Shën Vlashi peshkopi martir i Sebastes në Arbëri
Publikuar në Dt 11/02/2017 në Tirana Observer & BalkanWeb. Shkrim i Përgatitur nga Miron Çako
Sebaste është emër i një qyteti të lashtë, një qytet i tillë gjendej në Armeni. Por Sebaste ka ekzistuar edhe në Arbëri, ku sot shtrihet qyteti i Lacit. Sinaksarët e kishës na thonë se në Sebaste shek.IV jetonte një i krishterë me emrin Vlash, episkop i Sebastes, i cili për shkak të shërbimit të tij apostolik, ra në syrin e autoriteteve romake të cilët i përndiqnin të krishterët sepse nuk pranonin t’u faleshin “perëndive” të shtetit romak ose vetë perandorit si “zot”, por i faleshin Zotit Jisu Krishtit, që për romakët ishte një jude i rëndomtë që u kryqëzua në kohën e Pontit Pilat, guvernator i Romës në Jeruzalem. Kjo përndekje filloi në vitin 64 ps.Kr. me urdhër të Neronit famëkeq, që i akuzoi padrejtësisht të krishterët si zjarrvënës të Romës, e cila zgjati tre shekuj me gati 11 milionë martirë edhe përfundoi me Indiktin e Milanos 313 ps.Kr nga marrëveshja e Kostandinit të madh dhe Licinit që shpallën të lirë fenë e krishterë.
Në vitin 307 ps. Kr. guvernatori Agrikola dha urdhër arresti për shenjtorin, i cili u fsheh në një shpellë përballë qytetit, ku i bënin shoqëri kafshët e egra, të zbutura nga hiri i shenjtorit. Atje i fshehur në shpellë lutej dhe priste vullnetin e Perëndisë në lidhje me martirizimin e tij. Kur u spiunua nga disa gjahtarë, ushtarët romakë e gjetën shenjtorin dhe ai pranoi t’u dorëzohej pa rezistencë. Mbasi e zbritën nga mali Argeo (i bardhë) e çuan në një tempull pagan, e lidhën në një shtyllë duke e linçuar që të mohonte besimin e krishterë, por ai nuk e mohoi dhe më në fund e martirizuan me prerje koke në 11 shkurt 307 ps.Kr. Kulti i Shën Vlashit që nga shek. i VII u përhap në Europë dhe sidomos në zonën veriperëndimore të Ballkanit, nga Durrahion (Durrësi) deri në Raguzë(Dubrovnik) ku janë ndërtuar afro 30 kisha në nderim të shenjtorit.
Ky fakt ngre një pyetje; përse ky nderim kaq i përhapur për Shën Vlashin, veçanërisht në këtë zonë larg Sebastes së Armenisë?
Por shumë studiues janë të mendimit se kemi të bëjmë me dy shenjtorë me të njëjtin emër, por dhe me të njëjtin fund martirik. Pra me Shën Vlashin, martir në Sebaste të Armenisë dhe Shën Vlashin, episkop martir të Sebastes në Arbëri. Ky fenomen i mbivendosjes së jetëve të shenjtorëve është diçka e njohur, duke pasur parasysh kohën e trazuar kur kanë ndodhur këto ngjarje martirike, po ashtu gabimet njerëzore të kopjuesve të teksteve edhe për shkak të ngjashmërisë së emrave dhe jetëve të shenjtorëve.
