Zoti Jisu Krisht "Luan nga fisi i Judës"
Përgatitur: Miron Çako
Personi i Zotit Jisu Krisht është personi më i diskutuar dhe më imponues në historinë njerëzore, për gati 2022 vite ps.K.
Personit i Tij është studiuar dhe diskutuar me detaje prej shekujsh, jo vetëm nga fetarët e feve të ndryshme por edhe nga laikët, si historian, filozof, artist, me qëndrime pro edhe kundra personalitetit të tij mistik. Të krishterët e adhurojnë si Biri i Zotit dhe Biri i Njeriut, si Perëndi-njeri, Shpëtimtari i Botës, disa jo të krishterë e nderojnë si profet, disa si reformator, predikues dhe moralist i madh, disa fatkeqësisht deri më sot edhe si një gënjeshtar ose mesia i rremë.
Pavarësisht se opinionet dhe përqasjet pro dhe kundra ndaj personit të tij misterioz janë të ndryshme askush nuk guxoi deri më tani të mohoj origjinën e Jisuit nga populli i Izraelit dhe veçanërisht nga fisi i Judës.
Të vetmit që e dyshojnë këtë fakt historik shekullor janë disa tipa ultranacionalis si z.Sazan Guri, që me një egoizëm patologjik sikur i di të gjitha çfarë bëhen nën diell, po kërkon prej disa kohësh me figurë në tv edhe me shkrim nëpër librat e tij të besojmë se jo vetëm gjithë gjuhët dhe kulturat e botës lidhen me pellazgët dhe gjuhën pellazgjike që sipas tij e ka shtrirjen nga Teba e Egjiptit, malet Ararat tek mali Tomorit,që ai dhe disa si ai i lidhin me shqiptarët, shqiptarizmin, si raca më superiore e njerëzimit nga ku burojnë të gjtha gjuhët, racat edhe kulturat e botës , por guxon publikisht të thotë që edhe Krishti është me origjinë pellazge, ilire. Ai me nxitim e një përroi të vrullshëm alogjik, këmgul të shpjegoj çdo fjalë të huaj duke ja gjetur kuptimin në shqip madje edhe etimologjinë e emrit "Krisht", që në greqisht "Χριστος" do të thotë i vajosuri, kurse për Sazanin sipa pellazgjikes së tij do të thotë “kreu është”. Po ashtu edhe fjala Pashkë që në hebraisht "Pesah" do të thotë kalim, për Sazanin është fjalë shqipe që do të thotë “e pash se nuk ka shkuar”, ose "Tora" që në ebraisht do të thotë ligji ose mësimi , për Sazanin është fjalë shqipe, që do të thotë e tëra, apo edhe fjalët aramaisht të Krishtit “Talitha kumi”, që e përkthyer do të thotë “vajzë po të them ty, ngrihu” (Marku 5-41)”, ai në gjuhën e tij të përçartur psllazge-shqipe e shqipton “Ta ta tha legym” dhe për atë fjalët “Ta ta” është babai, etj si këto që na çudisin dhe nuk na mbetet për të thënë ndonjë fjalë përveç, fjalëve latine të Cicëronit:“O tempora o mores”( O kohë marrëzish).
Kjo që po i ndodh z Sazan Gurit edhe pse e respektoj për ato që thotë dhe kontribon si inxhinjer mjedisi, për këto të tjerat që po thotë publikisht madje edhe për Krishtin është si shprehja: “Një budalla hedh një gurë në lumë dhe njëqind të tjerë shkojnë ta nxjerrin”.Ndoshta injorimi është zgjidhja më e mirë në këto raste, por egziston edhe një shprehje tjetër: “Mos e nënvlerëso budallëkun sa do i vogël mund të duket” dhe sidomos kur ai bëhet mediatik dhe lë gjurmët e tij në publik sipas shprehjes: “Shpif shpif se diçka do të mbetet”.
Sazani thotë se ky ndriçim i vjen sepse merret me joga, por duhet të dijë se praktikat e jogës janë praktika okulte të feve lindore budiste induiste që për ne të krishterët janë ndikime demoniake: “Sepse gjithë perënditë e popujve janë demonë, por Zoti bëri qiejt (Psalmi 96-5).
