FRYMA E KRISHTLINDJES
Këto ditë, që prej fillimit të Dhjetorit deri në Theofani, të gjithë flasin për “frymën e Krishtlindjeve”. Zbukurime, drita, përgatitje, dhurata, blerje, gëzim dhe shpresë, për të vegjël dhe për të mëdhenj. Një panair dritash, ngjyrash dhe gjendje shpirtërore e ndryshme krahasuar me pjesën tjetër të vitit, vjen të ndryshojë për pak ditë jetën tonë, por edhe pamjen e shtëpive, rrugëve dhe qyteteve.
Fryma e Krishtlindjeve për shumë njerëz është një frymë konsumi, një mundësi për shoqërim dhe mani konsumatore. Një imazh dhe një praktikë që për fat të keq na ka ardhur edhe nga jashtë, nga shoqëri që nuk kanë diçka më të thellë brenda tyre, që kanë harruar Perëndinë, që kanë harruar që festojmë Lindjen e Perëndinjeriut dhe për këtë arsye nuk mund ta kuptojnë rëndësinë e kësaj ngjarje në jetën e tyre.
Të shumtë janë ata që vendosin t'i kalojnë Krishtlindjet duke bërë një udhëtim jashtë vendit, në zemër të Evropës, sepse atje Krishtlindjet kanë një ngjyrë më të ndezur, më spektakolare, ndryshe nga ne. Dhe kështu është. Sepse sa më shumë harron kuptimin dhe përmbajtjen e një gjëje, aq më shumë rëndësi i kushtohet asaj që e rrethon, veçorive të jashtme, në ndriçime, në zbukurime dhe në përshtypjet që ato lënë.
Në Evropë, për fat të keq, Krishtlindjet festohen pa Perëndinë. Pak flasin apo kujtojnë këtë realitet. Pra, nuk ka rrugë tjetër, veç ndriçimeve të tipareve të jashtme dhe krijimit të një atmosfere artificiale hareje dhe gëzimi, të cilën duke qenë se i mungon thelbi, përpiqen ta zgjerojnë në kohë me festime dhe shfaqje që nga mesi i muajit nëntor.
Atmosfera është e bukur, e gëzuar, shumëngjyrëshe, por nuk është gjë tjetër veçse një orgji konsumatore, një gëzim i rremë, i shoqëruar me natën e Krishtlindjeve e të Vitit të Ri, ku të gjithë duhet të vishen sa më mirë, të buzëqeshin sa më shumë dhe të shkëmbejnë urimet mekanikisht, pa kuptim dhe esencë. Festa kulmon me ushqimin e pasur dhe shpesh të rafinuar, me verën shumë të mirë dhe argëtimin deri në mëngjes. Në Europë, edhe zakoni i dhuratave, nga një gjest dashurie është kthyer në një marrëdhënie, duke menduar se në këtë mënyrë blejnë favorin e të tjerëve apo se ofrojnë lumturi.
Është e vërtetë që mania konsumatore e këtyre ditëve, në fund nuk ia mbush zemrën askujt, menjëherë qetësohet dhe më në fund i lodh njerëzit. Është e vërtetë se aty ku nuk ka kuptim më të thellë, gjithçka shndërrohet në shifra, para, shpenzime… dhe jeta vazhdon duke marrë sërish ritmet e saj të përditshme.
Festimi i lindjes së Krishtit çdo vit shënon dy ngjarje të ndryshme:
Ngjarja e parë është kremtimi i Mishërimit të Perëndisë.
Lindja e Krishtit përbën një fillimin e shpëtimit të njeriut prej mëkatit. Është realizimi i premtimit të Perëndisë për Adamin. Realizimi i shpresës së njeriut për një jetë të re pranë Perëndisë.
Që nga ky moment fillon mrekullia e shpëtimit tonë, pasi Jisui i porsalindur është ai, i cili me mësimin e tij, me sakrificën e tij dhe me Ngjalljen e tij na ofron perspektivën e rrugëtimit tonë ngjallësor, brenda rilindjes sonë shpirtëror.
Të gjithë ne kemi nevojë që të rilindim shpirtërisht, të korrigjojmë karakterin tonë të vështirë, të gjejmë kuptimin e vërtetë të jetës sonë.
