FALENDERONI ZOTIN SE ËSHTË I MIRË ALILUIA. SE PËRDËLLIMI I ATIJ MBETET PËR GJITHË JETËN, ALILUIA.
Njeriu i vlerëson gjërat më shumë kur i humbet, sepse më përpara ai i merr si të mirqëna ato. Kështu p.sh. edhe ne e vlerësuam shëndetin, lirinë, festat por edhe kishërimin në kishë kur i humbëm ose i kushtëzuam sidomos nga situata e pazakontë që kaploi botën si një vello e zezë, ankthi sëmundje, vdekje me shfaqen e papritur të corona-viruis 2019 që unë personalisht e quaj “djall-virus”.
Edhe pse ky term mund të tingëlloj si i ashpër dhe jo shkencor, përsëri ky emërtim nuk del jashtë konteksit dhe konceptit teologjik që ka krishterimi orthodhoks mbi sëmundjen dhe vdekjen që na vijnë nga mëkati fillestar (Zanafilla 3 :6-7) dhe prej mëkateve tona dhe kur shkaku i mëkatit është djalli (Zanafilla 3:1-5).
Nëse njeriu nuk do kishte mëkatuar nuk do kishte as sëmundje dhe as shkaqe sëmundjesh, madje nuk do të kishte as vdekje.
“Prandaj u shfaq biri i Perëndisë që të prishë punët e djallit”(Joani 1: 3-8).
“Në Jisu Krishtin, ndjesa e mëkateve, shërimi i trupit, shkatërrimi i djallit dhe ngjallja e të vdekurve, janë një dhe i njëjti akt shpëtimi” (At Tomas Hopko).
Këto arritje të mëdha të Krishtit na i tregon në mënyrë katekizuese, me lexime, tropare, ikona, inskenime, Kisha Orthodhokse sidomos me shërbesat e Javës së Madhe dhe vetë dita e Pashkës Orthodhokse.
Shkurtimsht nëpërmjet tyre na thuhet si Biri dhe Fjala e Perëndisë u bë njeri si ne përveç mëkatit, i lindur prej Shpirtit të Tërëshenjtë dhe Virgjëreshës Mari, Jisu Krishti, "Dhëndri i Kishës" erdhi tek të vetët (Joani 1 -11) dhe mori mbi vete sëmundjen dhe vetë vdekjen tonë: “ai e përuli veten e u bë i bindur deri në vdekje, madje me vdekje në kryq” (Filipianët 2-8) dhe vdiq vullnetarisht si “Qengji i Perëndisë që shlyen mëkatet e botës” (Joani 1-29) "dhe u ngjall të tretën ditë sipas shkrimeve" (Simboli i Besimit) që të shpengojë, ti çlirojë ata që do ti besojnë atij nga mëkatet, sëmundja dhe vetë vdekja, ashtu si shkruhet nga apostulli i kombeve Shën Pavli : “Vdekja u përpi në fitore” “O vdekje, ku është gjëmba jote? O ferr, ku është fitorja jote? Edhe gjëmba e vdekjes është mëkati; dhe fuqia e mëkatit është ligji. Por ta falenderojmë Perëndinë që na jep fitoren me anë të Zotit tonë Jisu Krisht” (I Korintasve 15:54-57).
