NJERIU IKONË E PERËNDISË, DHE INTELIGJENCA ARTIFICIALE IKONË E NJERIUT
November 20, 2024 at 1:34 pm,
No comments
Nga Katekisti: Miron Çako
Sot gjendemi përpara faktit që nuk mund ta shohim më si një fantashkencë por një realitet, sepse inteligjenca artificiale ose ndryshe AI është bërë e prekshme, e dukshme për shoqërinë njerëzore.
Në qoftë kjo që po ndodh do të vazhdojë me këtë ecuri dhe ritëm galopant AI shumë shpejt do të bëhet konkurruese me aftësitë njerëzore dhe shumë njerëz do të jenë të paaftë për të konkurruar shërbimet e robotëve humanoidë dhe qenia njerëzore do të duket primitive dhe do të vendoset në një situatë të vështirë për të ruajtur vendin e parë që ka pasur deri më tani, si qenia më superiore në rendin e krijimit dhe rezikun që roboti të jetë dominuesi i kohës së re “New age”.
Gazeta “Garden”, një revistë shkencore, thotë se për rreth 5 vjet inteligjenca artificiale do të futet në çdo aplikacion edhe në çdo industri të mundshme.
Këndvështrimet për rolin e inteligjencës artificiale që po kërkon jo vetëm të ndihmoj por edhe të konkurrojë njerëzimin janë pro ose kundra nga shumë faktorë dhe opionione të ndryshme, por për ta kuptuar ndoshta më mirë se çfarë është njeriu i krijuar nga Krijuesi dhe çfarë është mund të jetë ose bëhet inteligjenca artificiale e krijuar nga njeriu le ta shikojmë me këndvështrimin e shkencës e teologjisë
Shkenca e teologjisë na mëson se njeriu nuk është një qenie autonome por e krijuar sipas një projekti të veçantë të Krijuesit Trashendent dhe Imanent dhe sipas Biblës Perëndia Triadik (Ati, Biri dhe Shpirti i Shenjtë) e krijojë njeriun një mënyrë shumë personale (Zanafilla 1;26₋ 2;7).
Njeriu u krijua si një krijesë shpirt-trup. Shpirti njerëzor është krijesë mendore jo materiale që ka mendim, logjik, vullnet, ndjenja edhe liri dhe është i padukshëm për shqisat fizike, kurse trupi është material nga balta (elemente kimike të tokës). Mendja është atribut i shpirtit kurse truri është materia e organizuar në shkallën më lartë dhe një instrument i mendjes për ta lidhur me botën fizike.
Njeriu si krijesë shpirtërore dhe mendore është i ngjashëm me engjëjt në qiell, por më i vogël se engjëjt (Psalmi 8-5) kurse nga trupi i tij material është i ngjashëm me botën shtazore edhe fizike, por më i lartë nga të gjitha krijesat tokësore, si kurora e krijimit fizik. Kështu njeriu si shpirt edhe trup është një lidhje mes botës materiale edhe shpirtërore.Ai paraqet në vetveten e tij unitetin e mistershëm të materies edhe të shpirtit, të natyrës së dukshme dhe asaj të padukshme, të tokësores dhe qiellores të përkohshmes dhe të pavdekshmes.
I krijuar sipas ikonës së Perëndisë dhe ngjashmërisë nuk do të thotë se njeriu u krijua sipas pamjes fizike të Zotit, se Perëndia si shpirt i pastër është pa formë, por sipas ikonës presupozon në një ngjashmëri me arkeotipin, dmth Krijuesin, prandaj prania e shëmbëlltyrës së Perëndisë dëshmohet në një pasqyrim të ikonës së Tij në natyrën shpirtërore të njeriut, domethënë në atributet shpirtërore që ju dha njeriut , si në ato të inteligjencës, vullnetit të lirë dhe aftësisë për të krijuar, duke ushtruar pushtetin e tij mbi tokë me dashuri dhe drejtësi.
