Kë duhet te pyesim për vaksinën dhe terapinë mjekësore ?
Kë duhet te pyesim për
vaksinën dhe terapinë mjekësore ?
Shkrim nga Miron Çako
Shumë persona më pyesin: “A e ke bërë vaksinën?” Madje dikush erdhi afër edhe më pëshpëriti në vesh dhe më tha në konfidencë: “Ti je njeri i Zotit më thuaj një fjalë a duhet ta bëjmë vaksinën?”
Pa hyrë në diskutimin për benefitet apo rreziqet që ka vaksina, sepse unë nuk jam profesionist i kësaj fushe dhe atë mund ta bëjnë vetëm shkencëtarët e mjekët specialist të fushës, të cilët merren me prodhimin e vaksinës dhe luftën kundër virusit,atyre që më pyesin: “A e ke bërë vaksinën?” unë personalisht iu përgjigjem: “Nqs më pyet si katekist ( mësues feje ), vaksina nuk është çështje doktrinale e krishterë prandaj nuk mund të përgjigjem me siguri. Nqs më pyet si individ, për mua vaksina është një çështje personale shëndetësore dhe nuk jam i detyruar t’ja tregoj publikisht çdo njeriu që më pyet e ke bërë apo jo, por vetëm aty ku është e nevojshme”.
Kurse asaj që më pëshpëriti në vesh: “ Se çfarë duhet të bëjmë për vaksinën se ti je njeri i Zotit edhe i di këto gjëra?”, i thash me zë që ta dëgjojnë edhe të tjerët që ishin pranë : "Pyet një mjek një specialist çfarë të thotë dhe nqs nuk je akoma bindur si besimtare që je pyet Zotin dhe do marrësh përgjigje me siguri”.
Duke përshëndetur përpjekjen e madhe shkencore humane për vaksinën, të gjithë e dinë se këto vaksina janë një projekt në bazë eksperimentale të krijuara me emergjencë për të parandaluar ndikimin e një pandemie tek njerëzit, po ashtu dihet se akoma e gjithë bota shkencore, mjeksore nuk janë 100 % dakort për dobinë dhe problematikën që mund të shfaqin këto lloje vaksinash anticovid, ashtu siç kanë rënë dakort unanimisht të gjithë shkencëtarë dhe mjek për vaksinat e tjera si e fruthit, e poliomelitit, etj që u çertifikuan pas shumë vite kërkimesh dhe testimesh tek kafshët dhe njerëzit.
Problemi social që ka krijuar vaksinimi i popullatës është se duke mos qënë të gjithë në një mendje dhe çdokush ka të drejtë të ketë mendime të kundërta aq më shumë kur bëhet fjalë për shëndetin dhe jetën e vet edhe të fëmijve, propaganda e një individi apo grupi pro ose kundra vaksinës po krijon ndarje dhe gjykim midis njerëzve, si në familje ku ka mendime dhe vendime të kundërta dhe kjo ndasi sociale po reflektohet më shumë në shoqëri, diku e heshtur diku i hapur dhe me protesta nëpër rrugë e sheshe nëpër botë. Madje me humor në një meme thuhet se: “Ata që kanë bërë vaksinën presin të vdesin ata që se kanë bërë vaksinën, kurse ata që se kanë bërë presin të vdesin ata që e kanë bërë”.
Mendoj se kjo qasje deri në ndarje dhe përplasje është e gabuar, sepse asnjë individ apo grup nuk duhet t’i imponohet tjetrit sidoemos kur bëhet fjalë për shëndetin dhe jetën individuale.
Të dy grupet janë njerëz që duan ta mbrojnë jetën e tyre dhe të tjetrit, por mënyrat që kanë zgjedhur janë te ndryshme, ca shpresojnë te imuniteti i vaksinës disa tek ai natyral.
Koha do ta tregoj kush ka të drejtë,por e rëmdësishme është të mos e shohin si armik potencial tjetrin.
Kjo armiqësi është në dëm të të gjithëve dhe mqs problemi është global mund të çoj në konflikt dhe dëmtoj gjithë njerëzimin sipas interesit dhe planeve të forcave të errëta antihumane, sepse:" Nqs një shtëpi përçahet ndër veti ajo nuk mund të qëndroj".(Marku 3-25)
Sipas studimeve mjekësore, vaksinimi nuk e ndalon përhapjen e sëmundjes nga i infektuari tek të tjerët thjesht parandalon rastet vdekjes për ata që infektohen, jo gjithmonë. Në këto raste është liria dhe privatësia që vendos se çfarë ti do bësh me jetën tënde. Liria është një nga treguesit e qenies njerëzore, që e dallon nga kafsha, përndryshe imponimi edhe për të mirën e shëndetit kthen atë në një skllav ose një shifër , një statistik.
