Nikolla Marku kërcënon si xhihadist Mitropolitin e Elbasanit, Imzot Andonin ! Nga Miron Çako ; Publikuar në 20/04/2016 Tirana Observer
Fronëzimi para pak ditësh i Imzot Andonit si Mitropolitit i Elbasanit, Shpatit dhe Librazhdit dhe e ringritjes së Mitropolisë atje ishte një ngjarje historike, jo vetëm për Kishën tonë në Shqipëri, por ajo u përshëndet edhe nga të gjitha Kishat Orthodhokse kudo në botë. Zgjedhja e Mitropolitit të ri dhe fronëzimi i tij në kishën e re të“Shën Nikollës” në Elbasan më 17 prill, ishte në përputhje me Statutin e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, ku ai u propozua për këtë detyrë nga Këshilli Kishtar Kleriko-laik dhe u zgjodh me votim unanim nga Sinodi i Shenjtë, më 7 prill. Ceremonia e fronëzimit të tij u krye në prani të qindra besimtarëve të Mitropolisë si dhe të shumë besimtarëve nga i gjithë vendi që kishin ardhur për ta uruar, në prani të KryepiskopitAnastas dhe anëtarëve të Sinodit të Shenjtë, klerikëve, autoriteteve të larta qendrore dhe vendore, si dhe të drejtuesve të Komuniteteve Fetare, në një atmosferë shumë festive dhe të gëzueshme, siç i ka hije këtyre ngjarjeve të mëdha dhe të gëzueshme të fronëzimit të Mitropolitit në Kishat Orthodhokse.
Por tingujt festiv dhe ritmikë të këmbanave të kishës, që lajmëronin ardhjen e Kryebariut, të bashkuar në harmoni me muzikën popullore të zonës, që çonte peshë njerëzit nga gëzimi me valle rreth Kryepiskopit Anastas dhe Mitropolitit të ri Andon, duke i uruar me fytyrë të gëzuar: për shumë vjet o Kryezot;u përpoq t’i sfumonte më dy ditë më pas “këmbana e mortit me urimet e zishëm” të pseudopriftit Nikolla Markut në një tjetër deklaratë plot përçartje, kërcënime dhe vulgaritet, mbushur me vrer dhe mllef, si shumë të tilla të tij, botuar në gazeta dhe media të ndryshme me titullin: “Ditët e numëruara”.
Edhe pse e njoh mirë kush është Nikolla Marku si dhe përmbajtjet e deklaratave të tij, ju them sinqerisht se këtë radhë ai kaloi të gjitha parashikimet e mundshme dhe përshtypja që të jep leximi i kësaj deklarate është sikur e ka shkruar jo një person që luan rolin e “priftit” dhe pretendon të jetë kreu i“ kishës kombëtare shqiptare”, por i një xhihadisti ekstremist që mallkon, shantazhin,deri në kërcënim, duke u përpjekur të mbjellë terror tek dëgjuesit dhe kjo në emër të “Zotit”!
Por çfarë ishte ajo që “provokoi” shpërthimin e vrullshëm e të papërmbajtshëm të përroit mllefatar dhe armiqësor të Nikolla Markut? Për ata që nuk janë të informuar po sjell të vetmen referencë në lidhje me situatën e kishës së zaptuar në fjalimin e tij të gjatë përshëndetjes të Mitropolitit të Elbasanit, Hirësi Andonit, ditën e fronëzimit përpara të pranishmëve: “Pavarësisht situatës paradoksale që vazhdon të ekzistojë në kishën historike “Lindja e Hyjlindëses Mari” dhe të godinën pranë saj, në lagjen “Kala” të qytetit të Elbasanit, të cilat në mënyrë të paligjshme dhe antikanonike mbahen të zaptuara, por që me ndihmën e Zotit dhe uratat Tuaja do të rikthehen në gjirin e Kishës dhe në shërbim të besimtarëve të qytetit”.