Por edhe fiziku i tij i jashtëm tregon se ai ndryshe nga kafshët edhe speciet e tjera njeriu është i krijuar si ikona e Zotit p.sh. Shën Vasili i Madh thotë: “Struktura e trupit tënd është për ty një mësim i qëllimit për të cilin je krijuar; ti je krijuar i drejtë, në këmbë, me qëllim që jeta jote të mos zvarritet mbi dhe, por të vështrojë drejt qiellit dhe drejt Perëndisë që banon atje; që të mos jepesh mbas kënaqësive kafshërore, por që të jetosh njëjtë me qielloren, sipas arsyes që të është dhënë. (Mbi strukturën e njeriut)
Por njeriu u krijua të bëhet edhe i ngjashëm me Perëndinë, pra të asimilohet në gjithçka në Atë, si në prototipin e Tij. Në një asimilim gradual, nëpërmjet një kungimi të gjallë dhe të plotë me Zotin, nëpërmjet besimit, dashurisë, lutjes dhe një jete të shenjtë, sipas porosive të Perëndisë. Njeriu nëpërmjet energjive të Shpirtit të Shenjtë mund të arrijë në përmbushje të dimensionit të tij dhe qëllimit për të cilin u krijua - të bëhet si Perëndi nga hiri, domethënë i pavdekshëm dhe i shenjtë duke u bërë pjesëmarrës i natyrës hyjnore sipas energjive.
Njeriu është i krijuar sipas ikonës të Perëndis ka autoritet suprem mbi krijimin dhe bashkëkrijues me Krijuesin e pakrijuar. Njeriu ka si qëllim që në personin e tij të pasqyrojë Perëndinë e shenjtë në krijim, duke shpërndarë, vullnetin dhe praninë dhe fuqinë e Perëndisë në tërë universin dhe ta transformojë gjithçka që ekziston në parajsë të Perëndisë.
Mund të themi se Perëndia rrezikoi kur krijoi njeriun, sepse krijoi një krijesë sipas ikonës edhe ngjashmërisë që në keqpërdorim të lirisë mund të rebelohej edhe të konkurronte Zotin sa ta quante veten Perëndi pa Perëndinë. Prandaj Zoti vendosi tek njeriu ndërgjegjen që është gjykatorja e Zotit tek njeriu dhe po ashtu Ligjin që njeriu ta zbatonte edhe të jetonte natyrshëm.
Fatkeqësisht njeriu nuk qëndroi në vendin që ishte vendosur por, i tunduar nga një engjëll i rënë djalli që të bëhej Perëndi pa Perëndinë, ai u rebelua, doli kundra Krijuesit, kundra vetes edhe krijimit.( Zanafilla 3: 1- 7) Mekati tek njeriu deformoi imazhin e Zotit tek vetja dhe dështoi të bëhet i ngjashëm me Zotin, i pavdekshëm edhe i shenjtë, ra në dekadencë shpirtërore, morale dhe fizike dhe dëmtoi gjithë krijimin i cili vuan pasojat e mëkatit njerëzor. Nga parajsa tokësore, toka dhe universi është bërë një varrezë kozmike.
Mëkati e deformoi ikonën tek njeriu por nuk e zhduku atë plotësisht. Pengoi ngjashmërinë dhe asimilimin me Perëndinë dhe njeriu shkoi drejt ngjashmërisë edhe asimilimit me djallin. Njeriu nga vetvetja nuk mund të restaurohej, (Psalmi 53) madje as engjëjt e shenjtë nuk mund ta bënin restaurimin e njeriut, sepse ata vetë janë krijesa dhe nuk mund të shpëtojnë një krijesë tjetër të rënë. Këtë restaurimin mund ta bëjë vetëm Krijuesi, duke e çuar njeriun nga gjendje egocentrike në atë teocentrike. Një tropar i Kishës Orthodhokse thotë se as engjëll as njeri vetëm Zoti na shpëtojë, lavdi më ty.
Kështu Ati Perëndi dërgojë në botë Birin (Fjalën) dhe me anë të Shpirtit të Shenjtë bëhet njeri si ne përveç mëkatit. Ai mori natyrën tonë njerëzore të dëmtuar por e restauroi, e shenjtëroi dhe e hyjnizoi në vetën e Tij me anë të njerëzimit, kryqëzimit dhe ngjalljes madje e çoi njeriun në fronin e Atit duke e bërë të ngjashëm me Perëndinë. Ashtu si thotë edhe shën Athanasi i madh “Perëndia u bë njeri që njeriu të bëhet Perëndi”.