Prandaj z.Sazan jo vetëm është i mashtruar nga shpirti i jogas, fryma antikrishte por këtë mashtrim ai kërkon ta shfaqi si një fakt shkencor, sepse paska parë në një pikturë të Krishtin me plisë në kokë.
Sazanit,dhe kushdo që fantazon si ai në ultranacionalizmin,që sipas z Sazan në intervestën në emisionin e mëngjesit në ABC thotë se : Është një akademi vullnetare 400 veta ( 100 super aktiv ) që studiojnë në bibloteka kombëtare dhe jashtë kombit për shqiptarizmin, duhet të dijë mirë se Krishti nuk është vetëm një njeri, me origjinë pellazke dhe shqiptare, por është një person (hipostaz) me dy natyra, hyjnore dhe njerëzore.Hyjnoren e ka nga Perëndia dhe njerëzoren nga populli i Izraelit fisi i Judës.
Dëshmia për këtë mister të origjinës së tij hyjnore dhe njerëzore është dokumentuar saktësisht në Bibël, fjala e Zotit e shkruar për njerëzit prej një hapësire kohore nga 1400 pr.K dhe 100 ps.K.
Le ti shikojmë me durim këto fakte Biblike për të ndriçuar Sazanin por edhe ata që po mendojnë si ai të dehur nga nacionalizmi donkishotesk, ose po janë të tunduar se Krishti është pellazg .
Sipas Biblës Jisui është hyjni si Fjala dhe Biri i vetëmlindur i Perëndisë At, i lindur prej Atit përpara gjithë jetëve me një lindje të pakohë dhe Ai është i përjetshëm pa fillim dhe pa mbarim.
Për origjinën e tij hyjnore si Biri i vetëm i lindur prej Perëndisë, profetizuan profetët para se ai të shfaqej në tokë, si profeti dhe mbreti David (1000 pr.K): “Nga kraharori para Yllit të Dritës, unë të linda". (Psalmet 110 -3)."Ti je Biri im, unë sot të linda”(Psalmi 2-7)
Profeti Isaia (700 pr.K) profetizon: “Sepse na ka lindur një fëmijë, një djalë na është dhënë. Mbi supet e tij do të mbështetet perandoria dhe do të quhet Këshilltar i admirueshëm, Perëndi i fuqishëm, Atë i përjetshëm, Princ i paqes”(Isaia 9-6).
Po ashtu profeti Daniel (600 pr.K): “Unë shikoja disa vegime nate, dhe ja mbi retë e qiellit po vinte dikush që i ngjante një Biri njeriu; ai arriti deri te i Lashti i ditëve dhe iu afrua atij. Atij iu dha sundimi, lavdia dhe mbretëria, me qëllim që gjithë popujt, kombet dhe gjuhët t`i shërbenin; sundimi i tij është një sundim i përjetshëm që nuk do të kalojë, dhe mbretëria e tij është një mbretëri që nuk do shkatërrohet kurrë”(Danieli 7,13-14).
Vetë emri Jisu që përkthehet (Zoti Shpëton), i lajmëruar prej qiellit nga Kryeëngjëlli Gabriel tek Josif dhe Virgjëresha Mari e tregon origjinën e tij hyjnore: “Dhe ajo do të lindë një djalë dhe ti do t'i vësh emrin Jisu, sepse ai do të shpëtojë popullin e tij nga mëkatet e tyre”(Mateu 1-21). “Dhe ja, ti do të mbetesh shtatzënë dhe do të lindësh një djalë, dhe do t'ia vesh emrin Jisu. Ai do të jetë i madh dhe do të quhet Biri i Shumë të Lartit; dhe Zoti Perëndi do t'i japë fronin e Davidit, atit të tij (Luka 1,31).
Hyjninë e tij e dëshmoi vetë zëri i Perëndisë At kur Jisui si njeri u pagëzua në lumin Jordan: “Dhe një zë erdhi nga qielli: Ti je Biri im i dashur në të cilin jam kënaqur”(Marku 1,11). Po ashtu kur u shpërfytyrua në malin Tabor: “Pastaj erdhi një re dhe i mbuloi me hijen e vet; dhe nga reja doli një zë që tha: “Ky është Biri im i dashur; dëgjojeni!'”(Marku9,7) (Luka 17,5).
Ai e tha vetë: “Unë dhe Ati jemi një”(Joani 10,27-30) dhe “Çdo gjë më është dhënë në dorë nga Ati im”(Mateu 11:27).
