PSE GRAZHDI ËSHTË SIMBOL I NEVOJSHËM PËR KRISHTLINDJEN
December 7, 2023 at 8:39 am,
No comments
Shkrim nga Miron Çako - Katekist
Të nderuar miq edhe të dashur vëllezër edhe motra në Krishtin ,sipas Traditës Orthodhokse dhe të nxitur nga troparet e së kremtes së Shën Nikollës, në 6 Dhjetor, si: “Bethlehem, përgatitu, le të stoliset grazhdi; shpella le të presë, erdhi e vërteta”, besimtarët orthodhoksë fillojnë arredimin e shtëpive me simbolikat e Krishtlindjes, që e ndryshojnë atmosferën në shtëpitë e tyre.
Tradita Orthodhokse për Krishtlindje ka qënë dhe mbetet grazhdi, një improvizim i skenës së Krishtlindjes ku dominojnë figurat e Zotit Jisu Krishtit, foshnje, zonjës Shën Mari dhe Shën Josifit, engjëjt bashkë me barinjtë dhe magët nga lindja, gjithashtu disa kafshë si qengji, kau dhe gomari, në menyrë të ngjashme si në ikonat orthodhokse të Krishtlindjes. Ky inskenim na ndimon që ngjarja më e madhe në historinë e njerëzimit dhe kozmozit, ku Biri i Perëndisë bëhet dhe lind si njeri prej Gjithmonë Virgjëreshës Mari, për shpëtimin e njeriut dhe botës, të na bëhet më e aktuale dhe më e prekshme përpara nesh, në shtëpitë tona si një parapërgatitje për Krishtlindje, në 25 Dhjetor.
Shenja të improvizimit të grazhdit si tradita e inskenim të lindjes së Krishtit përmendet që në shekujt e parë si filozofi Shën Justini (rreth vitit 160) e Origjeni (rreth vitit 248),por inskenimet që janë trashëguar deri më sot fillojnë nga shek. XI dhe në shek. XIII. Kisha Orthodhokse ka juridiksionin mbi Kishën e Lindjes në Bethlehem dhe veçanërisht të grazhdit ku u lind dhe u vendos Krishti foshnje.
Grazhdi mund të improvizohet edhe vetë me mjete rrethanore e aty të vendosen figurat e personave të skenës së Krishtlindjes ose një ikonë e Krishtlindjes.
Duke e patur parasysh çdo ditë këtë inskenim krishtlindje deri për Krishtlindje, ne orthodhoksët mendojmë më shumë për lindjen njerëzore të Zotit tonë Jisu Krisht, si shprehja konkrete e dashurisë së Atit Perëndi: “që aq shumë e deshi botën sa dha Birin e tij që kush të besoj tek Ai mos të humbasi, por të ketë jetë të përjetëshme” (Joani: 3-16)
Grazhdi, gjthashtu, na zbulon përmbajtjen dogmatike dhe gjithë kuptimin e të kremtes së Krishtlindjes: “Se Zoti bëhet njeri që njeriu të bëhet Perëndi “ (Shën Athanasi i madh), po ashtu edhe ripërtëritjen e krijesës që kishte rënë në kotësi dhe prishje nga mëkati i njeriut, ashtu si thotë edhe Shën Grigor Naziansit: “Lindja e Krishtit, nuk është festa e krijimit, por festa e rikrijimit të botës”
Grazhdi na kujton se: “ Në fillim ishte Fjala dhe Fjala ishte pranë Perëndisë, dhe Fjala ishte Perëndi. Ai (fjala) ishte në fillim me Perëndinë. Të gjitha gjërat u bënë me anë të tij (fjala), dhe pa atë nuk u bë asnjë nga ato që u bënë…Ai (fjala) ishte në botë, dhe bota u krijua me anë të tij, por bota nuk e njohu. Ai erdhi në shtëpinë e vet dhe të vetët nuk e pranuan.” (Joani 1: 1-2: 10-11)
Kështu duke mos gjetur vend të denjë midis njerëzve, Perëndia e lejoi lindjen e Birit të tij si njeri në një shpellë të papastër dhe të errët, ashtu si na i thotë ungjillori Luka: “Tani edhe Jozefi doli nga qyteti i Nazaretit të Galilesë, për të shkuar në Jude, në qytetin e Davidit, që quhet Bethlehem, sepse ai ishte i shtëpisë dhe i familjes së Davidit,për t’u regjistruar bashkë me Marinë, gruan e vet, me të cilën ishte martuar dhe që ishte shtatzënë.Kështu, ndërsa ishin atje, asaj i erdhi koha të lindë.Dhe ajo lindi djalin e saj të parëlindur, e mbështolli me pelena dhe e vendosi në një grazhd, sepse në han nuk kishte vend për ta.” ( Luka: 4-7)
Shpella dhe grazhdi ishin ikona e botës para Krishtit, e errët, e pistë nga mëkati dhe padituria, po ashtu tregon edhe zemrën njerëzore që është një vend i papërshtashëm që Zoti të lindë , por përsëri ai vjen të lind aty në zemrën e errët, të pisët, të ftotë për ta ndriçuar dhe shenjtëruar me dritën, tërëshenjtërinë dhe duke na ngrohur me zjarin e dashurisë hyjnore, duke thënë : “Ja, unë qëndroj te dera dhe trokas; nëse dikush dëgjon zërin tim dhe të hapë derën, unë do të hyj tek ai dhe do të ha darkë me të dhe ai me mua” ( Zbulesa: 3-20).