Ai e shpëtojë përfundimisht njeriun në veten e Tij dhe njeriu sipas ikonës edhe ngjashmërisë do të jetojë dhe do të mbretërojë përjetësisht me Perëndinë në qiellin e ri dhe tokën e re.( Zbulesa 21;1)
Njeriu i cili në lirinë e keqpërdorur në këtë hapësirë edhe kohë nuk është bashkuar me Perëndinë por vazhdon të eci me egocentrizmin e tij eosforik dhe nuk ka ndaluar përpjekjet për tu bërë Perëndi pa Perëndinë. Njeriu matet, konkurron dhe imiton Zotin, domethënë ashtu si Perëndia bëri njeriun sipas ikonës edhe njeriu sot sipas mundësisë teknologjike kërkon të bëjë ikonën e tij siç është “Inteligjenca artificiale” e shfaqur që në shekullin e kaluar.
John Mc Carthy ishte i pari që përdori termin “Inteligjencë artificiale” në vitin 1956. Ky si term tregon aftësinë e kompjuterit për të vepruar si qenie njerëzore, ku përfshin një numër të madh aplikacionesh si stimulator softwear dhe robotik që jo vetëm kërkon që të bëjë punët e njeriut, si ato mendore dhe fizike por edhe njeriu po i jep pamjen e humanoide, domethënë po krijon ikonën e tij.
Tentativat e njeriut për të bërë ikonën e tij prej metali që të lëvizë, të flasë, të veprojë është shumë e lashtë dhe kanë filluar shumë herët si në: Egjipt dhe Greqin e lashtë. Këto objekte artizanati ishin mitizuar nga njerëzit primitiv duke i parë si “perëndi” edhe pse ishin thjesht makina mekanike primitive të bëra nga dora e njeriut me vetëm disa lëvizje apo tinguj shumë të kufizuar.
Një autore amerikane e librave historike dhe filozofike mbi rëndësinë e “Inteligjencës artificiale” si Pamela McCorduck argumenton se: “të gjitha këto janë shembuj të një tundimi të lashtë njerëzor për të krijuar perënditë”.
Por nga shekujt 19 dhe 20, qeniet artificiale ishin bërë një tipar i përbashkët në letërsinë artistike. Idetë u hollën në fillim në letërsinë fantashkencës si në Frankenstein, Mary Shelley apo Rur Karel Capek.
Zhvillimi i matematikës e mundësoi krijimin e inteligjencës artificiale. Ishte matematika që çoi direkt në shpikjen e kompjuterit programues digjital elektronik, bazuar në punën e matematicientit Alan Turing dhe të tjerët.
Teoria Turing e llogaritjes sugjeroi se një makinë, nga përdorimi i simboleve si "0" dhe "1", mund të stimulojnë çdo akt të mundshëm të zbritjes matematikore. Kjo, me zbulimet në neurologji, teorisë së informacionit dhe të kibernetikës, frymëzoi një grup të vogël studiuesish të fillojnë të konsiderojnë seriozisht mundësinë e ndërtimit të një truri elektronik dhe kështu në një konferencë në kampusin e universitetit Dartmouth në verën e vitit 1956 filloji përpjekja në fushën e kërkimit të inteligjencës artificiale.
John McCarthy, Marvin Minsky, Allen Newell dhe Herbert Simon, u bënë udhëheqësit e hulumtimit AI për shumë dekada. Ata së bashku me shumë të tjerë arritën të prodhojnë kompjuter të cilët arritën të konkurrojnë me njeriun madje edhe të fitojnë, p.sh. më 11 maj 1997, Deep Blue një kompjuter i cili përmbante sistemin e lojës së shahut mposhti një kampion botëror të shahut siç ishte Garry Kasparov, ose kur në vitin 2005, një robot Stanford fitoi sfidën e madhe në DARPA (Projekti i Agjencisë se kërkimeve te Mbrojtjes se avancuar) duke ngarë makinën në mënyrë autonome për 131 kilometra përgjatë një shtegu të paparashikuar në shkretëtirë.
