Kanabizimi, fatkeqësi dhe “mallkim” prej të cilit duhet të shpëtojmë pa u bërë “popullor” Publikuar në Dt 02 12 /2016 ; Balkanweb & Tirana Observer & Gazeta Telegraf Dt 14/12/2016
Gazeta Telegraf.al : Miron ÇAKO: Kanabizimi, fatkeqësi dhe mallkim
Duhet t’i themi “stop’’ fenomenit të kanabizimit që po “vret” brezin e ri, ka trefishim të përdoruesve të lëndëve narkotike
Pavarësisht se koha e të korrave për parcelat e hashashit ka mbaruar, dhe duket se kultivuesit e kësaj bime narkotike po mendojnë si të sigurojnë farën e re, imazhet e thasëve me kanabis që rëndom kapen brenda dhe jashtë vendit, nuk po na shqiten nga sytë. Kur dëgjon pothuajse çdo ditë në mediat e vendit dhe ato të huaja për kapjen e kilogramëve dhe tonëve të hashashit me origjinë nga Shqipëria, trafikuar nga shqiptarët, ose kur hashashi shqiptar thonë se është i një cilësie të lartë konkurruese në tregun e drogës, besoj se çdokush që e ndien veten shqiptar të përgjegjshëm, që e do dhe kontribuon për të mirën e këtij vendi, nuk ndihet aspak mirë, madje një hidhërim me ankth e kap kur mendon të nesërmen e vendit, në qoftë se ky fenomen nuk do të parandalohet në kohë. Ata që shqetësohen të parët dhe më shumë për këtë fenomen të frikshëm janë prindërit, të cilët kanë përgjegjësinë për rritjen dhe edukimin e fëmijëve të tyre, të cilët rrezikohen të infektohen nga përdorimi i hashashit, i cili po bëhet si modë për adoleshentët dhe të rinjtë, duke ia mësuar njëri-tjetrit, siç thuhet “shoqëritë e këqija prishin zakonet e mira”.
Ka dhe një kategori tjetër njerëzish, të cilët, në mënyrë pragmatiste, e shikojnë fenomenin me indiferentizëm dhe heshtin, sepse nuk e gjejnë veten ose të afërmit e tyre të prekur dhe të përfshirë në përdorimin e hashashit apo të drogërave të tjera, dhe kështu mjaftohen duke thënë vetëm “larg shtëpisë sime”. Ka disa të tjerë, të cilët e shikojnë këtë fenomen si rast të mirë për tregti fitimprurëse për një kohë shumë të shpejtë, si ekonomi ndihmëse për veten, ose edhe për vendin, duke lobuar për legalizimin e përdorimit apo mbjelljes së hashashit për tregti, si bimë mjekësore të kontrolluar nga shteti. Por, pavarësisht të gjitha këtyre përfitimeve, në dukje, fenomeni i “kanabizimit” është një fatkeqësi dhe mallkim, me shumë viktima.
Pesë kategoritë sociale, që viktimizon përdorimi i drogës
1- Viktimat e para janë përdoruesit. Të gjithë shkencëtarët, mjekët, psikologët kanë një mendim të përbashkët, se hashashi dëmton përdoruesin. Ai shkakton çrregullime të personalitetit me simptoma psikotike, që kur bëhen serioze, kanë patjetër nevojë për trajtim mjekësor. Ai prek dhe dëmton kujtesën, gjykimin dhe perceptimin, sidomos kur personi që e përdor është i ri në moshë. Hashashi është një parandalues i formimit intelektual në shkollë të adoleshentit, apo edhe i fizikut të tij, duke e bërë atë një invalid të parakohshëm të pavlefshëm për veten, familjen dhe shoqërinë. Ka shumë premisa, që përdorimi i hashashit ta fusë përdoruesin në një rreth vicioz, që nga përdorimi i kësaj droge që konsiderohet si e lehtë, përdoruesi tenton drejt atyre më të fortat si heroina, kokainë dhe kështu viktima zhytet përditë e më shumë në batakun e vartësisë ndaj narkotikëve, derisa shkon në vdekje nga hiperdozat, duke u bërë viktima e radhës në kronikën e zezë.