Grazhdi na tregon zbrazjen e hyjnisë së Krishtit, përulësinë, sepse grazhdi është shenja e parë e përuljes, përderisa Ai përuljen e konsideronte si mjetin më rezultativ për lartësimin tonë.
Zoti Jisu Krisht e zbrazi veten e Tij duke zbritur në brishtësi dhe dobësi njerëzore për të na dhënë forcë neve të rrëzuarve dhe për të na lartësuar drejt hyjnizimit.
Grazhdi po ashtu paratregon dhe vdekjen e Tij, varrin, ndërsa shpërgënjtë savanin kur ai vdiq vullnetarisht në kryq për shpëtimin tonë. Një murg thotë: “Jisui nuk deshi të lindej as në Romë, as në Athinë dhe as në Jerusalem. U lind në grazhd për të na edukuar me frymën e përuljes. Jisui nuk u lind rastësisht në një grazhd. Mos vallë bota a nuk është një grazhd i pafund? Që gjërat më të bukura, më të dëlira, më hyjnore dhënë nga Zoti si dashuria, e vërteta, liria me veprimin e djallit i transformojmë në skllavëri, në urrejtje, gënjeshtër, dhe ato i japin një imazh të shëmtuar botës dhe e bëjnë botën si një stallë mbushur me papastërti.Pastaj ne njerëzit shtrihemi mbi ato masa jashtëqitjeje duke e konsideruar këtë gjendje si kënaqësi të jetës”.
Ambienti i grazhdit është një dëshmi se Zoti u përul, u bë i varfër për ne . Me dëshirën e Tij u bë i vobektë “ ndonëse ishte i pasur” (2 Korinthianëve 8:9), prandaj prania e Tij, në skamjen e stallës, do të thotë se varfëria në qoftë se është provë nuk është e keqe, përderisa është motra e dashur e Krishtit dhe burim i pasurisë shpirtërore, ashtu si Shën Joan Gojarti thotë: “Vetëm një gjë mund të them me zë të lartë: “O skamje që je burimi i pasurisë!”
Krishti do të thotë më vonë në lidhje me vyrtutin e ri të përuljes dhe të varfërisë materiale e shpirtërore duke thënë: “lum të varfrit në shpirt sepse e tyre është mbretëria e qiejve “ ( Mateu: 5 -4)
Ai i kishte përjetuar paraprakisht në grazhd. Varfëria e grazhdit ku u lind Zoti Krisht bie në antitezë me luksin dhe modën që duam të ndjekin të krishterët sot, të njehësuar me frymën e botës, duke harruar fjalët e Apostullit Joan : “Mos e doni botën, as gjërat që janë në botë. Ne qoftë se ndokush do botën, dashuria e Atit nuk është në të,sepse gjithçka që është në botë, lakmia e mishit, lakmia e syve dhe krenaria e jetës, nuk vjen nga Ati, por nga bota.Dhe bota kalon me lakminë e saj; por ai që bën vullnetin e Perëndisë mbetet përjetë:”( 1 Joanit 2 : 15 -17)
Grazhdi na tregon edhe disa kafshë, si qengji, kau dhe gomari.
Qengji është simboli i Krishtit të flijuar, ashtu si e cilëson Joan Pagëzori: “Qengji i Perëndisë që ngre mëkatet e botës” (Joani 1-29)
Kurse kau edhe gomari përfaqëson popullin e Izraelit që nuk donin ta pranonin Jisuin si Mesian, por pastaj e mohuan edhe e vranë në kryq. Profeti Isaia tha: “ Kau e njeh të zotin e tij dhe gomari grazhdin e zotërisë së tij. Por Izraeli nuk më njohu dhe populli im nuk tregon mirëkuptim” (Isaia 1:3), ashtu siç na thotë ungjillori Joan: “Ai erdhi në shtëpinë e vet, dhe të vetët nuk e pranuan” ( Joani 1:11).