Këto edhe të tjera arritje që gjithnjë e më shumë në mënyrë progresive dhe me një ritëm galopant sot jo vetëm po suprizojnë por edhe po konkurrojnë aftësitë njerëzore që jo vetëm transferojnë të dhënat, por modifikojnë informacionet me një shpejtësi marramendëse me precizitet të lartë, të cilat si makina ne i njohim si sisteme kompjuterike apo ndryshe siç njihen në gjuhën e psikologëve kognitiv si produkte të inteligjencës artificiale.
Sot inteligjenca artificiale përdoret me së shumti në video lojëra ku kompjuteri vepron si te ishte një lojtar, ashtu si shikojmë tek pothuajse të gjitha video lojërat përmbajnë një nivel te caktuar të inteligjencës artificiale.
Ky lloj revolucioni dixhital në të gjitha fushat e ndryshme si shkenca, mjekësia, industria, ekonomia, puna, transporti, komunikimi, hapësira ajrore, industria e luftës, por edhe në marrëdhëniet shoqërore të përditshmërisë madje edhe tek ato intime po kërkon të krijojë realitet të ri kozmik, një univers tjetër paralel artificial ndryshe nga ai që e ka krijuar Krijuesi dhe që ne kemi trashëguar po shkon drejt krijimit të makinave kibernetike autonome (robotëve) që duke ju dhënë një inteligjencë dhe pamje humane ato po konkurrojnë njeriun të krijuar sipas ikonës së Perëndisë.
Nëse do të vazhdojmë me këtë ritëm do të kemi së shpejti një mutacion të jetës njerëzore, nga njeriu natyror i krijuar sipas ikonës së Perëndisë në atë artificial i krijuar sipas ikonës së njeriut, por jo sipas asaj që krijoi Krijuesi por sipas asaj të njeriut egoistë dhe krenar që kërkon të konkurojë Zotin , Krijuesin.
Njeriu sipas këtyre zhvillimeve teknologjike rrezikon të shëndrrohet nga një qenie e lirë me ndërgjegje apo nga një antropomorf në një njeri-makinë. (Kimera biologjike dhe corborgs hipride).
Sot jemi në një konkurrencë mes aftësive inteligjente dhe fizike të njeriut dhe aftësive inteligjente dhe praktike të makinës-robot. Zhvillimi robotik me AI po kërkon jo vetëm të barazoj aftësitë intelektuale dhe fizike të njeriut por ti tejkalojë ato. Nëse ecim me këtë ritëm për një-dy dekada shumë njerëz do të detyrohen të mbeten pa punë dhe shumica e njerëzve që kanë një zhvillim intelektual mesatar do të duken të prapambetur përpara makinës inteligjente.
Mendoni çdo të bëhet kur AI të aplikohet masivisht në punët dhe shërbimet njerëzore.Atëherë shumë shpejtë do të dalin probleme shqërore imediate për zgjidhje:
“Çfarë do bëhet me gjithë këta njerëz të papunë?
Si do të jetojnë ata? Vetëm me ndihmë sociale?
Në qoftë se njerëzit do të duan të punojnë do të duhet të konkurrojnë me AI? Me shtimin e madh të popullsisë dhe përqëndrimin në qendra të mëdha urbane , ku problemi i papunësisë dhe i parazitizmit është bërë një plagë kanceroze e shoqërisë njerëzore.
Në qoftë se i referohemi skenarëve të filmave fantastiko-shkencorë situata që pritet të vijë duket sa e frikshme aq edhe tragjike. Njeriu përball makinës inteligjente nuk do konsiderohet më si subjekt por një objekt, një shifër dhe sipas algoritmeve matematikore duhet të merren vendime të shpejta, të ftohta për eliminimin e shpejtë të tepricave njerëzore të panevojshme me mjete të shkatërrimit në masë si një holokaust global.
Për ata që do të mbeten nga seleksionimi artificial del një tjetër problem për mbijetëse të racës njerëzore, ai i konkorrencës. Njeriut prodhues i duhet të jetë në një nivel me robotin, kështu ose do të bëhet shkllav i makinës inteligjente ose do të robotizohet që të punojnë njëkohësisht me robotin. Kështu njeriu po ka shumë premisa që do ndryshojë qenien e tij natyrale në atë të kompjuterizuar.
