HISTORIA KISHTARE (P.18) Turneu i tretë i Pavlit (Veprat e Apostujve 18. 23-28, 19, 20.1-16)
Autori: Vasil Skiadha
Pavli fillon turneun e tij të tretë
Apostull Pavli, ky punëtor i palodhur i Ungjillit, përsëri nga Antiokia e Sirisë filloi turneun e tij të tretë në vitin 52. Këtë herë vizitoi shumë nga Kishat, që kishte themeluar gjatë turneve të tij të mëparshëm. Kështu do të forconte në besim të krishterët dhe do të lidhte më shumë Kishat me Zotin Jisu. Pa llogaritur vështirësitë dhe rreziqet kaloi nga Galatia, Frigjia dhe zonat e tjera të Azisë së Vogël dhe përfundoi në Efes.
Pavli në Efes
Efesi ishte një qytet i madh me një lëvizje të madhe tregtare. U bë qendra, nga ku krishtërimi do të përhapej më lehtësisht nëpër vende të ndryshme të Azisë së Vogël. Pavli qëndroi në Efes për tre vite të tëra. Aty ndeshi kundërshtime të mëdha prej hebrenjve dhe idhujtarëve, interesat e të cilëve ishin prekur. Në Efes ishte tempulli i madh i Artemisës. Priftërinjtë, muzikantët, skluptorët dhe shumë të tjerë kishin interes prej adhurimit të saj. Pra, shumë prej tyre nxitën popullin kundër të krishterëve. Fatkeqët, mendonin se interesat e tyre materiale ishin më të larta se interesat shpirtërore. Por, përfundimisht me ndërhyrjen paqësore të sekretarit të qytetit (guvernatorit) të krishterët u lanë të lirë.
Kujdesi për të gjitha Kishat
Pavlin e shqetësonte, siç na e vërteton edhe vetë ai, kujdesi për Kishat e tjera. Veçantërisht shqetësohej për Kishat e Greqisë. Për këtë arsye vendosi që ta vizitonte edhe një herë tjetër. Prej Efesit shkoi në Troadë dhe më pas në Filipi. Aty takoi me gëzim të madh të krishterët e tij të dashur dhe bashkpunëtorët e tij, Timotheun, Llukanë dhe Aristratin. Me gëzim më të madh mësoi prej Titos lajme të gëzueshme për Kishën e Korinthit. Më pas shkoi në Selanik dhe në Veria, ku të Krishterët e pranuan me entuziazëm. Në vazhdim u largua për në Korinth, ku qëndroi për tre muaj. Prej andej shkroi “Letrën drejtuar Romakëve”. Kishën e Romës e kishin themeluar disa tregtarë të krishterë. Më pas, duke kaluar nga Maqedonia, Pavli u kthye në Troadë, kështu shmangu edhe një kurth që i kishin ngritur hebrenjtë. Bëri një stacion në Milet dhe ftoi të vinin pranë tijpër pak kohë pleqtë e Kishës së Efesit. Pasi ju dha këshilla të çmuara për veprimtarinë e tyre, i përshëndeti me emocion. Më pas u largua për në Qesari të Palestinës, ku e mikpriti dhjakoni Filip. Atëherë ju shfaq se në Jerusalem e prisnin sprova të mëdha. Të gjithë ju lutën të mos shkonte aty, por Pavli mbeti i patundur në vullnetin e tij për të shkuar. Shkoi në Jerusalem me dëshirën për t’u bërë vullneti i Perëndisë.