Tani ju ftoj të lexoni fjalët që përdor Nikolla Markut në deklaratën e tij me titull: “Shqiptarizmi i ortodoksisë shqiptare, nuk mund të cenohet nga banditë me veshje prifti dhe helm shovinizmi. Kush kërkon derdhje gjaku, brenda ortodoksisë shqiptare, do ta mbulojë gjaku i tradhtarit këmbë e kokë. Kush kërkon përçarje brenda besimtareve të vërtetë ortodokse, do ta mbulojë përçarja brenda shpirtit dhe mishit të kalbur që e mban në këmbë si ty Andon dhe Janullatos. …gjaku që kërkoni të derdhni, do t’ju mbysë direkt juve, si në mendje ashtu dhe shpirt. …zjarri i ferrit ju pret.”
O shqiptarë të urtë, besimtarë apo jo, gjykoni vetë; ai ka hije të shprehet dikush që për më tepër që pretendon të jetë “prift”, në një deklaratë publike me tone patriotike, kundër një Hierarku të lartë Mitropolit, me shtetësi dhe kombësi shqiptare, me një biografi të admirueshme?! Një fjalor dhe shprehje që i ngjajnë skenarit të një filmi horror ose deklaratave të xhihadistëve ekstremistë, që rëndomtë i shikojmë e dëgjojmë në këto kohëra të trazuara.
Arsyeja e vërtetë që Nikolla Marku shkruan në këtë mënyrë të papërgjegjshme është se ai nuk është prift kanonik dhe askush nuk i kërkon atij llogari dha as i jep kujt llogari për veprimet që bën dhe ato që thotë. Atë nuk e njeh asnjë Kishë Orthodhokse dhe asnjë Kishë ose Komunitet tjetër Fetar, si në Shqipëri ashtu edhe jashtë vendit, përveç vetvetes dhe atyre që e përdorin sa herë që ju duhet, si tellallin e tyre. Ai reagon kështu, jo se i dhimbset Kisha dhe Shqipëria, por vetja dhe duke përdorur veladonin e priftit si lëkurë deleje kërkon të mashtrojë opinionin publik për qëllimet dhe interesat e tij, duke mbajtur ende të uzurpuar padrejtësisht kishën që është njëkohësisht edhe monument kulture dhe në përgjegjësinë e Ministrisë së Kulturës që nga viti 1995 bashkë me godinën e Mitropolisë.
Nikolla Marku e ka shndërruar këtë kishë në një qoske fitimprurëse, ku janë zhdukur ikonat e vjetra, janë lyer me gëlqere dhe dëmtuar afresket, madje nuk ka aspak gajle ta përdorë si pasarelë mode,siç ishte sakrilegji i radhës, të cilën ai jo vetëm nuk e quante të tillë, por përqeshte protestën e Kishës Orthodhokse dhe të përfaqësuesve të saj, duke thënë në mënyrë publike: “nuk përdhoset ikona se del një femër me dekolte… unë i bëj thirrje gjithë rinisë shqiptare: Ejani te atë Nikolla se e keni kishën çelë jo ditën, por edhe natën”! Madje pyetjes së gazetares në se do të lejonte të bëheshin martesa edhe për komunitetin gay në kishë iu përgjigj se për momentin që ekonomia nuk është e fuqishme nuk është e mundur, por më vonë atëherë po!!! As ai vetë nuk di çfarë thotë, por që fatkeqësisht këto veprime dhe deklarime i bën brenda një vendi të shenjtë dhe kishe ortodokse i paraqitur si prift ortodoks.
Ai në emër të nacionalizmit donkishotesk kërkon të mashtrojë opinionin publik për interesat e tij personale, duke fantazuar e trilluar plane ogurzeza kundër Shqipërisë dhe shqiptarëve, jo vetëm nga “shovinizmi grek” i Vorio-Epirit, por tani edhe nga takimi i Papa Françeskut me Patrikun Ekumenik Bartolomeun I. Të gjitha këto lajthitje “o tempora o mores” që po dëgjojmë sot nga goja e NikollaMarkut, pikë së pari i bëjnë dëm vetë atij, e pastaj atyre që e kanë vënë të thotë gjëra të tilla, duke e bërë çdo ditë e më shumë një figurë të diskredituar, që siç thotë Krishti në Ungjill: “E keqja diskrediton veten”.
