DETYRAT E BURRIT DHE GRUAS NË MARTESËN E KRISHTERË
Përgatitur nga Miron Çako
Zyra e Katekizmit - Kryepiskopata e Tiranës
Martesa është e krijuar nga Perëndia (Zanafilla 2-18; 2-24), si një nga pjesët dhe stjacionet më të rëndësishme të jetës njerëzore, për ata që duan të mos jenë të vetëm për të përballuar epshin e riprodhimit dhe sfidat në ecurin e jetës, ashtu si apostulli thotë: “më mirë është të martohesh se të digjesh” (1Korintasve 7-9).
1.Martesa duke qenë një nga vendimet më të rëndësishme për çiftin kërkon shumë kujdes dhe urtësi si për gjetjen e partnerit të përshtatshëm por edhe angazhim dhe përkushtim flijues për vazhdimësinë e saj deri në fund sepse nëpërmjet martesës çifti do të përcaktojë mënyrën dhe cilësinë për pjesën tjetër të jetës deri në vdekje.
Martesa duhet parë jo si qëllim por si një mjet apo “shkallë” që ndihmon çiftin që të ngjitet nga jeta e përkohëshme me gjithë gëzimet, hidhërimet dhe sfidat në atë të përjetëshme të përmbushur të lumtur dhe paqësore në Mbretërinë e Perëndisë. Për këtë arsye Kisha Orthodhokse e vendos martesën si një nga shtatë misteret e shenjta.
Për besimtarin e krishterë gjetja e partnerit në këtë mori njerëzish dhe kulturash i duhet besuar providencës hyjnore dhe duhet të jetë produkt i lutjes me përulje dhe me besim, dhe konsultimit me atin rrëfyes, prindërit dhe të afërmit dhe duhet të presë me durim dhuratën e Zotit.
Shembull për këtë kemi në Shkrimin e Shenjtë, kur Abrahami dërgoi në Mesopotami shërbëtorin e tij Eliezerin të kërkonte nuse për djalin dhe Eleizeri i’u lut Perëndisë së Abrahamit që Zoti ti tregojë vajzën e duhur për Isakun (Zanafilla 24:12-14).
Shën Joan Gojarti thotë: “Keni vendosur të martoheni? Le ta zgjedhin gruan ashtu si i pëlqen Zotit. Si? Duke marrë parasysh jo pasurinë, as familjen e rëndësishme, po vetëm fisnikërinë e shpirtit dhe stolinë e virtytit. Sepse gruan e marrim që ta kemi shokë përjetë dhe jo ortak për ndonjë veprim tregtar apo ekonomik”.
Martesa sipas Zotit për të krishterët është e përjetëshme, çifti vazhdon lidhjen martesore edhe mbas vdekje trupore, ata mbeten të martuar përsëri dhe në ngjalljen e të vdekurve çiftet e martuara do jenë bashkë edhe trupërisht, por pa kontakt seksual ashtu si ishin në botën e përkohëshme, sepse në mbas ngjalljes trupore nuk do ketë nevojë për riprodhim sepse njerëzit do jetojnë si engjëjt (Mateu 22-30).
Prandaj kisha sipas mësimit të apostull Pavlit këshillon se ai ose ajo që mbetet i ve është mirë të mos martohet që të mos prishet kurora: “Të pamartuarve dhe vejushave u them se është mirë të qëndrojnë si unë. Por, nëse nuk përmbahen dot, le të martohen, sepse është më mirë të martohen se të digjen nga dëshirat” (1Korintaseve 7-8).
Çifti mund të divorcohet vetëm nëqoftëse e kanë tradhëtuar njëri-tjetrin në jetën e përkoshme, ashtu si Zoti lejoi që mund ta ndash gruan vetëm në rast tradhëtie bashkëshortore. “Por unë ju them se kushdo që e lëshon gruan e vet, përveç rastit të kurvërisë, dhe martohet me një tjetër, shkel kurorën; edhe ai që martohet me gruan e ndarë, shkel kurorën” (Mateu 19:9).
