” (Mateu 23 27-28).
Në këto vargje, sikurse në mjerimin e gjashtë që denoncohet fshehja e lakmisë dhe koprracisë, në mjerimin e shtatë denoncohet ai i paudhësisë. Krishti ju thotë njerëzve se pavarësisht se ata mund të mendonin se kontakti me këta “fetar” do ishte shenjtërues, në të vërtetë ishte ndyrësues dhe një përvojë e një ndotje shpirtërore, ashtu siç mund të jetë prekja e një kufome.
Mjerimi i fundit: “Mjerë ju, o skribë dhe farisenj hipokritë! Sepse ndërtoni varrezat e profetëve dhe zbukuroni monumentet e të drejtëve, dhe thoni: "Po të kishim jetuar në kohën e etërve tanë, nuk do të kishim bashkëpunuar me ta në vrasjen e profetëve" (Mateu 23 -28).
Në këtë rast kemi të bëjmë me ligësinë vrasatare, që mund ta cilësojmë si një homazh të jashtëm dhe një vrasje të brendshme, ose siç thonë disa “të vrasësh natën edhe të qash ditën. Zoti tregoj se hipokrizia e skribëve edhe farisenjve fshinte cmirë, urrejtje që po i drejtonte drejt krimit më të madh në historinë njerëzore duke vrarë vetë Zotin e lavdisë”.
Këto mjerime Zoti i mbyll me qortimin: “O gjarpërinj, o pjellë nëpërkash! Si do t'i shpëtoni gjykimit të Gehenas?” (Mateu 23- 33), që do të thotë se hipokrizia kur nuk luftohet por zhvillohet, e shndërron njeriun të ngjashëm me djallin dhe gjarpërin e mençëm. Gjithashtu, hipokrizia trashëgohet dhe intesifikohet në brezat mëkatar duke e rritur intesitetin e saj helmues kundër të afërmit sa të çon në mënyrë të pashmangshme në dëshkimin e ferrit të bërë për djallin dhe demonët.
Kur ne i lexojmë këto fjalë, me siguri na tingëllojnë shumë të ashpra, dhe dikush me habi mund të thotë, sesi është e mundur që thotë Zoti Jisu Krisht, që është dashuria e mishëruar, të lëçisë të tilla fjalë?! Por nuk duhet të çuditemi, sepse Ai i tha ato fjalë duke qenë se dashuria është e bashkuar me vërtetën dhe drejtësinë më Krishtin.
Dashuria pa drejtësinë dhe të vërtetën është dobësi dhe abuzim, dhe e vetme nuk ndihmon, kështu që Zoti nga dashuria j’ua tha këto fjalë në sy të njerëzve skribëve edhe farisenjve që jo thjesht ti turpëronte, por të denonconte hipokrizinë e tyre të fshehur në mënyrë që ti nxiste drejt rrugës së pendimit, si të vetmen mundësi për shpëtim, por edhe si një paralajmërim për të gjithë ne që të kuptojmë se ku mund të na çojë sëmundjet e hipokrizisë fetare, që është dhe shkaku i ngurtësisë së zemrës, lakmisë, fanatizmit, vjelljes, kopracisë, padrejtësi ,paudhësisë, cmirës, ligësisë që çon në vrasje, që edhe pse ja u bëjmë njerëzve na armiqëson me Zotin, sepse: “Po të thotë dikush .” Unë e dua Perëndinë” dhe urren vëllanë e tij është gënjeshtar, sepse ai që nuk do vëllanë e tij të cilin e ka parë , si mund të dojë Perëndinë që nuk e ka parë “ (1 Joanit 4 20)
Apostujt na paralajmërojnë: “që largoni tej, pra, çdo ligësi dhe çdo mashtrim, hipokrizitë, smirat dhe çdo shpifje, posi foshnjet e sapolindura, të dëshironi fort qumështin e pastër të fjalës, që të rriteni me anë të tij, nëse e keni shijuar se Zoti është i mirë” (1 Pjetrit 2-1-3).
