KURORËSHKELJA, MËKATI I MADH DHE I VDEKSHËM
November 20, 2024 at 1:39 pm,
No comments
Nga Katekisti: Miron Çako
Kurorëshkelja, tradhtia bashkëshortore ose pabesnikëria, është cilësuar gjithmonë si një e keqe e kundra martesës që si një institucioin i lashtë konsiston me bekime, urata dhe kode civile në bashkimin e pandashëm të një çifti burrë edhe grua në të mirë dhe në të keq.
Tradhtia bashkëshortore konsiderohet akti i lidhjes me dikë që nuk është bashkëshorti i dikujt, si një palë e tretë që futen mes dyve .
Kryesisht në konceptin fetar kurorëshkelje përdoret në kontekstin e tradhtisë bashkëshortore në martesë kurse në një marrëdhënie seksuale pa martesë quhet kurvëri.
Popujt e lashtë e konsideronin kurorëshkeljen një të keqe të madhe për çiftin, familjen dhe shoqërinë, si grekët , rromakët dhe kishin ligje dhe dënimë në kodetet e tyre penale, por në mënyrë të specifikuar kurorëshkelja kategorizohet mëkat i ndaluar në ligjin që Perëndia i dha popullit monoteist të Izraelit 1500 pr K .
Kemi shumë pjesë nga Bibla në Dhiatën e Vjetër që në mënyrë konsistente e ndalojnë kurorëshkeljen: “Nuk do të shkelësh besnikërinë bashkëshortore”. (Dal 20, 14) (Lp 5,18).
Kurorëshkelja është përcaktuar si ndër mëkatet e rënda të cilat dënohen nga drejtësia hyjnore: “Kështu ju vidhni, vrisni, shkelni kurorën, betoheni për të rremen, i digjni temjan Baalit dhe u shkoni pas perëndive të tjerë që më parë nuk i njihnit” (Jer.7, 9). “Kështu unë do t'ju afrohem për gjykim dhe do të jem një dëshmitar i gatshëm kundër magjistarëve, kundër shkelësve të kurorës, kundër atyre që bëjnë betime të rreme, kundër atyre që vjedhin mëditjen e punëtorit, që shtypin të venë dhe jetimin, që dëbojnë të huajin dhe nuk më kanë frikë", thotë Zoti i ushtrive” (Mal 3,5).
Sipas ligjit të Mojsiut kurorëshkelja merr një përcaktim të kufizuar, ajo konsiderohet jo thjeshtë një akt moral por është akti që dhunon përkatësinë e një gruaje ndaj burrit ose të fejuarit të saj, pra është një grabitje e gruas së tjetrit dhe të fejuarës së tjetrit, dhe meritonte dënimin maksimal me vdekje me lapidim si për shkelësin ashtu edhe për shkelësen e kurorës.
Tek Levitiku ishin të mirëpërcaktuar të gjitha rastet e shkeljes edhe kur ishin fajtor të dy, burri dhe gruaja, ose vetëm burri përdhunues:
“Në rast se ndonjëri shkel kurorën me gruan e një tjetri, në qoftë se shkel kurorën me gruan e fqinjit të tij, shkelësi dhe shkelësja e kurorës do të dënohen me vdekje (Lev 20, 10).
“Në rast se një burrë gjendet në shtrat me një grua të martuar, do të vriten që të dy, si burri që ka rënë me gruan dhe gruaja. Kështu do të shkulësh të keqen nga gjiri i Izraelit.”
“Kur një vajzë e virgjër është e fejuar, dhe një burrë e gjen në qytet dhe bie në shtrat me të, që të dy do t'i çoni në portën e atij qyteti dhe do t'i vrisni me gurë, dhe ata do të vdesin: vajza sepse, ndonëse ishte në qytet, nuk bërtiti, dhe burri sepse ka çnderuar gruan e të afërmit të tij. Kështu do ta shkulësh të keqen nga gjiri yt” (De.22,23,27).
Por në rast se burri gjen një vajzë të fejuar, në arë, e dhunon dhe shtrihet me të, atëherë do të vritet vetëm burri që është shtrirë me të; por nuk do t'i bësh asgjë vajzës; kjo nuk ka asnjë mëkat që meriton vdekjen, sepse ky rast është si ai kur një njeri ngrihet kundër të afërmit të tij dhe e vret; në fakt ai e gjeti në arë; vajza e fejuar ka bërtitur, por nuk kishte njeri që ta shpëtonte.