Personi i tij është mistik dhe origjinën e tij hyjnore, askush nga njerëzit nuk mund ta njohë veç atyre që Ai vetë do t'ia zbuloi: “Askush nuk e di kush është Biri, përveç Atit, dhe kush është Ati, përveç Birit, dhe atij që Biri do t'ia zbulojë” (Lluka 10:21-22).
Jisui erdhi dhe zbriti nga qielli edhe u bë njeri për të bërë detyrën që i caktoi Perëndia, Ati i tij: “Sepse unë kam zbritur nga qielli jo për të bërë vullnetin tim, por vullnetin e atij që më ka dërguar.” (Joani 6:38).
Jisui ja thoshte hapur judenjve se Ai vinte nga përjetësia: “Abrahami, ati juaj, ngazëllohej në shpresën që të shihte ditën time; e pa dhe u gëzua.” Judenjtë, pra, i thanë: “Ti ende nuk je pesëdhjetë vjeç dhe e paske parë Abrahamin?”. Jisui u tha atyre: “Në të vërtetë, në të vërtetë unë po ju them: para se të kishte lindur Abrahami, unë jam.” (Joani 8:56-58).
Jisui ja shtjellonte shkrimet judejnve që nuk i kupton kur aty flitej për origjinën e tij hyjnore: “Dhe Jisui, duke i mësuar në tempull, tha: “Vallë, si mund të thonë skribët se Krishti është Bir i Davidit? Sepse vetë Davidi, nëpërmjet Frymës së Shenjtë, tha: “Zoti i ka thënë Zotit tim: Ulu në të djathtën time, derisa t`i bëj armiqtë e tu stol të këmbëve të tua”. Vetë Davidi, pra, e quan Zot; si mund të jetë vallë bir i tij?”. Dhe pjesa më e madhe e dëgjonte me ëndje.” (Marku 12,35-37).
Të gjitha këto dëshmi për origjinën e tij hyjnore u shoqëruan dhe me mrekulli nga Jisui, mrekulli që mund ti bënte vetëm Perëndia, si: të verbërit fitojnë përsëri të parit, të çalët ecin, lebrozët po pastrohen, të shurdhërit po dëgjojnë, të vdekurit po ringjallen, dhe ungjilli u shpallet të varfërve (Luka 7-22).
Judenjtë duke mos njohur Trininë e Shenjtë shumësin e Perëndisë (Zanafilla 1,26), fjalët e Jisuit i quajtën blasfemi dhe si rrezik i politeizmit: “Prandaj Judenjtë morën përsëri gurë për ta vrarë me gurë. Jisui u përgjigj atyre: “Ju tregova shumë vepra të mira nga Ati im; për cilën nga këto më vrisni me gurë?”. Judenjtë u përgjigjën duke thënë: “Ne nuk të vrasim me gurë për asnjë vepër të mirë, po për blasfemi, dhe sepse ti, duke qenë njeri, e bën veten Perëndi.” Jisui u përgjigj atyre: “A nuk është shkruar në ligjin tuaj: “Unë thashë: Ju jeni perëndi”? Nëse ai i quan perëndi ata, të cilëve u qe drejtuar fjala e Perëndisë (dhe Shkrimi nuk mund të bjerë poshtë), ju thoni se ai, që Ati e ka shenjtëruar dhe e ka dërguar në botë, blasfemon, sepse kam thënë: “Unë jam Biri i Perëndisë”. Nëse unë nuk bëj veprat e Atit tim, mos më besoni, por nëse i bëj, edhe po të mos më besoni mua, u besoni të paktën veprave, që të njihni e të besoni se Ati është në mua dhe unë në atë”. Për këtë arsye ata kërkonin përsëri ta kapnin, por ai ikte nga duart e tyre.” (Joani 10:31-39).