Ngjarja e dytë është rigjenerimi brenda nesh i shpresës për vitin e ri që po afron.
Pra shpresa rilind përsëri. Nga çdo mendim, shpirtëror apo lëndor, qiellor dhe tokësor, brenda nesh dhe rreth nesh, me perspektiva që kanë të bëjnë me të tashmen torturuese, por edhe me të ardhmen e ëndrrave tona, të çfarëdolloj qofshin ato.
Pra, kjo mundësi na jepet tani, kjo shpresë për një njeri më të mirë brenda nesh, ndjenja e një fillimi të ri, shtysa për rifillimin e luftës shpirtërore, lind përsëri.
Le ta shfrytëzojmë, pra mundësinë që na ofrohet në Krishtlindjet e sivjetshme. Le të mos e lejojmë shpresën që të shuhet ose të harrohet brenda përpjekjeve të jetës së përditëshme.
Nuk është e paarsyeshme apo joreale të shpresojmë për një të nesërme më të mirë, një shoqëri më të mirë, një Kishë më të mirë, një politikë më të mirë, një jetë më të mirë, një komunikim më të mirë me njerëzit tanë, një marrëdhënie më të mirë me veten, në një bashkësi më të mirë me Perëndinë. Mjafton që të duam dhe të përpiqemi.
Është e ditur se shpresa vdes e fundit. Këto ditë na ofrohet një tjetër perspektivë: domethënë, që shpresa mund të lindë shumë herë, të rigjenerohet, të na ndihmojë që të tejkalojmë hidhërimet që shkaktohen prej fatkeqësive të jetës, të marrim guxim, fuqi dhe të ecim në rrugën që kemi zgjedhur. Kjo Shpresë që lindet në grazhdin e kafshëve duhet që të shoqërojë rrugëtimin e jetës sonë. Për Atë ëngjëjt psalin “Lavdi në më të Lartat...”, për Atë magët udhëtojnë prej thellësisë së Lindjes, për Atë barinjtë përkulen me përulësi, ylli po shkëlqen vazhdimisht dhe ne po festojmë ngjarjen vërtet të gëzueshme.
Si i bëhet që ai që feston të mungojë nga festa?
Si mund të jetë fryma e Krishlindjeve e ndryshme nga fryma e Lindjes së Krishtit?
Si mundemi që të flasim për dashuri dhe të urojmë paqe dhe lumturi, pa Atë që ka fuqinë që të sjellë dashurinë?
Pa Atë që erdhi mes nesh dhe u bë njeri vetëm e vetëm që të na ofrojë këto të mira, të cilat i dëshirojnë zemrat e të gjithëve, dhe të na mësojë mënyrën se si mund t’i fitojmë?
Krishti sepse na tregoi, që lumturia dhe dashuria nuk gjenden tek paratë, as tek të kaluarit mirë, as tek fuqia dhe as tek pushteti.
Me prezencën e Krishtit, me Lindjen e Tij dhe me jetën e Tij na tregoi se sa vlerë të madhe kanë shpirtrat fëminor, prej të cilëve mungon ankthi i përditshmërisë, agonia e prestigjit shoqëror, kërkimi i parasë dhe hipokrizia në komunikim.
Na nxiti që të bëhemi përsëri fëmijë, domethënë të bëhemi përsëri të sinqertë. Njerëz të dashurisë. Paqebërës, me vlerë të vërtetë.
Nëse kërkojmë, pra, të gjejmë ndonjë kuptim të këtyre ditëve, i cili do të na shoqërojë për të gjithë vitin dhe për të gjithë jetën, nuk na mbetet gjë tjetër veçse të imitojmë barinjtë dhe magët, që përulësisht i’u falën në shpellën e Betlehemit.
Nuk na mbetet gjë tjetër veçse të gjejmë pafajsinë e humbur, atë që gjendet në sytë e pastër të fëmijëve. Jisui pasi thirri një fëmijë, e vendosi mes tyre dhe tha: “Ju siguroj se, nëse nuk pendoheni dhe nuk bëheni si fëmijët, nuk do të hyni në mbretërinë e qiejve. Ai i cili do të përulë veten e tij si ky fëmijë, ai do të jetë më i madhi në mbretërinë e qiejve”.