“Në rast se një burrë gjen një vajzë të virgjër që nuk është e fejuar, e merr dhe bie në shtrat me të, dhe kapen në flagrancë, burri që është shtrirë me të do t'i japë atit të vajzës pesëdhjetë sikla argjendi dhe ajo do të bëhet bashkëshortja e tij, sepse e ka çnderuar dhe nuk mund ta përzërë sa të jetë gjallë” (Lp.20:22- 30).
Ligji gjithashtu kërkon të ndalojë lakminë që është shkaku i kurorëshkeljes edhe kurvërisë, prandaj në porosinë e dhjetë të dekalogut na thuhet: “Nuk do të dëshirosh shtëpinë e të afërmit tënd; nuk do të dëshirosh gruan e të afërmit tënd, as shërbëtorin e tij, as shërbëtoren e tij, as lopën e tij, as gomarin e tij, as asgjë tjetër që është e të afërmit tënd” (Dal 20,17).
Zoti Perëndi krijoi martesën monogame një burrë dhe një grua, që çifti të bëhet një, në besnikërinë e një dashurie të ndërsjellë me njëri₋tjetrin: “Për këtë arsye njeriu do të braktisë babanë dhe nënën e tij dhe do të bashkohet me gruan e tij, dhe do të jenë një mish i vetëm” (Zan 2,24).
Poligamia në Dhjatën e Vjetër do të tolerohet për shumë kohë sepse gruaja ra nga barazia e burrit dhe burri u sundua nga epshi për të dhe do ta përdorë atë. Gruas i tha: "Unë do të shumëzoj në masë të madhe vuajtjet e tua dhe barrët e tua; me vuajtje do të lindësh fëmijë; dëshirat e tua do të drejtohen ndaj burrit tënd dhe ai do të sundojë mbi ty" (Zan 3,16).
Por edhe në poligami Ligji kërkonte një barazi mes grave aq sa kjo do të ishte e mundur të paktën nga na ligjore dhe ndarja e pasurisë:“Në qoftë se një burrë ka dy gra, dhe njërën e dashuron dhe tjetrën e urren, dhe si e dashuruara ashtu dhe ajo e urryera i kanë lindur fëmijë, në rast se i parëlinduri është fëmija e gruas së urryer por do të njohë si të parëlindur djalin e gruas së urryer, duke i dhënë një pjesë të dyfishtë të të gjitha atyre që zotëron; sepse ai është prodhimi i parë i fuqisë së tij dhe atij i përket e drejta e paralindjes. (Lp 21,15₋16).
Perëndia këshillon edhe vetë mbretin: “Nuk duhet të ketë një numër të madh grash, me qëllim që zemra e tij të mos shthuret; dhe nuk duhet të grumbullojë për vete një sasi të madhe argjendi dhe ari (De.17,17)
Të urtët, duke treguar rrezikun e kurorëshkeljes, këshillonin: “Mos dëshiro në zemrën tënde bukurinë e saj dhe mos u rrëmbe nga qepallat e saj. Sepse për një prostitutë burri katandiset për një copë bukë, dhe gruaja e një tjetri gjuan shpirtin e vyer të një burri. A mund të mbajë burri një zjarr në gji të tij pa djegur rrobat e trupit? A mund të ecë burri mbi qymyr të ndezur pa djegur këmbët e tij? Në këtë gjendje është ai që shkon tek gruaja e një tjetri; kush e prek nuk do të mbetet pa u ndëshkuar. Nuk përçmohet hajduti që vjedh për të shuar urinë kur është i uritur; por në rast se kapet në faj, duhet të kthejë shtatëfishtin, dhe të japë tërë pasurinë e shtëpisë së tij. Por ai që kryen një shkelje kurore me një grua është një njeri pa mend; ai që bën një gjë të tillë shkatërron jetën e tij. Do të gjejë plagë dhe përçmim, dhe turpi i tij nuk do t'i hiqet kurrë sepse xhelozia e tërbon bashkëshortin, që do të jetë i pamëshirshëm ditën e hakmarrjes. Ai nuk do të pranojë asnjë shpërblim dhe nuk do të kënaqet, edhe sikur t'i bëjnë shumë dhurata (Fu 6,24-29).