Asnjë martesë nuk mund të bëhet edhe të quhet e tillë nëqoftëse nuk ka bekimin e Zotit si ja dha çiftit të parë Adamit dhe Evës : " Kështu Perëndia krijoi njeriun simbas shëmbëlltyrës së vet, simbas shëmbëlltyrës së Perëndisë; Ai krijoi mashkullin e femrën.Dhe Perëndia i bekoi; dhe Perëndia u tha atyre: "Të jeni të frytshëm dhe shumëzohuni, mbushni tokën e nënshtrojeni, e sundoni mbi peshqit e detit, mbi zogjtë e qiellit dhe mbi çdo qenie që lëviz mbi tokë" (Zanafilla 1 28-29) po edhe uratat e Kishës Orthodhokse në Misterin e Martesës, që martesa të përmbushë qëllimin dhe të mos ndahet sepse Zoti e tha: “atë që Perëndia bashkoi njeriu të mos e ndajë” (Mateu 19-6).
Martesa kishtare është shumë e lartë sepse është një ikonë e dashurisë së Perëndisë për njeriun, sepse ashtu si dhëndri do nusen dhe bashkohet me atë sa bëhet një mish edhe Zoti do popullin e tij dhe bashkohet me besimtarin dhe bëhet një frymë ( I Korintasve 6-17), prandaj edhe apostull Pavli thotë: “Ky është një mister i madh; tani unë them në lidhje me Krishtin dhe Kishën” (Efesianëve 5-23).
Prandaj martesa duhet të bëhet sipas Zotit dhe Kishës ashtu siç na thotë edhe Shën Ignati (shekulli i II) “Ata që duan të martohen duhet të bashkohen me dijenin e peshkopit, kështu që martesa duhet të bëhet sipas Zotit dhe jo nga dëshira njerëzore”.
Teruliani (shekulli i II): “Nëqoftëse një çift i krishterë dëshiron të martohet, mbasi merr çertifikatën civile, vjen në kishë të djelën për të marrë Kungimin dhe bekimin e episkopit apo të priftit. Kështu që marrëveshja civile bëhet një mister. Pas bekimit emrat e tyre shkruhen në qiell dhe jo në regjistrin qeveritar”.
Por përveç kësaj çifti i krishterë i martuar ka detyra të mirëpërcaktuara nga Zoti dhe Kisha dhe për të gjitha këto na sqaron përsëri apostulli i kombeve Pavli, në letrën drejtuar Efesianëve ( 5:22-33).
Le ti analizojmë këto fjalë të shkruara të apostullit të kombeve i cili quhet edhe "goja" e Krishtit.
Ai thotë: “Ju, gratë, nënshtrohuni burrave tuaj porsi Zotit, sepse burri është kreu i gruas, sikurse edhe Krishti është kreu i kishës, dhe ai vetë është Shpëtimtari i trupit. Ashtu si kisha i është nënshtruar Krishtit, kështu gratë duhet t’i nënshtrohen burrave të tyre në çdo gjë” (Efesianët 5-22).
Apostulli fillon me detyrat e gruas jo se apostulli është maskilist si e keqinterpretojnë disa liberal, sepse ai është shumë i qartë në lidhje mes barizis të burrit dhe gruas, për më tepër për Pavlin kur bëhet fjalë për njeriun e ri në Krishtin nuk ka më burrë dhe grua: “Nuk ka më Jude as Grek; nuk ka më shërbëtor, as të lirë; nuk ka më mashkull e femër; sepse ju të gjithë jeni një në Krishtin Jisu” (Galatasve 3-28), por Pavli fillon me gruan si natyrë më e brisht dhe më e dobët se burri (Pjetr. 3:7) dhe kështu do kujdesin primar, prandaj fillon me detyrat e gruas për ta ruajtur atë.
Ai thotë: “Ju, gratë, nënshtrohuni burrave tuaj porsi Zotit, sepse burri është kreu i gruas, sikurse edhe Krishti është kreu i kishës, dhe ai vetë është Shpëtimtari i trupit. Ashtu si kisha i është nënshtruar Krishtit, kështu gratë duhet t’i nënshtrohen burrave të tyre në çdo gjë” (Efesianët 5-22).
Apostulli nxit dhe kultivon bindjen tek gruaja sepse mosbindja ishte dhe është tundimi i çdo gruaje i trashëguar nga gruaja e parë Eva që e nxitur nga djalli (Zanafilla 3,1-5) nuk ju bind burrit.
