"Mjedisin nuk e kemi pronën tonë, por na është dhënë në administrim ! Shkrim nga Miron Çako
Zyra e Katekizmit e Kryepiskopatës së Tiranës
Shkrim i përgatitur nga përgjegjësi i Zyrës së Katekizmit KOASH: z. Miron Çako
- Publikuar dhge botuar më Dt 30/09/2016 në Balkan Web, Tirana Observer , Gazeta Shqiptare 13 Tetor 2016
Vendimi i fundit i qeverisë mbi importin dhe riciklimin e mbetjeve, i votuar me 63 vota të deputetëve të Parlamentit të Shqipërisë, çdo ditë e më tepër po bëhet një shqetësim për çdo qytetar të përgjegjshëm, për shoqërinë civile e grupet ambientaliste, të cilët po kundërshtojnë dhe me protesta qytetare, zbatimin e këtij ligji, që, sipas tyre, është i pamenaxhueshëm dhe i dëmshëm për mjedisin dhe shëndetin e popullit.
Sado indiferentë që mund të tregohemi ndaj jetës politike dhe vendimeve që ajo merr nëpërmjet partive respektive që votohen në Kuvend me shumicë votash, kur ky ligj i votuar ka lidhje me mjedisin (natyrën), duam apo nuk duam, ne patjetër do të shqetësohemi e pozicionohemi, sepse kjo ka të bëjë direkt me habitatin dhe me cilësinë e jetës sonë, të fëmijëve dhe të fëmijëve të fëmijëve tanë.
Fatkeqësisht, sot jo vetëm në Shqipëri, e cila si shtet ka shumë për të bërë në hartimin e ligjeve për mbrojtjen e mjedisit dhe implementimin e tyre sipas standardeve të Evropës dhe vendeve të përparuara në këtë drejtim, por edhe në vende të zhvilluara me popullsi të civilizuar e të ndërgjegjësuar për rëndësinë e madhe të mjedisit, i cili mbrohet me ligj dhe masa administrative strikte, përsëri shihet një ndotje alarmante dhe e frikshme e mjedisit, me pasoja globale, e cila po bëhet shkak për katastrofa natyrore dhe ndryshime klimatike,që, së bashku, po ulin cilësinë e jetës së gjithë njerëzimit në glob.
P.sh. vetëm nga ndotja e ajrit nëpërmjet emetimit të gazrave helmuese në atmosferë për arsye të ndryshme, si gazra helmuese të TEC-eve, makinave ose nga djegia e plehrave, sipas OBSH-së (Organizata Botërore e Shëndetit), na thuhet se 92 % e njerëzve janë të ekspozuar ndaj ndotjeve të ajrit, jo vetëm në qytetet e mëdha,por edhe në zonat rurale. Ndotja e ajrit në botë shkakton 6.5 milion vdekje çdo ditë. Pothuajse 90 % e këtyre vdekjeve kanë ndodhur në vende me të ardhura të ulëta dhe mesatare. Këto të dhëna u mblodhën nga rreth 3000 mjedise në tërë botën.
Edhe Shqipëria, që është një vend me të ardhura të ulëta dhe mesatare, nuk mbetet jashtë kësaj ndotjeje dhe rreziqeve që vijnë prej saj. Përpara pesë viteve, OBSH.-ja ka dhënë një statistikë se në Tiranë vdesin 500 qytetarë në vit vetëm nga ndotja e ajrit. Shqipëria konsiderohet si një ndër vendet më të ndotura të Evropës dhe që thith ajër me ndotje 3-4 herë më të lartë se në qytetet e BE-së. Po t’i shtojmë ndotjes së ajrit edhe atë të ujit, në lumenj e liqene, që vjen nga derdhja e mbetjeve industriale, pa kriter në to, së bashku me ushqimet e pakontrolluara dhe të modifikuara gjenetikisht ose me kimikate etj, tabloja mjedisit ku jetojmë, bëhet shumë e zymtë dhe alarmuese.
Por pse kjo ndotje kaq e madhe dhe kaq pak respekt për mjedisin?