Mos të çuditemi për këtë sepse sot po injektohen tek trupat njerëzor çipe radjo-marrëse që veprojnë me kompjuterin dhe me këtë ritëm shumë shpejt do kemi njeriun e ri hibrid, ndryshe nga ai që krijoi Krijuesi.
Nuk do jetë më ikonë e Zotit me dinjitetin si kurora e krijimit dhe me liri për vetëvendosje, do të bëhet ikona e re e evolucionit bioteknologjik i nështruar ndaj realitetit artificial, pa lirinë e vetëvendosjes. Do të jetë një ikonë e teknologjisë kumpjuterike, ikona e makinës inteligjente robotike, siç e dëshirojnë elitat që duke menduar se janë “zoti” financojnë, propagandojnë dhe kontrollojnë AI si risinë e kohës së re (New age).
Këto raporte të reja mes njeriut dhe makinës ku edhe ai do të trajtohet si makinë prodhuese duhet të ndryshojnë edhe organizmat dhe ligjet për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, sepse sipas Kartës së të Drejtave të Njeriut: “Njeriu ka vlerë dhe dinjitet unik të pazëvëndësueshëm, për rrjedhojë, ne deklarojmë, mbrojmë dhe i shërbejmë pa asnjë diskriminim qenies njerëzore dhe të drejtave të tij, përtej çdo deduksioni dhe shndërrimi objektiv të tij në send”.
Problemi tjetër që anashkalohet ose nuk i jepet vëmndja e duhur, sepse sot jemi të dehur nga suksesi i krijuesit dhe të magjepsur nga mrekullia e teknologjisë dixhitale dhe inteligjencës artificiale, është: Si do të rregullohen mardhëniet njeri-makinë, aq më shumë kur rrezikojmë që AI në mënyrë racionale të degradojë në të menduar të pavarur dhe të tregohet armiqësore ndaj njeriut edhe natyrës siç e paraqesin filmat profetik të fatashkencës, si “Lufta e yjeve”.
Zakonisht është etika gjyqësore që duhet të kontrollojë shkencën dhe teknologjinë se deri ku mund të shkojë në hulumtime, shpikje dhe krijime, pa cënuar jetën njerëzore dhe natyrën.
Por duhet të dimë se makina nuk është as e mirë as e keqe në vetëvete por varet se si ne i përdorim dhe ato marrin vlera miqësore dhe armiqësore për njeriun edhe natyrën në varësi të personit që i drejton dhe i përdor. Ne e dimë se edhe pse sot ka shumë ligje në letër ato nuk zbatohen, duke sjellë kështu shumë pasoja si për jetët njerëzore ashtu edhe për mjedisin, pra është si ajo shprehja popullore “edhe Ligji edhe Maliqi”.
Nëse kjo armatë teknologjike bie në dorë të njerëzve të papërgjegjshëm dhe pa ligj patjetër që AI do të kthehet në një armë kundër njerëzimit.
Vetë inteligjenca artificiale mund ta kthejë njeriun që e përdor në një mbinjeri me aftësi mbinatyrore dhe ky i nxitur nga tundimi fillestar që të bëhet një perëndi pa Perëndinë ( Zanafilla 2 ;3-5) dhe mund ti përdori këto aftësi në dëm të njerëzimit dhe natyrës.
Mendoni sikur këto aftësi AI ti kishte në dorë Hitleri dhe makineria ushtarake çnjerëzore naziste, si do ishte sot njerëzimi dhe bota?
Do të ishte mendjelehtësi të mendonim se Hitlerë apo diktator paranojak, të demonizuar, çnjerëzor, sadistë, të marrë nuk mund ti vijnë njerëzimit përsëri, historitë e harruara përsëriten.
Sot është rritur në mënyrë të frikshme doza e egoizmit dhe kjo sjell automatikisht në pasione dhe probleme mendore deri në çmenduri. Duke besuar se je “Zot”, një alien, një supernjeri mendon se mund të bësh çfarë të duash me njerëzimin, ta çosh atë në një rend të ri më të zhvilluar, në një racë të re pavarësisht sakrificave dhe kostove, duke iu nënshtruar ideologjisë evulucioniste të zhvillimit të species superiore dhe se jeta fillon nga hiri.
