A KA PROVA SOT QË TREGOJNË BINDSHËM EKZISTENCËN E PERENDISË ?
January 5, 2022 at 9:45 pm,
No comments
Besimi dhe dyshimi në ekzistencën e Perëndisë janë dy bashkudhëtarë antagonistë (të kundërt), deri në ditën e fundit të njerëzimit .
Të dyja këto energji mendore ekzistojnë brenda çdo njeriu të arsyeshëm dhe bëjnë një luftë për jetë a vdekje me njëri-tjetrin edhe kur duken sikur kanë vendosur paqe me njëri-tjetrin dhe këtë mund ta quajmë periudha e indiferencës për temën e besimit.
Kjo paqe e rreme nuk zgjat shumë, përsëri besimi dhe dyshimi kacafyten me njeri-tjetrin në psikikën tonë deri sa njëri të triumfojë, besimi ose dyshimi (pabesia). Problemi është se Perëndia, qenia absolute që ekziston nga vetvetja i gjithëpushtetshmi, i gjithëdituri, i gjithëmirësi dhe dashuri dhe i kudondodhur është i mistershëm, i fshehtë, i padukshëm dhe i paprekshëm për shqisat tona fizike dhe racionale.
Njeriu duke qenë një qenie psikosomatike (shpirt–trup) ose metafizike (përtej fizikes) nuk pranon informacion vetëm nga ajo që ai shikon dhe prek me shqisa fizike, por ai edhe mendon për objektin ose dhe fenomenin, pse ndodhi? Kush e solli? Kush e krijoi?
Dhe mendimi i cili nuk është material kapërcen kufijtë e fizikës dhe kalon tek metafizikia, shpirtërorja tek e padukshmja, tek inteligjenca superiore, tek Zoti.
Por, meqenëse Zoti nuk shikohet me sy fizik, mendimit i hyn dyshimi materialist si një krimb që konsumon pa mëshirë dhe në qoftë se ky dyshim lihet i lirë të veprojë, atëherë mendimi rrëzohet nga shpirtërorja në atë fizike shqisore dhe njeriu del në përfundim pragmatist se meqenëse Zoti nuk shihet dhe nuk preket, Ai nuk mund të ekzistojë.
Por a është ky një konkluzion intelektual i arsyeshëm?
Shumë veta që pretendojnë se janë elitë e mendimit si filozofë, studiues, artistë, shkencëtarë, kanë dalë në këtë përfundim se Zoti meqenëse nuk shihet dhe preket, Ai nuk ekziston dhe e quajnë veten me mburrje, ateist (t’i jesh kundër Perëndisë).
Ata injorojnë, fyejnë si të prapambetur një tjetër grup njerëzish që quhen besimtarë, të cilët nuk janë më pak inteligjentë dhe të aftë, por ndryshe nga ateistët, besojnë se Perëndia pavarësisht se është i padukshëm, Ai ekziston përjetësisht dhe na jep prova të ekzistencës së tij nga vetvetja, nëpërmjet fenomeneve natyrore dhe të mbinatyrshme.
Këtu e kam fjalën për shkencëtar, matematicien si Aijshtajni, astronom si Kepler, shkrimtarë si Gëte, Dostojefski etj. Këta së bashku thonë: “Ajo që mund të njihet prej Perëndisë është bërë e dukshme ndër ta, sepse Perëndia u ka shfaqur atyre. Në fakt, cilësitë e tij të padukshme, fuqia e tij e përjetshme dhe Hyjnia e tij duke qenë e dukshme nëpërmjet veprave të tij që nga krijimi i botës shihet qartë” (Romakët1-19-20).
Një besimtar me emrin David, i cili ishte mbret shkruan 3000 vjet përpara: “Tha i marri në zemrën e vet nuk ka Perëndi” (psalmi).
Madje, për këtë frazë të biblës është bërë dhe një dialog që ka mbetur në kujtesë të historisë midis një shkrimtari bolshevik ateist Ditëro dhe Patriarkun e kishës së madhe Ruse, të shenjtërisë së tij, Tihonit. Në një nga takimet që organizonin me bujë ateistët bolshevikë, shkrimtari Ditëro përballet me Patriarkun Tihon dhe i thotë me mburrje: “Çfarë do të thuash tani për Perëndinë, ekziston akoma?”. Patriarku u përgjigj me shumë urtësi: “Asgjë më shumë se çfarë tha Davidi tremijë vjet përpara :‘Tha i marri në zemrën e vet se nuk ka Perëndi’”.
Ditëroi u përgjigj me ironi “Kjo është diçka e vjetër, na thuaj diçka të re”. “Po – i tha Patriarku – ka diçka të re, në kohën e Davidit i marri e mbante të fshehtë marrëzinë në zemrën e tij, kurse tani marrëzia shprehet hapur me gojë”.
