MISHËRIMI I PERËNDISË: ASPEKTET THEOLOGJIKE DHE SIMBOLIKAT E IKONOGRAFISË
Përgatitur & përkthyer: Zyra e Katekizmit Kryepiskopata e Tiranës
Njeriu nga natyra e tij u krijua “sipas ikonës” dhe “sipas ngjashmërisë” së Perëndisë, “dhe Perëndia tha: “Ta bëjmë njeriun sipas ikonës sonë dhe në ngjasim me ne” (Zanafilla 1.26). Megjithatë, me shkeljen e urdhërimit hyjnor prej njeriut, marrëdhënia komunikuese me Perëndinë u trondit, dhe për këtë arsye me mishërimin e Birit të Tij, Perëndia deshi që ta ribënte njeriun pjesëmarrës së jetës në Krisht.
Ardhja e Mesisë në botë u profetizua në Dhjatën e Vjetër. Në lidhje me këtë, ngjarja unike e Mishërimit, është parapërmendur prej profetëve dhe zë vend në një vend konkret dhe në një kohë konkrete, në mënyrë që të përmbushet e thëna: “Ja e virgjëra do të mbetet me barrë dhe do të lindë një fëmijë të cilin do ta quajë Emanuel” (Isaia 7.14). Pas Isaisë, profeti Jezekiel parathotë në mënyrë alegorike Lindjen trupore të Emanuelit prej Virgjëreshës.
Megjithatë, roli që do të luante Virgjëresha Mari në Mishërimin e Birit të Perëndisë, u përmend edhe me mënyra të tjera në Dhjatën e Vjetër, si “Tenda e dëshmisë”, si “Arkë e Dhjatës”, si “Shkop i Aroonit”, si “Shtambë me manë qiellore”, si “Shkallë e Jakovit”, etj.
Të gjitha këto veçanti të Hyjlindëses ikonizohen në ikonën e të “Tërëshenjtës, Rrënjë të Jeseut”. Në atë ikonë Hyjlindësja me Foshnjën në duar, ikonizohet së bashku me mbretërit e hebrenjve, nga Davidi te Krishti, të cilët mbajnë rrotulla të hapura, me pasazhe nga Dhiata e Vjetër.
Në skenën e ikonizuar të Lindjes, e Tërëshenjta zë një vend qëndror, duke dashur ikonografi që në këtë mënyrë të shprehë rolin e saj shumë të rëndësishëm në misterin e Mishërimit Hyjnor. Grazhdi dallohet brenda shpellës së errët, e cila është simbol i errësirës shpirtërore të idhujtarisë, të cilën përjetonin njerëzit e kohës së trupëzimit të Perëndisë-Fjalë, por edhe paraikonizim i vdekjes në kryq dhe varrimit të Krishtit.
Në të majtë të temës qëndrore vendoset kori i ëngjëjve. Ëngjëjtë që shërbejnë janë të mahnitur para ngjarjes së mbinatyrshme të trupëzimit, duke lavdëruar Perëndinë dhe duke ungjillëzuar paqen përmbi tokë, “Lavdi Perëndisë që është në më të lartat dhe përmbi dhenë paqe dhe në njerëzit mirëdashje” (Lluka 2.14). Bëhet fjalë për paqen esenciale, paqen dhe pajtimin e njeriut, dhe jo paqen kozmike që lidhet me vendimet e mbretërve dhe arkondëve. Në të djathtë, ikonografi ikonizon ungjillëzimin e barinjve, lajmërimin e lajmit të mirë dhe shpresëdhënës të ardhjes së Mesisë në botë për shpëtimin e njeriut.
Barinjtë njoftohen për ardhjen e Mesisë prej një ëngjëlli, i cili u tregon atyre ngjarjen e mbinatyrshme, mesazhin e gëzueshëm, “Sepse sot ju lindi juve në qytetin e Davidit një shpëtimtar, i cili është Zoti Krisht” (Lluka 2.11). Dhe sigurisht ëngjëlli si provë ju tregon atyre grazhdin, “Edhe kjo do të jetë shenja për ju, do të gjeni një foshnjë mbështjellë në shpërgënj, shtrirë në grazhd” (Lluka 2.12).
Në një zonë më të ulët janë ikonizuar Magët e ardhur nga Lindja për në Jerusalem, të drejtuar prej yllit të ndritshëm, sipas vargut ungjillor përkatës, “Sepse pamë yllin e tij nga Lindja dhe erdhëm që t’i falemi” (Mattheu 2.2). Vijnë tek Foshnja në mënyrë që t’i sjellin dhurata shumë të çmuara, arë, miro dhe temjan, “Edhe kur erdhën në shtëpi, panë fëmijën bashkë me të ëmën, Marinë, edhe duke rënë përdhe iu falën atij, edhe si hapën thesaret e tyre, i prunë atij dhurata, ar e temjan e miro” (Mattheu 2.11).
