MJERË JU , QË TANI QESHNI , SEPSE DO TË HIDHËROHENI E DO TË QANI !(Luka 6-25)
October 6, 2023 at 10:23 am,
No comments
Shkrim nga Miron Çako katekist
E qeshura siç thuhet rëndomtë “të zgjat jetën”. Sipas shkencëtareve: “E qeshura ndihmon zemrën sepse çliron endorfinë, e cila redukton inflamacionin dhe ndihmon zemrën dhe enët e gjakut të relaksohen. Gjithashtu redukton nivelet e hormoneve të stresit, të cilat ngarkojnë zemrën, për të pasur një jetë mendore më produktive dhe një fytyrë më të shëndetshme.
Megjithatë, Krishti është kategorik kur na thotë: “Mjerë ju, që tani qeshni, sepse do të hidhëroheni e do të qani!” (Luka 6-25).
Si ti kuptojmë këto fjalë të Zotit?
Në Shkrimin e Shenjtë kemi dy aspsekte ose këndvështrime të së qeshurës, si e qeshura e gabuar që sjell ndëshkim edhe e qeshura e bekuar që i sjell njeriut shëndet psikosomatik.
E para, e qeshura e gabuar, që gjendet me tepri ndër njerëzit, është më tepër një e qeshur mosbesuese edhe ironike ndaj fjalëve dhe veprave mbinatyrore të Zotit.
Në Bibël na tregohet se si Abrahami, edhe pse i zgjedhur nga Perëndia, qeshi kur dëgjoj nga Zoti se gruaja e tij e moshuar Sara do të bëhej me djalë: “Dhe unë do ta bekoj dhe do të bëj që ajo të të japë edhe një bir; po, unë do ta bekoj dhe prej saj do të lindin kombe; mbretër popujsh do të dalin prej saj”. Atëherë Abrahami u shtri me fytyrën ndaj tokës dhe qeshi; dhe tha në zemër të tij: “A do të lindë vallë një fëmijë nga një njeri njëqindvjeçar? Dhe do të lindë Sara që është nëntëdhjetë vjeç?” (Zan.17,16-17).
“Pastaj ata i thanë atij: “Ku është Sara, gruaja jote?”. Abrahami u përgjegj: “Është atje në çadër”. Dhe ai tha: “Do të kthehem me siguri vitin e ardhshëm te ti në po këtë kohë; dhe ja Sara, gruaja jote, do të ketë një djalë”. Dhe Sara dëgjonte në hyrje të çadrës, që ishte prapa tij. Por Abrahami dhe Sara ishin pleq, në moshë të kaluar, dhe Sara nuk kishte më të përmuajshmet e grave. Prandaj Sara qeshi me veten e saj, duke thënë: “Plakë si jam, a do të kem unë gëzime të tilla, meqënëse vetë zoti im është plak?”. Dhe Zoti i tha Abrahamit: “Pse qeshi vallë Sara duke thënë: “A do të lind unë përnjëmend, plakë siç jam?”. A ka vallë diçka që është shumë e vështirë për Zotin? Në kohën e caktuar, brenda një viti, do të kthehem te ti, dhe Sara do të ketë një bir”.Atëherë Sara mohoi, duke thënë: “Nuk qesha”, sepse pati frikë. Por ai i tha: “Përkundrazi, ke qeshur!”(Zan.18,9-15).
Edhe meqënëse të dy qeshën, fëmijës që do lindte prej Sarës do ti vihej emri “Isak” që do të thotë “e qeshuara” njerëzore, që nga pabesia dhe padija qesh me fuqinë e Zotit, por kur vullneti i Zotit ralizohet atëhere kthehet në një të qeshur habie edhe lumturie, ashtu siç ndodhi përsëri me Abrahamin edhe Sarën: “Zoti vizitoi Sarën, siç i kishte thënë; dhe Zoti i bëri Sarës ato që i kishte premtuar. Dhe Sara u ngjiz dhe lindi një djalë me Abrahamin në pleqërinë e tij, në kohën e caktuar që Perëndia i kishte thënë. Dhe Abrahami ia vuri emrin Isak birit që i kishte lindur dhe që Sara kishte pjellë. Pastaj Abrahami e rrethpreu birin e tij Isak kur ishte tetë ditësh, ashtu siç e kishte urdhëruar Perëndia. Por Abrahami ishte njëqind vjeç, kur i lindi biri i tij Isaku. Dhe Sara tha: “Perëndia më ka dhënë çka duhet për të qeshur, kushdo që do ta dëgjojë ka për të qeshur bashkë me mua”. Dhe tha gjithashtu: “Kush mund t'i thoshte Abrahamit që Sara do të mëndte fëmijë? Sepse unë i linda një djalë në pleqërinë e tij”. Kështu, pra, fëmija u rrit dhe u zvordh; dhe ditën që Isaku u zvordh Abrahami shtroi një gosti të madhe” (Zan.21,1-8).