“Për këtë Judenjtë kërkonin edhe më tepër ta vrisnin, sepse jo vetëm se shkelte të shtunën, por edhe se thoshte se Perëndia ishte Ati i vet, duke e barazuar veten me Perëndinë. Atëherë Jisui u përgjigj dhe u tha atyre: “Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them se Biri nuk mund të bëjë asgjë prej vetvetes, përveç asaj që sheh se bën Ati; Gjërat në fakt që bën Ati, i bën po ashtu dhe Biri. Sepse Ati e do Birin dhe i dëfton gjithçka që bën vetë; dhe do t'i dëftojë vepra më të mëdha se këto, që të mrekulloheni. Në fakt ashtu siç Ati ringjall të vdekurit dhe u jep atyre jetën, Po kështu edhe Biri i jep jetën kujtdo që do. Sepse Ati nuk gjykon asnjë, por gjithë gjyqin ia dha Birit, që të gjithë ta nderojnë Birin ashtu siç nderojnë Atin; kush nuk e nderon Birin, nuk nderon Atin që e ka dërguar. Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: Ai që e dëgjon fjalën time dhe beson në atë që më ka dërguar, ka jetë të përjetshme, dhe ai nuk vjen në gjyq, por ka kaluar nga vdekja në jetë. Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: Po vjen ora, madje ka ardhur, kur të vdekurit do të dëgjojnë zërin e Birit të Perëndisë, dhe ata që e kanë dëgjuar do të jetojnë. Sepse, sikurse Ati ka jetë në vetvete, kështu ia ka dhënë dhe Birit të ketë jetë në vetvete; dhe i ka dhënë gjithashtu autoritet të gjykojë, sepse është Bir i njeriut. Mos u mrekulloni për këtë, sepse po vjen ora kur të gjithë ata që janë në varre do ta dëgjojnë zërin e tij dhe do të dalin prej tyre; ata që kanë bërë të mira, në ringjallje të jetës, dhe ata që kanë bërë të liga, në ringjalljen e dënimit.” (Joani 5,16-29)
Jisui nuk nguroj ta thotë origjinën e tij hyjnore edhe para armiqve të tij kur e gjykuan në Sinedër: “Atëherë kryeprifti u ngrit në mes të kuvendit dhe e pyeti Jisuin duke thënë: “Nuk përgjigjesh fare? Çfarë po dëshmojnë këta kundër teje?”. Por ai heshti dhe nuk u përgjigj fare. Përsëri kryeprifti e pyeti dhe i tha: “A je ti Krishti, Biri i të Bekuarit?”. Dhe Jisui tha: “Unë jam. Dhe ju do ta shihni Birin e njeriut të ulur në të djathtën e Pushtetit dhe duke ardhur me retë e qiellit. Atëherë kryeprifti, duke i shqyer rrobat, tha: “Ç'nevojë kemi më për dëshmitarë?” (Marku 14,60-64) Judenjtë iu përgjigjën: “Ne kemi një ligj dhe sipas ligjit tonë ai duhet të vdesë, sepse e bëri veten Bir të Perëndisë.” (Joani 19,7).
Deri në frymën e fundit të jetës së tij Jisui nuk pushoi se treguari origjinën e tij hyjnore edhe pse judejntë fanatik e përqeshnin poshtë kryqit: “Po ashtu, edhe krerët e priftërinjve, bashkë me skribët dhe me pleqtë, duke e tallur, i thonin ''Ai i shpëtoi të tjerët dhe nuk mund të shpëtojë vetveten; në qoftë se është mbreti i Izraelit, le të zbresë tani nga kryqi dhe ne do të besojmë në të; ai ka besuar në Perëndinë; le ta lirojë tani në qoftë se e do me të vërtetë, sepse ka thënë: "Unë jam Biri i Perëndisë"'.(Mateu 27,43-46) “Dhe Jisui bërtiti me zë të lartë dhe tha: ''O Atë, në duart e tua po e dorëzoj frymën time!''. Dhe, si tha këto, dha shpirt.”(Luka 23,46).
Edhe kur u ngjall prej së vdekurësh si Perëndi-njeri dhe ju shfaq dishepulles shën Maria Magdalenës, Ai pohoj përsëri veten si Biri i Perëndisë:"16 Jezusi i tha: ''Mari!''. Dhe ajo atëherë u kthye dhe i tha: ''Rabboni!'', që do të thotë: Mësues.Jezusi i tha: ''Mos më prek, sepse ende nuk u ngjita te Ati im; por shko te vëllezërit e mi dhe u thuaj atyre se unë po ngjitem tek Ati im dhe Ati juaj, te Perëndia im dhe Perëndia juaj''.Atëherë Maria Magdalena shkoi t'jua njoftojë dishepujve se kishte parë Zotin dhe se ai i kishte thënë këto gjëra" (Joani 20:16-17).