Fjalët e urta e ftojnë burrin të ruajë dashurinë për gruan e rinisë së vet: “Pi ujin e sternës sate dhe ujin e rrjedhshëm të pusit tënd. A duhet burimet e tua të derdhen jashtë, si rrëke uji nëpër rrugë. Qofshin vetëm për ty dhe jo për të huajt bashkë me ty. Qoftë i bekuar burimi yt dhe gëzohu me nusen e rinisë sate. Drenushë e dashur dhe gazelë hirplotë, sisët e saj le të kënaqin kurdoherë, dhe qofsh vazhdimisht i dhënë pas dashurisë që ke për të.Pse vallë, biri im, të biesh në dashuri me një grua që ka shkelur kurorën dhe të rrokësh gjirin e një të huaje? Sepse rrugët e njeriut janë gjithnjë përpara syve të Zotit, dhe ai vëzhgon të gjitha shtigjet e tij. I pabesi zihet nga vetë paudhësitë e tij dhe mbahet nga litarët e mëkatit të tij. Ai ka për të vdekur sepse nuk korrigjohet dhe do të zhduket për shkak të marrëzisë së tij” (Fu 5,15-19).
Edhe pse poligamia u tolerua përsëri me anën e profetëve Zoti tërheq vëmëndjen me gjykimin e Tij të drejtë ndaj burrave epshor që duhet ti rinin besnik gruas së parë : “Megjithatë ju thoni: "Përse?" Sepse Zoti është dëshmitar midis teje dhe bashkëshortes së rinisë sate, ndaj së cilës je sjellë me pabesi, ndonëse ajo është shoqja jote dhe bashkëshorte e besëlidhjes sate.(Mal 2,14).
Përveç kurorëshkeljes ishte e ndaluar dhe dënohej moralisht edhe shoqërimi me prostitutat, sado që kjo gjë nuk e bën burrin kurorëshkelës: “Sepse prostituta është një gropë e thellë dhe gruaja e tjetërkujt një pus i ngushtë” (Fu 23,27).
Ligji edhe profetët e dënojnë ashpër mëkatin e kurorëshkeljes, por ky mëkat do të trajtohet përsëri përfundimisht nga vetë Krishti Biri dhe Fjala e Perëndisë që u bë edhe Biri i njeriut, i cili e përmbushi Ligjin në veten e tij dhe e interpretoi saktë frymën e ligjit që ishte konsistent kundër kurorëshkeljes.
Krishti e vendosi martesën me detyrimin e besnikërisë vetëm ndaj një bashkëshorti në monogami, domethënë kundër bigamisë dhe poliogamisë, e toleruar deri atëherë si thamë më sipër nga natyra e rënë e burrit dhe gruas prej mëkati stërgjyshëror, dhe martesa monogame degradoi në fillim në fisin e mallkuar të Kamit: “Dhe Lameku mori dy gra: emri i njërës ishte Ada dhe emri i tjetrës Cilah” (Zan 4,19).
Krishti e rikrijoji përsëri martesën monogame ashtu si ajo ishte në fillim duke urdhëruar: “Burri ka të drejtë të marri një grua dhe gruaja një burrë”.
Madje Ai e bekoi edhe e shenjtëroi martesën duke bërë mrekullinë e parë kur ishte i ftuar në një dasëm ( Joani 2 1-12) dhe ndaloi divorcin, të cilin e lejoji vetëm në rastin e kurorëshkeljes. Kur e pyetën burrat farisenj për ta provokuar: “A është e lejueshme që burri ta ndajë gruan për një shkak çfarëdo?”. Edhe ai u përgjigj e u tha atyre: A nuk keni lexuar se ai që i bëri ata që në fillim, mashkull e femër i bëri edhe tha: “Për këtë punë njeriu do të lërë të atin e të ëmën, edhe do të ngjitet pas gruas së tij, edhe të dy do të jenë një mish? Aq sa nuk janë më dy, por një mish. Atë pra që Perëndia e bashkoi, njeriu le të mos e ndajë”. I thonë atij: “Pse pra Moisiu ka urdhëruar t’i japë burri gruas kartën e ndarjes edhe ta lëshojë? U thotë atyre: Sepse Moisiu prej zemërashpërsisë suaj ju lejoi të lëshoni gratë tuaja; po në fillim s’ka qenë kështu. Edhe po ju them juve, se ai që lëshon gruan e tij, përveçse për punë kurvërie, edhe martohet me tjetër, shkel kurorën; edhe ai që martohet me grua të lëshuar, shkel kurorën” (Mat.19:3-9).