Megjthatë gjërat janë shpesh shumë të ndërlikuara dhe brenda kornizës së ligjit për bioteknologjinë dhe debatet ndërdisiplinore. Nëse nuk taposet mirë shishja me ligje dhe rregulla ndërdisiplinore, që kurrë nuk mund të jemi të sigurt se do të zbatohen, xhindi do të dalë nga shishja.
Kjo fatkeqësisht po ndodh sepse teknologjia po përparon më shpejtë se kornizimi i bioetikës për fenomenin e AI.
Kur vetë njeriu shkel etikën në dëm të të afërmit edhe pse përveç ndëshkimit ligjor ka edhe ndërgjegjen që është zëri i Zotit tek njeriu si një siguresë për të mos tejkaluar dhe shkelur ligjet dhe natyrën, si mund të pretendohet se makina me AI nuk mund të degradojë dhe të kthehet në armiqësore kundër njeriut dhe natyrës?
Kush mund të thotë se AI do të varet tërësisht nga programi dhe rregullat etike?
Ne si qenie të arsyeshme duke pasur përvojën e historisë njerëzore mund të pranojmë se roboti me inteligjencë artificiale i krijuar nga njeriu ka si ndërgjegje të tij programacionin e krijuesit të tij njerëzor, por gjithmonë ekziston frika se ato makina me zhvillimin e tyre matematikor në infinit mund të bëhen programe të pavarura dhe të programojnë aplikacione të tjera që do të ishin tragjike dhe pastaj do të ishte shumë vonë për të hequr prizën para se makina inteligjente të vrasë krijuesin e saj njerëzor, ashtu siç është trajtuar edhe në filmat fantashkencë që sot po bëhen realitet.
Kur Krijuesit të Gjithëpushteshëm i doli nga kontrolli ikona e tij e krijuar, njeriu, si nuk mund ti dali nga kontrolli njeriut të dobët ikona e tij robotike, AI?
Kështu qëndrimi ynë ndaj ndaj teknologjisë ose AI duhet jetë kritik dhe jo të mahnitemi siç mahniteshin indianët primitiv me shkopinj në duar, kur spanjollët i gënjen me pasqyrat e tyre për ti marrë arin dhe për ti shkatërruar qytetërimin me armët me barut.
Ne e dimë me siguri se sot aplikimet e ndryshme bioteknologjike nuk varen drejtëpërdrejtë ose nuk kontrollohen plotësisht nga shtete dhe qeveritë. Ato kanë kaluar në duart e kompanive private ndonjëherë më të forta ekonomikisht se shtetet e mbytura në borxhe publike që konkurrojnë me njëri-tjetrin në luftë të pafund e të pamëshirshme ekonomike, pushteti dhe domini në tregun global.
Psh Neuralink është një kompani e themeluar nga Elon Musk në vitin 2016 që po zhvillon një ndërfaqe tru-kompjuter të quajtur "Lidhja", e cila është një implant i çipit nervor të vendosur në mënyrë kirurgjikale, i krijuar për të deshifruar dhe stimuluar aktivitetin e trurit. Miliarderi teknologjik, Elon Musk, ka pohuar se kompania e tij Neuralink ka implantuar me sukses një nga çipat e saj të trurit me Wi-fi tek një njeri. Një numër firmash rivale kanë implantuar tashmë pajisje të ngjashme. Ndër kompanitë e tjera që kanë bërë përparime të ngjashme në këtë fushë është École Polytechnique Fédérale në Lozanë (EPFL), në Zvicër, e cila i ka mundësuar me sukses një njeriu të paralizuar të ecë vetëm duke menduar.
Edhe pse të gjitha këto eksperimente janë arritje të mrekullushme të shkencës dhe bioteknologjisë që ndihmojnë në kapërcimin e problemeve njerëzore, çështja është se deri ku do shkojmë.
Ku është kufiri që duhet të ndalojmë?
Këto zhvillime bioteknologjike na kujtojmë profecitë biblike. Profeti Daniel ka thënë që në fundin e kohërave njerëzve do ti shtohet shumë dituria (Dan.12-4), por që me mendjen egoiste dhe pasionin e krenarisë do ta përdorin për keq, Shën Kozmai ka profetizuar : “Që botës do ti vijë e keqja nga njerëzit e shkolluar”.
