NJË GABIM QË NUK DUHET TOLERUAR
November 20, 2024 at 1:47 pm,
No comments
Nga Katekisti: Miron Çako
Emri është shumë i rëndësishëm për një qenie njerëzore, sepse jo vetëm na dallon nga personat e tjerë por është edhe çështje e identitetit tonë.
Bibla na mëson se emri i njeriut u vendos nga Krijuesi, ashtu si Zoti Perëndi i vuri emrin njeriut të parë duke e quajtur Adam (Zanafilla 3-17), që vjen nga emri i dheut “adamab”, tokë. Prandaj, etimologjia e emrit të parë njerëzor Adam është një zbulesë nga Zoti për të treguar personin dhe potencialin e qenies njerëzore dhe ka kuptimin: “ai që mban erën e dheut, ai që u bë nga pluhuri tokës”.
Emri vendoset më pas nga njerëzit për njerëzit, prindërit për fëmijët, ashtu si Adami i vuri emrin njeriut të dytë në botë gruas së tij, Evës (nëna e të gjallëve) (Zanafilla 3-20). Po kështu vuri emrat e fëmijëve të parë si Kain që do të thotë “fitova një burrë nga Zoti” ( Zanafilla 4-1) dhe Abel (frymëmarrje) (Zanafilla 4-2), ose si Abrahami i vendosi emrin djalit të vetë Isakut (buzëqeshje) (Zanafilla 23-3), sepse Sara gruaja e tij shterpë tha mbasi lindi: “Perëndia më ka dhënë çka duhet për të qeshur, kushdo që do të dëgjojë ka për të qeshur bashkë me mua” (Zanafilla 21-6).
Kështu njerëzit e lashtë i vendosnin emrin jo thjesht për një rimë tingujsh të pëlqyeshëm për veshin, apo thjesht për të veçuar individin nga individi me tinguj fjalësh por fjalë me kuptim, për një qëllim më të rëndësishëm, si për të treguar veprimtarinë ose të ardhmen dhe shërbimin që ai person do të ketë në jetë, ashtu sikurse Isaku ja vendosi Jakobit (Zanafilla 25-26) që do të thotë “Zëvendësi i kundërshtarit”, d.m.th. i vëllait të tij Esaut (Zan 27-36).
Emri po ashtu mund të sjellë ndërmend rrethanat e lindjes së fëmijës nga prindërit, si psh. Rakela ja vendosi emrin birit që lindi “Ben Oin” por Jakovi ja vuri më pas Benjamin (Biri i dhimbjes time) (Zanafilla 35-18) duke treguar dhimbjen për humbjen gruas së dashur Rakela.
Emri vendosej edhe si një orakull për të treguar mbështetjen e Zotit ndaj një personi, psh. si emri Isaia që kishte kuptimin (të shpëtoftë Zoti) ose rolin shpëtimtar që Perëndia i ka caktuar personit të kryej, si emri Joshua (Zoti shpëton).
Emri shpreh potencialin shoqëror të një personi që ka të bëjë edhe me famën dhe lavdinë e atij personi (Numrat 16-2), madje e pasura e dy apo e disa emrave tregonte rëndësinë e personit dhe të funksioneve, si p.sh. mbretit Solomon (2 Samueli 12-25).
Kjo ishte dhe traditë judaike, ashtu si e shikojmë edhe tek apostujt e Krishtit, që kishin nga dy emra, si Levi (Marku 2-14) & Mateu (Mateu 8-9), Natanail (Joani 1-46) & Bartolome (Djali i Tolemeit) (Marku 3-18), ose Thomai i quajturi “ Binjaku” (Joani 21-2).
Rëndësia e emrit bën që njeriu ta njohë kuptimin e emrit dhe ta përmbushi kuptimin në jetën e tij, por edhe ta ruajë emrin e tij që të mos i përdhoset. Prandaj, të qenit pa emër do të thotë të jesh pa vlerë, një send, një numër dhe mospasja e një emri është një mallkim, ashtu siç mallkojnë njerëzit ata që nuk i duan: “T’u shoftë emri”.