Të gjitha këto fakte për hyjninë e Jisuit u shkruan nga nxënësit e tij, katër ungjillorët, ashtu si lexojmë në fund të ungjillit të Joanit: “Këto gjëra janë shkruar që ju të besoni se Jisui është Krishti, Biri i Perëndisë dhe që, duke besuar, ta keni jetën në emër të tij.” (Joani 20,31).
Por Jisui erdhi në botë jo thjesht si Fjala edhe Biri i Perëndisë sepse ai gjithmonë ishte në botë, sepse “Në fillim ishte Fjala dhe Fjala ishte pranë Perëndisë, dhe Fjala ishte Perëndi. Ai (fjala) ishte në fillim me Perëndinë. Të gjitha gjërat u bënë me anë të tij (fjala), dhe pa atë nuk u bë asnjë nga ato që u bënë. Në atë ishte jeta, dhe jeta ishte drita e njerëzve.”(Joani 1,1-4)
Por Biri dhe Fjala e Perëndisë u bë njeri si ne pa mëkat: “Dhe Fjala u bë mish dhe banoi ndër ne; dhe ne soditëm lavdinë e tij, si lavdia e të vetëmlindurit prej Atit, plot hir e të vërtetë.”(Joani 1-14)
Si njeri Krishti ka gjenealogjinë e tij dhe për këtë flitet përsëri në Bibël në Dhiatën e Re. Kemi dy gjenealogji për Jisuin tek ungjijt, një tek (Mateu 1:1-17 )këtu kemi gjenealogjinë ligjore dhe tek (Luka 3:23−38) ku kemi gjenealogjinë njerëzore të Jisuit.Judejnt ishin shumë të fiksuar në gjenialogjitë dhe rueshin në Tempullin e Solomonit.
Gjenealogjia tek ungjilli sipas Mateut ndjek linjën mbretërore nga Davidi përmes birit të tij Solomonit, kurse ungjillori Luka ndjek linjën e gjakut nga Davidi përmes Natanit një tjetër bir i Davidit. Gjenealogjia sipas Lukait ndjek gjeanologjinë sipas Marisë, nëna e Jisuit :“i cili për ne njerëzit dhe shpëtimin tonë zbriti prej qiejve dhe u trupëzua prej Shpirtit të Shenjtë dhe Virgjëreshës Mari dhe u bë njeri” (Simboli i besimit Orthodhoks).
Gjenealogjia e Lukës na drejton deri tek njeriu i parë Adami dhe duke ju referuar përsëri Biblës. Sipas përllogaritjes së kishës orthodhokse që mbështetet tek Septuaxhinda, Jisui lindi si njeri në vitin 5508 pas Adamit dhe ne sot si njerëzim jemi 7530 pas Adamit, ose 2022 pas Krishti.
Në gjenealogjinë njerëzore të Birit dhe Fjalës së Perëndisë kemi mundësi të mësojmë edhe na tregohet se nga cila degë e njerëzimit, nga cili popull, ka ardhur Krishti që askush mos të dyshoj ose ta tjetërsoj këtë origjinë njerëzore të dhënë nga ungjillorët.
Konkretisht sipas Biblës Septeuaxhindës nga Adami deri tek Noeu janë 2242 vite dhe Zoti bëri një beslidhje me Noen dhe bijtë e tij të pas përmbytjes globale (Zanafilla 9).
Noeu kishte tre bijë Semi, Jafetin dhe Kamin këta janë të parët e tri racave të njerëzimit mbas përmbytjes. Bibla na tregon në kapitullin 10 të Zanafillës se popuj që u formuan prej Jafetit janë: cimeritët /Gomer/ të Azisë së Vogël lindore, liditët /Magog/, medët /Madai/, grekët e Jonit /Javan/,popujt afër Detit të Zi /Tubal e Mosok/, ndoshta të parët e etruskëve /Tiras/, skitët/Askenezi/, qipriotët /Elisai/, Spanja /Tarsis/, rodët /Rodanimi/.
Sipas këtij teksti biblik prej Kamit që u mallkua nga Noeu (Zanafilla 9-25) janë popujt: Nubia e Etiopia /Kusi/, Egjipti /Mesraimi/, Libia /Futi/ dhe disa fise të Arabisë Veriore.