Mund të japim përgjigje duke përmendur shumë arsye teknike, teknologjike, ligjore, por mendoj se problemi i njeriut të sotëm në lidhje me mjedisin është problem moral. Shumica e njerëzve, edhe pse të arsimuar e të kulturuar, mendojnë se mjedisi është mall pa zot, që mund ta bëjnë pronë të tyre dhe ta përdorin si të duan dhe sa të duan. Sado që ky arsyetim mund t’u pëlqejë atyre që veprojnë kështu, përsëri është një autosugjestion i palogjikshëm dhe nuk i përligj veprimet e tyre arrogante në dëm të mjedisit, me rrezikshmëri të lartë dhe me pasoja për shëndetin e njerëzve në breza.
Sipas lidhjes natyrale shkak-pasojë, asgjë nuk vjen nga asgjëja; pra, edhe bota, kjo shtëpi e madhe e njerëzimit, e ka një Krijues, një Arkitekt, që përkujdeset për të dhe ky quhet: Zoti Perëndi. Ai, duke qenë një Qenie hyjnore e përsosur që jeton nga Vetvetja dhe plot dashuri, krijoi prej kësaj energjie, me anën e Fjalës dhe Shpirtit të Tij, të dukshmet dhe të padukshmet, të cilat i bëri shumë mirë (Zanafilla kap. 1)
Ky krijim në fillim kishte pamjen e një kopshti dhe u quajt Parajsë. Në qendër të parajsës u vendos njeriu, i krijuar si një qenie psikosomatike (shpirt-trup) dhe si mikrokozmos, i cili, duke e pasur trupin të krijuar prej dheu, në mënyrë organike ishte i lidhur me natyrën (mjedisin) për ta dashur, ruajtur dhe punuar për interesin e tij dhe, sipas modelit të kopshtit të Edenit (Lindje), të transformonte në parajsë me punën e tij çdo cep të globit, që ishte i zbrazët (Zanafilla kap. 2). Kjo është arsyeja pse ne njerëzit në subkoshiencën tonë i duam kopshtet, i improvizojmë ato kur nuk i kemi në mënyrë natyrale, e ndjejmë kënaqësi brenda tyre dhe, kur ndodhemi në natyrë të virgjër, të entuziazmuar themi: Sa bukur! Si në Parajsë!
Por kjo shohim sado e bukur që të duket, nuk është ajo që krijoi Perëndia, por ajo çka mbeti nga prishja për shkak të zilisë së djallit, i cili i nxiti njerëzit brenda në kopshtin e kënaqësive të rebeloheshin në mosbindje kundër Perëndisë, njëri-tjetrit dhe natyrës (Zanafilla kap.3). Ky rebelim i papenduar i njeriut u bë shkak që natyra të mallkohej: “Dhe toka do të jetë e mallkuar për shkakun tënd…Ajo do të prodhojë gjemba dhe bimë gjembore” (Zanafilla 3 17 -18). Prandaj natyra ka një karakter të dyfishtë, varet si e shohim dhe e përdorim atë. Kur e respektojmë, ajo na shërben dhe bëhet shkak kënaqësish dhe gjallërimi të jetës dhe, duke e soditur në bukurinë dhe harmoninë e saj, natyra na nxit të lavdërojmë Krijuesin, ashtu siç i këndon psalmisti: “Le të lavdërojmë emrin e Zotit se ai tha dhe u bënë, ai porositi dhe u ndërtuan…” (Ps. 148),“Sa të mëdha janë veprat e tua, o Zot, të gjitha i ke bërë me urtësi” (Ps. 102).
Por kur njeriu, në egoizmin e tij, shfaq lakmi, pangopësi me arrogancë të dhunshme kundër natyrës, duke e keqpërdorur atë si një mall pa zot, atëherë ajo ngrihet kundër vetë njeriut me gjithëfuqinë e saj të frikshme, si një qortim, për ta urtësuar dhe përulur njeriun e vogël,ashtu siç ka ndodhur me katastrofat globale, të cilat fatkeqësisht po ndodhin gjithnjë e më shumë në kohët e sotme. Të gjitha këto janë të profetizuara në Shkrimin e Shenjtë: “Do të ketë tërmete të mëdha…dhe do të jenë gjëra të frikshme dhe shenja të mëdha prej qiellit. Do të ketë shenja në diell dhe në yje… Do të buçasë deti nga valët dhe njerëzve do t’u dalë shpirti nga frika dhe nga të priturat e gjërave që po vijnë mbi tokë, sepse fuqitë e qiellit do të lëkunden” (Lk. 21:2-5).