Vendosja e emrit tregon autoritet mbi atë që i vendoset emri, ashtu si Zoti ka autoritet ndaj Adamit, njeriut, prindërit ndaj fëmijëve, ose nuni ndaj të pagëzuarit.
Prandaj, të veprosh mbi emrin e tjetrit, ta tjetërsosh ose ta keqpërdorësh, do të thotë të kesh pushtet mbi qenien e tjetrit dhe ti ndërrosh emrin dikujt do të thotë ti imponosh një personalitet të ri apo një shërbim dhe një vasalitet të ri, ashtu si Zoti i ndërroi emrin Abramit në Abraham (ati i shumë kombeve) (Zanafilla 17-5), dhe Sarajt në Sara ( Zbulesa 17-15), ose rasti kur engjëlli i ndryshoji emrin Jakovit në Izrael (Zanafilla 32-28), apo Krishti i ndryshoi emrin Simon në Kefa (Petro) (Joani 1-42), sepse ai do bëhej nga peshkatar peshqish në peshkatar njerëzish (Luka 5-10) dhe gurë themeli i Kishës Apostolike (Mateu 16-18), ose Joanit edhe Jakovit i vuri emrin “Boanerges”, që do të thotë “Bijtë të bubullimës” (Marku 3-17).
Emri që nga lashtësia ka qenë shumë i rëndësishëm për njerëzit. Tregohet se si Aleksandri i Madh mori vesh se në ushtrinë e tij ishte një ushtar që ishte tepër problematik, por që edhe ai e kishte emrin Aleksandër. Atëherë, Aleksandri e thërret edhe i thotë: “Mik ose ndrysho jetën dhe mbaje me nder emrin Aleksandër ose ndrysho emrin”.
Ky nderim i njerëzve për emrin e tyre nuk vjen thjeshtë nga asgjëja, por vjen prej Perëndisë që është i pafund dhe përmbi çdo emër dhe meqenëse Perëndia i pakufizuar për tu kuptuar dhe komunikuar me njerëzit e kufizuar i ka vendosur një emër vetes dhe e ka zbuluar vetë atë, kur e pyeti Moisiu: "Ja, kur të shkoj te bijtë e Izraelit dhe t'u them: "Perëndia i etërve tuaj më ka dërguar te ju", po të jetë se ata më thonë: "Cili është emri i tij?", ç'përgjigje duhet t'u jap?". Perëndia i tha Moisiut: "UNË JAM AI QË JAM". Pastaj tha: "Do t'u thuash kështu bijve të Izraelit: "UNË JAM-i më ka dërguar tek ju". "Perëndia i tha akoma Moisiut: "Do t'u thuash kështu bijve të Izraelit: "Zoti, Perëndia i etërve tuaj, Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut dhe Perëndia i Jakobit më ka dërguar tek ju. Ky është emri im përjetë. Ky ka për të qenë gjithnjë emri im me të cilin do të kujtohem nga të gjitha breznitë". (Eksodi 3;13-15)
Perëndia kërkon që ky emër të adhurohet dhe të mos merret nëpër gojë më kotë, “sepse Zoti nuk do të lërë të pandëshkuar atë që përdor kot emrin e tij” (Dalja 20-7, Lp 5-11), sepse emri i Perëndisë është vetë Perëndia, prandaj ai dashurohet (Ps 5-12), lavdërohet (Psalmi 7-18) shenjtërohet (Isaia 29-23), ashtu si edhe Biri i Zotit si Njeri i lutet Atit, “O Atë, jepi lavdi emrit tënd!” (Gjoni 12:28) dhe po ashtu njerëzit i mësojë ti luten Perëndisë: “Atë, u shenjtëroftë emri yt” (Luka 11:2).