Kurse nga Semi që u bekua nga Noheu (Zanafilla 9-26) dhe që quhet babai i të gjithë fëmijëve të eberit Eber - mbiemër fisnor patronim i hebrenjve vijnë këto fise semite: hurritët e Arfaksadit, hebrenjtë e semitët e Jugut ose arabët dhe të Sabes.
Fillesat e gjuhëve të ndryshme dhe popujve nisin mbas kohës së Nohes, ku Bibla na tregon për kullën e Babelit: “Por tërë toka fliste të njëjtën gjuhë dhe përdorte të njëjtat fjalë”(Zanafilla 11-1)…Dhe thanë: “O burra, të ndërtojmë për vete një qytet dhe një kullë maja e së cilës të arrijë deri në qiell, dhe t'i bëjmë një emër vetes që të mos shpërndahemi mbi faqen e tërë dheut.” Por Zoti zbriti për të parë qytetin dhe kullën që bijtë e njerëzve ishin duke ndërtuar. Dhe Zoti tha: “Ja, ata janë një popull i vetëm dhe kanë të gjithë të njëjtën gjuhë; dhe kjo është ajo që ata filluan të bëjnë; tani asgjë nuk ka për t'i penguar ata të përfundojnë atë që kanë ndërmend të bëjnë. O burra, të zbresim pra atje poshtë dhe të ngatërrojmë gjuhën e tyre, në mënyrë që njëri të mos kuptojë të folurën e tjetrit”. Kështu Zoti i shpërndau mbi faqen e tërë dheut dhe ata pushuan së ndërtuari qytetin. Prandaj këtij vendi iu dha emri i Babelit, sepse Zoti aty ngatërroi gjuhën e tërë dheut dhe i shpërndau mbi tërë faqen e dheut.” (Zanafilla11-1-9)
Krishti si njeri erdhi nga Semi i cili u bekua nga Noeu (Zanafilla 9-26) dhe nga fisi i Semit me një gjenealogji të saktë vjen Abrahami që sipas Septauanxhintës është gati 2000 vjet pr K. Me Abrahamin që vjen nga popujt semit në Mesapotami fillon krijimi i papullit të Izraelit. Zoti i premtoi Abrahamit se Krishti do vinte nga fara e tij (Zanafilla 22-18), po ashtu ky premtim u përsërit edhe tek Isaku (Zanafilla 26-2-3) dhe Jakobi (Zanafilla 28 10-16), patriarkët e popullit hebre.
Jakovi që u quajt Izrael (Zanafilla 32-28) dhe ai profetizon që nëpërmjet fisit të Judës i biri i Izraelit do të vij Krishti. “Judë, vëllezërit e tu do të të lavdërojnë; dora jote do të jetë mbi zverkun e armiqve të tu; bijtë e atit tënd do të përkulen para teje. Juda është një luan i ri; ti zë fill nga preja, biri im; ai përkulet, struket si një luan, si një luaneshë: kush guxon ta zgjojë? Skeptri nuk do t'i hiqet Judës, as bastuni i komandimit nga këmbët e tij, derisa të vijë Shiloku; dhe atij do t'i binden popujt” (Zanafilla 49,8–10).
Gjenealogjia e Mateut na çon tek Davidi 1000 vjet para Krishtit nga fisi i Judës, atij Perëndia i premtoi se Krishti do të vinte nga fisi i tij (Samuelit 7-16). Sipas gjenealogjisë së Mateut (Mateu 1-17), Jisui vinte nga Solomoni dhe trashëgonte të drejtën ligjore për të zotëruar fronin e Davidit nga ku vinte edhe Josifi kujdestar. Por Krishti nuk ishte biri natyror i Josifit, sepse ai si njeri lindi nga një lindje virgjërore pa farën e Adamit që të mos trashëgonte mëkatin stërgjyshor.(Luka 2 :6-7)
Jisui ishte Biri i Marisë e cila gjithashtu vinte nga fisi mbretëror i Davidit si nga i ati Shën Joakimi dhe Shën Ana. Nga i ati, e Tërëshenjta i përkiste linjës mbretërore të Davidit nëpërmjet djalit të tij Nathanit, që lindi Levin, që lindi Melkin dhe Panterin, që lindi Barpantheriin, që lindi Joakimin, që ishte i ati i Marias Nënës së Jisuit. Ana, gruaja e Joakimit, ishte edhe ajo nga linja e pasardhjes së Davidit, sepse ishte mbesë e Matthas, që ishte vetë nip i Davidit nëpërmjet pasardhjes së Solomonit. Mattha u martua me Marinë nga fisi i Judës dhe ata kishin një bir të quajtur Jakov, atin e Josif marangozit dhe tri vajza, Marinë, Sovinë dhe Anën. Maria lindi Salomenë, Sovia lindi Elisabetën, nënën e Pararendësit, dhe Anën që u bë nëna e Marisë Nëna e Zotit. Kështu nëpërmjet lindjes prej Marisë Jisui përmbushi atë pjesë të beslidhjes së Perëndisë me Davidin që i premtoi atij pasardhjen duke qënë pasardhës natyror i tij.