Zoti Jisu Krishti si Fjala e Perëndisë i qëndroi besnik Ligjit që e ndalon me vdekje kurorëshkelësin, por ai erdhi si “Qengji i Perëndisë që shlyen mëkatet” (Joani 1-29), prandaj pati mëshirë dhe u dha mundësinë e pendimit, të kthimit dhe korrigjimit për të gjithë ata që ranë në kurorëshkelje, dhe kurvëri ashtu si fali dhe shpëtoi gruan kurorëshkelëse, edhe pse e dënoi mëkatin e saj, ashtu si na i regjistron Ungjillori Joan: “Atëherë farisenjtë dhe skribët i prunë një grua që ishte kapur duke shkelur kurorën dhe, mbasi e vunë në mes, i thanë Jisuit: ''Mësues, kjo grua është kapur në flagrancë, duke shkelur kurorën. Por në ligj Moisiu na ka urdhëruar të vriten me gurë gra të tilla, por ti ç'thua?''. Flisnin kështu për ta vënë në provë dhe për të pasur diçka për ta paditur. Por Jisui, duke u shtënë se nuk dëgjoi, u përkul dhe shkruante me gisht në dhe. Dhe, kur ata vazhdonin ta pyesnin, ai u drejtua dhe u tha atyre: ''Kush nga ju është pa mëkat, le ta hedhë i pari gurin kundër saj!'' Pastaj u përkul përsëri dhe shkruante në dhe. Atëherë ata, e dëgjuan këtë dhe të bindur nga ndërgjegjja, u larguan një nga një, duke filluar nga më të vjetrit e deri te të fundit; kështu Jisui mbeti vetëm me atë grua, që qëndronte atje në mes. Jisui atëherë u ngrit dhe, duke mos parë tjetër përveç gruas, i tha: ''O grua, ku janë ata që të paditnin? Askush nuk të dënoi?'' Dhe ajo u përgjigj: ''Askush, Zot''. Atëherë Jisui i tha: ''As unë nuk të dënoj; shko dhe mos mëkato më'' (Jn. 8,3-11).
Krishti fali me autoritetin e Perëndisë që i vetmi ka pushtet të falë mëkatarin ( Luka 5-24), por nuk lë pa ndëshkuar mëkatin, duke marë mbi vetë mëkate e njerëzve ashtu si kishte profetizuar Isaia: “Megjithatë ai mbante sëmundjet tona dhe kishte marrë përsipër dhembjet tona; por ne e konsideronim të goditur, të rrahur nga Perëndia dhe të përulur. Por ai u tejshpua për shkak të shkeljeve tona, u shtyp për paudhësitë tona; ndëshkimi për të cilin kemi paqen është mbi të, dhe për shkak të vurratave të tij ne jemi shëruar” (Isaia 53,4-5). Po ashtu Apostull Petro na shkruan: “Ai vet i barti mëkatet tona në trupin e tij mbi drurin e kryqit që ne, të vdekur për mëkate, të rrojmë për drejtësi; dhe me vurratat e tij ju u shëruat" (1 Pjetri. 2,24).
Krishti zbulon të gjith rëndësinë e besnikërisë bashkëshortore dhe tërheq vëmendjen për faktin se tradhtia bashkëshortore (si kurvëria) kryhet kryesisht në zemrën e një personi, d.m.th. në mendime dhe ndjenja. “Sepse nga brenda, domethënë nga zemra e njeriut, dalin mendimet e mbrapshta, shkeljet e kurorës, kurvërimi, vrasjet” ( Mateu 7-21).
Krishti kërkon të parandalojë shkakun e tradhëtisë bashkëshortore që është lakmia e suve : “Ju keni dëgjuar se të lashtëve u qe thënë: "Mos shkel kurorën". Por unë po ju them se kushdo që shikon një grua për ta dëshiruar, ka shkelur kurorën me të në zemrën e vet” (Mt 5, 27-28).