Por le të flasim më konkretisht në lidhje me hipotezën, se në Sebaste të Arbërisë ka shërbyer një episko martir me emrin Vlash. Krishtërimi në Shqipëri është apostolik d.m.th. ai është marrë nga vendasit, direkt nga goja e apostujve nxënësve të Krishtit. Në hapësirën Arbërore të përshkuar nga rruga Egnatia që lidhte lindjen me perëndimin, kanë predikuar fjalën e Perëndisë apostull Pavli, apostull Andrea dhe apostull Luka. Në letrën e apostull Pavlit drejtuar Romakëve në vitin 57 ps.Kr. ai shkruan: “Kështu prej Jeruzalemit e përqark gjer në Iliri kam kryer shërbimin e Ungjillit të Krishtit” (Rom.15:19). Madje apostull Pavli në qytetin e Dyrrahion( Durrësit) themeloi bashkësinë e parë të krishterë, duke lënë si peshkop të parë Shën Qesarin dhe më pas u vendos Shën Asti peshkop martir i cili u dënua me vdekje në vitin 116 nga perandori Trajan dhe sundimtari vendas Agrikola. Zona e Ilirisë ka qenë episkopatë që në shek. IV. Dioqezat në fillim vareshin nga Kryepiskopata e Romës deri në vitin 732 ps. Kr. kur Leon III Izauri i ndau provincat lindore nga Roma dhe i bashkoi me Kostandinopolin, që atëherë dioqezat e krishtera të Ilirisë hynë në administratën e Kostandinopolit. Patriarkana e Romës ose siç u quajt papati, jo vetëm që kishte në administrim disa nga dioqezat Dalmate, por pas vitit 1054 (skizma e madhe me Kishën e Lindjes) u përpoq t’i zgjerojë dioqezat në favor të saj, duke sulmuar bregdetin lindor të Adriatikut dhe i vuri shumë rëndësi peshkopatës së Tivarit dhe të Raguzës, duke ndikuar që besimtarët e atyre zonave të shkëputeshin nga riti orthodhoks i Lindjes. Por pavarësisht përpjekjeve pati rezistencë nga popullata dhe kleri, për të qëndruar në ritin orthodhoks të Lindjes. Me rënien e Kostandinopolit nga kryqëzata e IV në 11 prill 1204 ps. Kr. frankët e mbajtën Kostandinopolin në sundimin e tyre për 60 vjet. Në pjesën veriore të Arbërisë në vitin 1236 ps.Kr. u vendosën murgj frankë benediktianë, e pastaj në vitin 1238 ps.Kr. u vendos urdhëri Françeskan në Durrës, me qender Kryepiskopatën e Raguzës, deri në vitin 1402 kur françeskanët e Shqipërisë shpallën kustodi më vete. (Custodia Durracensis).
Kuvendi franceskan ku gjendet edhe sot e kësaj dite në Sebaste – Laç u ndërtua në vitin 1340 ps.Kr. dhe patjetër, në një vend të shenjtëruar dhe mbi mbetjet e një tjetër objekti kulti me një histori të lashtë në nderim të një shejntori Shën Vlash, emrin e të cilit mbante edhe shpella. Kush ka bërë pelegrinazh në kishën e Lacit ose të shën Ndoit (Antonit), pelegrinët nuk mund ta quajnë të plotë pelegrinazhin n.q.s. nuk hyjnë në shpellën që gjendet përballë një faqe mali ku ka qenë qyteti i Sebastes. Brenda shpellës në tavanin e saj është një gjurmë ku njerëzit vendosin kokën e tyre, po ashtu edhe përgjatë rrugës ka gjurmë që besimtarët i nderojnë deri poshtë në këmbët e malit, tek vendi që quhet gjurmët e para. Besimtarët në përgjithësi ia atribuojnë këto gjurmë shën Anoit, por kjo nuk qëndron sepse nuk ka fakte historike dhe nuk ka bazë logjike sepse Antoni i Padovës (1195-1231) pavarësisht famës si shejnt katolik mrekullibërës, nuk ka shkelur në Shqipëri, ai ishte me origjinë nga Lisbona e Portugalisë, u bë murg i rregullit agustinian, por mbasi u njoh me Françeskun e Hazizit (1181-1226 ) u bë pjesë e vëllazërisë franceskane dhe veproi si prift dhe predikues në qytetet e Italisë, deri sa fjeti (vdiq) në 13 qershor 1231 ps.Kr. dhe u varros në Padova të Italisë.
Ajo që na e bën më intriguese historinë janë faktet që na vijnë nga studiuesit dhe klerikët katolikë në lidhje me shenjtorin Shën Vlash peshkopin martir, të cilat provojnë se ai ka asketizuar në shpellën e kishës së Lacit.
Në vitin 1664 ipeshkvi Mark Skura, në një raport që i dërgonte Selisë së Shenjtë, ndër të tjera shkruan: “Atje gjendet shpella e Shën Vlashit martir, i cili qe kapur nga disa burra që thirreshin agrikola, tri milje larg qytezës së Sebastës’’.