Ashtu si djalli nxiti gruan e parë të mos i bindej burrit dhe Zotit që të hante frutin e ndaluar (Zanafilla 3-6) po ashtu nxit çdo grua të mos bëjë bindje tek burri dhe Zoti që të veprojë me kokën e saj dhe pastaj ti prishë të gjitha, ashtu si thuhet tek urtësia e Siarakut: “çdo e keqe por jo si e keqja e gruas, çdo prapësi por jo prapësia e gruas” (Siraku 25,17-19).
Zoti ja dha Adamit urdhërin mos ha nga pemët e kopshtit (Zanafilla 2 16-17) dhe ishte Adami që ja transmetoi gruas (Evës) këtë ligj gojor.Gruaja në egoizmin e saj e dëgjoi djallin ajo automatikisht pushoi së binduri burrit dhe kështu u rebelua edh kundër vetë Zotit ligjëvënësit dhe kështu solli mëkatin dhe vdekjen në botë, sepse: “prej gruas zuri fill mëkati e për faj të saj të gjithë vdesin” (Siraku. 25-33).
Prandaj edhe kur gratë sot nuk ju binden burrave të tyre kur ata ju thonë ligje dhe porosi sipas Zotit, moralit, të vërtetës dhe logjikës, patjetër ato janë nën ndikimin e një fryme demoniake dhe kështu nga mosbindja ato do rebelohen gabojnë dhe mëkatojnë, jo vetëm për veten por kundër burrit, fëmijëve dhe vetë Zotit duke u bërë me dashje pa dashje bashkëpunëtore me djallin. Prandaj edhe Siraku thotë “E vogël është çdo djallëzi krahasuar me djallëzinë e gruas.” (Siraku 25-26).
Bindja e gruas ndaj burrit nuk është një imponim arbitrar, por një domosdoshmëri në rendin e krijimit dhe të çiftit dhe përfshin shfaqen e dashurisë që duhet të ketë gruaja për burrin ashtu si apostulli i shkruan Titit: “që të mësojnë të rejat të duan burrat e djemtë e tyre’’ .(Titi 2-4)
Kjo bindje e përulur me dashuri duhet të bëhet nga gruaja sepse kështu ajo mund ta shpëtojë burrin e saj të dashur, ashtu si apostull Petro thotë: “Gjithashtu edhe ju gratë, ulini kryet burrave tuaj, që, edhe në mos iu bindshin disa fjalës, të fitohen pa fjalë nga sjellja e grave, pasi të shohin sjelljen tuaj të dëlirë e me frikë” (1 Pjet 3:1-2).
Gruaja ju dha burrit nga Zoti për shoqëri, ndihmë, frymëzim dhe mbështetje në punët e tij, ashtu si na thuhet tek Zanafilla: “Pastaj Perëndia tha: Nuk është mirë që njeriu të jetë vetëm; unë do t’i bëj një ndihmë që i përshtatet’’ (Zanafilla 2;18).
Gruaja u krijua nga Zoti që të menaxhojë punët e shtëpisë së burrit të tyre ashtu siç thotë Siraku : "Sikurse dielli që lind botës në lartësi e Zotit, ashtu ndriçon bukuria e gruas në regullimin e shtëpisë" ( Siracidi 25-28) edhe apostulli Pavli thotë që gratë të jenë: “të urta, të pastra, shtëpiake, të mira, të bindura ndaj burrave të tyre, që të mos blasfemohet fjala e Perëndisë’.’ (Titi 2-5)
Asaj ju dha bekimi i madh që të jetë nënë dhe :“do të shpëtojë me anë të lindjes së fëmijëve, në qoftë se qëndrojnë në besim dhe në dashuri e në shenjtërim me urtësi’’(1 Timotheu 2-15).
Apostulli e ka fjalën që gruaja nuk është thjeshtë toka e farës së burrit që të japë kalli, por nënë që lind edhe edukon fëmijët e saj me frikën e Perëndisë dhe kështu ajo fiton dashurinë dhe respektin e burrit dhe fëmijëve dhe mbi të gjitha të Zotit: " Bijtë e saj ngrihen dhe e shpallin fatlume; edhe burri i saj e lëvdon duke thënë:"Shumë bija kanë bërë gjëra të mëdha, por ti i kalon të gjitha ato".Hiri është i rremë dhe bukuria është e kotë, por gruaja që ka frikë nga Zoti është ajo që do të lëvdohet. I jepni frytin e duarve të saj, dhe vet veprat e saj le ta lëvdojnë te portat.(Falët e urta 31:28-31).