Po ashtu kemi edhe të qeshurën mëkatare të cmirëziut, ashtu si Ismaili, djali i Abrahamit lindur nga skllavja egjiptiane Agara, qeshi me qësëndi kur pa Isakun vëllain nga babai, fëmija i ligjshëm i Abrahamit: “Tani Sara pa që djali që i kishte lindur Abrahamit nga Agari, egjiptiana, qeshte (Zanafilla 21-9).
Po ashtu kemi të qeshurën e budallait dhe mëkatarit, që qesh kot, kur në të vërtetë duhet të qaj para tragjedisë ku e ka hedhur veten. Kjo e qeshur është e qeshur e papastër para Zotit dhe i ngjall atij neveri, sepse na thuhet: “Biseda e të marrëve është e neveritshme, të qeshurit e tyre në kënaqësitë e mëkatit” (Siraku 27,13).
Disa vargje i referohen të qeshurës si shenjë e shthurjes që stimulohet në mënyrë artificiale me histori humoristike , stimulues, pije, drogra, etj.
Këta që edhe pse qeshin edhe gajasen përsëri kjo është një e qeshur skenike ashtu si na thuhet nga Urtësia e Solomonit: “Edhe kur qesh, zemra mund të jetë e pikëlluar, dhe vetë gëzimi mund të përfundojë në vuajtje”(Fjalët e Urta 14-13).
Kështu një person i trishtuar mund të qesh për të mbuluar trishtimin dhe dramën e tij, prandaj e qeshura emocionale jo vetëm që nuk na tregon të vërtetën, por ajo shpesh na manipulon ne edhe të tjerët rreth nesh.
Kjo e qeshur nuk sjell shëndet tek njeriu, siç pretendojnë shkencëtarët apo psikologët, sepse kur zemra (shpirti) qan si mund të shërohet nga e qeshura e buzëve, sepse “shpirti i jep jetë trupit” (Joani 6-63).
Sërisht Solomoni, njeriu më i ditur në botë, bëri vërejtjen e mëposhtme: “Për të qeshurit kam thënë: “Është një marrëzi dhe për gëzimin: “Kujt i shërben?” (Kishtari 2-2), më pas thotë: “Trishtimi është më i mirë nga gazi, sepse përpara një fytyre të trishtuar zemra bëhet më e mirë” (Kishtari 7-3).
Kjo e qeshur artificiale dhe e stimuluar kalon në teprime dhe marrëzi deri në atë pikë sa ka njerëz që vdesin nga e qeshura e tepërt, sepse “I marri qeshte me zë të lartë, kurse njeri i urtë vë buzën në gaz në heshtje (Fjalët e urta 21,23).
Kjo e qeshur nuk e shëron zemrën por përkundrazi e sëmur sepse: “Zemra gënjehet më tepër se çdo gjë tjetër dhe sëmuret në mënyrë të pashërueshme; kush mund ta njohë atë” (Jerem. 17.9).
Po ashtu kemi të qeshur ironike për të vërtetat mbi destinacionin përfundimtar të njeriut dhe të botës në Krishtin e vdekur dhe të ngjallur, ashtu si qeshnin me predikimin e apostull Pavlit filozofët dhe epikurjanët (marterialist) athinjot, që“Kur dëgjuan të flitej për ringjalljen e të vdekurve, disa e përqeshën dhe të tjerë thoshnin: “Do të të dëgjojmë përsëri për këtë gjë”.( Veprat e Apostujve 17-32)
Janë dhe ata që qeshin me ironi për qortimet hyjnore, në fundin e kohës, në ardhjen e dytë të Zotit Jisu Krishtit, ashtu si apostull Petro na shkruan: “Së pari duhet të dini këtë, se në ditët e fundit do të vijnë disa përqeshës, të cilët do të ecin sipas dëshirave të veta dhe do të thonë: “Ku është premtimi i ardhjes së tij? Sepse, që kur etërit fjetën, të gjitha gjërat mbetën në po atë gjendje si në fillim të krijimit”(2 Petros 2;3-4)
Tek e qeshura mëkatare futet edhe e përqeshura për të drejtin, sidomos kur ai vuan për hir të besimit dhe moralit në Zot, si psalmisti shkruan: “Tërë ata që më shohin më përqeshin, zgjatin buzën dhe tundin kokën duke thënë: “Ai i ka besuar Zotit; le ta çlirojë, pra, ta ndihmojë, mbasi e do” (Psalmi 22,7).
