PATRIOT APO NACIONALIST ?
November 28, 2023 at 9:17 am,
No comments
PATRIOT_APO_NACIONALIST__-_Blog.pdf
Nga Miron Çako Katekist
Këto ditë festive të nëntorit me gjithë historikun dhe aktivitetet e shumta propaganduese nxinisin tek ne shqiptarët ndjenjat dhe qëndrimet patriotike dhe nacionaliste . Kemi dëgjuar shumë për patriotizmin dhe nacionalizmin , por na del një pyetje : Çfarë është më mirë të jesh patriot apo nacionalist ?
E para termi patriot vjen nga fjala e lashtë greke "patrios" që do të thotë :" etërit e dikujt" dhe që vjen nga patris "atdheu".
Fjala patriot zbatohej nga grekët e lashtë për barbarët që perceptoheshin si të paqytetëruar ose primitivë, të cilët kishin vetëm një Patris ose atdhe të përbashkët".
Por ky term mori një konotacion tjetër në Evropë në shekullin 15, një kuptimin më gjithëpërfshirës për të gjithë bashkatdhetar me origjinë nga ai vend, pavarësisht nga statusi social-ekonomik.
Në fjalorin shqip patriot do të thotë: “Ai që do atdheun dhe popullin e vet dhe që u shërben atyre me besnikëri, ai që lufton me vetëmohim për të mbrojtur interesat e vendit e të popullit të vet; atdhetar.
Patriotizmi është një ndjenjë dhe një qëndrim i domosdoshëm për popujt për të mirën e vendit , madje e frymëzon edhe Bibla edhe Kisha Apostolike Katholike Orthodhokse, sigurisht jo me kuptimin e shovinizmit, që manifestohet me urrejtjen e popujve për njëri tjetrin, por me patriotizmin,dmth me atdhedashurinë që është një ndjenjë dashurie dhe sakrifice për tokën atërore, vendi që kemi lindur dhe jetojmë si komb dhe popull, jo vetëm me kuptimin rracor, të gjakut por edhe në atë shpirtëror në kuptimin fetar, me vendin që Zoti na i ka falur dhe ku japim adhurim dhe falenderim Perëndisë Triadik. Atdhedashuria është përmbushje e gjithë porosive të Ligjit Hyjnor ashtu si na mësoi Zoti Jisu Krisht : "Duaje Zotin, Perëndinë tënde me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde". Ky është urdhërimi i parë dhe i madhi. Dhe i dyti, i ngjashëm me këtë, është: "Duaje të afërmin tënd porsi vetveten". Nga këto dy urdhërime varet i tërë ligji dhe profetët''(Mateu 22; 37-40)
Prandaj ai që është besimtar i vërtetë është dhe patriot i sinqertë.
Patriotizmi autentik bazohet në filantropinë e sinqertë si të Krishtit , Zotit –njeri , dëshmorëve që ranë në dashurinë sublime për Zotin dhe për të afërmin si përmbushje e dashurisë dhe këta si bijë të zgjedhur të kishës dhe të kombit u dalluan në luftërat e madha sakrifikuese: “për fe dhe atdhe”.
Për këtë arsye Kisha Apostolike ka me mijëra dëshmor për dashurinë e Krishtit dhe për mbrojtjen e atdheut që i përfaqëson edhe flamuri kombëtar dhe ai kishtar që kanë shumë ngjashmëri mes tyre. Kjo është arsyeja në këto ditë edhe në çdo Liturgji Hyjnore Kisha Orthodhokse lutet me nderim : “Për ata që ranë për fe edhe për atdhe”(Lityrgjia Hyjnore e Kishës Orthodhokse)
Prandaj në qoftë se duhet të jemi patriotë të vërtetë duhet t'i nderojmë dhe imitojmë ata që Zoti, kisha dhe shteti i nderon me mirënjohje për sakrificat e tyre sublime.
Nacionalist në fjalorin shqip do të thotë: atdhetar që kërkon çlirimin e vendit nga pushtuesit e huaj, kurse nacionalizëm do të thotë ideologji dhe politikë reaksionare e borgjezisë së një vendi, e cila i vë interesat e veta të ngushta klasore mbi gjithçka, duke i paraqitur si interesa të të gjithë kombit, dhe e quan këtë më epror ndaj kombeve të tjera dhe ndez përçmimin e armiqësinë ndaj tyre.
Edhe pse termi nacionalitet shumë herë përzihet me termin "komb" përsëri ky term është shfaqur në shekullin 19 ku kemi formimin e shoqërisë industrialiste , në grupe të ndruyshme që u quajtën nacionalitete.
