HISTORIA KISHTARE (P.20) Misioni i Pavlit në Romë (Veprat e Apostujve 27, 28. 1-15)

Pavli me peripeci udhëton për në Romë
Në vjeshtën e vitit 60. Pavli bashkë me bashkpunëtorët e tij të dashur Aristarkun, Maqedonin dhe Llukanë hypën në anije për në Romë. Me shumë vështirësi për shkak të erërave të kundërta, arritën në Mirë të Likisë. Aty udhëtarët hypën në një anije tjetër më të madhe, që transportonte grurë për në Romë. Por prej stuhisë së madhe, gjatë udhëtimit, u vendosën në jug të Kretës. Zbarkuan në një vend pranë qytetit të vjetër Lasea. Ishte muaji nëntor. Pavli i këshilloi që ta kalonin dimrin aty. Por drejtuesi i anijes bashkë me pronarin e saj vendosën që të lundrojnë për një liman tjetër më të sigurt, në Feniki. Aty mendonin ta kalonin dimrin. Por era e fortë, e quajtur “Euroklodona”, nuk i lejoi, duke e lënë anijen në mëshirën e dallgëve.
Mbytja e anijes dhe shpëtimi i udhëtarëve
Për 14 ditë dhe netë, anija luftoi me dallgët, pa u dukur as dielli, as yjet dhe as një shenjë toke. Udhëtarët ishin rraskapitur prej vuajtjeve dhe mos ushqyerjes. Pavli, sikurse e kishte njoftuar Ëngjëlli i Zotit, ju siguronte se do të shpëtoheshin të gjithë. Dhe me të vërtetë pas pak panë se ju afruan një bregu.
Pavli, pengoi përpjekjen e marinarëve për ta lënë anijen në mëshirën e fatit. Si edhe mendimin e tyre çnjerëzor për të vrarë të burgosurit, pasi kishin frikë se mos arratiseshin kur të zbarkonin në breg. Përfundimisht pasagjerët, 276 persona shpëtuan të gjithë dhe zbarkuan në plazhin e një ishulli. Ishte Meliti, apo Malta e sotme.
Pavli arrin në Romë
Banorët e mirë të ishullit u kujdesën për udhëtarët dhe ndezën një zjarr të madh për t’i ngrohur. Por kur Pavli shkoi që t’i hidhte disa drunj zjarrit e pickoi në nepërkë, por pa pësuar asgjë me ndihmën e Perëndisë. Banorët e pandehën si perëndi, siç e kishin pandehur dikur në Listra. Këtë moment Pavli e konsideroi si mundësi për të predikuar vullnetin e Perëndisë. Që prej atëherë filloi që të përhapej krishtërimi në Maltë. Pas tre muajsh lundërtarët u larguan për në Romë, ku të krishterët i pritën me shumë respekt. Pa e njohur ende, ata ishin lidhur me Pavlin prej Letrës së frymëzuar nga Perëndia, që ju kishte dërguar nga Korinthi.