Martesa sipas Zotit Jisu Krisht bashkon në mënyrë të pazgjidhshme jo vetëm fizikisht por edhe shpirtërisht, prandaj të martohesh përsëri pas një shkurorëzimi do të thotë të jesh kurorëshkelës; “Atëherë ai u tha atyre: ''Ai që lë gruan e vet dhe martohet me një tjetër, shkel kurorën me të. Po ashtu, nëse gruaja lë burrin e vet dhe martohet me një tjetër, shkel kurorën”(Mk 10,11-12).
Krishti me drejtësinë hyjnore toleroi vetëm në një rastë shkurorëzimin, atë të tradhëtisë, kurvërisë: “Qe thënë gjithashtu: "Kush e lë gruan e tij, le t'i japë letrën e ndarjes". Por unë po ju them: Kushdo që e përzë gruan e tij, me përjashtim të rastit të kurvërisë, e bën atë të shkelë kurorën; dhe kushdo që martohet me një grua të ndarë, shkel kurorën”.
Kjo kërkesë e Krishti ju dukej shumë e ashpër burrave , madje edhe apostuj e Krishtit të cilët kur panë këto kritere mbi martesën thanë me frikë: “Në qoftë se kushtet e burrit ndaj gruas janë të tilla, më mirë të mos martohet”. Por ai u tha atyre: “Jo të gjithë i kuptojnë këto fjalë, por atyre që iu është dhënë.” ( Mateu 19 ;10-11)
Kur apostujt burra do ta kuptonin rëndësinë e martesës dhe shenjtërinë e saj do të mësonin më pas që burrat edhe gratë kudo në të gjithë botën të mos bënin kurorëshkelje, sepse jo vetëm do dënoheshin në këtë jetë por do të përjashtoheshin edhe nga Mbretëria e Perëndisë: “Mos u gënjeni: as kurvarët, as idhujtarët, as shkelësit e kurorës, as të zhburrëruarit, as homoseksualët, as vjedhësit, as lakmuesit, as pijanecët, as përqeshësit, as grabitësit nuk do të trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë” (1 Kor 6, 9-10).
Pavli na kujton se burimi i besnikërisë bashkëshortore duhet kërkuar në dashuri, që është virtut i Shpirtit të Shenjtë : “Sepse urdhërimet: “Mos shkel kurorë, mos vrit, mos vidh, mos thuaj dëshmi të rreme, mos lakmo”, dhe në pastë ndonjë urdhërim tjetër, përmblidhen në këtë fjalë: “Duaje të afërmin tënd porsi vetveten!”. Dashuria nuk i bën keq të afërmit; dashuria, pra, është përmbushja e ligjit”(Rom 13, 9). Në këtë mënyrë me dashuri të sinqertë dhe jo me epsh do të mënjanohet përlyerja e shenjtërisë së martesës me kurorëshkelje : “Martesa të nderohet nga të gjithë dhe shtrati martesor i papërlyer, sepse Perëndia do të gjykojë kurvarët dhe kurorëshkelësit” (Heb.13, 4).