Përdorimi i hashashit nxit marrëdhënie seksuale të rrezikshme e të pakontrolluara, deri në perversion, duke çuar përdoruesin drejt rrezikut për infektimin me virusin vdekjeprurës HIV, ose të sëmundjeve seksualisht të transmetueshme. Sipas ISHP, 30% e përdoruesve të drogës janë mbartës të hepatit C dhe 20% të atij B. Statistikat tregojnë se kemi një trefishim të përdoruesve nga viti 1995 në 2014. Në Shqipëri, numërohen rreth 40-60 mijë përdorues, ku dominon përdorimi i drogave nga moshat e reja, përkatësisht 14-18 vjeç. Raporti i ISHP-së në 2015, thotë se rreth 6-7% e të rinjve përdorin drogë duke filluar nga më të lehtat, si tymosja e hashashit, e deri te kokaina dhe heroina, me injeksione. Rreth 7-9 % e të rinjve të shkollave të mesme janë ekspozuar ndaj drogave në mjediset shkollore ose rreth tyre. Përdoruesit më të shumtë janë të rinjtë e zonave urbane, kryesisht qytetet e mëdha si Tirana, Fieri, Durrësi, Vlora etj. Paradoksi i hidhur, i këtyre viktimave në moshë të re, është se ata e blejnë vdekjen e tyre me para.
2- Viktimat e dyta, që viktimizohen nga të parët, dhe sigurisht vuajnë më shumë, janë prindërit e këtyre fëmijëve. Ata përballojnë çdo ditë këtë ves, vartësi të fëmijëve të tyre për drogë, e cila ka një kosto të pallogaritshme shpirtërore, shëndetësore, por edhe ekonomike. Sa dhimbje, sa lot, sa konflikte midis prindërve dhe fëmijëve, sa ekonomi të shkatërruara, që vijnë nga vjedhjet brenda shtëpisë nga vetë fëmijët, për të siguruar paratë e ‘racionit’ të përditshëm. Këto para shpeshherë sigurohen nga vetë prindërit me shumë vështirësi dhe dhimbje, të dorëzuar përpara dëshirës së papërmbajtshme të fëmijëve të tyre për të konsumuar hashash ose drogë.
3- Viktima të tjera mund të jenë ata që janë tërësisht të pafajshëm, dhe këtu flas për foshnjat e lindura nga prindër që janë përdorues të hashashit, të cilat nuk lindin me zhvillimin e duhur. Studimet kanë treguar se fëmijët që kanë lindur nga nëna të cilat kanë përdorur marijuanë, janë shumë të vegjël, nën peshë dhe kanë përmasa të kokës më të vogla sesa fëmijët e tjerë. Gjithashtu, ka edhe të dhëna për probleme në sistemin nervor, të fëmijëve të lindur nga nëna që kanë përdorur hashash gjatë shtatzënisë.
4- Viktima tjetër e radhës është vetë shoqëria e cila ka në përbërjen e saj edhe individë dhe shtetas të tillë dhe sa më shumë individë të infektuar nga vesi i përdorimit të kanabisit ose drogave, aq më shumë qytetarë me personalitet të dëmtuar, të papërgjegjshëm, joproduktiv do të kemi. Kjo situatë i jep të drejtë grupeve kriminale, të cilët fuqizohen dhe marrin kontrollin mbi shoqërinë, e cila nuk interesohet për moral.
5- Viktima e radhës është vetë shteti shqiptar. Pavarësisht punës parandaluese që strukturat e shtetit kanë bërë nëpërmjet organeve kompetente për parandalimin e fenomenit të kanabizimit dhe kjo duhet përshëndetur, por përsëri ai nuk po parandalohet. Për këtë mund të thuhen shumë arsye me akuza dhe kundër akuza, të drejta ose të gabuara, por sot media prestigjioze në Europë dhe botë, si radio BBC, etj, e cilësojnë Shqipërinë si vendin e parë në Europë për prodhimin e drogës, madje duke e quajtur kanabisin “arin e gjelbër” për shqiptarët.
