Shën Ekaterina një nga vajzat më të zgjuara dhe të bukura të botës antike që përfundoi si martire e krishterë. Nga Miron Çako
Të nderuar miq edhe të dashur motra dhe vëllezër në Krishtin.
Në 25 Nëntor Kisha Orthodhokse kujton dhe feston dëshmoren e madhe Shën Ekaterina.
Ajo lindi në shekullin e tretë mbas Krishtit dhe ishte e bija e perandorit, të ndjerit Kostand. Atëhere ishte perandori pagan Maksent (305-313).
Dorotheja, kështu quhej para pagëzimit, ishte një krijesë me një bukuri ëngjëllore dhe të pakrahasueshme. Ajo u edukua me kulturën greke dhe njohu Homerin, Virgjilin, Aristotelin dhe Platonin. Studioi dhe librat e shkencës mjeksore të Hesklipit dhe Ipokratit. Mësoi dhe retorikën.
Të gjithë në Aleksandri admironin urtësinë dhe bukurinë e saj. Rrallë që këto veti janë të dyja të kombinuara në një vajzë. Shumë njerëz të pasur kërkonin të martoheshin me atë. Nëna e saj ishte një e krishterë e fshehtë përshkak të përndjekjes që kishte filluar kundër të krishterëve nga perandor Maksimiliani.
Nëna dhe të afërmit e saj e këshillonin të martohej që të mos kalonte mbretëria e të atit në dorën e ndonjë të huaji, por Katerina me gjithë pasuritë dëshironte të rronte e virgjër dhe t’i kushtohej filozofisë dhe shkencës.
Kur njerëzit e familjes e shqetësonin për martesë u tha: “Gjeni një të ri që të ketë lavdi, pasuri, bukuri dhe urtësi, sepse nuk pranoj të marrë një më të ulët se veten.”
Nëna e saj kishte një at shpirtëror i cili asketizonte fshehtas jashtë qytetit. Ajo mori vajzën dhe shkuan të këshilloheshin me asketin.
Asketi dëgjoi fjalët e saj të urta dhe pretendimin për një dhëndër të përsosur. Asketi i urtë mendoi ta tërhiqte në besimin e Krishtit dhe i tha: “Njoh një njeri të mrekullueshëm që të kalon ty në të gjitha dhuntitë që ke. Bukuria e tij mund në shkëlqim diellin, urtësia e tij sundon gjithësinë, pasuria e tij shpërndahet në të gjithë botën. Mirësjellja e tij dhe prejardhja është e pakrahasueshme. Katerina mendoi se ai i thoshte për një person të shquar të kësaj bote dhe pyeti: “I biri i kujt është që ka kaq shumë cilësi të mira?” Jerondi iu përgjigj: "Ky i ri nuk ka at në këtë botë, Ai lindi në mënyrë të përmbinatyrshme nga një virgjëreshë e Tërëshenjtë dhe shumë e sjellshme, e cila u vlerësua nga tërëshenjtëria e saj të mbetet e pavdekshme në shpirt e në trup. U ngjit në qiell, lutet për të gjithë dhe është Mbretëresha e qiellit dhe e dheut."
Katerina nuk duronte dot nga dëshira për të parë këtë të ri dhe i tha asketit: “A është e mundur ta shikoj këtë të ri për të cilin tregon kaq gjëra të mrekullueshme.” - "Në qoftë se bën, çfarë do të them do të bëhesh e denjë të shohësh fytyrën e tij të shumëndritshme" i tha asketi.
Asketi i dha një ikonë të Zonjës Shën Mari dhe i tha: “Kjo është Gjithmonë e Virgjëra, Nëna e tij. Merre këtë ikonë dhe pasi ta mbyllësh derën tënde bëj lutje për të gjithë natën. Lutju me besim nënës së tij, e cila quhet Mari që të tregoj Birin e saj, ashtu siç e dëshiron zemra jote."
Katerina u mrekullua nga fjalët e asketit mori ikonën dhe shkoi në pallatin mbretëror. Gjithë natën u mbyll në dhomën e saj dhe lutej me përgjërim. Nga lodhja fjeti.
Atëherë shikon në një vegim të Tërëshenjtën Mari dhe Foshnjen Hyjnore. E pakrahasueshme qe bukuria dhe lavdia e tyre. Ndritnin më shumë se dielli. Krishti kishte kthyer fytyrën e tij drejt të ëmës. Atëherë ajo dëgjoi Zonjën Shën Marinë më zë të ëmbël që i thotë: "Shiko Biri im shërbëtoren tënde sa e bukur dhe e mirë është."Fëmija hyjnor iu përgjigj: “Është e errët dhe e shëmtuar” Shën Maria i thotë përsëri: "A nuk është më e urtë nga gjithë oratorët e pasur dhe e sjellshme"-. “Nëna ime, ajo është e paditur dhe e varfër dhe nuk mund ta shikoj fytyrën time.” -" Të lutem Biri im i dashur, mos e përbuz krijesën tënde, por jepi mundësinë të shikoj lavdinë tënde dhe fytyrën tënde që dëshirojnë ëngjëjt ta shikojnë". “Le të shkojë tek prifti që i dha ikonën, le të bëj gjithçka që ta këshilloj ai, atëhere do të më shikoj.”