Pra është më se e qartë se gjenealogjia e Jisuit është nga fisi Judës nga populli i Izraelit nëpërmjet Virgjëreshës Mari ashtu si profetizoi Profeti Isaia: “Prandaj, vet Zoti do t'ju japë një shenjë. Ja, e virgjëra do të mbetet me barrë dhe do të lindë një djalë të cilin do ta quajë Emanuel.” (Isaia 7:14)
Për Jisuin është profetizuar edhe vendi i lindjes që do ishte Betlehemi vendi ku kishte lindur Mbreti David: "Por ti, o Betlehem Efratah, megjithëse je i vogël midis mijërave të Judës, nga ti do të dalë për mua ai që do të jetë sundues në Izrael, origjinat e të cilit janë nga kohërat e lashta, nga ditët e përjetësisë. (Mikea 5:2–5)
“Pasi Jisui lindi në Betlehemin e Judesë, në kohën e mbretit Herod, ja që disa dijetarë nga lindja arritën në Jerusalem” (Mateu 2:1–2)
"Sepse dihet se Perëndia ynë lindi nga fisi i Judës, për të cilin Moisiu nuk tha asgjë lidhur me priftërinë. ." (Hebrenjve 7-14)
Të gjithë këto dëshmi Biblike nuk lejojnë asnjë dyshim se Jisu Krishti është një person me dy natyra Hyjnore, i lindura nga Perëndia përpara gjithë jetëve dhe si njeri i lindur prej Shpirtit Shenjtë dhe Virgjëreshës Mari, nga fisi i Judës: “Sepse, duke qenë se bijtë kanë marrë pjesë prej mishi dhe gjaku, po ashtu edhe ai u bë pjestar në po ato gjëra, që të shkatërronte, me anë të vdekjes, atë që ka pushtetin e vdekjes, domethënë djallin, dhe të çlironte të gjithë ata që nga frika e vdekjes i ishin nënshtruar robërisë për tërë jetën. Sepse ai nuk kujdeset për engjëjt, por ndihmon pasardhjen e Abrahamit. Prandaj ai duhej t’u ngjante në çdo gjë vëllezërve, që të mund të ishte i mëshirshëm e kryeprift besnik në ato që i përkasin Perëndisë, për t’u bërë pajtim për mëkatet e popullit. Sepse, duke qenë se ai vetë hoqi kur u tundua, mund t’u vijë në ndihmë atyre që tundohen”. (Hebrejnve 2;14-18)
Një ditë të gjithë do ta shohin Krishtin duke ardhur me fuqi dhe lavdinë e Atit dhe engjëjt e shenjtë për të gjykuar gjithë njerëzimin: “Dhe kur të vijë Biri i njeriut në lavdinë e tij, bashkë me të gjithë engjëjt e shenjtë, atëherë do të ulet mbi fronin e lavdisë së vet. Dhe të gjithë kombet do të mblidhen para tij” (Mateu 25-31-34).
Atë ditë: “Në emër të Jisuit të përkulet çdo gju e krijesave (ose gjërave) qiellore, tokësore dhe nëntokësore, dhe çdo gjuhë të rrëfejë se Jisu Krishti është Zot, për lavdi të Perëndisë Atë.”(Filpianeve 2:10-11)
Urojmë që deri atëherë z Sazani të ftillohet dhe të pendohet për ato që nxori nga goja për Krishtin duke folur publikisht përçart se ai është pellazg etj marëzi, sepse një ditë do përballet me Krishtin :“Luan nga fisi Judës” (Zbulesa 5-5).
Miron Çako