Këto janë shenja apokaliptike që po paralajmërojnë brezin tonë, se po e teprojmë me arrogancën tonë ndaj Zotit, Krijuesit, dhe po keqpërdorim natyrën, që është vepër dhe prona e Tij.
Vetë Biri dhe Fjala e Perëndisë, me anën e të Cilit u bënë të gjitha, erdhi në botë si Perëndi-Njeri, Jisu Krishti, për të shpëtuar Adamin (njeriun) dhe botën e tij nga mëkati dhe mallkimi. Ai, me Kryqëzimin dhe me Ngjalljen e trupit të Tij, si një Adam i ri na tregoi ikonën e një krijimi të ri, të lavdëruar, të hyjnizuar e të paprishshëm, ndryshe nga ai i Adamit të vjetër, që u prish dhe lëngon nën mallkim, për shkak të mëkateve të njeriut ndër breza, të nxitur nga zilia e djallit.
Prandaj besimtarët e krishterë presin Ardhjen e Dytë të Zotit Jisu Krisht, i Cili do të shfaqet si Gjykatës, për të dënuar çdo padrejtësi dhe mëkat të papenduar të njerëzve kundër Perëndisë, njeriut dhe natyrës. Dhe, më pas, Ai do ta restaurojë botën e sotme të prishur nga mëkati dhe do të krijojë një “qiell të ri dhe një tokë të re”(Zb. 21:1), ku do të sundojë shenjtëria, harmonia plot dashuri e Perëndisë me njeriun dhe e njeriut me natyrën. Dhe kështu, Mbretëria e Perëndisë do të vijë “si në qiej ashtu edhe mbi dhé”.
Prandaj Kisha Orthodhokse, si trupi i Krishtit, e konsideron natyrën shumë të vyer, vepër të Zotit, që e bëri (krijoj) nga dashuria e Tij për njeriun. Ambienti natyror konsiderohet si një shtëpi gjigande për të gjithë njerëzit dhe ne jemi të detyruar ta ruajmë, ta përdorim me respekt për nevojat e domosdoshme dhe të bashkohemi të gjithë në një simfoni adhuruese, së bashku me natyrën, për të lavdëruar Zotin, ashtu siç shkruhet te Psalmet: “Lavdëroni Zotin prej qiejve, lavdërojeni në më të lartat, lavdërojeni Zotin nga toka… zjarr, breshër, borë, akull, erë stuhie, që zbatoni fjalën e tij, male dhe kodra të gjitha, dru frutdhënës…egërsirat dhe gjithë kafshët… zvarranikë dhe zogj fluturues… mbretërit e tokës dhe popuj të gjithë, prijës dhe gjithë gjykatësit e tokës” (Ps. 148).
Shën Joan Gojarti (shek.IV) thotë: “Toka është banesa jonë e përbashkët, edhe ushqim, edhe nënë, edhe varr”. Prandaj është detyra jonë që të bashkëpunojmë me Perëndinë për ruajtjen e krijimit të Tij dhe nuk na lejohet që të qëndrojmë apatikë dhe spektatorë të një gjendjeje që na kërcënon të gjithëve. Në këtë gjendje kritike të mjedisit mbarëbotëror, Kisha Orthodhokse kujton dhe nxit përherë besimtarët e saj, por edhe të gjithë njerëzit e përgjegjshëm, për mbrojtjen e gjithë formave të jetës, të florës dhe faunës në planetin tonë, unik në të gjithë universin.