Klasifikimi/ 20 vite më parë të 17-ët në botë, sot të parët në Europë. Të trishton fakti, se në vitin 1995, nga OKB cilësoheshim të 17-ët në renditje në botë, por sot në 2016-ën, cilësohemi të parët në Europë. Uroj të jetë një lapsus. Megjithatë, këto fitime prej miliona eurosh duket sikur rregullojnë ekonominë e familjeve shqiptare, të cilat e kanë pranuar kultivimin për shkak të vështirësive ekonomike, ose pamundësisë për t’u marrë me një biznes tjetër. Ky “bum” ekonomik duket se jep një përmirësim të ekonomisë në vend, por pasojat e tij, siç thonë ekspertët, janë regresive dhe e dëmtojnë ekonominë tonë të brishtë, duke e kriminalizuar e duke e bërë atë më shumë informale. E gjitha kjo kthehet në një mallkim mbi të gjithë ata që e kultivojnë, e tregtojnë, dhe fitojnë para prej kanabisit, drejtpërdrejt apo në bashkëpunim, pavarësisht statusit që mund të kenë. Kur kjo tregti dhe ky fitim i paligjshëm, bëhet i pranuar nga shoqëria, me veprimtari të drejtpërdrejtë apo me indiferencë pa kundërshtuar, mallkimi i zë të gjithë si popull, sepse ky fitim miliona euro, që sot e quajnë “ari i gjelbër”, ka në vetvete shumë dhimbje, shumë lot, shumë jetë të shkatërruara, shumë ofshama nënash që ngrihen përpara Zotit (gjykatës me drejtësi) dhe kërkojnë hakmarrje për atë që i futi fëmijët e tyre në këtë shteg vdekjeje. Çdo padrejtësi në kurriz të tjetrit kthehet në një ankim deri mallkim, i cili herët a vonë do të bjerë mbi kokën e shkaktarëve të së keqes. Ka kaq raste të tilla në jetë, saqë të gjithë mund të tregojnë nga një. Mos harrojmë se Perëndia vonon, por nuk harron të bëjë drejtësi; jo se Ai është hakmarrës por, se është i drejtë për të gjithë. Perëndia nuk të dënon, por njeriun dhe çdo popull e dënon mëkati i tij, siç thuhet: “Sepse dita e Zotit është e afërt për tërë kombet; atë që u bëre të tjerëve do të ta bëjnë ty, shpërblimi i veprimeve të tua do të bjerë mbi kokën tënde”
Momenti për reflektim të shpejtë...
Është një moment në të cilin duhet të reflektojmë të gjithë: që nga grupet mafioze kriminale, deri tek kultivuesit e thjeshtë, por edhe tek shtetarët, të cilët kanë përgjegjësinë e parë të zbatimit të ligjit për parandalimin e këtij fenomeni, i cili po bëhet shqetësim ndërkombëtar. Në të kundërtën, ky fenomen që mund të duket fitimprurës për momentin, rrezikon të na kthehet në një bumerang, në një mallkim në dëm të të gjithëve, ashtu siç ndodhi në vitin 1996, ku gati të gjithë shqiptarët, të joshur nga një fitim informal, paratë e tyre të pastra i futën në firmat piramidale, nën hundën e shtetit. Në fillim, fajdet dhanë një “pranverë” ekonomike për individin dhe vendin, por, nuk vonoi të vijë “dimri” i ashpër ‘97 me shumë viktima, fajtorë dhe të pafajshëm. Kjo gjë nuk ndodhi ashtu kot. Të gjithë e dinin se ishin futur me dashje në atë vorbull të fitimit të papastër, i cili mund të ishte pastrim parash, apo çdo lloj krimi ekonomik a social, në dëm të personave, familjeve, popujve dhe vendeve të tjera. Meqenëse e pranuam pothuajse të gjithë, po ashtu, pothuajse të gjithë e paguam. Historitë e harruara rrezikojnë të përsëriten. Sot, secili duhet të bëjë detyrën e tij qytetare me kurajo, me përgjegjësi morale dhe institucionale, qoftë ky shtetar, politikan, ekonomist, arsimtar, besimtar, ateist, qytetar, prind, i ri, etj. Të gjithë duhet t’i themi “stop’’ fenomenit të kanabizimit të vendit, sepse ne nuk duam të bëhemi qendër e kultivimit të kanabisit (hashashit) në mes të Europës dhe të etiketohemi si “Kolumbia e Europës”. Vetë Europa e Bashkuar siç shohim dhe dëgjojmë, nuk e toleron këtë gjendje, dhe e ka vendosur si një ndër kushtet për negociatat; “luftën kundër krimit të organizuar dhe kultivimit të drogës”, kusht, i cili duhet përmbushur patjetër, në mënyrë që shteti dhe populli shqiptar të bëhet anëtar i BE, gjë që kemi gati një çerek shekulli që po e kërkojmë me ngulm, por nuk po ia arrijmë dot.