Kjo ngjallje në Krishtin ndodh në fillim tek besimtarët në ngjalljen shpirtërore nëpërmjet misterit të pagëzimit, ashtu si na i interpreton përsëri apostull Pavli: “Po a nuk e dini se ne të gjithë që u pagëzuam në Jisu Krishtin, u pagëzuam në vdekjen e tij? Ne, pra, u varrosëm me të me anë të pagëzimit në vdekje, që, ashtu si Krishti u ringjall prej së vdekurish me anë të lavdisë së Atit, kështu edhe ne gjithashtu të ecim në risinë e jetës. Sepse, nëse u bashkuam me Krishtin në një vdekje të ngjashme me të tijën, do të jemi pjesë edhe e ringjalljes së tij, duke ditur këtë: se njeriu ynë i vjetër u kryqëzua me të, që trupi i mëkatit mund të jetë anuluar dhe që ne të mos i shërbejmë më mëkatit. Në fakt, ai që ka vdekur është shfajësuar nga mëkati.Tani nëse vdiqëm me Krishtin, ne besojmë gjithashtu që do të jetojmë me të, duke ditur se Krishti, që u ringjall prej së vdekurish, nuk vdes më; vdekja s’ka më pushtet mbi të. Sepse në atë që vdiq, vdiq për mëkatin një herë e për gjithmonë; por në atë që rron, rron për Perëndinë. Kështu edhe ju, konsideroheni veten të vdekur për mëkatin, por të gjallë për Perëndinë, në Jisu Krishtin, Zotin tonë. Le të mos mbretërojë, pra, mëkati në trupin tuaj të vdekshëm, që t’i bindeni atij në epshet e veta. As mos i jepni gjymtyrët tuaja në shërbim të mëkatit si mjete paudhësie, por tregoni veten tuaj te Perëndia, si të gjallë prej së vdekurish, dhe gjymtyrët tuaja si mjete drejtësie për Perëndinë.(Roamkët 6:3-13)
Kjo është ngjallja e parë dhe: “I lum dhe i shenjtë është ai që ka pjesë në ngjalljen e parë! Mbi ta vdekja e dytë s'ka pushtet”. (Zbulesa: 20-6)
Shën Simeon Teologu i Ri na thotë: “Le ta shikojmë me kujdes misterin e ngjalljes së Krishtit dhe Perëndisë tonë, i cili ndodh mistikërisht në të gjithë kohërat nëse dëshirojmë, pasi është varrosur brenda nesh si në varr, bashkohet me shpirtrat tanë dhe na ngjall edhe ne bashkë me veten e Tij”.
“Kështu për ata që jetojnë me besim dhe afrojnë veten e tyre vullnetarisht në vullnetin dhe dashurinë e Perëndisë, ngjallja bëhet një realitet i përditshëm”. (Protopresviter Alkivialli Kaliva)
Ngjallja e Krishtit nuk e ka hequr akoma ralitetin e vdekjes, por zbuloi dobësinë e saj (Hebrejnve 2-14 15), njerëzit vazhdojnë të vdesin fizikisht si pasojë e rënies, Perëndia lejon vdekjen që të egzistojë, por e kthen kundër prishjes edhe mëkatit dhe i vendos kufinjt si prishjes, vdekjes dhe mëkatit” (Panajot Nela)
Por presim edhe ngjalljen e dytë, atë të trupit, ashtu si apostulli na shkruan : “Por tashti Krishti u ringjall prej së vdekurish, dhe është fryti i parë i atyre që kanë fjetur. Sepse, ashtu si erdhi vdekja me anë të një njeriu, kështu erdhi dhe ringjallja e të vdekurve me anë të një njeriu. Sepse, ashtu sikur të gjithë vdesin në Adamin, kështu të gjithë do të ngjallën në Krishtin, por secili sipas radhës së vet: Krishti, fryti i parë, pastaj ata që janë të Krishtit, në ardhjen e tij. Pastaj do të vijë fundi, kur ai t'ia dorëzojë mbretërinë Perëndisë Atë, pasi të ketë asgjësuar çfarëdo sundimi, çdo pushtet e fuqi. Sepse duhet që ai të mbretërojë, derisa t'i vërë të gjithë armiqtë e tij nën këmbët e veta. Armiku i fundit që do të shkatërrohet është vdekja.(I Korintasve 15:19-26)
Dhe po e njëjta e vërtet eskatologjike na tregohet edhe tek Zbulesa:“Pastaj pashë një fron të madh të bardhë dhe atë që ulej mbi të, nga prania e të cilit iku dheu dhe qielli, dhe nuk u gjet vënd për ata. Dhe pashë të vdekurit, të mëdhenj e të vegjël, që rrinin në këmbë përpara Perëndisë, edhe librat u hapën; dhe u hap një libër tjetër, që është libri i jetës; dhe të vdekurit u gjykuan në bazë të gjërave të shkruara në libra, sipas veprave të tyre. Dhe deti i dorëzoi të vdekurit që ishin në të, dhe vdekja dhe Hadesi dorëzuan të vdekurit që ishin në ta; dhe ata u gjykuan secili sipas veprave të veta. Pastaj vdekja dhe Hadesi u flakën në liqenin e zjarrit. Kjo është vdekja e dytë. Dhe, nëse ndokush nuk u gjet i shkruar në librin e jetës, u flak në liqenin e zjarrit. (Zbulesa 20 ;11-15)
Në Shërbesat e Kishës Katholike Apostolike ne orthodhoksët jo vetëm kujtojmë por i përjetojmë ngjarjet dhe veprën e shpëtimit të Zotit Jisu, Perëndi- njeriut, që nga Ungjillizimi, Lindja, Pagëzim, Kryqëzimi, Vdekja, Ngjallja dhe Ngjitja në qiell, Pendikostia, Ardhja e dytë, ngjallja e të vdekurve dhe gjykimi i frikshëm dhe i drejtë i Krishtit, këto ngjarje përsëriten në mëyrë mistike jo vetëm në kishë dhe mes besimtarëve por prekin gjithë njerëzimin dhe gjithë botën që ripërtërihet çdo vit (Roamakët 8-21) sidomos në Ngjalljen e Krishtit që është "Pashka jonë" (1 Korintasve 5-7).