Por unë nuk do të zgjatem në thënie dhe kundërthënie ndërmjet ateistëve dhe besimtarëve, se kjo është një histori e gjatë, që do të vazhdojë deri në fund të njerëzimit, por po i rikthehem pyetjes “A ka prova sot që ekziston Perëndia?”.
Unë them se po, madje është një provë që mund ta shohim, mund ta prekim dhe ekzaminojmë të gjithë, nga njeriu i thjeshtë deri tek shkencëtari kërkues me epruvetë në laborator.
Në datën 6-të janar në kishën Orthodhokse në shumë vende të botës bëhet një shërbesë e veçantë brenda në kishë ose në vende publike; e rëndësishme është që të ekzistojë elementi i ujit, i cili është një nga katër elementët më me shumicë në planet. Në këtë ditë klerikët orthodhoksë marrin një kryq, mund të jetë një kryq i florinjtë, i argjendtë, i drunjtë dhe mbasi bëjnë një lutje duke i thirrur Perëndisë Triadik të padukshëm të dërgojë Hirin e Shpirtit të Shenjtë ashtu siç ndodhi kur u pagëzua Krishti në lumin Jordan:“Atëherë erdhi Jisui nga Galileja në Jordan te Joani, për t’u pagëzuar nga ai dhe Jisui sapo u pagëzua, doli nga uji dhe ja… qiejt u hapën dhe ai pa Frymën e Perëndisë, duke zbritur si një pëllumb e duke ardhur mbi Të dhe ja një zë nga qielli që tha: “Ky është Biri im dashur, në të cilin jam kënaqur” (Mat 3 13-17).
Priftërinjtë e zhysin kryqin tri herë në ujë duke kënduar: “Në Jordan kur pagëzoheshe o Zot, falja e Trinisë u shfaq…".
Mbas këtij momenti uji bekohet, shenjtërohet dhe me të spërkaten besimtarët dhe e marrin në shtëpi, duke spërkatur shtëpitë dhe objektet që ata përdorin, që edhe ato të shenjtërohen.
Ata që kanë ardhur deri këtu duke lexuar me durim, mund të thonë ku është prova që ekziston Perëndia, as e pamë Atë, as dëgjuam zërin e Tij, as ndonjë Pëllumb, siç zbriti mbi Krishtin nuk pamë, uji ishte, uji mbeti.
Këtu duhet të ndalojmë dhe të mos të nxitohemi të japim përfundime naive, sikur këto janë disa ceremoni të sajuara nga Kisha Orthodhokse për të krijuar festa për argëtim etj, ose si ateistët që shkojnë më larg, duke thënë se: " feja është si opiumi që i mashtron njerëzit me iluzione".
Vërtet uji është, por me një ndrysim të madh nga pjesa tjetër e ujërave, të cilët nuk u bekuan. Uji i bekuar nuk prishet, nuk qelbet siç bëhet me ujin kur ai rri në një vend, i mbyllur dhe pa qarkulluar. Uji që bekohet në 6 janar nga Perëndia me lutjet e klerikëve orthodhoksë nuk prishet gjatë gjithë vitit dhe përtej vitit dhe po ju siguroj se në qoftë se është i mbyllur në një enë dhe nuk avullon, ai mbetet i tillë deri në fund të kohës. Këtë gjë ju mund ta provoni shumë thjeshtë, mund të kontaktoni me një besimtar orthodhoks dhe ai do t’ju tregojë në mënyrë konkrete ujin e bekuar, që e mban për gjithë vitin në shtëpinë e tij të paprishur dhe mund ta konsumojë pa problem edhe mbas një viti, nuk ka as erë të keqe, as hidhërim.
Dikush mund të thotë, këtu mund të ketë ndonjë trill nga priftërinjtë për t’i mashtruar njerëzit.
Kam dëgjuar se në kohën e ateizmit komunist në propagandën kundër fesë u nxor një kundërargument gjoja shkencor për të përgënjeshtruar shenjtërimin e ujërave. Ata thoshin se priftërinjtë hedhin në ujë një kryq prej argjendi, duke e lënë aty për të gjithë natën edhe argjendi sipas tyre lëshonte në ujë disa molekula që nuk e lejojnë ujin që të prishet, por kjo akuzë bie shpejt poshtë dhe nuk i reziston dot logjikës së ftohtë, që arsyeton sipas fakteve kokëforta.
Psh por kur në ujë hidhet një kryq prej druri ose kur hidhet në një lumë ku uji rrjedh ose në një liqen të madh ku sasia e ujit është e pamasë, si mund të shpjegohet përsëri se uji që është marrë nga këto vende nuk prishet?