Nacionalizmi shtetëror e ka bazën nga Marrëveshja Paqësore e Vestfalenit të vitit 1648 ku mbas një lufte 30 vjeçare mes protestantëve dhe katolikëve gjermanë kemi një zgjidhje paqësore dhe aty kemi edhe fillimin krijimin e nacionalitetit, shtetit të ndarë nga ajo perandorit katolik të Perandorisë së Shenjtë Romake të Kombit Gjerman. bSipas këtij modeli kërkohet edhes sot formimi i shteteve të reja ose nacionaliteteve në një botë multi-etnike dhe kulturore.
Por nacionalizmi ndryshe nga patriotizmi që është më solid në themel dhe përmajtje kur harrohet barazia dhe drejtësia mes njerëzve shpesh degjeneron dhe bëhët formë ekstreme e degjeneruar e patriotizmit, e mbushur me një ndjenjë superioriteti ndaj vendeve dhe shteteve të tjera, që përjashton edhe nxit armiqësi ndaj kombeve dhe shteteve të ndryshëm.
Nacionalizmi i keqkuptuar dhe i keqpërdorur degjeneron aq shumë sa siç e cilëson Samuel Xhonson bëhet :“streha e fundit e horrave”.
Bëhet streha e atyre “horave” si të filozofëve të dëshpëruar, e cinikëve, e biznesmenëve apo e politikanëve lakmitarë e mizantropë, e të korruptuarve dhe të diskredituarve në popull, e fetarëve ekstremistë hipokritë dhe pa moral , e dështakëve, e të marrëve, e përtacëve, e sharlatanëve , e mashtruesve dhe të gjithë atyre që janë me vese dhe nuk duan të ndryshojnë, të cilëve nuk i`u ka mbetur asgjë për të mbuluar përpara turmës, lakuriqësinë e turpeve të padrejtësive dhe mashtrimeve të tyre publike, por vetëm duke përdorur dëshpërimisht gjethet e nacionalizmit dmth duke hedhur mbi supe një flamur kombëtar të nderuar si një leckë që me mënyrën si e eksopozojnë plot vulgaritet e turpërojnë si flamurin ashtu edhe vetë vendin e tyre, duke u treguar si pjesa më e shëmtuar shoqërisë njerëzore dhe më e rezikshme e një kombi dhe vendin.
Për hir të vërtetës nacionalizmi është një virus që ka prekur shumë edhe shoqërinë dhe vendin tonë me shumë paradokse dhe padrejtësi, ashtu si dhe episkop Fan Noli e ka thënë për Shqipërinë e përdorur nga “horat” potriotët fallso maskuar me flamurin dhe sllogane populiste : “Këtu brenda një dite si me magji , tradhtari bëhet patriot i madh dhe patrioti bëhet tradhëtar .
Prandaj në qoftë se duhet t’i shërbejmë dhe ta lartësojmë vëndin tonë të dashur që Perëndia na i ka dhuruar për të jetuar mes kombeve mbi dhe, duhet të jemi dhe të kultivojmë patriotizmin atdhedashës të përgjegjshëm dhe nacionalizmin e shëndoshë si shtetar të ndershëm që medojmë mirë çdo ditë të jetës tonë dhe sipas talanatve të kontribojmë realisht për atdheun dhe shtetin, duke respektuar dhe bashkëpunuar me vendet dhe shtetet fqinje duke u bërë faktor paqe mes popujve dhe rajon, por nqs është e nevojshmë edhe detyra na i kërkon të japim edhe jetën për ta mbrojtur vendin nga armiqtë agresorë dhe të biem si dëshmorë .
Ndryshe ne kthehemi në një turmë që na drejtojnë dhe na manipulojnë “ horrat " për interesat e tyre , egoiste , antikombëtare, antihumane dhe po ashtu na drejtojnë dhe na morosin në delir nacionalizmat e donkishotëve ku i propogandojnë sot shqiptarët si "perënditë " dhe “alienët” e botës.
Në qoftë se ne festojmë kështu të manipuluar dhe frustruar, festa e Pavarësisë dhe Çlirimit kthehet në një argëtim pa qëllim petagogjik për atdhedashurinë dhe nacionalizmin e drejtë dhe po ashtu Flamuri kthehet në një beze të kuqe për dekor propagandistik dhe s’ka asnjë ndikim ndër ne, ashtu si edhe at Gjergj Fishta ka thënë “Flamuri kombëtar nuk ka çfarë bën ndër ne , po kje se dashni nuk kemi ,për atdhe “