Shën Grigor Teologu shkruan për diemsionin e paanë të Pashkës :
“Dje unë isha kryqëzuar me Atë; sot unë jam lavdëruar me Atë. Dje unë vdiqa me Atë; sot unë jam bërë i gjallë me Atë. Dje unë u varrosa me Atë; sot unë jam ngritur me Atë. Le t’i blatojmë Atij që pësoi dhe u ngjall për ne… vetvetet, pasuria më e çmueshme dhe më e përshtatshme tek Perëndia...Ne kishim nevojë për një Perëndi të mishëruar, një Perëndi të dënuar me vdekje, që të mundim të rrojmë. Ne u dënuam me vdekje së bashku me Atë që të mundim të pastrohemi. Ne u ngjallëm me Atë sepse u dënuam me vdekje me Atë. Ne u lavdëruam me Atë sepse u ngjallëm me Atë. Pak pika Gjaku dhe rikrijuan tërë krijimin”. (Shën Grigor Theologu Ligjëratat e Pashkës)
Njerëzit kur i dëgjojnë këto gjëra ju duken si filozofi,retorik fetare boshe dhe nuk para i besojnë po nuk i panë me sutë e tyre, por po të jenë pak më të vëmëndshëm ata do të shikojnë dhe kuptojnë nga vetë faktet aktuale se këto nuk janë retorikë boshe por realitete fetare të vërteta që mund ti prekim që tani ato që janë eskatologjike.
Le të kujtojmë kohën që u shfaq virusi dhe filloj karantina në Evropë por edhe në Shqipër, ishte fillim i kreshmëve të mëdha 2020. Ato kanë qenë kreshmët më të vështira dhe Pashka më e pazakontë, sepse virusi, sëmundja dhe vdekja kishin paralizuar jo vetëm jetën tonë të përditëshme që u karantinua si e burgosur në had, por edhe adhurimi i Zotit dhe kremtimi i Pashkës u bë i pamundur, sepse masat policore dhe frika e ifektimit dhe vdekjes i penguan të krishterët që të shkonin të kremtonin Ngjalljen e Zotit.
U duk sikur në atë vit nuk erdhi e Diela e Ngjalljes por mbetëm akoma në të Premten e Zezë ku dukej sikur vdekja, djalli dhe veglat e tij antikrishte kishin pushtet ende mbi trupin e Krishit.
Ajo Javë e Madhe i ngjante pa njerëz i ngjante ditës kur nxënësit e braktisën dhe u fshehën dhe u mbyllur të frikësuar nga frika e judejnve (Joani 20-19) dhe kur vetëm pak gra me Nënën e Zotit dhe nxënësin e dashur qëndruan posht kryqit (Joani 19 :25-26).
Po ashtu edhe Ngjalljen atë vit shumë pakë e festuan kishtarisht , ashtu si ato pak gra guximitare miraprurëse që u bekuan dhe morën vesh të parat lajmin e ngjalljes tek varri i Krishtit nga kryeëngjëjt : “Pse e kërkoni të gjallin mes të vdekurve. Ai nuk është këtu, por është i ringjallur” (Luka 24-5) (Mateu 28:9-10).