Liria është një atribut Hyjnor që e tregon njeriun të krijuar si ikonë e Perëndisë ( Zanafilla 1-26 ), prandaj liria është baraz me jetën dhe duhet respektuar si në familje dhe shoqëri njerëzore, përndryshe çdo imponim që bëj këtë që të kesh liri të hash e të pish dhe jetosh normalisht ndryshe je i izoluar nga jeta qytetare, këtu pastaj kemi një diktaturë globaliste që ne të krishterëve me të drejtë na kujton diktaturën e antikrishtit profetizuar në Zbulesë: “ Veç kësaj bëri që të gjithëve, të vegjël e të mëdhenj, dhe të pasur dhe të varfër, dhe të lirë dhe skllevër, t’u vihet një damkë mbi dorën e tyre të djathtë ose mbi ballin e tyre,dhe që askush të mos mund të blinte ose të shiste, po të mos kishte damkën ose emrin e bishës ose numrin e emrit të saj. (Zbulesa 1 -16)
Liria është tek Perëndia, prandaj kur privimi i lirisë për të zgjedhur pro ose kundra vaksinimit futet edhe në ambiente fetare, mendoj se preçedenti është më i madh, sepse Zoti Krijuesi që e predikojnë fetë monoteiste e respekton 100 % lirinë e njerëzve dhe Ai lejon që njerëzit të shkojnë drejt Tij me liri ai sipas besimit, të bashkuar, pavarësisht, dallimeve, gjinore, racore, gjuhësore, politike, kombëtare aq më shumë në lidhje me problemet shëndentësore
Zoti Jisu Krishti nuk i ndan njerëzit, por të gjithë i fton: ”Ejani tek unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t`ju jap çlodhje. (Matheu 11:28).
Tek Krishti vinin të gjithë njerëzit e sëmurë dhe ai nuk i përzinte apo të kishe ndot dhe frikë nga sëmundjet e tyre, ashtu si na njoftojnë ungjillorët : " Duke qënë se ai kishte shëruar shumë veta , të gjithë,që kishin sëmundje, dyndeshin rreth tij që ta preknin."(Marku 3-10)(Luka 6-19)
Zoti Jisu Krisht nuk mënjanoj nga vetja as lebrozët e pa shpresë për shërim që për shoqërinë judaike dhe Ligjin Mozaik konsideroheshin jo vetëm të ndarë dhe të mallkuar nga Perandia por një rezik i madh infektimi për popullatën, Ai i preku i shëroj dhe i integroj në shoqëri njësoj me të tjerët. (Mateu 8 :1-4)( Lukai 5 :12-16) (Luka 17 :11-19)
Të gjithë njerëzit të sëmurë dhe të shëndoshë fizikisht së bashku kanë nevojë të shkojnë pa frikë tek Zoti Krisht "Mjeku i Madh", sepse të gjithë kanë sëmundjen e përbashkët, mëkatin, që është shkaku i sëmundjeve dhe fakqësive personale, kolektive dhe globale, ashtu si na thotë edhe një atë i madh i kishës: "Të gjithë të mos kemi frikë nga sëmundja e jashtme, por nga mëkatet, për shkak të të cilave fillon sëmundja. Dhe të kemi frikë nga sëmundja e shpirtit jo e trupit”(Shën Klemendi i Aleksandrisë)
Kjo është arsyeja pse Zoti Jisu Krisht i tha të paralizuarit para se ta shëronte nga paraliza: "Bir të janë falur mëkatet”, pastaj i tha: "Ngrihu, merr shtratin tënd edhe ec".(Marku 2:5;11)
Krishtërimi kurrë nuk ka qënë kundër shkencës, sidoemos asaj mjekësore, për barna, terapi në interes të shërimit të pacientit, por nuk e promovon dhe i bën reklamë atyre barnave ose terapive mjeksore sikur janë të sajat. Krishtërimi orthodhoks mban një qëndrim të ballancuar të problemit, dmth as e nënvlerëson as e mbivlerëson mjekësinë dhe rolin e mjekut ashtu siç na thotë Urtësia e Sirakut në Bibël: “Nderoje mjekun sikurse i takon, sespe edhe atë e ka krijuar Zoti...Ka raste kur shërimi është në dorë të tyre. Por edhe ata i luten Zotit që ti drejtojë në njohjen e të vërtetës e ta shpejtojë shërimin. Kush mëkaton para Krijuesit të vetë rëntë në dorë të mjekut" ( Siracidi 38-1-13-15)
Me këtë urtësi biblike ilaçet dhe mjekimi i mjekut kur bëjnë vërtet mirë quhen dhurata të Perëndisë.