Martesa është një mjet në palestër ku njeriu kultivohet në bindje, prandaj edhe apostulli nxit vajzat: “Dua pra të rejat të martohen, të bëjnë fëmijë, të bëhen zonja shtëpie, të mos i japin asnjë shkak armikut për të folur keq’’; “të urta, të pastra, shtëpiake, të mira, të bindura ndaj burrave të tyre, që të mos blasfemohet fjala e Perëndisë’’ (1 Timotheu 5-14).
Bindja është kusht shpëtimi madje edhe Zoti Jisu Krisht, si bir njeriu mësoji të ishte i bindur dhe i nënshtruar ndaj Perëndisë për shëpëtimin tonë, ashtu si na thuhet: “Edhe pse ishte Bir, mësoi të jetë i bindur nga ato që pësoi, dhe, si u bë i përkryer, u bë vepronjësi i shpëtimit të amshuar për të gjithë ata që i binden, duke qenë i shpallur kryeprift nga Perëndia sipas rendit të Melkisedekut" (Hebrenjt 8:5-9).
Edhe pse burri dhe gruaja si ikona të Perëndisë janë të barabartë si persona, si në hir, ashtu edhe në mundësi për shenjtëri dhe hyjnizim sipas ngjashmërisë (Zanafilla 1-26), përsëri kanë hierarki në raport me njeri–tjetrin, ashtu si na thuhet në Bibël përpara u gatua Adami, pastaj Eva (Zanafilla 2-7).
Burri i krijuar i pari sipas ikonës (Zanafilla 1-26) ka përparësinë në drejtimin e çiftit dhe familjes kjo sipas shembullit të Trinisë së Shenjtë, ku të tre personat hyjnorë janë të barabartë në fuqi dhe lavdi përsëri kanë hierarki në renditje dhe në veprim. Ati është shkaku i parë i Birit dhe Shpirtit të Shenjtë dhe i çdo veprimi të Trinisë së Shenjtë, ku Ati mendon, Biri i thotë, Shpirti i Shenjtë i bën dhe i përsos.
Prandaj, edhe gruaja si e dyta në rendin e krijimit të njerëzimit duhet të shikojë drejt burrit ta nderoj dhe ti bindet burrit, i cili ka si atribut mendimin dhe gruaja frymëzimin, dhe të dy së bashku zbatimin.
Dhe për ta bërë më të lehtë mësimin dhe imitimin, apostull Pavli vendos përpara çdo gruaje të krishterë shembullin unikal të bindjes dhe bashkëpunimit me atë të Kishës ndaj Krishtit: “Ashtu si kisha i është nënshtruar Krishtit, kështu gratë duhet t’i nënshtrohen burrave të tyre në çdo gjë.” (Efesianëve 5-24).
Nënshtrimi dhe bindja që gruaja bën ndaj burrit në çdo gjë do të thotë në ato që janë të perëndishme dhe shihet nga Perëndia si bindje e saj ndaj Jisuit, dhe e Jisuit ndaj Perëndisë, "porsi Zotit" (Efesianat 5:22), sepse kështu është rendi i krijimit në këtë botë: "Por dua që të dini se kreu i çdo njeriu është Krishti, edhe kreu i gruas është burri; edhe kreu i Krishtit është Perëndia" (1 Korintasve 11-3).
Gratë që do të gjykohen në gjykatoren e drejtë dhe të frikshme të Zotit Jisu Krisht do të pyeten:
1. A ju binde burrit që ta dhashë ty ?
2 A i edukove me frikë Perëndie fëmijët që ti dhashë ty ?
Nqs një grua e martuar ka dështuar në këto dy detyra bazike çfarë të ketë bërë tjetër në jetë nuk e justifikon dhe ka dështuar në rolin e bekur si grua dhe si nënë. Kështu ajo do të rezikoj shpëtimin e përjetshëm, sepse gruaja që nuk i është bindur burrit nuk i është bindur vetë Zotit dhe gruaja që ka lënë pas dore fëmijët për karjerën e saj nuk ka dashuri amësore dhe kështu as Zotin dhuruesin e fëmijëve të saj nuk e do.