Jam i bindur se po të ngjallej Imzot Theofan Noli i pari do ta qortonte Nikolla Markun që i keqpërdorte emrin dhe i tjetërsonte kontributin për Autoqefalinë e Kishës Orthodhokse të Shqipërisë, e cila sot është ringjallur dhe lulëzuar si pjesë e pandarë e Kishës së Madhe Orthodhokse në të gjithë botën.
Në deklaratën e tij ai nuk ngurron të ofendojë dhe kërcënojë edhe drejtuesit dhe përfaqësuesit e Komuniteteve të tjera Fetare të Elbasanit, të cilët ishin të pranishëm në ceremoninë e fronëzimit, por që në disa media u censurua për t’i ardhur në ndihmë Nikollës, por që jo të gjitha kishin mirësinë t’ia bënin këtë nder. Ja çfarë tha Nikolla në deklaratën e tij: “Na vjen shumë keq që, dy përfaqësues të besimeve të ndryshme fetare ishin aty, si babai i një teqeje, ashtu dhe një përfaqësues i kishës rajonale katolike. Sa keq që i përdorën në mënyrën më të pa besë. Turp për besimin dhe veshjen e tyre.” Çdokush mund të nxjerrë vet konkluzionet se për cilin person jemi duke folur dhe sa i rrezikshëm ai mund të kthehet. Por për këtë deklaratë të Nikolla Markut pres të ketë një reagim edhe nga Komunitetet e tjera Fetare, pasi nuk mendoj se ata do bien në grackën dhe propagandën e tij.
Nikolla e shikon dhe po e ndjen se shumë shpejt kisha e “Kalasë” që ai e mban të uzurpuar do t’i rikthehet Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë sipas Marrëveshjes që shteti ka bërë me Kishën Orthodhokse, ashtu si edhe me Komunitetet e tjera Fetare, bashkë me godinën e Mitropolisë, e cila me vendim gjyqësor dhe titull ekzekutiv i është kthyer Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Këtu edhe një herë është rasti që Shteti shqiptar përmes organizmave të tij ligjor dhe ekzekutiv të kryejë funksionet e tij për të garantuar të drejtën themelore të lirisë së besimit dhe të pronës, të cilat i janë cenuar haptas Kishës Orthodhokse, shqetësim që është pasqyruar çdo vit në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit dhe të organizmave të tjerë ndërkombëtarë.
Si besimtar dhe përgjegjës i katekizmit i bëj thirrje NikollaM arkut që të heq dorë nga qëndrimi i tij i gabuar dhe i dënueshëm, të reflektojë dhe të marrë guximin të thotë: gabova, dhe të lirojë kishën me vullnetin e tij, pa qenë nevoja ta detyrojnë ligji dhe organet zbatuese. Në një periudhë kur po i afrohemi Javës së Madhe dhe festës së Pashkës kur kujtojmë që Krishti vuajti për mëkatarët, i Cili “nuk do humbjen e mëkatarit, por që të kthehet e të jetojë gjatë”. Ndryshe i kujtoj edhe një herë ato çfarë ka thënë Shën Joan Gojarti në lidhje me ata që ndajnë dhe dëmtojnë Kishën, trupin e Krishtit: “sikur edhe gjak martiri të japë dikush që ndan Kishën, por nuk pendohet, ky mëkat nuk i falet as në këtë jetë as në përjetësi”. Si njerëz të gjithë jemi të vdekshëm dhe kalimtarë në këtë botë, prandaj duhet të jetojmë me frikë Perëndie dhe pendesë, pasi Kisha, që është trupi i Krishtit,është e pavdekshme dhe e pacenueshme. Vetë Zoti tha: “sikur portat e ferrit të hapen, Kisha ime do të qëndrojë”.