Kurorëshkelja fizike është një tregues i një kurorëshkelje me Zotin, sepse ai që nuk i ri besnik gruas edhe burrit të vetë, patjetër ka thyer kurorën shpirtërore me Zotin. Jo vetëm tek burri edhe gruaja është Zoti si ikona të Perëndisë, por edhe tek misteri i martesës që është një ikonë tokësore e një martese shpirtërore me Zotin, , ashtu si i kishin trajtuar profetët në Dhiatën e Vjetër :"Si do të mund të të falja për këtë”? Bijtë e tu më kanë braktisur dhe betohen për ata që nuk janë perëndi. Unë i kam ngopur, por ata kanë shkelur kurorën dhe mbushin shtëpitë e kurvërimit. Janë si hamshorë të ushqyer mirë dhe tërë afsh në mëngjes; secili hingëllin prapa gruas së fqinjit të tij. A nuk do t'i dënoj unë për këto gjëra?", thotë Zoti, "dhe nuk do të hakmerrem unë me një komb të tillë? (Jer 5,7-9). “Kam parë shkeljet e tua të kurorës, hingëllimat e tua, shthurjen e kurvërisë sate, gjërat e neveritshme të kryera në kodra dhe në fusha. Mjerë ti, o Jeruzalem! Për sa kohë akoma do të mbetesh i pëgërë?”(Jer.13, 27)
Kjo mardhënje ,burrë –grua . e Zotit me popullin është trajtuar edhe në Dhiatën e Re , si një martesë, bashkimi unik dhe misteror i Krishtit si Dhëndër me kishën si nusja ,( Efesianët 5-32) madje historia e njerëzimit ërfundon me martesën e përjetëshme të Krishtit me Kishën :”7 Le të gëzohemi dhe të ngazëllohemi dhe le t’i japim atij lavdi, sepse erdhi dasma e Qengjit dhe nusja e tij është përgatitur!.Dhe i është dhënë të vishet me li të hollë, të pastër dhe të shkëlqyeshëm, sepse liri i hollë janë veprat e drejta të shenjtorëve.” Dhe më tha: “Shkruaj: Lum ata që janë ftuar në gostinë e dasmës së Qengjit.” Dhe më tha: “Këto janë fjalët e vërteta të Perëndisë.”( Zbulesa 19 ;7-9)
Prandaj Zoti Jisu e merr këtë mesazh profetik dhe e përdor për të dënuar mungesën e besimit tek bashkombasit e tij. “Por ai duke iu përgjigjur u tha atyre: ''Ky brez i mbrapshtë dhe kurorëshkelës kërkon një shenjë, por asnjë shenjë nuk do t'i jepet, përveç shenjës së profetit Jona” (Mt 12,39).
Apostull Jakovi, nga ana e tij, përdor fjalën kurorëshkelje për të përcaktuar çdo lloj kompromisi të të krishterëve mes dashurisë së Zotit dhe asaj të botës: “O shkelës dhe shkelëse të kurorës, a nuk e dini se miqësia me botën është armiqësi me Perëndinë? Ai, pra, që do të jetë mik i botës bëhet armik i Perëndisë. Apo pandehni se Shkrimi thotë kot: “Fryma që rri në ne a lakmon deri në smirë?” (Jak 4, 4).
Kanonet e Shenjta kishtare vërtetojnë mësimin teologjik të Kishës se tradhtia bashkëshortore është një mëkat i rëndë, i cili bie ndesh me thelbin e martesës dhe vë në pikëpyetje pazgjidhshmërinë e saj.
Me tradhtinë bashkëshortore, në vend të reciprocitetit vendoset kënaqësia egoiste dhe fyhet baza e unitetit të dy bashkëshortëve. Kanonet e shenjta mbrojnë dhe nxjerrin në pah pazgjidhshmërinë e martesës, e cila, u themelua nga vetë Krishti.
Ashpërsia e tradhtisë bashkëshortore si mëkat theksohet jo vetëm në Bibël, edhe në Kanone kishtare, por edhe në veprat e shumë Etërve të Kishës.
Shën Agustini shkroi në librin e tij "E mira e martesës" se :"tradhtia bashkëshortore është një ofendim aq i rëndë sa që konsiderohet në njëfarë kuptimi një lloj sakrilegji".
Shën Joan Gojarti shkroi gjithashtu për pasazhin “Ju keni dëgjuar se të lashtëve u qe thënë: "Mos shkel kurorën".Por unë po ju them se kushdo që shikon një grua për ta dëshiruar, ka shkelur kurorën me të në zemrën e vet” (Mat 5:27-28) se “Në këtë citat, ne marrim përgjigjen e pyetjes sonë. Ky mëkat është shumë i madh dhe është e vështirë të marrësh falje për të”. Megjithatë, pavarësisht nga rëndësia e mëkatit, krishterimi mëson gjithashtu se falja është e mundur për ata që pendohen dhe e kërkojnë atë. “Nëse i rrëfejmë mëkatet tona, ai është besnik dhe i drejtë për të na falur mëkatet tona dhe për të na pastruar nga çdo paudhësi” (1 Joanit 1:9).
Kisha Orthodhokse mëson se falja për këtë mëkat të vdekshëm mund t'u jepet atyre që pendohen vërtet dhe kërkojnë pajtim me Perëndinë dhe bashkëshortin ose bashkëshorten e tyre.