Tregues i jashtëm i bindjes së bekuar të gruas ndaj burrit dhe Zotit është edhe vendosja e shamisë sidomos kur ajo lutet, sipas apostullit: “Edhe çdo grua, që lutet ose profetizon kokëzbuluar, turpëron kryet e saj, sepse është njësoj sikur të ishte e rruar. Sepse në qoftë se gruaja nuk mbulohet, le t'ia presin flokët; por në qoftë se për gruan është turp të qethet a të rruhet, le të mbulojë kryet. Sepse burri nuk duhet të mbulojë kryet, sepse është shëmbëllimi dhe lavdia e Perëndisë, kurse gruaja është lavdia e burrit, sepse burri nuk është nga gruaja, por gruaja nga burri, edhe sepse burri nuk u krijua për gruan, por gruaja për burrin. Prandaj gruaja, për shkak të engjëjve, duhet të ketë një shenjë pushteti mbi kryet" (1 Korintasve 11:5-10)." Por në qoftë se ndokush mendon të kundërshtojë, ne s'kemi zakon të tillë, as kishat e Perëndisë" (1 Korintasve 11-16).
Kurse për burrat apostulli thotë: "Ju, burra, t’i doni gratë tuaja, sikurse edhe Krishti ka dashur kishën dhe e ka dhënë veten e vet për të, që ta shenjtërojë, pasi e pastroi me larjen e ujit me anë të fjalës, që ta nxjerrë atë përpara vetes të lavdishme, pa njolla a rrudha a ndonjë gjë të tillë, por që të jetë e shenjtë dhe e paqortueshme.
Kështu burrat duhet t’i duan gratë
e veta porsi trupat e tyre; kush do gruan e vet do vetveten. Sepse
askush nuk urreu mishin e vet, por e ushqen dhe kujdeset me butësi për
të, sikurse edhe Zoti bën me kishën, sepse ne jemi gjymtyrë të trupit të
tij, të mishit të tij dhe të kockave të tij.“Prandaj njeriu do të lërë
babanë e vet dhe nënën e vet dhe do të bashkohet me gruan e vet, dhe të
dy do të bëhen një mish i vetëm. “Ky mister është i madh; tani unë e
them në lidhjen me Krishtin dhe me kishën. Por secili nga ju kështu ta
dojë gruan e vet sikurse e do veten e vet; dhe po kështu gruaja ta
respektojë burrin. (Efesianëve 5:25 -33).
Perëndia është krijuesi
i çiftit njerëzor, dhe ka familjen si njësinë bazë në shoqëri, dhe çdo
familje duhet të ketë një udhëheqës. Prandaj, Perëndia i ka caktuar
burrit përgjegjësinë e madhe për të qenë udhëheqësi i familjes dhe i
gruas: “sepse burri është kryet e gruas” (I Korintasve 11:3), “sepse
burri nuk është nga gruaja, por gruaja nga burri" (1Korintasve 11-8).
Apostulli
na jep shembullin e një trupi njerëzor që është i përbërë nga koka dhe
trupi me gjymtyrë, ashtu si nuk mund të ketë trup pa një kokë që ta
drejtojë, ashtu edhe s’ka kokë pa trup që të lëvizë dhe të kryejë
mendimet sepse :"në Zotin as burri nuk është pa gruan as gruaja pa
burrin" (I Korintasve 11-9).
Apostulli vendos edhe përpara
burrave shembullin e Krishtit të burrit të përsosur, që ata të mos
abuzojnë me rendin dhe hierarkinë: “siç është edhe Krishti kryet e
kishës, edhe ai është shpëtimtari i trupit”.(Efesianëve 5-23)
Apostulli
shprehet se meqënëse burri është krijuar i pari në rendin e krijimit
(Zanafilla 2-7) ka edhe detyrat më të vështira siç është dashuria e
veçantë dhe pa kushte për gruan kjo më e madhe se dashuria për veten e
tij fëmijët dhe prindërit.