Në librin “Famullia e Bizës” P. Viktor Volaj shkruar në vitin 1961 gjejmë këto fakte të shkruara nga autori si famulltar i fundit i famullisë së Bizës, para mbylljes së kishave në Shqipëri në vitin 1967. Por përveç shpellës së Shën Vlashit në fshatin Draç, në Kepin e Rodonit gjenden edhe sot rrënojat e një kishe që njihet si kisha e Shën Vlashit. Ajo ka qenë një kishë e dëgjuar për zonën ku frekuentohesh jo vetëm nga të krishterët por edhe myslimanët, të cilët shkonin për të marrë ndihmë. Në libër citohet edhe ky fakt nga autori, ipeshkvi Skura thotë: “’Se ai ka kishën e Shën Vlashit vendosur në fshatin Drac, ku për shumë vjet pushonte trupi i këtij shenjti’’, pa hime e pa prift e gati e rrënume”. Duket se në këtë gjendje mbeti deri në kohën e imzot Rafael D`Ambrogios, i cili e ndërtoi siç shihet nga ky shkrim: “Në vjetin e Zotit 1869 më 5 maj- Unë Fr Rafaeli, si më nalt bekova soleminish kishëzën kushtue Shën Vlashit Ipeshkëv e Martir, i cili qe ndërtuar në vjetin e lartpërmendur në fshatin e Drraçit të famullisë të Bizës”. Ky fakt që na përmendet në libër tregon, për një rindërtim të kishës së Shën Vlashit në Draç, përmbi atë ekzistuese. Kisha ka qenë shumë më e vjetër sepse sipas traditës kishtare, atje ku ndodheshin lipsanet (eshtrat) e shenjtorëve martirë, ngrihet mbi to një kishë. Këtë na e vërteton edhe fakti më poshtë.
Autori P. Viktor Volaj shkruan se: “Në krahinën e jugut nën kishë gjendet një birucë në trajtë shpelle që e thërrasin ‘’shpella e Shën Vlashit‘’. Aty gjendet edhe një copë koc (lipsan), që thonë se është e shenjtit. Duket se është pjesë e ashtit të kambës dhe krahit, por në kohët e vona e kanë dëmtue. Përmbi këtë çashtje ka shkruajtur një studim të qashtër dhe të rëndësishëm at Shtjefën K.Gjeçovi, me titull “Sebaste në Arbëri apo në Armeni”, tue marrë në shqyrim gjithë ata që kanë shkruajtur në provë kundër kësaj teze. Autori përfundon duke pranue dy shenjtër me të njëjtin emër, Shën Vlashin ipeshkëv e dëshmor, mundue nën Dioklicianin e Sebastes së Arbërisë dhe Shën Vlashin dëshmor të martirizue nga Licini në Sebaste të Kapadocias.
Ky studim merr shkak e mbështetet mbi studimin e P.Urban Talia, mbi Shën Vlashin 1916. Ky autor na thotë se në vitin 1760 ekzistonte në kishën e fshatit Draç shkrimi i shkruar në latinisht: “Hic,iacet,korpus,Beati,Blasii,Episkopi,et Martyrys .’’ (Këtu pushon trupi i të lumit Vlash ipeshk dhe martir). Ështe për t’u shënue se edhe në vulën e Provincës Françeskane Shqiptare, si tregon historian i urdhërit, F.Gonzaga, përbrinjë kryepajtores, Zonjës Nunciat, këndohet edhe emri i shën Vlashit’’. Sidoqoftë tradita nuk është rrespektue aspak se koci (lipsani) gjendet në një skaj të shpellës pa kurrfarë nderimi’’(Shkëputur nga libri “Famullia e Bizës”).
I këtij mendimi është dhe mitropoliti i Korçës Hirësi Joani, i cili thotë: “Por në vendin tonë ekziston një traditë jashtëzakonisht e vjetër dhe shumë e gjallë që një shenjtor, peshkop me emrin Vlash ka jetuar në Sebaste të Arbërisë. Sebastja ndodhet atje ku sot është një kishë Françeskane kushtuar Andonit të Padovës, por shpella që është dhe objekti kryesor i nderimit, sipas përkushtimit dhe besimit popullor gjithmonë i kushtohej Shën Vlashit. Dhe kjo që po themi tani nuk është diçka që e themi vetëm ne këtu në Shqipëri. Ka edhe shumë studiues të tjerë, që mendojnë të njëjtën gjë, që ndoshta mund të kenë jetuar dy shën Vlashë, një shën Vlash që ka qenë martir në Sebaste të Armenisë dhe një shën Vlash tjetër, që ka qenë peshkop dhe martir në Sebaste të Arbërisë”.