Në mëngjes ajo shkoi tek asketi dhe i tregoi vegimin dhe i kërkoi këshillën e tij. Oshënari i foli për misterin e mrekullueshëm të besimit orthodhoks, i foli për bukuritë e pakrahasueshme të parajsës, i tregoi për Birin e Perëndisë dhe Birin e Virgjëreshës Shpëtimtarin e botës , Zotin Jisu Krisht.
Madje asketi profetizoi duke i thënë: "Në këtë orë të fton Perëndia të bëhesh fener i ndritshëm në Kishën e Tij Apostolike, që shumë shpirtra të tjerë do të gjejnë rrugën e shpëtimit nga rrezatimi yt. Nga rruga e përulësisë do të udhëhiqesh nga pallatet qiellore kur qëndron me lavdi Dhëndëri i shpirtrave, Zoti Jisu Krisht"
Katerina besoi me gjithë zemrën e saj dhe tha: "I bekuar është Zoti i të krishterëve. Dua të bëhem e krishterë. Të ndjek Jisu Krishtin, të luftojë për mbretërinë e tij". Dhe atë çast ajo pranoi pagëzimin. Dhe nga emri Dorethe (dhuratë e Perëndisë) që quhej para se të pagëzohej, e mori emrin Ekaterina, që do të thotë “ tri kurora”.
Ndërsa Shën Ekaterina nxorri njeriu e vjetër dhe veshi njeriun e ri sipas hirit të Krishtit, shkoi në pallat dhe gjithë natën lutej pa ngrënë dhe me lot, derisa e zuri gjumi.
Atëherë pa në vegim Zonjën Shën Marinë dhe foshnjen hyjnore që e shikonte Shën Ekaterinën me shumë mirësi. Nëna e Zotit e pyeti Krishtin nëse ishte e pëlqyeshme vajza. Zoti Krisht iu përgjigj: "Tani u bë e lavdishme dhe e pasur dhe me shumë urtësi dhe kaq dhunti sa që meriton të bëhet nusja ime e përjetshme".
Atëhere Shën Katerina ra përmbys me lot duke thënë: "Nuk jam e denjë o Zot i shumëlavdishëm të vij në Mbretërinë Tënde Qiellore, por më bëj të denjë që të bashkërenditem me shërbëtorët e tu".
Zonja Shën Mari mori dorën e djathtë të vajzës dhe tha: "Jepi Biri im unazën e fejesës dhe bëje të denjë të hyjë e lavdishme në mbretërinë tënde, atëhere Zoti i dha një unazë të bukur duke i thënë: "Që sot do të jesh nusja ime e përjetshme, do të jesh afër meje, feneri i ndritshëm që do të udhëheqësh shpirtra të pavdekshëm dhe të çmuar në mbretërinë Time të përjetshme".
Që nga ai çast Ekaterina iu kushtua si nuse Dhëndërit qiellor dhe u mbush me dashuri zemra e saj për të emblin Dhëndrin Krisht.
Dashuria e saj për Zotin Jisu Krishtin u provua me martirizim.
Ajo qëndroi besnike gjatë gjithë torturave,si rrahje, burgim,tortura e rrotës me thika, derisa e dha shpirtin e saj të dlirë me prerje koke.
Engjëjt e morën trupin e saj dhe me himne engjëllore e dërguan në majën më të lartë të malit Sina, vendin ku zbriti Zoti për të folur me Mojsiun. (Eksodi 19 1—20)
Lipsani i Shën Katerinës qëndroi i paprishur atje për shumë shekuj pavarsisht se ishte i ekspozuar në natyrë.
Më vonë lipsani i saj u gjend nga murgjit në shekullin e VII të cilët e gjetën sepse shikonin një dritë në majën e malit, pastaj me nderim u vendos në Manastirin e Sinait (Ferra e shenjtë) i ndërtuar në kohën e Justinianit shekulli i VI. Ky manastir në fillim iu kushtua Vigjëreshës Zonjës Shën Mari, sepse atje është vendi ku Profeti Mojsiu pa ferën që ishte e mbuluar me flakë dhe nuk digjej dhe i foli zëri Hyjnor (Eksodi 1-5). Ky vegim ishte ikonë që paratregonte Tërëshenjtës Virgjëreshën Zonjën Shën Mari që mbajti zjarrin hyjnor, Fjalën dhe Birin e Perëndisë në gjirin e saj edhe nuk u dogj. Për nder të shenjtores manastiri nga pelegrinët quhet sot Manastiri i Shën Ekaterinës.