Por edhe pse ajo Pashkë ishte e karantinuar përsëri mbas Pashkës gjëndja ndryshoj disi në favor të jetës, enfektimi nga virusi ra dhe njerëzit morën pak frymë lirie duke na treguar ashtu sipas himnologjisë së të Premtes së Madhe se vdekja sado të duket e pamposhtur nuk është e tillë:
" Nxito pra dhe ngjallu, që të shikoj dhe unë Ngjalljen tënde prej së vdekurish pas tri ditësh" (Mëngjesorja e Premtja e Madhe)
Në Pashkët 2021 përsëri gjëndja dukej akoma e pa shpresë virusi me mutacionet e tij dukej i paepur, këtë gjëndje e shtonin dhe lajmet e përditëshme dhe statistikat në rritje për sëmundjen, vdekjet së bashku me opinionet e zymta të shkenctarëve dhe mjekëve që deklaroin se kjo situatë do vazhdojë me vite dhe shpresa e vetme është vaksinimi masiv.
Madje edhe në atë vit përsëri Pashkët u festuan të kontrolluara nga masat e karantinimit madje në shumë vende nuk u festuan as të djelën por të shtunë në mbrëmje.
Kështu edhe pse u kremtua Ngjallja, përsëri atë vit dukej sikur Krishti nuk ishte ngjallur akoma por trupi i tij qëndronte i vdekur në varr, ashtu si qëndroi të Shtunën e Madhe dhe sëmundja dhe vdekja kishte akoma pushtetin e saj përreth njerëzimit duke i mbajtur në ankth dhe panik.
Por përsëri mbas asaj Pashke gjërat ndryshuan, jeta mori më shumë normalitet dhe u dha një shpresë se jeta do ta mundi vdekjen, sipas frymës së tropareve të së Shtunës së Madhe që janë hidhërim por edhe gëzim shpresë:
“Mos më vajto ti moj nënë, kur më sheh të varrosur, Birin e dashur, që e ke lindur virgjërisht, se do të ngrihem prapë dhe do të lavdërohem dhe do ti lartësoj si Perëndi, ata që më madhështojnë besërisht”.
Edhe ja po prisnim me shqetësim si do të vinin Pashkët e vitit 2022, të tretat mbas pandemisë.
Edhe pse mutacioni "omicron" u duk si një ogur i keq edhe në fillim të këtij viti, situata me afrimin e Pashkës po ndryshonte gjithnjë e më për mirë, virusi i vdekjes po hante vetë-veten reziku u minimizua ndjeshëm, masat dhe orari policor ishte i pakuptim dhe më në fund të krishterët mundën të festonin Javën e Madhe dhe Pashkën e Zotit më në fund të lirë, pa kufizime, pa frikë duke mbushur kishat dhe sheshet me shenjat paskale në dorë, qirinjë të ndezur dhe vezët e kuqe dhe pa frikë dhe maska në fytyrë përshëndetën njëri−tjetrin të gëzuar: “ Krishti u Ngjall, Vërtet u Ngjall.”
Sado djalli me instruemtat e tij vrastare, virusi, sëmundja dhe vdekja u dukën se e gjunjëzuan njerëzimin dhe portat e vdekjes u hapën për të gëlltitur gjithë njerëzimin, përsëri pushtet i virusit të vdekjes nuk zgjati më shumë se në vitin e tretë, dhe kjo i ngjan ditës së tretë ku Krishti u ngjall dhe e mundi vdekjen me vdekjen e tij edhe na dha fitoren dhe përdëllimin e madh.(Mateu 28 :1-7)
Kjo Pashkë ishte jo vetëm kujtimi i ngjalljes së Krishtit por edhe i ngjalljes së njerëzimit në këtë brez të kërcënuar nga vdekja nëpërmjet këtij djall virusi, prandaj edhe fjalët katekizuese të Shën Joan Gojartit në këtë Pashkë patën një tingull tjetër festiv edhe sikur i kuptuam më mirë .
