A MUND TË QUHEN TË KRISHTERËT: “KAUR”?
November 20, 2024 at 1:44 pm,
No comments
Nga Katekisti: Miron Çako
Besoj se ju ka rënë rasti të dëgjoni mes bisedave fyerje si; “kauri i derrit” ose; “shiko çfarë bën kauri”.
Kjo fjalë sot mund thuhet si batutë mes njerëzish por historiku i vjetër i kësaj fjale na tregon se është një fyerje që ju etiketohej të krishterëve në breza.
Edhe sot ka të krishterë që duke mos pasur dijeni kur i pyesin për besimin e tyre të përgjigjen; “jemi kaur”.
Këta të krishterë naiv edhe të paditur mendojnë se duke thënë; “jemi kaur”, po pohojnë me mburrje besimin e tyre të krishterë të trashëguar nga gjyshi e stërgjyshi.
Duhet të dimë se si këta që i thonë të krishterëve kaur edhe ata të krishterë të cilët i thonë vetes kaur po gabojnë. Të parët po i fyejnë padrejtësisht të krishterët si të pabesë, kurse të dytët, të krishterët, po fyejnë veten e tyre dhe po bëjnë mëkat, blasfemi përpara Zotit duke mohuar besimit e krishterë, jo vetëm të tyrin por edhe të etërve të tyre.
Sipas fakteve historike kjo fyerje është një mbetje e një të kaluare të errët të Ballkanit kur vendet e krishtera u pushtuan dhe u sunduan për shekuj nga osmanët, turqit.
Sipas studiuesve etimologjia e fjalës “kaur” (gâvur) e përdornin osmanët, turqit kundër të krishterëve në vendet e pushtuara të Ballkanit, siç ishte edhe Arbëria, Shqipëria dhe vjen nga persishtja ( گبر) gaër, gabr.
Kjo ishte një fjalë që tregonte adhuruesit e zjarrit siç ishin Zoroastrianët, d.m.th. një pagan që i falet elementeve natyrore si zot.
Në Enciklopedinë Britanike të vitit 1911 na thuhet për etimologjinë dhe konotacionin e kësaj fjale fyese:
“Giaour është një adaptim i fjalës perse, (gaër) ose (gbr), që do të thotë i pafe, një fjalë që përdorej nga Perandoria Osmane për të përshkruar të gjithë banorët e krishterë të Ballkanit. Në shumë raste kjo fjalë përdorej si ofendim ndaj tyre.Një analogji e ngjashme me fjalen giaour gjendet në arabisht me fjalen qafir (kafir), ose jobesimtar, i cili është aq i zakonshëm në përdorim sa është bërë emri i duhur i popujve dhe vendeve që nuk pranojn islamin dhe profetin e tyre Muhamet. "
Po këtë përgjigje për etimologjinë e fjalës kaur e marrim edhe nga fjalori i gjuhës shqipe botuar në vitin 2006, ku për fjalën kaur shpjegon: kaúr,-i -ë(t); është emër me të cilin osmanët quanin me përbuzje ata që nuk ishin të fesë myslimane; i krishterë.
Është edhe një mendim tjetër kritik, se fjala kaur vjen nga fjala
(kau our) ose (gjahurr) që do të thotë; “adhuruesit e kaut”.
Kjo fjalë si etimologji ka të bëjë me ngjarjen kur pouulli hebre , dolën me dorën e fuqishme të Zotit Perëndi (Jahves) nga skllavëria e Egjiptit në ( 1446 pr. K) dhe shkuan të udhëhequr nga Moisiu në këmbët e malit Sina ku aty dëgjuan zërin e Zotit që urdhërojë 10 porositë (dekalogun).
Kur Moisiu u ngjit në mal dhe qëndroi në prani të Zotit për 40 ditë dhe mori në dy pllaka guri ligjin të shkruar me gishtin e Zotit, populli i pabesë poshtë malit mendoi se Moisiu humbi dhe kështu urdhëruan të bënin një viç, ka prej ari, që ishte një idhull i lashtë babilonas, pers dhe egjiptian, një zot pagan i pasurisë edhe i fuqisë dhe ju falën atij me orgji duke thënë: “O Izrael, ky është perëndia ytë që të nxori nga vendi i Egjiptit” (Eksodi 32,4).