Hirësi Joani vazhdon dhe thotë: “Në të gjithë këtë territor duke filluar nga Durrësi e deri në Mirditë ka jashtëzakonisht Kisha kushtuar Shën Vlashit dhe në një territor kaq të vogël të ketë kaq shumë kisha kushtuar këtij shenjti do të thotë që në këtë vend, nderimi, përkushtimi për këtë shenjtor, ishte jashtëzakonisht i madh nëpër shekuj. Çdo studiues që do të shfletojë dokumentat e vjetra, do të shikojë përhapjen e madhe në këtë vend kaq të vogël të kishave të shumta kushtuar këtij shenjti, që është një shenjë që tregon që në ndërgjegjjen e njerëzve dhe në përkushtimin e njerëzve, ky shenjt kishte zënë një vend jashtëzakonisht të madh. Dhe nëse nuk do kishte qenë dikush që do kishte jetuar dhe do kishte lënë një gjurmë nuk mund të ishte përhapur kjo gjurmë kaq gjatë dhe në gjithë këtë zonë. Duke filluar nga Draçi i Bizës që ndodhet në breg të detit, afër Kepit të Rodonit ku tradita thotë që është varrosur për herë të parë Shën Vlashi e bashkur me traditën se në Kroaci, në Dubrovnik, në Raguzën e vjetër, ku ruhet dhe lipsani i Shën Vlashit, thotë se eshtrat u morën pikërisht nga Kisha e Draçit dhe aty është zbuluar një pllakë varri në të cilin thoshin këto fjalë: “Këtu prehet peshkopi martir, Shën Vlash”. Kështu që ka mundësi të kenë qenë dy shën Vlashë, një shën Vlash martir dhe luftëtar në Armeni dhe një peshkop dhe martir në Shqipëri, në zonën e Kurbinit në Laç. Por ajo që duam ne të përmendim është pikërisht kjo gjë, kjo traditë e ngulitur thellë në Shqipëri, në Kroaci, që shën Vlashi ka jetuar këtu nuk mund të ngrihej pa baza. Vendi, shpella, nderimi i madh nga gjithë këto popuj, numri i madh i kishave kushtuar shën Vlashit në këtë territor kaq të ngushtë japin mendimin që është e mundur që të kenë ekzistuar dy shën Vlashë, njëri martir shumë i njohur në Sebaste të Armenisë dhe një tjetër peshkop dhe martir në Sebaste të Arbërisë.” (intervista me mitropolitin e Korçës Hirësi Joanin)
Pra gjithë këto dëshmi të bazuar në fakte historike dhe të traditës, na tregojnë bindshëm se në shpellën e Kishës së Lacit në shek. IV ka asketizuar një peshkop i cili la gjurmët e trupit të tij, përgjatë gjithë rrugës që e keqtrajtonin, që më pas e kanë sjellë në një kodër afër qytetit të (Dyrrahin) Durrësit, ku atje u martirizua, trupi i tij u varros në fashtin (Delaras) Draç dhe më vonë lipsani i tij për të mos u shkatërruar nga hordhit turke, u dërgua nga franceskanët në Raguzë ku ishte edhe qendra e tyre. Lipsanet e shën Vlashit ndodhen edhe sot e kësaj dite në një kishë katedrale me emrin e shenjtorit dhe nderohen nga besimtarët e vendit si mbrojtësi i qytetit të Dubrovnikut.