Prandaj edhe njerëzit të krijuar sipas ikonës së Perëndisë (Zanafilla 1-26) në ngjasim me Zotin duhet të kenë një emër dhe duhet ta ruajnë, ta nderojnë dhe ta shenjtërojnë emrin e tyre.
Emri, sidomos për të krishterin ka shumë rëndësi sepse në këtë emër e njeh edhe e thërret vetë Zoti: “Mos ki frikë, sepse unë të kam çliruar, të kam thirrur me emër” (Isaia 43-1).
Kisha orthodhokse ka një shërbesë të veçantë për vendosjen e emrit. Në ditën e tetë të lindjes, duhet që fëmija të paraqitet në tempull (kishë) edhe aty merr një uratë për vendosjen e emrit.
Ky emër vendoset nga prindërit dhe mund të mbetet gjithmonë i pandryshuar ose të zëvendësohet në ditën e pagëzimit me emrin që do t’i vendosë nuni, ose mund të mbahen edhe të dy emrat, por zakonisht si besimtar suprimon emri i pagëzimit .
Ne të krishterët, emrat i marrim nga emrat e Zotit, psh. emri Emanuel (Perëndia me ne) (Isaia7- 14) është shumë i përhapur mes të Krishterëve. Kurse, emri Jisu (Joshua) (Luka 1-31) që ishte shumë i përhapur para Krishtit më vonë kisha nuk e aplikoi më këtë emër për nderim të emrit të Krishtit.
Po ashtu marrim emrat e engjëjve, si Kryengjëlli Mikael (Kush është si Perëndia), Kryengjëll Gabriel (Trimi i Perëndisë), ose Kryengjëlli Rafael (Perëndia na shëron) etj.
Marrim edhe nga emrat e shenjtorëve si psh. Zonja Shën Maria (Zonjë, ose Zoti të do), Shën Joani (Zoti është mëshirë), Shën Simeon (të dëgjosh), Petro (gur), Pavli (i vogli), Gjergji (bujk), Shën Anastasia (ngjallja), Shën Agustin (i nderuar), Shën Andoni (lulëzim) etj.
Kaq shumë i rëndësishëm është emri për të krishterët orthodhoks sa sipas traditës së lashtë të krishterët nuk kremtojnë datëlindjen, as ditën e pagëzimit por ditën e emrit.
Dita e emrit është dita kur i krishteri pavarësisht moshës feston bashkë me shenjtorin që i ka huazuar emrin për nderim ndaj shenjtorit dhe për ta pasur shenjtorin si mbrojtës në këtë jetë dhe në jetën tjetër.
Kisha i kujton shenjtorët jo në ditën e lindjes, por në ditën e vdekjes, sepse ajo është dita më e lumtur e jetës së tyre, sepse atë ditë ata hynë në parajsën qiellore, në gëzimin e jetës së përjetshme (Zbulesa 3,5).
Kur na drejtohen të tjerët me këtë emrin, qofshin ortodoksë apo jo, i bëjnë nder shenjtorit dhe lut bekimin e tij ose të saj. Ne gjithashtu tregojmë drejtpërdrejt nderim të devotshëm për vetë Krishtin, kur pranojmë dhe përdorim emrin e një shenjtori, pasi shenjtorët janë pikërisht ata që janë bashkuar me Krishtin, ashtu si Zoti tha :'Kush ju dëgjon, më dëgjon mua; kush ju përbuz, më përbuz mua; dhe kush më përbuz, përbuz atë që më ka dërguar“(Luka 10-16)
Në qoftë se një i krishter i pagëzuar në Kishën Orthodhokse fëmijë edhe i rritur nuk e ka marrë emrin e një shenjtori sipas kalendarit kishtar, ai feston ditën e emrit të tij në ditën e Gjithë Shejntorëve, një ditë e lëvizshme që vjen të djelën mbas Pendikostisë, ku nderohen të gjithë shenjtorët edhe ata që nuk njihen nga njerëzit por i njeh Perëndia dhe që emrat e tyre janë shkruar në librin e jetës (Zbulesa 20-12).