Por pse duhet të harxhojmë kohën duke pyetur të tjerët çdokush mund ta provojë vetë të shkojë dhe të marrë ujin e bekuar në kishë në 6 janar dhe ta mbajë për gjatë gjithë vitit dhe vetë ai do të shikojë me sytë e tij se uji i bekuar në kishën Orthodhokse nuk prishet.
Sot me zhvillimin e teknologjisë është bërë e mundur ekzaminimi shkencor i përbërjes të elementeve kimikë siç është edhe uji dhe mund të ekzaminohet përbërja e ujit të bekuar, por rezultati përsëri do të jetë kokëfortë, formula H2O nuk ndryshon dhe nuk gjenden përbërës të tjerë kimikë që nuk e lejojnë prishjen e ujit.
Disa thonë se priftërinjtë i hedhin kripë ujit që të mos prishet, kjo mund të ndodhë në një kishë heterodokse , por jo në kishën Orthodhokse dhe nga priftërinjtë e saj.
Atëherë çfarë e shkakton fenomenin e mosprishjes së ujit?
Ky fenomen nuk është njerëzor dhe fizik, që ne mund ta shohim dhe ekzaminojmë, por një veprim i Perëndisë së padukshme, që na jep një shenjë të dukshme që ne të mund të besojmë se Ai ekziston. Në këtë rast na ndodh si një të verbri, i cili nuk mund ta shikojë dot diellin, por kur ndjen nxehtësinë e rrezeve të tij, ai beson se dielli ka dalë dhe ai ekziston.
Domethënia e kësaj mrekullie është shumë e madhe dhe do të na duheshin shumë faqe për ta sqaruar, por më lejoni t’ju them shumë shkurt për ata që janë të interesuar çfarë ndodh në mënyrë të padukshme tek uji i bekuar.
Perëndia i padukshëm krijoi qiellin edhe dheun prej katër elementësh uji, zjarri dhe ajri dhe mbasi e stolisi qiellin edhe dheun me gishtërinjtë e dorës së tij për 7 ditë, në fund krijoi njeriun sipas ikonës së Tij dhe në ngjashmëri me të e vendosi si një mbret në këtë mbretëri tokësore, që ta punojë dhe ta ruajë.
Në fillim çdo gjë ishte harmonike dhe e përsosur, qielli dhe natyra, çdo gjë ishte e paprishur dhe vetë njeriu ishte i pavdekshëm, por gjithçka në natyrë pësoi korruptim, prishje dhe vetë njeriu u bë i vdekshëm nga zilia e djallit, e një engjëlli të rënë nga parajsa qiellore për shkak të krenarisë, i cili pati zili dhe smirë për krijimin e ri të Zotit, në mënyrë të veçantë për njeriun që ishte i krijuar sipas ikonës së Perëndisë dhe në ngjashmëri me të.
Djalli që quhet babai i gënjeshtrës, i gënjeu njerëzit që të shkelin ligjin e Perëndisë, që ju tha në Eden “Mos hani nga pema e së mirës dhe së keqes se ditën që do të hash prej saj, do të vdisni më siguri”(Zbulesa 2 17), ai i tha të kundërtën në qoftë se ju do të hani “Ju s’keni për të vdekur aspak, por Perëndia e di që ditën që do të hani, sytë tuaj do të hapen dhe do të jeni në gjendje si Perëndia të njihni të mirën dhe të keqen” (Zbulesa 3 4-5).
Njeriu u gënjye e hëngri frutin e ndaluar me dëshirë rebele të bëhej Perëndi pa Perëndi, ai vërtetë e mësoi të mirën që është Perëndia dhe të keqen që është djalli, por nuk mbeti i pavdekshëm dhe për shkak të mëkatit të njeriut, e gjithë natyra që u bë për njeriun, ra në prishje në sundimin e djallit, princin e kësaj bote mëkatare.
Djalli, kjo krijesë e korruptuar nga vetvetja, u vendos në ujëra, duke i infektuar ato me prishjen e tij, kështu ujërat u korruptuan dhe nëpërmjet tyre i gjithë krijimi, i cili ra në kotësi, kontradikta dhe prishje ashtu siç edhe e shohim sot dhe ngaqë disa njerëz nuk e dinë këtë të vërtetë, bëjnë fajtor krijuesin, Zotin, si shkaktar të çrregullimit në natyrë dhe midis njerëzve.
Por, Perëndia i dashurisë nuk e braktisi njeriun dhe krijimin në kthetrat e të ligut. Ai në kohën e caktuar, dërgoi fjalën dhe Birin e Tij të vetëmlindur para gjithë jetëve, me anën e të Cilit u bënë të gjitha dhe e bëri njeri prej Shpirtit të Shenjtë dhe Virgjëreshës Mari, Jisu Krishtin, që lindi në Bethlehem të Judesë. Ai në moshën 30 vjeçe u pagëzua në ujërat e Jordanit, për të shenjtëruar me tërë shenjtërinë e tij hyjnore, natyrën e ujërave, për të shkatërruar foletë e demonëve që banojnë në ujëra dhe duke i dhënë ujit shenjtërinë, Hirin e Shpirtit të Shenjtë e bënë atë mjet për larjen e mëkateve të njerëzve me anë të misterit të pagëzimit.
