PRITJA DHE PËRJETIMI I KRISHTLINDJES
Autori: Harallamb Bushias, Himnograf i Madh i Kishës së Aleksandrisë
Pritja e ëmbël e të Kremtes së Madhe të Krishtlindjeve, të Nënës së të Kremteve, siç e quan Shën Joan Gojarti, sjell në mendjen tonë fjalët e Shkrimit të Shenjtë: “Dhe ai pritja e kombeve” (Gjen. 49.10). “Populli që ecte në errësirë pa një dritë të madhe, mbi ata që banonin në hijen e vdekjes doli një dritë” (Is. 9.1), dhe ajo Dritë që ndriçoi krijesën ishte Fjala e mishëruar e Perëndisë së Lartë, Dielli i drejtësisë, i cili “nga mirësia dhe filantropia e skajshme” mori majanë njerëzore, që ta ndriçonte, ta hyjnizonte dhe ta risillte në lavdinë e saj të vjetër, në Mbretërinë e Qiejve.
Bota pret ditën e çlirimit prej prangave të vdekjes, siç pret i burgosuri ditën e lirimit të tij dhe emigranti ditën e rikthimit në atdhe. Dhe kjo ditë erdhi dhe gëzimi mbushi të gjithë krijesën, kur shpella e thjeshtë e Betlehemit priti Krijuesin e qiellit edhe tokës, Krishtin Mbret. Ai erdhi dhe bashkoi qiellin dhe tokën, atëherë kur Ëngjëjt lavdëronin, barinjtë e himnonin dhe Magët i sollën Dhuratat e nderuara. Ato momente, momente unike në historinë e shpëtimit të njerëzimit, janë momente, që pushtojnë shpirtrat e të krishterëve në shekuj, të gjithëve ne që bashkojmë zërat tanë me himnimin e Ëngjëjve të Shenjtë duke psalur: “Lavdi Perëndisë në më të Lartat dhe mbi dhenë paqe dhe mbi njerëzit mirëdashje” (Lluk. 2.14).
Prej njëzet shekujsh ne kremtojmë tashmë Lindjen e Krishtit Shpëtimtar dhe çdo vit e presim këtë festë të gëzueshme me zell dhe interes të pashuar. Pritja jonë është kthyer nga ardhja e Shpëtimtarit tonë Krisht dhe ne presim ndriçimin dhe hyjnizimin tonë me nxitim, “duke pasur nga një anë dëshirën të iki e të jem bashkë me Krishtin” (Filip. 1.23). Por, a shoqërohet pritja jonë me një përjetim të pëlqyeshëm nga Perëndia? Jeta jonë, sikurse jeta e çdo të Krishteri të ndërgjegjshëm, a është kristocentrike? A rrotullohet rreth Krishtit, siç rrotullohet toka rreth diellit? Ne e dimë se nëse forca kohezive, qëndrore që ruan rrotullimin e tokës rreth diellit dobësohet, atëherë universi do të shpërbëhet, sepse kjo forcë, e cila stabilizon universin, nuk ndryshon, nuk çrregullohet, nuk modifikohet. Çdo ndryshim, qoftë edhe më i vogli, do të thotë fundi i botës, pasi këtë nuk e parashikon ligji i fizikës, ligji i krijimit.
Jeta jonë këtu në tokë është e kufizuar. Mbaron shumë shpejt, aq sa nuk e kuptojmë se kur është ditë e kur është natë. Ne jemi të prishshëm! Ne i nënshtrohemi prishjes, vdekja na pret, e megjithatë, në vend që të vrapojmë për të takuar Çlirimtarin tonë, ne vrapojmë drejt mëkatit, të cilin sinergjia e të ligut e ka hyjnizuar. Dhe ndërsa vrapojmë drejt mëkatit, ngadalësojmë në gjërat shpirtërore, dobësohet forca qëndrore që na bashkon me Diellin e Drejtësisë, Krishtin tonë, dhe rrezikojmë, që nga momenti në moment të humbasim në kaos, si yje të goditur për t’u zbehur dhe për të gjetur veten në errësirën e përjetshme, ku dielli nuk do të shkëlqejë kurrë, për të na rigjallëzuar dhe për të na ngrohur. Mjerë ne! Nuk ndërgjegjësohemi, në mënyrë që të themi bashkë me Pavlin: “Mjerë unë njeriu! Kush do të më shpëtojë nga ky trup i vdekjes?” (Rom. 7.24).
Në ato pak dekada që Perëndinjeriu Jisu ka lejuar që ne të përpiqemi në fazën e jetës së tashme shikojmë dhe hidhërohemi prej ndryshimeve dhe tjetërsimeve të botës dhe sigurisht i të K rishterëve. Për fat të keq, “dashuria është larguar, vigjilenca është zvogëluar, besimi është dobësuar”. Bëhemi gati që të kremtojmë Krishtlindjet në mungesë të Foshnjes Jisu. Nuk kujdesemi për përsosmërinë shpirtërore, për pastërtinë e shpirtit tonë, në mënyrë që Zoti ynë të gjejë aty një vend për të banuar. Shqetësohemi për shijimet materiale dhe neglizhojmë shpirtëroret. Ne zëvendësojmë Diellin Krisht me kurora të ndritshme dhe me ndriçime në rrugë dhe nëpër shtëpitë tona. Ne planifikojmë ekskursionet, argëtimet, pirjen e verës dhe ushqimet e pasura. Ne po planifikojmë një Krishtlindje pa Krishtin.
Foshnja e përulur e Betlehemit nuk na emocionon. Në fytyrat e vëllezërve tanë nuk shikojmë vetë Zotin. Nuk e duam. Na intereson vetëm vetja jonë dhe shërojmë vetëm nevojat tona. E gjithë bota rrotullohet rreth nesh. Jemi bërë egocentrikë dhe jo kristocentrikë. Mjerë ne, do të dalim nga shinat dhe me një dallgë do të gjendemi në zjarrin më të thellë. Le të përpiqemi që pritja jonë të na orientojë drejt pranisë së fortë të Krishtit në jetën tonë, me kujdesin për përmbushjen tonë shpirtërore, me simpati për të vuajturit, me devotshmëri ndaj Foshnjës Hyjnore, Çliruesit tonë Jisu, që të rilindim dhe të jetojmë në përputhje me vullnetin e Tij. Trajektorja e jetës sonë të jetë e qëndrueshme rreth Dritës së Tij, “që të mos ju zërë errësira” (Joan. 12.35), në mënyrë që të jetojmë brenda dritës së paarritshme të Hirit Hyjnor të drejtuar pa pushim prej yllit të gjithëndritshëm të Betlehemit, ylli i lumturisë pa fund.