Magët ikonizohen prej ikonografëve në faza të ndryshme të moshës, dhe me këtë mënyrë tregohet dimensioni universal i mesazhit të krishterë dhe universalizmi i Ungjillit. Rrezja e ndritshme e yllit që ndjekin magët tregon dogmën orthodhokse të Kishës sonë të Shenjtë, për lidhjen e dy natyrave të Shpëtimtarit Krisht, natyrën njerëzore dhe hyjnore, të cilat bashkohen në personin e Tij, pa u përzier, pa u ndryshuar dhe të pandara.
Në pjesën e poshtme të ikonës dallohet Josifi, i cili bisedon me një person të moshuar dhe ikonizohet i menduar për ngjarjet që po ndodhin, pasi ai nuk është në gjendje të kuptojë misterin e mbinatyrshëm. Na kujton njeriun modern, i cili, i bllokuar në mënyrën e racionalizuar të jetës së kohës sonë, nuk është në gjendje të interpretojë ekzistencën e tij tek Perëndia. Figura e moshuar përfaqëson fuqinë e së keqes, pasi mundohet të krijojë dyshime tek Josifi në lidhje me lindjen e mbinatyrshme të Foshnjës Krisht dhe me pastëritinë e nënës Mari.
Të dyja këto figura, e Josifit dhe e personit të moshuar, përfaqësojnë fuqitë kundërshtare që dominojnë në botë, të mirën dhe të keqen. Nga njëra anë është e mira, mesazhi shpëtimtar që solli lindja e Perëndinjeriut, në të cilën një rol të rëndësishëm luajti edhe Josifi, dhe nga ana tjetër është fuqia e së keqes, lufta titanike e bërë çdo ditë nga kundërshtari për të na larguar nga qëllimi i jetës, që është çlirimi nga mëkati. Gjithashtu në pjesën e poshtme janë edhe dy gra që përgatitin larjen me ujë të Foshnjës Hyjnore, gjë që tregon se Krishti erdhi në tokë si njeri dhe duhet që të kryente edhe nevojat e Tij materiale.
Gjithashtu, vendi i lindjes, edhe pse është malor dhe shkëmbor dhe i referohet kohës së trazuar që dominonte gjatë ardhjes së Mesisë, ai përsëri reflekton një ndjenjë të gëzueshme dhe është i rrethuar nga drita. Kjo shpjegohet me ngjarjen e gëzueshme të lindjes së Krishtit, që solli mesazhin e paqësimit të të gjithë botës, por edhe dha një vizion të ri dhe perspektivë të re për njeriun, siç thuhet edhe prej poetit Andrea Jerusalemitit, në troparin e Lavdërimeve të shërbesës së Mëngjesores së Krishtlindjeve, “Dëfreni o të drejtë, ngazëllohuni o qiej, kërceni o male se lindi Krishti”.
Rolin më të rëndësishëm në ardhjen e Mesisë në botë e luajti personi i Marisë. Pararendës të prezencës së tij trupore është Joan Pararendësi, i cili luajti gjithashtu një rol shumë të rëndësishëm në jetën e Krishtit. Kulmin e kësaj lidhjeje e përbën pagëzimi i Krishtit prej Joanit. Në lidhje me këtë ungjillor Mattheu thotë: “Atëherë Jisui vjen nga Galilea në Jordan tek Joani, që të pagëzohet prej tij” (Matth. 3.17). Kur ndodh kjo ngjarje e rëndësishme ndërhyen edhe qielli, “Edhe ja tek iu hapën qiejt edhe pa Frymën e Perëndisë duke zbritur si pëllumb e duke ardhur mbi të” (Matth. 3.16), si edhe, “ja një zë nga qiejt që thoshte: Ky është biri im i dashur, që e kam pëlqyer (Matth. 3.17).
Sot, kur njerëzimi është rrënuar prej problemeve të shumta dhe të pazgjidhshme, si në kohën e ardhjes së Krishtit kur dominonte errësira shpirtërore, do të duhet të fokusohemi tek kuptimi esencial i ngjarjes historike të Lindjes së Krishtit, që lidhet me dashurinë e pafundme dhe me mëshirën e Perëndisë për njeriun dhe me rikthimin e njeriut me gjendjen e tij të mëparshme në parajsë. Kjo nënkupton, se do të duhet të rivendosim lidhjen tonë me personin e Krishtit Emanuel, i cili është ndihma jonë dhe përpiqet për ne, në mënyrë që të na drejtojë në gëzimin shpirtëror, me durimin dhe guximin që Ai vendos në shpirtrat tanë.