Meqenëse tradhtia bashkëshortore është një mëkat i rëndë, prifti ka të drejtë të vendosë pendim ose një kanon pendese ndaj një personi për ca kohë. Kjo do ta ndihmojë një person të kuptojë ashpërsinë e mëkatit të tij.
Në rastet kur ka ndodhur tradhtia bashkëshortore edhe pse është e mundur prishja e martesës, përsëri Kisha Apostolike e inkurajon çiftin që të kërkojë falje nga njëri-tjetri, të punojë drejt rivendosjes së besimit dhe të bëjë një angazhim për të përtërirë martesën e tyre.
Megjithatë, Kisha beson gjithashtu se pabesia, tradhëtia bashkëshortore është një arsye e vlefshme për divorc. Prandaj, një person duhet të vendosë vetë nëse do të vazhdojë të jetojë me një bashkëshort të tillë.
Shën Joan Gojarti shkroi për rëndësinë e respektit të ndërsjellë, besnikërisë dhe faljes në martesë dhe mësoi se bashkëshortët duhet të përpiqen ta duan njëri-tjetrin ashtu siç e do Krishti Kishën.
Shën Nikodemi Agiorit thotë: “nuk ka asnjë shkak tjetër të arsyeshëm për ndarjen përveç kurvërisë ose tradhtisë bashkëshortore të një burri dhe një gruaje”.
Prandaj prishja e bashkësisë bashkëshortore nëpërmjet tradhtisë bashkëshortore legjitimon bashkëshortin e “vuajtur” që të kërkojë zgjidhjen shpirtërore të martesës nëpërmjet dhënies së divorcit.
Kurorëshkelja është një mëkat më i rëndë se kurvëria sepse në qoftë se në kurvëri bie njeriu nga epshi i pa menaxhuar dhe nuk ka grua ose burrë që të qetësojë furtunën e epshit, në kurorëshkelje nuk je i justifikuar për këtë dobësi sepse je i martuar dhe mund ta shuash epshin me gruan dhe burrin tënd, prandaj apostulli i kombeve Pavli mëson : “Tani lidhur me ato që më shkruat, mirë është për njeriun të mos prekë grua. Por, për shkak të kurvërimit, le të ketë secili gruan e vet dhe secila grua burrin e vet.Burri le të kryejë detyrën martesore ndaj gruas, po ashtu edhe gruaja ndaj burrit.Gruaja nuk ka pushtet mbi trupin e vet, por burri; gjithashtu burri nuk ka pushtet mbi trupin e vet, por gruaja. Mos ia privoni njëri-tjetrit, rveç në qoftë se jeni marrë vesh, për një farë kohe, që t'i kushtoheni agjërimit dhe lutjes, dhe përsëri ejani bashkë që të mos ju tundojë Satani për shkak të mungesës së vetkontrollit tuaj. Dhe këtë unë e them si leje, jo si urdhërim, sepse do të doja që të gjithë njerëzit të ishin si unë; por secili ka dhunti të veçantë nga Perëndia, njeri kështu dhe tjetri ashtu.Por të pamartuarve dhe grave të veja po u them se për ta është mirë nëse qëndrojnë si unë, por në qoftë se s'kanë vetkontroll, le të martohen, sepse është më mirë të martohesh se të digjesh. Kurse të martuarve u urdhëroj, jo unë, por Zoti, që gruaja të mos ndahet nga burri, dhe në qoftë se ndahet, të mbetet e pamartuar, ose të pajtohet me burrin e saj. Dhe burri të mos e lërë gruan.”( Korintasve 7 ;1-11)
Mëkati i vdekshëm i kurorëshkeljes që bëhet nga lakmia edhe është shkelje ligjit të Perëndisë që thotë: “Mos lakmo gruan e tjetrit” (Eksodi 20-17)nëse nuk shlyhet me Misterin e Pagëzimit ose me Pendim Rrëfimit në Kishën Apostolike, edhe sikur njëherë ta kesh bërë njëherë në jetë, mjafton që të dënohesh përjetësisht në flakët e ferrit, në liqenin që digjet me zjarrë edhe squfur, që është vdekja e dytë ” ( Zbulesa 21-8)
Shën Joan Gojarti shkroi: “Për mëkatin e tradhtisë bashkëshortore ka vetëm një ilaç: të ikësh dhe të mos i afrohesh asaj që ndez flakën”.
Miron Çako katekist