Kjo përqeshje e ligë antihumane dhe kundër Perëndisë arriti kulmin kur njerëzit e përqeshnin Krishtin në Kalvar, ashtu si kishte profetizuar Jeremia në shekullin e 6 pr.K.: “Jam bërë tallja e tërë popullit tim, kënga e tij e tërë ditës” (Vajtimet 3-14).
Kjo u realizuan në atë të premte të zezë në Jeruzalem, kur Krishti qëndronte para njerëzve përqeshës në kryq: “Dhe populli rrinte aty për të parë; dhe kryetarët me popullin e përqeshnin, duke thënë: “Ai i shpëtoi të tjerët, le të shpëtojë veten, po qe se me të vërtetë është Krishti, i zgjedhuri i Perëndisë” (Luka 23-35).
Këta mëkatar të papenduar që qeshin, një ditë do hidhërohen dhe do të qajnë kur t’ju vijë fatkeqësia e papritur dhe gjithë e qeshura e tyre e ligë, ironike, tallëse, pasionante, mëkatare do tju ngrijë në buzë, por do të jetë vonë.
Zoti thotë “Edhe unë do të qesh me fatkeqësinë tuaj, do të tallem kur të vijë ajo që ju druani, kur ajo që druani të vijë si një furtunë, dhe fatkeqësia juaj të vijë si një stuhi, kur t'ju mbulojnë fatkeqësia dhe ankthi. Atëherë ata do të më thërrasin mua, por unë nuk do të përgjigjem; do të më kërkojnë me kujdes, por nuk do të më gjejnë. Sepse kanë urryer dijen dhe nuk kanë zgjedhur frikën e Zotit, nuk kanë dashur të pranojnë këshillën time dhe kanë përbuzur të gjitha qortimet e mia” (Fjalët e Urta 1;26-30).
Prandaj Krishti është kategorik kur thotë: “Mjerë ju, që tani qeshni, sepse do të hidhëroheni e do të qani!” (Luka 6-25), sepse kjo është e qeshur mëkatare dhe e mallkuar që kthehet për të papenduarit në qarje dhe hidhërim si në këtë jetë por edhe në përjetësi, në ferr ku “qarja edhe kërcëllitja e dhëmbëve” (Luka.13-28) nuk do të mbaroj kurrë, “në liqenin që digjet me zjarr edhe squfur, që është vdekja e dytë” (Zbulesa 21-8).
Jo vetëm Zoti do të qesh me mëkatarët që e përqeshën atë “Ai që ulet në qiejt do të qesh, Zoti do të tallet me ta”(Psalmi.2-4) “Por ti, o Zot, do të qeshësh me ta; do të tallesh me të gjitha kombet”( Psalmi 59-8). Por edhe i drejti në Zotin do të qesh në fund me mëkarët “Të drejtët do ta shohin, do të kenë frikë dhe do ta përqeshin atë, duke thënë: “Ky është njeriu që nuk e kishte bërë Perëndinë kështjellë të tij; por kishte besim në bollëkun e pasurive të tij dhe bëhej i fortë nga ligësia e tij”.(Psalmi 52;6-7)
E qeshura e bekuar !
Bibla na flet edhe për një të qeshur që është vërtet e shëndetshme, gëzon shpirtin dhe i jep shëndet trupit, kjo është e qeshura e të drejtit.
E qeshura e të drejtit është jo thjesht një e qeshur nga pasioni, instikti apo stimuluesit, por një shprehje e çlodhjes dhe prehjes shpirtërore e personit që është i velur me të mirat e Zotit: “Atëherë goja jonë u mbush me qeshje dhe gjuha jonë me këngë gëzimi, atëherë thuhej midis kombeve: “Zoti ka bërë gjëra të mëdha për ta”.(Psalmi 126-2). “Ai do t'i japë edhe më buzëqeshje gojës sate dhe këngë gëzimi buzëve të tua”(Jobi 8-21).
Por ndryshe nga i pabesi dhe mëkatari i cili kërkon të qeshë më kot, me ironi dhe për pasion i nxitur nga situata të krijuara nga vetë ai dhe stimulantë që ndihmojnë të qeshurën mëkatare, i drejti kur shikon realitetin tragjik ku ndodhet njerëzimi dhe bota dhe fundin e mëkatarëve që e kalojnë kohën duke qeshur më kot, ai nuk qesh por mban zi, trishtohet dhe loton.