Dixhitalizimi dhe kontrolli dixhital është profetizuar në mënyrë të detajuar në librin e fundit të Biblës, Zbulesa, ku na thuhet se do të vijë koha që Bisha që ngjitet nga dheu në mënyrë dixhitale do të kontrollojë gjithë njerëzimin duke ju vendosur një damkë një “mikroçip”RFID në ballë ose në dorë me kodin hyrës të sistemit të përbotshëm elektronik 666, WWW, që është emri i antikrishtit (Zbulesa 13,11-18)
Ky sistem sot është në veprim, është sitemi i kontrollit ekonomik të botës (bar cod) dhe pritet edhe të injektohet edhe tek njeriu ku do të bëjë të mundur blerjen dhe shitjen në çdo cep të globit me sitemin pa para kesh por atë dixhidale si po eksperimentohet deri tani.
Ai njeri që e merr këtë damkë nuk ka shpëtim sepse, nuk është më vetëvetja por një hibrid bioteknologjik që do jetë i monitoruar dhe i ndikuar nga mendimet ndërhyrëse të Bishës (antikrishtit) dhe njeriu i matrikuar do pushojë së qëni ikona e Perëndisë dhe do të shndërrohet në një ikonë dixhitale, ose në një ikonë të bishës, djallit (Zbulesa 14,9-11).
Kjo është koha e antikrishtit, që si frymë është në veprim ( 2 Selanikasit 2-7)dhe po pritet të shfaqet si person dhe sistem global i dixhitalizuar. Koha e tij do jetë jo më shumë se shtatë vjet, sepse pas këtyre viteve shumë të liga për njerëzimin papritur në botë do të shfaqet me lavdi Krijusi i botës edhe njeriut, Biri dhe Fjala e Mishëruar Zoti Jisu Krisht, i cili do ta shkatërrojë me hukatjen e gojës së tij antikrishtin ( 2 Selanikasve 2-8)dhe të gjithë sistemin e tij të dixhitalizuar dhe pastaj do të bëjë gjyqin përfundimtar për të gjithë njerëzimin të gjallët dhe të vdekurit. (Zbulesa 21,1-5).
Krishti me gjithëditurinë edhe drejtësinë e Tij do të dalloj edhe do të ndajë ikonat e Perëndisë nga ikonat e djallit, do të krijojë qiellin e ri dhe tokën e re dhe mbretëria e përjetëshme e Perëndisë do të zbresë dhe do të jetë edhe në tokë bashkë me njerëzit të krijuar sipas ikonës së Perëndisë edhe të bërë të ngjashëm me Perëndinë në Krishtin dhe Shpirtin e Shenjtë sipas Mistereve të Kishës Apostolike
Prandaj për të gjetur mënyrën se si të përqasemi sa më drejtë ndaj Intiligjencës artificiale është e nevojshme të dimë dhe të pranojmë mes dy koncepteve se çfarë është njeriu dhe çfarë vlere ka ai për ne sot.
Ose do pranojmë apriori se njeriu është thjeshtë një qenie e evoluar nga rastësia dhe që sot po evoluon përsëri nga vetja nga një qenie humane në qenie hibride bioteknologjike dhe kështu ai po rrezikon të humbasë vendin e parë në zinxhirin ushqimorë dhe të transformohet në një krijesë të re, në një skllav të makinës inteligjente, si ikona artificiale e teknologjisë.
Besojmë se me këtë përqasje bioteknologjike nuk do ketë fund më tragjik që njeriu do ti bëjë vetes.
Ose do të besojmë duke përdorur mendjen e përulur atë që thotë shkenca e Teologjisë Orthodhokse, se njeriu është një qenie i krijuar si ikonë e Perëndisë. ( Zanafilla 2-26) dhe kështu ai do të mbetet deri në fund edhe në përjetësi kurora dhe sunduesi i gjithë dhe universit si krijesës me potencialin për tu bërë i ngjashëm me Zotin, një krijesë e re, një bir i adaptuar i Perëndisë , sipas dashurisë së Atit , në bashkim me Birin, Krishtin dhe me anën e hirit të Shpirtit të Shenjtë nëpërmjet Mistereve të Kishës Apostolike Orthodhokse. Amin.
Miron Çako katekist