Kur një i krishterë merr emrin dhe pagëzohet emri i tij është shkruar në Librin e Jetës (Hebrejnve 12-23) dhe me atë emër e njeh Zoti, engjëjt, shenjtorët dhe Kisha Apostolike.
Detyra e të krishterit është që emrin që ka marë hua nga, Zoti, engjëll, apo një shenjtorë duhet ta nderojë dhe ta shenjtërojë sepse në qoftë se ai nuk bënë një jetë sipas imitimit të Zoti, engjëllit dhe shenjtorit ai e përbuz emrin që ja kanë vënë ose ka zgjellur vetë dhe në qoftë se vdes si mëkatar i papenduar, emri që ka marrë do ti hiqet dhe do të përfundojë në ferr, sepse ata e shuajtën emrin e tyre nga Libri i jetës dhe as Perëndia, as engjëjt, as shenjtorët, nuk i kujton më, por janë të harruar përjetësisht në vendin e humbjes së përjetshme.
Por ajo që po vihet re sot dhe nuk duhet ta anashkalojmë është një gabim mes të krishterëve sipas frymës kozmike, ku të krishterët nuk dëshirojnë ti vendosin fëmijëve të tyre emrat e shenjtëruar nga shenjtorët, por emra të njerëzve të botës, të sportistëve, artistëve, vipave apo thjesht një emër që të rimojë në veshë me tinguj “modernë” të kohës dhe kjo po e prish traditën shekullore të të krishterëve orthodhoks të cilët po mbyten në baltovinën mëkatare të botës.
"Kur katekumenëve u mësohej gjithçka që duhej, mësuesit e tyre do t'i çonin përsëri te peshkopi dhe peshkopi do t'u rekomandonte që të ndryshonin emrat e tyre paganë dhe të adoptonin të krishterë, emra për t'u kujtuar atyre persona të shenjtë ose virtyte. (p.sh., Agapios, "dashuri"; Elpidos, nga elpis, "shpresa;" Irenaios, nga eirene, "paqe...").
Siç e shihni, kisha e hershme i kushtonte shumë rëndësi emrit të një personi. Megjithatë, disa njerëz insistojnë t'u vënë fëmijëve të tyre emra që nuk kanë të bëjnë fare me historinë e lavdishme të krishterimit, apo edhe emrat e ateistëve dhe jobesimtarëve që kanë bërë luftë dhe ende bëjnë luftë kundër krishterimit. Emrat e të krishterëve duhet të jenë kujtues të besimit dhe virtytit. "
(Mitropoliti i Follorinës Agustinos (+2010),
Por më e keqja është se edhe kur vendosen emrat e shenjtorëve, ato shkurtohen aq sa bastardohen dhe humbasin lidhjen me emrin e shenjtorit dhe kuptimin e tyre.
Patjetër që emrat kanë tingull të ndryshëm në gjuhë edhe dialekte, edhe janë përkthyer në gjuhët të ndryshme, si psh Qirjaqi në greqisht, Domenica në italisht, e Djela në shqip, Nedela në maqedonisht, këtu nuk është gabim, por çështja është që të mos arrijmë deri aty sa emri të shkurtohet që ti përshtatet tingullit që na pëlqen e të humbasë kuptimin.
Psh, emri Nikolaos që në greqisht do të thotë (fitore e popullit) thirret në shqip Nikolla, në anglisht Nicola, por nuk është mirë që emri të shkurtohet edhe të vendoset Nik, Niko, Kola etj, sepse shenjtori nuk e kishte emrin me shkurtime si e përdorim ne por edhe emri nuk ka kuptimin “fitorja e popullit” por është thjesht një tingull zanoresh dhe bashkëtingëlloresh ose mund të ketë kuptim tjetër.