Kisha Trupi i Krishtit, institucioni i Shpirtit të Shenjtë, mban dhe predikon të pagabueshme vetëm fjalën dhe fuqinë e Zotit, që vijnë prej së larti nga Ati i dritave. (Jakovi 1-15).
Fjala e Zotit u jepet njerëzve nëpërmjet Ungjillit, Doktrinës, Kanoneve kishtare dhe mësimet e Shenjtorëve. Gjithashtu fuqia e Zotit të mishëruar ( Joani 1-14) u jepet besimtarëve me Misteret e Shenjta edhe për shërimin e sëmundjeve Kisha Orthodhokse kryen Misteri i Efqelisë, ashtu siç apostull Jakovi (vëlla i Zotit) këshillon në letrën e tij: "A është i sëmurë ndonjë nga ju? Le të thërrasë pleqtë e kishës dhe ata të luten përmbi të dhe le ta lyejnë me vaj në emër të Zotit dhe lutja e besimit do ta shpëtojë të sëmurin dhe Zoti do ta mëkëmbë; dhe nëse ka bërë mëkate, ato do t’i falen.( Jakovi 5-14-15)
Mistereve i mistereve është Kungata Hyjnore që quhet edhe: "Ilaçi i pavdeksisë dhe antidot ndaj vdekje" (Shën Ignati hyjmbajtësi) dhe kur besimtari e merr me frikë, besë dhe dashuri, ai brenda shpirtit dhe trupit të tij merr vetë Krishtin që ka thënë: ''Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them se, po të mos hani mishin e Birit të njeriut dhe të mos pini gjakun e tij, nuk keni jetën në veten tuaj. Kush ha mishin tim dhe pi gjakun tim, ka jetë të përjetshme, dhe unë do ta ringjall atë në ditën e fundit.Sepse mishi im është me të vërtetë ushqim dhe gjaku im është me të vërtetë pije.Kush ha mishin tim dhe pi gjakun tim, mbetet në mua dhe unë në të.Sikurse Ati i gjallë më ka dërguar dhe unë jetoj për shkak të Atit, ashtu edhe ai që më ha mua do të jetojë edhe ai për shkakun tim."(Joani 54-57)
Kurse Shën Grigor Theologu na shkruan për Kungimin: "Kur marrin Trupin dhe Gjakun e tërëshenjtë të Zotit tonë denjësisht, atëherë Kungata bëhet armë për të gjithë sa luftojnë. Dhe rikthim për të gjithë sa janë larguar prej Perëndisë. Forcon të sëmurët, ngazëllon të shëndoshët, shëron të sëmurët, ruan shëndetin."
Kungatën Hyjnore ne të krishterët orthodhoks e quajmë pa asnjë rezervë "Vaksina" që na mbron dhe na shëron nga mëkati edhe sëmundjet e shpirtit edhe trupit, çfarë do qofshin ato.
Ndryshe nga misteret Kishës që janë hyjnore dhe jetësore të pavaruara nga padenjësitë dhe dobësitë njerëzore, shkenca e mjekësisë është përpjekje njerëzore për të përdorur materien për të shëruar materien dhe duke pasur primar elementin njerëzor të papërsosur në dituri dhe moral mund të mos jetë efikase në kurimin përfundimtar të sëmundjes, ose nga egoizmi, lakmia mëkatare e mjekut mund të përdori terapi mjeksore jo etike që nuk e shikojnë e trajtojnë njeriun në dinjitetin si ikona e Perëndisë shpirt-trup, por vetëm mish ose më keq si një kavje dhe kështu mund të abuzojnë në dëm të pacientëve duke bërë krime kundër njerëzimit.
Kisha Orthodhokse ka një debat të hapur dhe kritik etik me disa arritje të mjekësisë në kohët moderne, që bien ndesh me doktrinën dhe etikën e krishterë për jetën njerëzore, si momenti i vdekjes të njeriut: "Kur mund të quhet i vdekur, kur ndalon truri apo zemra? Ndërhyrja në procesin normal të riprodhimit si shtatzania in vitro që përdor nëna surrogate ose vret embrionet që nuk përdoren, momenti i fillimit i konceptimit të jetës njerëzore dhe aborti që për Kishën konsiderohet vrasje në çdo stad të embrionit, kërkesa për eutanazinë e një qenieje njerëzore që vuan, që për etikën e krishterë jeta është dhuratë e Zotit dhe askush nuk mund t'ja heq vetes apo të tjerëve, ndërhyrja në gjenetikën e njeriut dhe krijimi i njerëzve “sipas porosisë”, kërkimet dhe eksperimentet tek njeriu dhe veçanërisht në fetusin e tij dhe qelizat staminale që merren nga fetusi i abortuar për studim ose prodhim të ilaçeve, vaksinave ashtu siç janë përfolur edhe disa nga vaksinat anticovid që janë sot në treg, përfitimet monetare në transplantin e organeve si një tregi antihumane, ose mjekësia alternative, ku futen hipnoza dhe rituale okulte, këto janë janë çështje, të cilat Kisha Orthohokse i ka trajtuar gjerësisht, duke kontribuar me Etikën e Krishterë në dialogun shkencor në tërësi që shkenca t'i shërbejë njeriut si “ikona e Perëndisë” (Zbulesa 1-26) dhe jo njeriu shkencës sikur është kavje dhe shkenca dhe teknologjia të bëhet një bumerang për njerëzimin.