Por nga të gjitha këto vende të shenjtëruara nga prania e shenjtorit dhe lipsanit të tij , më i rëndësishmi ka qenë vendi i martirizimit ku mbi atë u ndërtua një kishë katedrale që në shek XVI, por ndoshta edhe më shpejt sepse sipas studiuesit Dhori Qiriazi na thuhet: “Kur perandori bizantin Mihal Komneni mori lipsanet e Joan Vladimirit nga Shirgji i solli ato në Durrës dhe eshtrat u ruajtën në manastirin e shën Vlashit deri sa Karl Topia i shpërnguli ato në Elbasan, dhe ngriti për nder të tij manastirin e shën Joan Vladimirit. Në vitin 1831 Karl Topia e ringriti atë tempull dhe e bëri tri herë më të madh. ” (Krishtërimi në Shqipëri, Dhori Qiriazi).
Në këtë manastir deri në vitin 1967 ka qenë edhe guri i cili besohej si pjesë e shtyllës ku u lidh dhe u martirizua shenjtori, guri gjithmonë djersitej dhe njerëzit besimtar i luteshin shenjtorit dhe sillnin njerëz të sëmurë që të shëroheshin. Në atë vend janë bërë shumë mrekulli të dokumentuara dhe në librat e kishës. Manastiri vazhdonte jetën e tij normale gjatë rrjellës shekullore duke qenë vend ngushëllimi. Por në 2 shkurt të vitit 1967 gjimnazistë të shkollës “Naim Frashëri” Durrës, në nismën: “Ti hapim luftë fesë dhe zakoneve prapanike” u turrën në manastirin shekullor të shën Vlashit, i famshëm edhe për gurin e shenjtë, për ta tjetërsuar në qendër kulturore shëndetësore. Populli besimtar reagoi, pati arestime dhe burgime për besimtarët që donin të mbronin manastirin nga kjo turmë esterike e indoktrinuar nga ateizmi komunist. Ky veprim i dhunshëm që filloi më 2 shkurt të vitit 1967 i instrumentalizuar nga Partia Komuniste në pushtet vazhdoi si një reaksion negativ për të prishur objekte të tjera kulti, duke e kthyer Shqipërinë një gërmadhë të shëmtuar pa vlera shpirtërore dhe kulturore, e ngjashme me luginën e “hijes dhe të vdekjes”.
Më vonë si shumë kisha edhe kisha e manastirit të shën Vlashit u rrënua ,ndërtesa e saj u kthye në martenitet dhe në depo. U shpërngulën eshtrat e të vdekurve. Gurin që për shekuj besimtarët gjenin shërim me lutjen e shën Vlashit e shkatërruan e coptuan me varre dhe pastaj e humbën. Manastiri i shën Vlashit ishte i pari objekt kulti që u përdhos dhe mbas tij objekte të tjera kulti të të gjitha feve të cilat u tjetërsuan, në stalla, depo, reparte ushtarake etj. Madje kaq i fiksuar ishte shteti ateist sa me urdhër të Komitetit Qendror, iu ndryshua emri i fshatit nga shën Vlash në Vrin. Banorë të fshatit dëshmojnë se gjatë kohës të ateizmit, vinin fshehtas besimtarë nga Durrësi dhe zona të tjera dhe faleshin fshehurazi duke hapur gropa dhe fshehur qirinjtë që të mos dukeshin. Disa prej tyre që jetojnë, dëshmojnë për shfaqje të shenjtorit që iu jepte zemër dhe shpresë besimtarëve dhe qortonte të pabesët që përdhosnin vendin e shenjtë. Kjo gjendje tragjike dhe absurde zgjati deri në vitin 1996 ku me bekimin dhe fondet e mbledhura nga Fortlumturia e tij Kryepiskop i K.O.A.SH + Anastasi, filloi rindërtimi i kishës dhe i godinave të manastirit që zgjati deri në vitin 2001. Kështu me këtë rindërtim iu kthye nderi dhe lavdia e dikurshme e këtij vendi të shenjtë. Sot manastiri është një oaz, një klinikë shpirtërore, ku përgjatë gjithë vitit dhe sidomos më 11 shkurt ditën në përkujtim të shenjtorit njerëz besimtarë, jo vetëm të krishterë, të lodhur nga rutina e jetës së përditshme, të mbingarkuar nga streset e kohës dhe barrat e mëkatit me sëmundjet e mundimshme, vijnë të paqtohen, qetësohen dhe shërohen nga Hiri i Perëndisë, që buron prej shekujsh në këtë vend të shenjtëruar nga martirizmi i shën Vlashit, episkopit i Sebastes të Arbërisë.