Dhe etërit e shenjtë po ashtu na këshillojnë me fjalët e tyre të urta:
“Hipokrizia e një fariseu është më e dëmshme se mizoria e një bishe” - Shën Dorotheu i Gazës
“Të dënosh të tjerët për mëkatet e tyre, ndërsa nuk i vështron të tuat është kulmi i hipokrizisë.” - Shën Mark Asketi
“Për të qenë me të vërtetë si Krishti, njeriu duhet të heqë majanë hipokrizinë” - Shën Gjoni i Kronshtadtit
“Hipokrizia është helmi që e vret shpirtin ngadalë, ndërsa mëkatari është i pavetëdijshëm”. - Shën Joan Kasiani
"Rruga e hipokrizisë të çon në humnerën e vdekjes shpirtërore". - Shën Nifoni i Kostandinopojës
"Hapi i parë drejt lirisë nga hipokrizia është përulësia." - Shën Maksim Rrëfimtari.
"Për të hequr qafe hipokrizinë, njeriu duhet të përpiqet drejt thjeshtësisë së brendshme dhe sinqeritetit të mendjes. Për të qenë i vendosur, duhet të shikosh drejtpërdrejt nga Zoti, të jesh tërësisht i përkushtuar ndaj Tij dhe të jesh në zjarr me dashurinë për Të. Pastaj, çdo gjë në ju do të drejtohet drejt tek Ai dhe asgjë prej jush nuk do të shpërndahet apo përhapet. Për sa u përket gjërave të botës, konsiderojini ato si të ulëta dhe pa vlerë. Mos i kërkoni, mos i grumbulloni. Mos e varni zemrën tuaj mbi to. Jini të kënaqur me gjërat e nevojshme për jetën dhe mos lakmoni për asgjë më shumë. Mbani mendjen tuaj të pashqetësuar dhe pa mendime dhe shqetësime për botën. Bëjeni zemrën tuaj të vendosur dhe të palëkundur në përpjekjet drejt Zotit. Mbajeni dëshirën tuaj të zjarrtë , dhe do të gjeni atë që kërkoni.
Më pas, duhet të jeni të rreptë dhe të kujdesshëm në kujdesin ndaj vetes. Shqyrtoni veten në çdo gjë që bëni, në mënyrë që asgjë të mos ndodhë pa lejen tuaj dhe në mënyrë që asgjë të mos ju vijë në mendje apo në zemër pa u thirrur për llogari. Vëzhgoni mendimet, ndjenjat, fjalët dhe veprimet tuaja dhe dijeni pse bëni ose thoni gjithçka. Jini të kujdesshëm ndaj çdo pasioni dhe lëvizjeje të zemrës, në mënyrë që asgjë të mos ju bëjë të pavetëdijshëm dhe t'ju largojë nga rruga. Duhet të jeni të kujdesshëm me veten, sepse zemra juaj është një qytet që është i vështirë për t'u mbajtur".( Shen Theofani i mbyllur)
Të dashur të krishter duke pasur parasysh fjalënt e Zotit , mësimet e Apostujve dhe fjalet e urta të Etërve të Shenjtë le të bëjmë kujdes për këtë virus dhe sëmundje të lig të hipokrizisë që qarkullon në atmosferën fetare dhe sa po ta kostatojmë se jemi të infektuar dhe po na shfaqen shenjat e saj në mardhënje me Zotin , veten edhe të afërmin, menjëher ta luftojmë me terapinë dhe hyjnore , si me pendim , rrëfim dhe përulësi që kështu ta lejojmë Zotin Jisu Krisht, të butin dhe të përulurin, Mjekun e Madh që ta shërojë këtë sëmundje që nqs e neglizhojmë na rrezikon shpëtimin , prandaj edhe Zoti Jisu Krishti paralajmëroj apostujt (nxënësit) e Tij: “Ruhuni nga brumi i farisenjve që është hipokrizi”.(Luka 12-1)