Besimtar i drejtë nuk mohon rolin pozitiv të së qeshurës së vërtetë që vjen nga një zemër e mbushur me paqe dhe gëzim të vërtetë, por ashtu si thotë edhe Kishtari e ndan kohën për të qeshur sepse: “ka një kohë për të qarë dhe ka një kohë për të qeshur” (Kishtari 3-4).
Kjo është arsyeja që profetët pr.K. edhe shenjtorët ps.K. më shumë qanin se sa qeshnin, jo se nuk kishin gëzim, por sepse shikonin sipas masës së hirit tragjedinë njerëzore dhe s'mund të qeshnin edhe pse vetë ishin të gëzuar në Zotin.
Tradita na thotë se Krishtin asnjëherë nuk e panë duke qeshur, por shumë herë duke qarë. Po ashtu tradita na thotë se edhe Llazari, që u ngjall nga Krishti pas katër ditësh i vdekur, nuk qeshi më gjatë jetës sepse e kishte të pamundur të qeshte kur me shpirtin e burgosur në hadh pa vuajtjet e tmerrshme të mëkatarëve. Thuhet se vetëm njëherë buzqeshi, kur pa një njeri që po vidhte një vazo lulesh dhe tha: “balta po vjedh baltën”.
Tani është koha për të qarë për mëkatet personale edhe të njerëzve dhe kjo do bëjë që në fund të vijë e qeshura për shpëtimin e vetes edhe për të tjerët, kur Zoti do na dhurojë sipas besimit edhe veprave shpëtimin e përjetshëm, në Mbretërinë e Zotit, sepse Krishti premtoi: “Dhe Perëndia do të thajë çdo lot nga sytë e tyre; dhe vdekja nuk do të jetë më; as brengë, as klithma, as mundim, sepse gjërat e mëparshme shkuan”(Zbulesa 21-4).
Vetëm atëherë i drejti bashkë me Perëndinë do të qeshë me të pabesin, ashtu siç na thuhet tek psalmi: “Ai që ulet në qiejtë do të qeshë, Zoti do të tallet me ta..” ( Psalmi 2-4)
Ky është edhe mësimi i Kishës edhe i shenjtorëve, se: “E qeshura është shkaktare e mëkatit, e shthurjes dhe pararendëse e çdo rënieje. E qeshura është një shenjë e një zemre mashtruese, një shfaqje e një shpirti të ndrojtur dhe dëshmi e burracakërisë shpirtërore. Kujdes nga e qeshura e parakohshme, që të mos ju vjedhë lotët, që sjell çdo e mirë shpirtërore. Kujdes nga e qeshura, që të mos ju zbrazet shpirti nga virtyti, që të mos ju pushtojë indiferenca shpirtërore, që të mos bini në rrjetën e djallit. Krishti nuk bekon ata që qeshin, por ata që me vetëdije qajnë dhe vajtojnë: Lum ata që qajnë në këtë jetë për mëkatet e tyre dhe sprovat pedagogjike të Perëndisë, të cilat i pranojnë me mirënjohje dhe durim. Ata do të qeshin dhe do të gëzohen në jetën që do të vijë”.(Shën Dhimitri i Rostovit)
Prandaj të bëjmë kujdes me të qeshurën dhe mos të manipulohemi prej saj edhe kur ajo vjen nga emocione të mira, duke spekuluar me termin e “qeshur e shenjtë”. Në këtë jetë ku gjithçka rëndon nën peshën e mëkatit (Rom.8-20) dhe tagjedia njerëzore është përpara nesh gjithmonë, ne nuk mund të qeshim sikur jetojmë në një planet tjetër, por duhet të marim pjesë aktive në misterin e shpëtimit në Krishtin në Kishën Orthodhokse Katholike dhe Apostolike, duke derdhur lot pendese për veten, njerëzimin dhe botën. E qeshura mëkatare dhe indiferente për tragjedinë e botës do të zhduket prej buzëve të njerëzve mëkatarë të pabesë, indiferentë, sespe Zoti tha: “Mjerë ju, që tani qeshni, sepse do të hidhëroheni e do të qani!” (Luka 6-25) dhe apostull Jakovi vëllai i Zotit, përforcon: “Pikëllohuni, mbani zi dhe qani; të qeshurit tuaj le të kthehet në zi, dhe gëzimi në trishtim.” (Jakovi 4-9).
Vetëm e qeshura që do të vijë mbas të qarës së pendimit dhe gjykimit të drejtë të Krishtit, do të mbetet për jetë dhe njerëzit e shpëtuar do të qeshin me një hare të pa fund edhe të përmbushur në lumturi, sepse Krishti tha: “Lum ju, që tani qani, sepse do të qeshni” (Luka 6-21). Amin.