HISTORIA KISHTARE (P.19) Arrestimi dhe burgosja e Pavlit (Veprat e Apostujve 21. 17-40, 22. 1-30, 23-26)
Pavli në Jerusalem
Pavli bashkë me Llukanë dhe bashkëudhëtarët e tij të tjerë arritën në Jerusalem, ku të krishterët i pritën me gëzim dhe përzemërsi. Gëzimi i të gjithëve u bë akoma edhe më i madh, kur dëgjuan sa gjëra të mrekullueshme u bënë ndër kombet me ndihmën e Perëndisë.
Por gjatë atyre ditëve në Jerusalem kishin ardhur për të kremten e Pentikostisë, hebrenj nga vende të ndryshme të botës. Mes tyre ishin edhe armiqtë fanatik të Pavlit nga Efesi, Korinthi dhe nga vende të tjera. Këta, pra, filluan që të ngrenin akuza të mosqena kundër Pavlit. Thoshin se nuk rrespektonte kombin hebraik dhe Ligjin e Moisiut dhe shumë gënjeshtra të tjera. Këto shpifje kundër Pavlit patën si rezultat arrestimin e tij. Fanatikët kishin si qëllim ta vrisnin në vend. Pavli tashmë ishte i pambrojtur në duart e armiqve të tij. Por Perëndia do të zbulonte mashtrimet e tyre dhe do ta mbronte, siç u bë dikur edhe me Josifin e Tërëmirë.
Pavli në burg
Në atë moment të rëndësishëm u njoftua dhe erdhi kryemijëshi romak Klaudio Lisia me gardën e tij. Ai arriti që ta hiqte Pavlin nga duart vrasëse të hebrenjve. Ndërsa ata thërrisnin “vriteni”, kryemijëshi lidhi Pavlin me dy zinxhirë të trashë, sepse e konsideronte si keqbërës. Pavli pasi mori leje, kundërshtoi akuzat dhe u soll ndaj armiqve të tij me shpirtmadhësi dhe me dashuri. Por ata nuk pranuan mundësinë që ju dha Pavli, që të pendoheshin dhe të shpëtonin. Çfarë shpirtra të egër dhe të pabindur! Pas fjalimit të Pavlit fanatikët u zemëruan akoma më tepër. Atëherë kryemijëshi urdhëroi që Pavlin ta çonin tek ushtarët dhe ta fshikullonin, sikurse kishin fshikulluar dikur edhe Zotin. Në këtë situatë Pavli përdori cilësinë e qytetarit romak, siç kishte bërë edhe tek Filipianët. Kryemijëshi, kur dëgjoi këtë gjë, u tremb, sepse nuk lejohej që qytetarët romakë të keqtrajtoheshin. Për këtë arsye e mbyllën në burg dhe thirri anëtarët e sinedrit hebraik për ta gjykuar. Që prej atëherë filloi burgosja e Pavlit, që zgjati më shumë se katër vite.
Pavli në sinedër
Ditën tjetër Pavlin e çuan përpara sinedrit, kryetar i të cilit ishte kryeprifti Anania. Gjyqin, që vijoi e ndoqi edhe vetë kryemijëshi. Pavli në apologjinë e tij tha se po gjykohej sepse besonte dhe kishte shpresë në ngjalljen e të vdekurve. Anëtarët e sinedrit Farisenj dhe Saducenj, nuk u pajtuam mes tyre dhe filluan që të grinden. Shkaku ishte ngjallja, që nuk pranohej nga Saducenjtë. Kryemijëshi, që të shpëtonte Pavlin, i cili po rrezikohej, urdhëroi ushtarët që ta çonin përsëri në burg. Aty Zoti i shfaqi në një vizion se nuk do të pësonte ndonjë të keqe dhe se do të predikonte Ungjillin në Romë.
Pavli ndjeu se po mbushej me fuqi të re, pasi Zoti ishte bashkë me të. Armiqtë fanatik të Pavlit u betuan se do ta vrisnin. Sigurisht kërkuan edhe prej kryepriftërinjve që ta risillnin në gjyq. Kishin si qëllim që ta vrisnin në rrugë. Por providenca e Perëndisë i prishi planet e tyre kriminale. Kryemijëshi u njoftua për këtë plan prej nipit të Pavlit. Atëherë për ta mbrojtur, e dërgoi me një numër të madh ushtarësh tek guvernatori romak i Qesarisë, Antonio Flika. Kështu Perëndia shpëtoi Pavlin prej thikës së armiqve të tij.
Pavli kërkon Qesarin
Në burgjet e Qesarisë Pavli kaloi dy vite. Dhe kjo gjë, pasi guvernatori tiran dhe argjendashës Filika shpresonte që të merrte para, për të liruar Pavlin. Por në vitin 60 perandori i Romës e zëvendësoi me një guvernator tjetër, Porkio Festin.
Krerët e judenjve kërkuan edhe prej guvernatorit të ri Fest, që të dërgonte Pavlin në Jerusalem, gjoja për ta gjykuar ata. Qëllimi i tyre ishte që ta vrisnin gjatë rrugës, sikurse kishin planifikuar edhe më parë. Festi i kuptoi planet e tyre kriminale dhe i ftoi që të dërgonin përfaqësues në gjyqin e ri të Pavlit në Qesari. Në këtë gjyq, që u bë në Qesari, u zbulua edhe pafajësia e Pavlit. Por Festi u bind prej armiqve të Pavlit, që të ribëhej gjyqi në Jerusalem prej sinedrit të madh. Atëherë Pavli protestoi dhe kërkoi, pasi kishte të drejtë, që rë gjykohej prej Qesarit në Romë. Festi e pranoi këtë kërkesë me shqetësim. Kërkoi sigurisht edhe miratimin e mbretit të judenjve, që varej nga Romakët, Herod Agripës. Kështu Pavli do të shkonte në Romë, siç i kishte treguar edhe Zoti në vizion.