“Asnjë le të mos ketë frikë nga vdekja, se na çliroi vdekja e Shpëtimtarit. E shuajti, kur përmbahej prej tij. E plaçkiti Ferrin Ai që zbriti në Ferr. E hidhëroi, kur ngjëroi mishin e tij; dhe këtë duke parashikuar Isaia, thirri: Ferri u hidhërua, tha, kur të hasi poshtë.U hidhërua, se u shfuqizua. U hidhërua, se u përqesh. U hidhërua, se vdiq. U hidhërua, se u rrëzua. U hidhërua, se u burgos. Priti trup dhe gjeti Perëndi. Priti dhe, e hasi qiell. Mori atë që shikonte, dhe ra nga ajo që nuk shikonte. Ku është gjembi yt, o vdekje? Ku është mburrja jote, o Ferr? U ngjall Krishti dhe ti u hodhe poshtë. U ngjall Krishti dhe ranë demonët. U ngjall Krishti dhe gëzohen engjëjt. U ngjall Krishti dhe jeta qytetërohet. U ngjall Krishti dhe asnjë i vdekur s'mbeti në varr. Se Krishti, duke u ngjallur së vdekurish, u tregua kulloshtra e të fjeturve. E Atij është lavdia dhe fuqia në jetë të jetëve. Amin.”
Ajo që na mbete tani mbas këtij kremtimi madhështor paskal është që të jemi mirënjohës dhe të falenderojmë Zotin për këtë mrekulli që e Ai me Ngjalljen e tij e vdiq vdekjen e covidit dhe ringjalli brezin tonë, që të mos ecim më në mëkat që të çon në vdekje, por të bashkohemi me Krishtin e ngjallur sipas mistereve të Kishës Orthodhokse, Pagëzim, Rrëfim dhe Falenderim Hyjnor: “Që të jemi të vdekur për fajin, por të gjallë për Perëndinë, me anën e Jisu Krishtit, Zotit tonë”.(Romakët 6,3-11)
Në të kundërtën mosmirënjohja dhe mungesa e falenderimit tregon se edhe pse i shpëtuam kovidit, përsëri jemi të sëmur dhe rrezikojmë të vdesim shpirtërisht nga mosmirënjohja dhe nga shumë kurthe të tjera të vdekjes, si uria , lufta , sepse vdekja përgjon si hajduti.(Mateu 24 :42-44).
Mosmirënjohja është mëkati më i keq që Shën Joan Gojarti i hyjshëm e barazon “me blasfeminë”.
Prandaj të kujtojmë fjalët e Shën Pavlit që e dënon mosmirënjohësin në letrën drejtuar Romakëve kur thotë: "Sepse megjithëse njerëzit e njohën Perëndinë, nuk e përlëvduan Perëndinë, as e falenderuan, por përkundrazi u bënë të pamendë në arsyetimet e tyre dhe zemra e tyre në gjykim u errësua” (Rom. 1:21)
Duhet të dimë se covidi sido që u krijua, si armë bakterologjike nga mendjet diabolike ose u shfaq si mutacion natyror, u lejua nga Perëndia për shkak të mëkateve të këtij brezi, si apostazia, blasfemia, lakmia, perversioni, aborti dhe nqs sot covidi pothuajse u zhduk dhe kjo mrekulli nuk është thjesht përpjekja njerëzore pavarësisht se i përshëndesim dhe falenderojmë të gjithë si shkenctar, mjek, infermjer dhe kushdo që kontribuoi në parandalim dhe sakrifikuan në ndihmë dhe shërbim tek të afërmit të sëmur me virus, por mbi të gjitha duhet të dimë se ishte Zoti i jetës Jisu Krishti që mundi covidin e vdekjes me fuqinë e ngjalljen së tij të lavdëruar që ne përjetojmë në ditën e Pashkës , sepse Ai na thotë :“pa mua nuk bëni dot asgjë”.(Jaoni 5-15)
Prandaj në këto ditë Pashke jo vetëm të përshëndesim njëri−tjetrin me përshëndetjen paskale:“Krishti u Ngjall, Vërtet u Ngjall” por dhe ta falenderojmë me të madhe dhe pa u pushim Zotin Jisu Krisht që edhe njëherë Ai e mundi sëmundjen, djallin dhe vdekjen me vdekjen dhe ngjalljen e tij të lavdëruar, ashtu si na thotë psalmisti: “Falenderojeni Zotin se është i mirë Aliluia, Se përdëllimi i Atij është për gjithë jetën, Aliluia” Amin. (Psalmi 135)
Shkrim i përgatitur nga Mironi Çako : Katekist