Burri mbas dashurisë "mbi veten" për
Zotin që nuk pranon rivalitet (Mateu 10 37) (Mateu 19 29) duhet të dojë
gruan e tij "si veten" :"Kështu e kanë për detyrë burrat të duan gratë e
tyre, si trupat e tyre. Ai që do gruan e tij, do veten e tij. Sepse
askush ndonjëherë s’e urreu trupin e tij, por e ushqen dhe e ngroh,
sikurse edhe Zoti kishën. Sepse jemi pjesë të trupit të tij, prej mishit
të tij dhe prej eshtrave të tij. “Prandaj njeriu do të lerë të atin e
të ëmën dhe do të ngjitet pas gruas së tij, edhe do të jenë të dy një
mish”.(Efesianëve 5-28-32).
Burri si kreu i gruas (Efesianëve
5-23)ka udhëheqjen dhe përgjegjësinë e parë për mbarëvajtjen e gruas,
fëmijëve edhe familjes. Kjo udhëheqje duhet të ushtrohet me dashuri,
butësi dhe konsideratë për gruan dhe fëmijët që do të thotë plotësim i
nevojave ekonomike shpirtërore fizike të brendshme të familjes.
S'mund të mbash rolin e burrit kur je përtac dhe nuk sakrifikon për të
gjetur me punë të ndershme gjërat e nevojshme për jetesën normale të
gruas edhe fëmijëve, sepse: "Po në qoftë se ndonjë nuk mendohet më
përpara për të tijtë, edhe më fort për ata të shtëpisë së tij, ky ka
mohuar besimin dhe është më i lig se i pabesi’.’ (1 Timotheu 5-8).
Burrat
kanë detyra jo vetëm për kujdesin ekonomik, shpirtëror dhe moral, por
edhe për mbrojtje fizike deri në sakrifikimin e jetës ashtu si apostujt
urdhërojnë: “Ju burrat duajini gratë tuaja, siç deshi edhe Krishti
kishën, edhe dha veten e tij për të, që ta shenjtërojë, duke e pastruar
atë me larjen e ujit, me anë të fjalës; që ta nxjerrë atë përpara vetes
kishë të lavdishme, pa pasur njollë, ose rrudhë, a ndonjë të tillë, por
që të jetë e shenjtë dhe pa të metë. Kështu e kanë për detyrë burrat të
duan gratë e tyre, si trupat e tyre. Ai që do gruan e tij, do veten e
tij" (Efesianëve 5:25-28).
Edhe apostull Petro që ishte vetë i
martuar mëson burrat: “Ju burrat duajini gratë tuaja dhe mos i
hidhëroni ato’’; “Ju burrat, gjithashtu, jetoni me gratë tuaja me
urtësi, duke e nderuar gruan si enë më të brishtë dhe si bashkë
trashëgimtare të hirit të jetës, që të mos pengohen lutjet tuaja’’ (1
Petros 4-7).
Burrat nuk duhet ti tradhëtojnë gratë e tyre që
duhet ti duan as me mendim, sepse kështu nxisin xhelozinë dhe armiqësinë
e gruas dhe ndëshkimin e Zoti që tha: "Keni dëgjuar se u është thënë të
vjetërve: “Mos shkel kurorën”. Po unë po ju them juve, se kushdo që vë
re grua me dëshirim, ka kryer kurorëshkelje në zemër të tij” (Mateu
5:27-28).
"Armiqësitë dhe rivalitetet që ekzistojnë ndërmjet
burrit dhe gruas në këtë botë nuk i përkasin “mënyrave të ndryshme të
ekzistencës”, të krijuara nga Perëndia, por më tepër i përkasin mëkatit.
Nuk duhet të ketë tirani të burrit mbi gruan, as shtypje apo skllavëri.
Ashtu si nuk duhet të ketë përpjekje të grave për t’u bërë burra dhe të
mbajnë pozitën e mashkullit në rendin e krijimit. Por, duhet të jetë
një harmoni dhe një unitet në bashkësinë e qenieve, me dallimet e tyre
natyrore dhe me rendin e krijuar natyror". At Thomas Hopko.
Apostulli
thotë: “edhe gruaja ta ketë frikë burrin” (Efesianëve 5-23). Për çfarë
frike flet? Patjetër, jo për fobi që vjen nga diktati dhe abuzimi i
burrit ndaj gruas por për respekt të domosdoshëm të gruas ndaj burrit
dhe ky respekt i ndërsjelltë.