Nga lipsani i Shën e Katerinës buron miro aromatike. Lipsani i shenjtores ruhet i paprishur në Manastirin e Sinait. Në këtë manastir ruhet edhe dora e paprishur e shenjtores me unazën në gisht që e mori nga Zoti Jisu Krishti . Njerëzit nga e gjithë bota e nderojnë me çudi këtë mrekulli.
Një gisht i shenjtores ndodhet në koleksionin e Pallatit të Bankingham në Londër. Pjesë të tij ndodhen dhe në Nea Liosia, në Manastir në Qipro dhe në Lavrën e shën Aleksandër Nevski në Shën Petersburg.
Shën Ekaterina, kjo dëshmore e madhe e cila zbukurohet me një bukuri të përjetshme si nuse e Krishtit me tri kurora, si ajo e virgjërisë, urtësisë dhe e martirizimit, duhet të jetë shëmbull dhe frymëzim për çdo besimtar dhe veçanërisht për vajzat e reja që dëshirojnë me zjarr të gjejnë dhëndrin e tyre të dashur dhe të veçantë.
Në jetën e Shën Ekaterinës mësuam se Dhëndrri i shpirtit njerëzor është Zoti Jisu Krisht, Biri i Perëndisë dhe Biri i Virgjëreshës, i cili nëpërmjet pagëzimit pastroi njeriu nga çdo lloj mëkati dhe e shenjtëron, i rikthen virgjërinë shpirtërore, e zbukuron me Hirin e Shpirtit të Shenjtë dhe nëpërmjet Misterit të Mirosjes, e urtëson me dijen Hyjnore, e bën të ngjashëm me veten, e bën "nuse" të Tij duke u bashkuar në dhomën nusërore në misterin e Kungatës Hyjnore.
Me anë të kësaj martese shpirtërore njeriu bëhet perëndi sipas Hirit, ashtu siç është Krishti Perëndi sipas natyrës.
Këtë Dhëndër duhet të kërkojë çdo i ri dhe e re dhe çdo shpirt njerëzor dhe në qoftë se nuk duron dot të rri vetëm me Krishtin duke bërë jetë murgjërore, ashtu siç janë edhe engjëjt, le t’i lutet Zotit për martesën e bekuar, ku vetë Zoti do t’i afrojë me anë të misterit të Martesës një gjymtyrë të trupi të tij, domethënë një besimtar, ose besimtare orthodhokse dhe kështu përsëri do të jenë bashkë me Krishtin në një martesë të përjetshme.
Por ashtu si dhe Shën Ekaterina u provua në besnikërinë e saj, edhe ne do të provohemi në besnikërinë tonë ndaj Zotit dhe nuk duhet ta tradhëtojmë Krishtin duke kurvëruar me frymën e botës dhe me djallin .Apostull Jakovi thotë: "O shkelës dhe shkelës të kurorës, a nuk e dinë se miqësia me botën është armiqësi me Perëndin?.Ai pra që do të bëhet mik me botēn, bëhet armik i Perëndisë.Apo pandehni se Shkrimi thotë kot :" Fryma që rri në ne a lakmon deri në smirë"?( Jakovi 4 : 4- 5)
Po ashtu kur orthodhoksët bashkohen me njeriun e pabesë, ateist, eretik, eterodoks në një mardhënie jashtë martesore, ose kur bien në tradhëti bashkëshortore, në dyja raste kemi mëkatin e vdekshëm të kurvëris që na ndan nga Krishti dhe Kisha trupi i Krishtit.
Shën Pavli thotë: “A nuk e dini se trupat tuaja janë gjymtyrë të Krishtit, të marrë unë pra gjymtyrët e Krishtit dhe t’i bëj ato gjymyrë prostitute, qoftë larg! A nuk e dini ju se ai që bashkohet me të përdalën është një trup me të? Sepse do të jenë thotë të dy një mish. Por Ai që bashkohet me Zotin është një shpirt me atë.
Largohuni nga kurvëria! Çdo mëkat që bën njeriu është jashtë trupit, por ai që bën kurvëri mëkaton në trupin e vetë. Apo nuk e dini se trupi juaj është tempulli i Shpirtit të Shenjtë që rri në ju, të cilin e keni nga Perëndia dhe nuk jeni të vetvetes. Sepse u bletë me çmim. Lavdëroni Perëndinë me trupin tuaj dhe me shpirtin tuaj që janë të Perëndisë. Amin!
Le të bëjmë kujdes të qëmdrojmë besnik deri në fund Dhëmdrit qiellor që pasi të kalojmë provëm e besnikërisē në fejesēn shpirtërore në këtë botë të përkoshme që mbas kësaj jete të gjemdemi të denjë për martesën e përjetëshme me Zotin Jisu Krisht në qiell. Amin.
Për shumë vjet Shën Ekaterinën dhe në mënyrë të veçantë ato që festojnë emrin e saj.