Për këtë ngjarje na flitet edhe në Kuran, që u shkrua 800 vjet mbas Biblës.
“Populli i Musait, pas largimit të tij, filloi të adhurojë një viç të bërë nga stolisjet e tyre të arta. Ai kishte një zë si të lopës. A nuk e shihnin ata se ai as nuk mund t’u fliste, as t’i udhëzonte në rrugë të drejtë?! Ata e zgjodhën këtë viç për adhurim dhe u bënë keqbërës.” (A’raf, 148).
Gjuha shqipe ka shumë mbetje nga turqishtja të cilat ne i përdorim pa ja ditur kuptimin thjesht se kështu i kemi dëgjuar, ndër to është edhe fjala kaur.
Kjo fjalë është mirë të mos përdoret sepse ishte dhe mbetet një fyerje e drejtpërdrejtë që i bëhej komunitetit të krishterë të cilët jo vetëm u masakruan për fenë edhe atdheun e tyre por edhe kur u pushtuan u fyen në mënyrë sistematike nga osmanët si; “kaurët e derrit”, d.m.th. si të pabesë që hanin mishin e derrit një ushqim i ndaluar në fenë islame, fe që kishin përqafuar osmanët (turqit).
Ne të krishterët që sot jemi të çliruar nga zgjedha, dhuna dhe fyerja e osmanëve pushtues dhe nuk duhet në asnjë mënyrë ta pranojmë këtë fjalë fyese nga të tjerët qoftë edhe për shaka.
Madje duhen të sqarojmë të tjerët me mirësi ; "se mik kur më thua kaur po më ofendon, ashtu si osmanët pushtues fyenin gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë të krishterë".
Më keq është kur të krishterët e paditur ja atribuojnë vetes këtë fjalë fyese duke e deklaruar vetë para njerëzve të një feje tjetër si të pafe dhe pagan dmth (kaur).
Ata kur e pranojnë ose e pohojnë vetë fjalë (kaur) po mohojnë Perëndinë Triadik, që është një Perëndi në tri hipostaza (persona), Atin, Birin dhe Shpirtin e Shenjtë dhe mohojnë besimin në Zotin Jisu Krisht, Birin e Perëndisë dhe birin e njeriut, shpëtimtarin e botës.(1 Joani 4 14)
Të krishterët e vërtetë nuk kanë qenë dhe nuk do të jenë kurrë adhurues të zjarrit, hënës apo të kaut, përkundrazi refuzojnë me përbuzje adhurimin e krijesës në vend të Krijuesit që është i bekuar në jetëve të jetëve. Amin.( Romakë 1-25)
Prandaj, të krishterët nuk e kanë merituar dhe nuk e meritojnë asnjëherë si nga të tjerët, jo të krishterët, por edhe nga vetja e tyre fjalën ofenduese kaur (i pafe), sepse besimi i tyre është shekullor që shekullin e parë pas Krishtit , kur stërgjyshit tanë nga predikimi i Apostujve të Krishtit hoqën dorë nga idhujt dhe ju falën dhe ju bindën Perëndisë , Krijuesit ; Atin në Birin ne anën e Shpirtit të Shejntë, madje për të mbrojtur fenë edhe atdheun e tyre nga pushtuesit osman derdhën gjakun si dëshmorë.
Përkundrazi këtë fjalë e meritojnë të tjerët që adhurojnë krijesën dhe bëjnë për vete idhuj dhe ju falen atyre, si gurë, trupa qellor ,njerëz , etj , por ne si të krishterë nuk duhet të ofendojmë askënd për fenë e tyre edhe pse nuk jemi dakord me ata, madje as edhe duhet të mërzitemi kur ata insistojnë edhe na ofendojnë neve ,sepse Zoti Jisu Krisht na ka mësuar: “Lum ju kur do t'ju shajnë dhe do t'ju përndjekin dhe, duke gënjyer, do të thonë të gjitha të zezat kundër jush, për shkakun tim. Gëzohuni dhe ngazëllohuni, sepse shpërblimi juaj është i madh në qiej, sepse kështu i kanë përndjekur profetët që qenë para jush”(Mat,11,12)
Miron Çako