Emri Harallamb që në greqisht do të thotë “shkëlqim nga lumturia” kur shkurtohet me “Llambi” që nuk i ngjason emrit të shenjtorit humbet kuptimin e tij, ose emri Parashqevi (e premte) shkurtohet në Shqevi, Viki,Andon në Doke , Gjergji në Gjeke , Dhimitër në Taqo, ,e të tjera si këto që jo thjeshtë e tjetërsojnë emrin e shenjtorit por edhe e fyejnë vetë shenjtorin që i kanë huazuar emrin.
Ose emri i engjëjve Mikael ose Mihal, shkurtohet edhe thirret Keli dhe Rafael në Rafo,etj raste të tilla.
Për këtë fenomen tërheq vëmendjen edhe Shën Pais Agjoriti që në biseda me njerëzit thoshte me kritikë: “Por për fat të keq, njerëzit pak nga pak nuk po lenë as festa e asgjë tjetër. Sheh, madje, që edhe emrat i ndryshojnë, që të mos kujtojnë shenjtorët e tyre. Vasilikën e bëjnë Viki, Zoin e bëjnë Zozo dhe kështu thonë dy herë kafshë!”
Të dashur të krishterë ky fenomen nuk është thjesht një pakujdesi por një gjë shumë serioze. Më sipër folëm për rëndësinë dhe rolin që ka emri në jetën tonë, aq më tepër për ne të krisherët që marim me nderim emrat e shenjtorëve dhe me këtë emër regjistrohemi në Librin e jetës (Hebrenjve12-23) dhe Zoti do të na thërrasë (Joani 10-3) dhe do na gjykojë sipas emrit.
Kjo tregon se ne nuk kemi frikë Perëndie të paktën aq sa kemi frikë dhe respekt për njerëzit . Psh kush do guzonte nga ne të shkurtonte emrin e një mbreti apo të fuqishmi të botës , patjetër nuk do ta bënim nga frika ,interesi dhe nderi.
Prandaj duhet me vigjilencë shpirtërore të shikojmë në këtë situatë punën e të ligut, që kërkon jo vetëm të mos i japim rëndësi emrit dhe ta shenjtërojmë atë, por edhe të fyejmë Zotin, engjëjt edhe shenjtorët që pretendojmë se ja marrim emrat por në të vërtetë i tjetërsojmë me shkurtimet tona të pamenda deri në sakrilegj, blasfemi.
Në Sinaksarin e Shën Qiprianit që ishte në fillim një magjistar në Kartagjenë, na thuhet se kur ai e pyeti djallin se kush është më i madh se ty, djalli i tha që më madh se mua është Manoli. A e shikoni se demoni nuk e përmend emrin Emanuel që është emri i Perëndisë (Perëndia me ne) (Isaia 7-14) por thotë me dinakëri Manoli që nuk ka kuptimin e emrit Emanuel (Perëndia me ne).
Përdorimi i emrit të Zotit dhe shenjtorëve ka fuqi (Joani 14-13) dhe emri i tij është mbi çdo emër (Filipianëve 2-9), prandaj djalli kërkon që të krisherët ti bastardojnë emrat e shejntë, që jo vetëm fuqia e Zotit dhe hiri që kanë shenjtorët të mos veprojnë, por edhe të blasfemojmë.
Një mik më thoshte se kur isha i vogël nuk më pëlqente emri Athanas që ma kishin vënë për nder të shenjtorit dhe gjyshit sepse më dukej si emër plaku dhe kisha frikë se shokët do të më tallnin. Kështu i thashë prindërve: “Ç'është ky emër që më keni vënë kështu, emër plaku, nuk do më thërisni më Athanas por Naska”. Edhe vërtetë atë nuk e thërrisnin më prindërit Athanas, por Naska deri sa u rrit madje edhe sot. Pa kuptuar ai kishte fyer shenjtorin dhe kishte tjetërsuar kuptimin e emrit Athanas që do të thotë i pavdekshëm, por pa kuptuar kishte ndryshuar edhe gjininë me shkurtimin e emrit, sepse në gjuhën kurde “naska” do të thotë vajzë e bukur.