Nga ky mëkat rrezikohen të gjithë edhe të krishterët hipokritë sot që rrezikohen të humbasin kuptimin më keq se një kafshë duke mohuar të njohin Zotin e tyre dhe duke e shëndërruar Krishtlindjen në një festë konsumi, për të kënaqur orekset e tyre ose për t’i bërë qejfin njeri-tjetrit me dhurata dhe për Krishtin të mos kenë as gjë dhe ta shohim si të huaj: ” Por të gjithë ata që e pranuan Ai u dha pushtet të bëhen bijë të Perëndisë, atyre që besojnë në emrin e Tij.”( Joani: 1-12)
Duke parë në grazhd figurën e Tërëshenjtës Mari, ajo kërkon të na thotë: “Unë e linda Krishtin në tokë dhe vetëm nëpërmjet meje mund të shkohet te Krishti.“Po ashtu është duke na thënë se unë dua ta lind sot të Vetëmlindurin, Birin Tim Jisuin, në grazhdin e zemrës tënde, ti vetëm hape e më lejo që unë nëpërmjet mistereve të Kishës orthodhokse,si: Pagëzim, Pendim-Rrëfim, Kungim, ta rilind aty përsëri.
Engjëjt na kujtojnë himnin gazmor: ‘Lavdi Perëndisë në më të Lartat, dhe mbi dhenë paqe dhe mbi njerëzit mirëdashje” (Luka: 2-14), po ashtu se si engjëlli u shpalli lajmin e mirë barijnve: “Mos kini frikë, unë po ju lajmëroj një gëzim të madh për të gjithë popullin, sepse sot në qytetin e Davidit lindi për ju një shpëtimtar që është Krishti, Zoti. Dhe kjo do t’ju vlejë si shenjë: ju do të gjeni një fëmijë me pelena, të shtrirë në grazhd.”( Luka : 2-12)
Përsëri engjëlli na thotë neve sot: “Mos kini frikë edhe në këto ditë të vështira se Zoti është me ju” Këto fjalë të engjëllit na kujtojnë edhe fjalët e apostull Pavlit : “Sepse Perëndia nuk na ka dhënë frymë frike, por force dashurie dhe urtësie.” (2 Timotheu 1:7)
Për këtë arsye edhe mesazhi i Krishtlindjes, që na vjen nga grazhdi , është mesazh paqeje dhe gëzimi, që e shpërndan frikën e mëkatit dhe të vdekjes.
Po ashtu Shën Josifi, i fejuari i Maries dhe mbrojtës i familjes hyjnore me qëndrimin e tij, të menduar na tregon misterin e madh të mishërimit të Birit të Perëndisë dhe lindjes virgjërore të Marisë që janë përtej arsyes dhe pranohen me besim me mendje të përulur . Tek Shën Josifi shikojmë virtyte bazë: fisnikërinë, mirësinë, butësinë, durimin në vuajtje dhe shërbimin pavarësisht moshës së madhe , virtute për të cilat kemi aq shumë nevojë në kohën tonë edhe ata të moshës së tretë.
Barinjtë që u lajmëruan nga engjëlli: “Sot u lindi juve një Shpëtimtar, që është Krishti Zot. Ja si do ta njihni: do të gjeni një foshnje të mbështjellë me pelena dhe të shtrirë në grazhd”( Luka : 2 -12) na tregojnë se Perëndia zgjodhi njerëzit me zemër të thjeshtë, para të cilëve do të bëhej zbulimi i madh i mishërimit dhe lindjes së Birit të Tij dhe jo krenarëve si mësuesit e ligjit, ose skolastikët sot.
Dijetarët, që erdhën nga Babilonia simbolizojnë kombet që ishin të mashtruar dhe adhuronin yjet, por me adhurimin që i bënë Krishtit të mësuar nga engjëlli, që u shfaqej si një yll dhe i drejtoi tek shtëpia ku ishte foshnja ( Mateu 2-9), ata u mësuan që t’i falen Krijuesit të yjeve : ashtu si na thotë tropari i Krishtlindjes : “Lindja Jote o Krisht Perëndi dhe Zot, lindi botës dritën e dijes së hyjshme se ata që adhuronin çdo yll në qiell, si sot prej yllit po mësoheshin,ty të adhurojnë Diellin e drejtësisë dhe të të njohin si lindjen që lartazi, O Zot lavdi më Ty.”