Prandaj dhe kur një njeri kërkon të pagëzohet në kishën Orthodhokse, bëhet e njëjta shërbesë e shenjtërimit të madh të ujit si ajo e 6 janarit.
Zoti nëpërmjet kishës Orthodhokse, duke na dhënë këtë provë, pra ujin e bekuar që nuk prishet, është duke na treguar se si ka qenë krijesa dhe njeriu në fillim para rënies, si u restaurua ajo dhe njerizimi mbas rënies në mëkat, me Krishtin, vdekjen dhe ngjalljen e Tij, sepse pagëzim që do të thotë zhytje në ujë, është tregues i vdekjes dhe i ngjalljes së Krishtit dhe i kujtdo që pagëzohet në emër të Krishtit siç thuhet, “Po a nuk e dini se ne që u pagëzuam në Jisu Krishtin, u pagëzuam me vdekjen e tij?” (Rrom 6; 3).
Të pagëzuarit i falen të gjitha mëkatet, nga gjaku i Krishtit, vishet me Krishtin dhe jeton me Atë pavdekësinë: “Tani nëse vdiqëm me Krishtin, ne besojmë gjithashtu që do jetojmë me Të, duke ditur se Krishti që u ringjall prej së vdekurit, nuk vdes më; vdekja s’ka më pushtet mbi të” (Rrom 6 8;9).
Uji i bekuar, me mosprishjen e tij na tregon që tani, si do të jetë, krijesa dhe njerëzimi në ardhjen e dytë të lavdëruar të Krishtit si Perëndi-Njeri, për të bëjë gjyqin e drejtë në ditën e fundit të botës, kur djallin dhe demonët bashkë me vdekjen do t’i çojë në humbje; në ferrin e përjetshëm, do të ringjallë të vdekurit duke bërë gjyq të drejtë mbi të gjithë njerëzit, ata që kanë besuar dhe kanë bërë mirë në ringjallje jete, kurse të pabesët dhe mëkatarët, në ringjallje mundimi.
Dhe mbas kësaj, do të rikrijojë qiell dhe tokë të re të paprishme, ku Zoti do të jetë i gjithi në të gjitha dhe do të jetojnë në të përjetësisht të drejtët dhe mëkatarët e penduar.
Njerëzimi e ka para syve pavdekësinë dhe mund ta shoh, ta prek, ta shijoj që tani. Mund të themi me siguri se Uji i bekuar është ilaçi i pavdekësisë, që aq shumë njerëzit e dëshirojnë, është tregues i pagëzimit me ujë dhe Frymë të Shenjtë, si vetmja mënyrë që njeriu të fitojë jetën e përjetshme të mbretërisë së Perëndisë, siç tha Jisu (një njeriu) Nikodemit: ” në të vërtetë, në të vërtetë po të them se kush nuk ka lindur nga uji dhe nga fryma, nuk mund të hyjë në mbretërinë e Perëndisë. Ç’ka lindur nga mishi është mish, por ç’ka lindur nga fryma është frymë”(Joani 3 5,6).
Të gjithë këtë doktrinë të krishterë na e tregon kjo e kremte e 6 janarit, Theofania (shfaqja e Perëndisë) dhe Uji i bekuar, kjo provë që e mbajmë në dorë e kungojmë dhe e prekim.
Të dyshosh është pjesë e natyrës së rënë njerëzore dhe Zoti na mirëkupton për këtë gjë. Ashtu si edhe Shën Thomai dyshoi për ngjalljen e Krishtit dhe tha: “Po nuk i pashë në duart e Tij shenjat e gozhdëve dhe nuk e vura gishtin tim në shenjat e gozhdëve dhe dorën time në brinjën e Tij, unë nuk besoj”,(Joani 20-21), por kur Krishti iu shfaq Thomait dhe e lejoi të prekë shenjat e gozhdëve në duart e Tij dhe të vërë dorën në brinjët e Tij, atëherë Thomai mbasi i preku, besoi, iu largua dyshimi dhe tha: “Zoti im dhe Perëndia im” dhe Zoti Krisht i tha me qortim: “Sepse më ke parë Thoma, ti ke besuar; lum ata që nuk kanë parë dhe kanë besuar”.(Joani 20- 29).
Kështu edhe ne kur të shohim dhe prekim këto prova si Uji i bekuar (Ajazmë) të largojmë dyshimin dhe të besojmë se Zoti ekziston dhe është më afër seç e mendojmë, i Cili ka bërë gjëra të mëdha për ne.
Miron Cako