Shën Nektari për “frikën dhe nënshtrimin” e grave thotë.
Kjo
frikë nuk ka asgjë të përbashkët me frikën e nënkuptuar nga disa zonja
që buzëqeshin në leximin e këtij fragmenti në misterin e martesës. Është
“frika” e shenjtë, e pastër dhe e drejtë dhe e imponuar ndaj grave si
një urdhër hyjnor për lumturinë e tyre të përjetshme dhe lidhjen e
pathyeshme të dashurisë së përbashkët.
Kjo “frikë” nuk shpreh asgjë
që e tremb dhe e tmerron gruan. Kjo “frikë” lind nga dashuria e madhe
për atë që e do, dhe shprehet si nënshtrim dhe si gatishmëri për ta
kënaqur. Dashuria e një gruaje për burrin e saj manifestohet si frika
për të mos rënë nga dashuria që ai tregon ndaj saj.
Kurse Shën
Paisi Agjoriti i Malit të Shenjtë thotë se: "nëse mungon respekti,
vetëpërmbajtja, arrijmë në paturpësi. Por brenda frikës ka respekt dhe
brenda respektit ka dashuri. Diçka që e respektoj, njëkohësisht edhe e
dua, dhe diçka që e dua, edhe e respektoj. Gruaja të respektojë burrin.
Burri të dojë gruan. Por tani ata rrafshojnë gjithçka dhe pastaj
familjet prishen, sepse Ungjillin e kuptojnë anasjelltas. Burri thotë:
“Gruaja duhet që të bindet”. Por, nëse nuk ke dashuri, as edhe një mace
nuk mund ta zbutësh. Nëse nuk ke dashuri, tjetrit nuk mund ti kërkosh as
edhe një gotë me ujë që të të sjellë. Kur dikush respekton tjetrin,
respekton edhe veten e tij, por veten e tij nuk e llogarit. Respektimi i
tjetrit ka nderim. Ndërsa, kur dikush kujdeset për veten e tij, kjo gjë
nuk ka nderim.
Burri duhet të ketë kujdes, që nga dashuria për
gruan të mos tregohet i dobët dhe ti bindet tekave apo gabimeve të saj,
sepse jo vetëm gruan që do ta shkatërroj, por edhe vetë veten, fëmijët
edhe familjen, ashtu siç bëri Adami nga dobësia për Evën,kur dëgjoji
lajkat e saj dhe hëngri frutin e ndaluar (Zanafilla 3-6). Prandaj edhe
Zoti dënoj atë dhe bota u mallkua : "Pastaj i tha Adamit: «Meqenëse
dëgjove zërin e gruas sate dhe hëngre nga pema për të cilën të kisha
urdhëruar duke thënë: "Mos ha prej saj", toka do të jetë e mallkuar për
shkakun tënd, ti do të hash frutin e saj me mund tërë ditët e jetës
sate. Ajo do të prodhojë gjemba dhe bimë gjembore, dhe ti do të hash
barin e fushave; do të hash bukën me djersën e ballit, deri sa të
rikthehesh në dhe sepse nga ai ke dalë; sepse ti je pluhur dhe në pluhur
do të rikthehesh" (Zanafilla 3:17-19).
Mbi të gjitha apostulli
thotë:"nështrujuni njëri tjetrit me frikë Perëndie"(Efesianëve 5-21) që e
rëndësishme si për burrin edhe për gruan është nënshtrimi ndaj
njëri-tjetrit më Krishtin, që përbën një parim frymëror të përgjithshëm.
Ky parim duhet të zbatohet para së gjithash tek familja e krishterë.
Nënshtrimi, përulësia, butësia, durimi dhe toleranca duhet të jenë
karakteristikë e çdo anëtari të familjes . Gruaja duhet t'i nënshtrohet
(d.m.th. përulet) përgjegjësisë që ka burri në udhëheqjen e familjes,
gjithashtu burri duhet t'i nënshtrohet nevojave të gruas dhe fëmijëve
duke u sjellë me dashuri dhe bujari ashtu si apostulli thotë: "Mbani
barrat e njëri tjetrit dhe kështu përmbushin ligjin e Krishtit
(dashurinë) ."(Galatasve 6-2).Amin.