Sipas kësaj përkujdesjeje, Patriku Ekumenik Dhimitër në mesazhin e tij në vitin 1989 caktoi ditën e parë të shtatorit,e cila përkon me Indiktin (Viti i Ri Kishtar), si ditë të përvitshme të mbrojtjes së ambientit natyror dhe dha bekimin patriarkal e atëror që në këtë ditë e gjithë bota orthodhokse të zhvillojë lutje për mbarë krijimin. Kjo nismë e Patriarkut të ndjerë Dhimitër u konfirmua përsëri në mesazhin e Sinodit të Shenjtë dhe të Madh, të mbarë Kishës Orthodhokse në botë, mbajtur në Kretë në qershor 2016.
“Kriza e sotme ekologjike është e qartë se ka shkaqe shpirtërore dhe morale. Rrënjët e saj lidhen me lakminë, pangopësinë dhe egoizmin, të cilat çojnë drejt shpërdorimit të burimeve natyrore, në rëndimin e atmosferës me ndotje të dëmshme dhe në ndryshimin klimatik. Përballimi i krishterë i problemit kërkon pendim për shpërdorimet, vetëpërmbajtje dhe moral asketik, që janë antidot ndaj hiperkonsumizmit dhe njëkohësisht kultivojnë te njeriu ndërgjegjësimin se është “kujdestar” dhe jo pronar i krijesës. Nuk resht së theksuari se edhe brezat e ardhshëm kanë të drejtë mbi të mirat natyrore, që Krijuesi na i ka besuar. Për këtë arsye Kisha Orthodhokse merr pjesë aktive në përpjekje të ndryshme ekologjike në rrafshin ndërkombëtar. Ajo ka caktuar 1 shtatorin si ditën e lutjes për mbrojtjen e mjedisit natyror”. (Mesazhi i Sinodit të Shenjtë dhe të Madh, pika 8)
Dhe Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë (K.O.A.SH.), si pjesë integrale e gjithë Kishës Orthodhoske në botë, nën drejtimin atëror të Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit Anastas, dhe të Sinodit të Shenjtë, ka marrë shumë nisma të rëndësishme për mbrojtjen dhe rehabilitimin e mjedisit në vendin tonë. Me fillimin e një programi mjedisor që nga viti 2001, duke realizuar projekte për mbrojtjen e ekosistemeve, si në zonën e Zvërnecit, në rrjedhën e Vjosës, në Parkun Kombëtar të Llogarasë, në Parkun e Liqenit Artificial të Tiranës, në malin e Dajtit, në gjirin e Lalzit, si dhe në enori të tjera të Mitropolive të Kishës sonë.
Krahas kësaj, Kisha ka dhënë një kontribut të rëndësishëm edhe nëpërmjet mjeteve ndërgjegjësuese me efekt të drejtpërdrejtë për të ndikuar në mbrojtjen e mjedisit, siç kanë qenë broshurat e shpërndara në mijëra qytetarë anembanë Shqipërisë, sidomos në komunitete të izoluara, si qytete të largëta apo fshatra të thella. Këto janë bërë të mundura me projekte të ndryshme të zbatuara nga Fondacioni “Frymë Dashurie”, në bashkëpunim me organizata të tjera ndërkombëtare. Në mënyrë të veçantë dhe periodike këto mesazhe përcillen nëpërmjet valëve të radios “Ngjallja”, FM 88.5 MHz. Ky mjet i fuqishëm mediatik i Kishës i përcjell këto mesazhe duke u bërë kështu bashkëpunëtor në jetën dhe kujdesin mjedisor të bashkëqytetarëve.
Por, mbi të gjitha, Kisha Orthodhokse i lutet çdo ditë Perëndisë Triadik, Atit, Birit dhe Shpirtit të Shenjtë: “Për erëra të mira, begati të pemëve të dheut dhe për kohë me paqe, le t’i lutemi Zotit” (paqësoret në Liturgjin Hyjnore). Gjithashtu, që Zoti të ndriçojë të gjithë aktorët përgjegjës në vendimmarrje, por edhe çdo qytetar të këtij vendi, që ta duan dhe ta administrojnë mjedisin për të mirën e përbashkët dhe, për lavdi të Perëndisë, sepse: “I Zotit është dheu dhe gjithçka është në të, bota dhe gjithë sa rrinë në të” (Ps. 23:1).