Prandaj Krishti urtësia dhe fuqia e Perëndisë, që të mos ngatërrohet fuqia shëruese e Zotit me përpjekjen njerëzore të mjekëve, që mund të dështojë, gabojë ose abuzojë nga padituria dhe ligësia njerëzore, kur i dërgoi apostujt peshkatarë dy e nga dy të shëronin popullin nuk i dha me vete një çantë me barna, por ju tha: “Pastaj Jisui i thirri të dymbëdhjetë dishepujt e tij rreth vetes dhe u dha autoritet t'i dëbojnë frymërat e ndyra, dhe të shërojnë çdo sëmundje e çdo lëngatë".(Matheu 10-1)
Këtë mision apostolik kanë edhe sot të dërguarit e Zotit si klerik dhe laik që t’i çojnë besimtarët tek Krishti dhe tek terapia e Kishës Apostolike për shenjtërimin shpirti dhe trupi dhe shërimin e sëmundjeve shpirtërore dhe trupore, por asnjëherë duke e përbuzur shkencën e mjekësinë apo mjekun dhe barnat si të panevojshme dhe të mallkuara, sepse ky është një qëndrim i gabuar, mashtrim i nxitur nga egoizmi fetar dhe ky nuk është një qëndrim orthodhoks, ashtu si na thotë Shën Porfiri shenjtor i kohëve tona .
Kur e pyetën dikur jerondin e lumur Porfirio, se për çfarë arsye shumë murgj dhe klerikë nuk shkojnë tek mjeku, por presin që dhimbjen ose sëmundjen e tyre ta shërojë e Tërëshenjta? Ai u përgjigj kështu: “Ky është egoizëm, mashtrim, të mendosh se Zoti do të bëjë mrekulli ekskluzivisht mbi ta, është një egoizëm. Duhet që të shkojmë tek mjekët, por me shpresën dhe besimin tek Perëndia, kjo tregohet edhe nga jeta e shenjtorëve të Kishës, dhe referojmë rastin e Apostullit Pavlo, i cili si mjek kishte nxënësin e tij Ungjillorin Lluka, por edhe rastin e një prej shenjtorëve më të mëdhenj të kohëve të fundit, shën Nektarit, i cili vdiq brenda spitalit Areteio nën kujdesin e mjekëve dhe infermierëve.”
Prandaj personalisht theksoj se vaksina është një zgjedhje personale dhe askush nuk duhet të gjykoj tjetrin për zgjedhjen e tij sidomos mes besimtarëve,ashtu si na mëson Apstull Pavli :"Ai që ha të mos përbuz atë që nuk ha dhe ai që nuk ha të mos gjykoj atë që nuk ha " (Romaeve 14-3), ky parim mund jetë i njëjtë me problemin në fjalë.
Besimtari që kërkon të bëjë apo jo vaksinën dhe çdo terapi mjekësore duhet të pyesi në fillim mjekun specialist për faktin nëse duhet ta bëjë apo jo në liri të plotë, pa imponim psikologjik, fizik, administrativ dhe nqs ka dyshime për etikën e terapisë apo për ndikimin shpirtëror të mjekimit duhet të pyesi atin rrëfyes, që përfaqëson Kishën Apostolike dhe ai duhet t'i japë përgjigjen e duhur jo sipas mendjes së tij, por sipas Etikës së krishtere,Kanoneve kishtare dhe mësimit të shenjtorëve që përbëjnë ndërgjegjen kishtare.
Mbi të gjitha besimtari në fillim para se të shkojë te mjeku edhe tek prifti për përgjigje dhe vendimet duhet t’i lutet Zotit që është i pagabueshëm, sepse në Bibël është shkruar: “Por në qoftë se ndonjërit nga ju i mungon urtia, le të kërkojë nga Perëndia, që u jep të gjithëve pa kursim, pa qortuar, dhe atij do t’i jepet. Por le ta kërkojë me besim, pa dyshuar, sepse ai që dyshon i ngjan valës së detit, të cilën e ngre dhe e përplas era. Dhe ky njeri të mos pandehë se do të marrë diçka nga Zoti, sepse është një njeri me dy mendje, i paqëndrueshëm në gjithë rrugët e veta.(Jakovi 1-5-7)