A kuptoni si na mashtron djalli, na armiqëson me shenjtorët dhe na tall!
Një tjetër mikeshë më tha që dua ti vendos vajzës emrin e filan shenjtoreje por do ta ndryshojë pak se kam frikë se do ma bullizojnë vajzën, prandaj për njerëzit do ta vë kështu me shkurtim, kurse në kishë ashtu si e ka shenjtorja. Ajo edhe pse besimtare pa e kuptuar ishte bërë viktimë e mentalitetit të botës dhe po i vendoste vajzës një emër të dyfishtë, që kur të rritej fëmija do të vështirësohej, sepse do të sillej me personalitet të dyfishtë një sipas botës dhe një sipas Zoti. Do ti mësonte fëmijës turpin përpara njerëzve kur bëhet fjalë për pohimin e besimit, nuk ka nevoja për akte të mëdha tradhtia por ja vetëm për një shkurtim emri që ti pëlqejë botës.
A kuptojmë sa gabojmë kur duam ti përshtatemi frymës së botës edhe me vetë emrin tregojmë turp dhe mohim. Zoti na tërheq vëmendjen: “Sepse, nëse dikujt i vjen turp për mua dhe për fjalët e mia, edhe Birit të njeriut do t'i vijë turp për të, kur të vijë në lavdinë e vet dhe të Atit e të engjëjve të shenjtë” ( Luka 9-26) dhe bëhemi armiq me Perëndinë dhe shenjtorët, ashtu si na thotë: “Miqësia me botën është armiqësi me Perëndinë” (Jakovi 4-4). Prandaj duhet të bëjmë kujdes në vendosjen dhe thirrjen e emrave kur ja hazojmë shenjtorëve.
Ne si të krishterë vendosjen e emrit nuk duhet ta shikojmë thjeshtë si një lojë apo rastësi, apo aq më keq sipas mentalitetit të njerëzve edhe trendit të kohës, por duhet ti lutemi Zotit dhe t'ja besojmë providencës hyjnore, që na tregon emrin që duhet ti vendosim ose t'ja besojmë nunit ashtu si është tradita jonë e krishterë. Duhet që klerikët që pagëzojnë të jenë të kujdeshëm në mënyrën se si shqiptohet emri për pagëzim nëse është korrekt apo jo.
Dhe së fundi, emrit duhet ti dimë kuptimin dhe duhet ta shenjtërojmë me jetën tonë sipas shëmbullit të shenjtorit që i huazuam emrin.
Ky gabim që nuk duhet toleruar, siç shkruam më sipër nxitet nga padija, konformimi dhe turpi që kemi përpara njerëzve dhe botës, që na pengon që të shfaqemi ashtu si jemi, të krishterë orthodhoks, autentik, me emra edhe jetë sipas emrit të krishter.
Duhet të kemi parasysh se në qoftë se do shenjtërojmë emrin në jetën tonë Krishti na ka premtuar: “Kush fiton do të vishet me rroba të bardha dhe unë nuk do ta fshij emrin e tij nga libri i jetës, por do të rrëfej emrin e tij përpara Atit tim dhe para engjëjve të tij. Kush ka veshë, le të dëgjojë atë që Fryma u thotë kishave” (Zbulesa 3-5).
Në të kundërt në qoftë se ne nuk do nderojmë emrin që morëm por do ta fyejmë dhe bastardojmë jo thjesht vetëm me shkurtime por dhe me një jetë pa virtyte edhe pa pendim fatkeqësisht atëherë në gjyqin e Zotit ai emër që morëm do të na hiqet nga Libri i Jetës dhe do përfundojmë në ferr pa emër sepse është shkruar: “Nëse ndokush nuk u gjet i shkruar në librin e jetës, u flak në liqenin e zjarrit” (Zbulesa 20,15).
Miron Çako katekist në KOASH.