Sot, ata qortojnë të gjithë ata njerëz që vazhdojnë të besojnë tek yjet dhe fati si është besimi tek horoskopi. Dhuratat që ata i dhanë Zotit, si ar , temjan edhe miro, ishin gjërat më të çmuara të kohës dhe paraqesin tre funksionet e Krishtit, si Mbret, Kryeprift dhe Profet.
Shën Nikodhim Agjioriti thotë se blatimi i arit tregon për njohjen e Perëndisë prej tyre, temjani bindjen e tyre dhe miroja dashurinë e tyre. Prandaj edhe Perëndia i bekoi që ata të shikonin me sytë e tyre këtë mister të madh.
Grazhdi ,figurat ose ikona e Krishtlindjes, që ne vendosim aty, na tregon çdo ditë deri për Krishtlindje se Qiejt dhanë yllin, dijetarët – dhuratat, engjëjt – himnin, toka – shpellën, shkretëtira – grazhdin, barinjtë – mrekullinë dhe njerëzit – të Tërëshenjtën Mari.
Po ne të krishterët çfarë duhet të japim në këtë Krishtlindje ?
Çfarë kërkon Zoti nga ne?
Çfarë qëndrimi do të mbajmë ndaj foshnjes hyjnore?
Mos ndoshta do të themi si judenjtë: “Nuk ka vend për juve”(Luka : 2-7) apo do të themi:“ Zoti Krisht lind në në zemrën time si linde në shpellë dhe vendose në grazhd”.
Po ashtu ne duke parë grazhdin duhet të mendojmë për dhuratën që duam t’i bëjmë Krishtit për ditëlindjen e tij. Çfarë dhurate duhet t’i bëjmë gati?
Të parën dhuratë që kërkon Zoti nga ne janë mëkatet tona, t’ia japim ato Zotit në Misterin e Pendim-Rrëfimit. Dhuratë tjetër e çmuar prej nesh për Zotin është bindja jonë, të zbatojmë vullnetin e Perëndisë dhe jo dëshirat tona, ashtu si Zoti tha: “Në qoftë se zbatoni porositë e mia tregoni se më doni, Unë dhe Ati do të vijmë të bëjmë të ndenjur tek ju”.( Joani 14-15)
Dhurata e tretë mund edhe duhen të jenë përpjekjet tona për të ndihmuar që edhe të tjerët të njohin Shpëtimtarin Krisht. Ashtu si edhe Zoti u tha apostujve dhe çdo të krishteri: “Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga të gjithë popujt, duke i pagëzuar në emër të Atit e të Birit e të Frymës së Shenjtë, dhe duke i mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat që unë ju kam urdhëruar. Dhe ja, unë jam me ju gjithë ditët, deri në mbarim të botës. Amin” ( Mateu 28-18-20)
Këto janë tre dhuratat e çmuara shpirtërore si pendimi, bindja dhe shërbimi dhe janë më të vyera se dhuratat e magve.
Duke parë grazhdin çdo ditë, ne i themi vetes edhe të të tjerëve përqak: “Eni shihni besërisht, ku është lindur Zoti Krisht; le t’i biem gjithnjë pas, atje ku ylli udhëton, bashkë me magët, mbretërit e lindjes. Engjëjtë me mall, po e himnojnë pa pushim, barinjtë plot me gas u bien fyejve dhe lavdërojnë të lindurin në shpellë prej Kryezonjës, dhe Virgjëreshës, në Betlehem të Judesë.“
Për arsyet, që përmendëm më sipër, është mirë që çdo familje e krishterë të ketë të improvizuar grazhdin si shenja më autentike e Krishtlindjes në shtëpitë tona, duke na ndihmuar për t’u bërë sa më mirë gati për aq ditë sa na kanë mbetur deri në Krishtlindje që të mundim të kremtojmë sipas Traditës Orthodhokse Krishtlindje me Krishtin dhe jo sipas botës , Krishtlindje pa Krishtin.
Le të fillojmë të bëhemi gati duke ndërtuar grazhdin e të presim Krishtlindjen, por mbi të gjtha të bëjmë grazhdin e zemrës, duke ju lutur Zotit të vijë të rilindë aty, ashtu si lutej edhe Shën Joan Gojarti para se të kungohej: “ O Zot Perëndia im, e di që nuk jam i denjë as i aftë që të hysh në mbulesën e shtëpisë së shpirtit tim, sepse është e shkretë dhe e rënë dhe s’gjen tek unë vend të drejtë për të ulur kryet. Por sic e ule veten së larti për ne, ule dhe tani në përuljen time. Dhe siç denjove të shtrihesh në shpellë dhe në grazh të kafshëve , dënjo të hysh edhe në grazhdin e shpirtit tim të paarsyeshëm dhe të trupit tim të njëllosur”Amin..(Shëbesa e kungimit)