Shën Joan Gojëarti - Mbi Krijimin (Pjesa IV)
Rruga e parë e pendimit është dënimi i mëkateve tona nga vetë ne.
“Thuaji ti i pari mëkatet e tua që të drejtësohesh!”
Prandaj tha edhe profeti:
“Thashë, do dënoj veten time për paligjshmërinë time kundrejt Zotit, edhe ti fale parespektshmërinë e zemrës sime!” (Psalmi 31,5)
Prano edhe ti mëkatet e tua, ky hap është mjaft për Zotin si apologji, sepse ai që dënoi mëkatet e tij, është vështirë të bjerë përsëri në të njëjtat mëkate.Lartësoje ndërgjegjen që ke përbrenda në vendin e akuzuesit, që të mos kesh tjetër akuzues përpara Zotit.Kjo është një rrugë pendimi shumë e mirë.Ka edhe të tjera që nuk bien më poshtë se kjo, të mos mendosh për hakmarrje kundër armiqve të tu, të kufizosh zemërimin tënd, të falësh mëkatet e bashkënjerëzve të tu, sepse në këtë mënyrë do falen edhe mëkatet tona që bëmë kundër Zotit.
Ja, pra, kjo është një rrugë tjetër pastrimi i mëkateve tona.Sepse thotë:
“Nëqoftëse do falni fajtorët tuaj, edhe Ati juaj Qiellor do t’ju falë” (Math.6,14)
Do të mësosh edhe një rrugë të tretë pendimi?
Të bësh lutje të ngrohtë dhe të sinqertë që të burojë nga thellësitë e zemrës sate.Nuk e pe atë vejushën se si e zbuti atë gjykatës arrogant?
Kurse ti ke Zot të butë dhe njeridashës, ajo kërkonte dënim kundër armiqve, kurse ti nuk kërkon kundër armiqve, por ti kërkon për shpëtimin tënd.
Po deshe të mësosh edhe rrugë të katërt pendimi, do të të them mëshirën, sepse ajo ka fuqi të madhe dhe të papërshkrueshme.
Cila gjë mund të bëhet baras me njeridashjen(mëshirën)?
Pas mijëra mëkateve, pas kaq paligjësish, premton t’a falë atë, po të tregohet njeridashës me shërbëtorët e tij.
Dhe rruga e pestë, modestia dhe përulja që zhdukin natyrën e mëkateve, jo më pak nga të gjitha rrugët e tjera që përmendëm.Dhe dëshmitari doganier, i cili nuk kishte për të thënë vepra të ndritura, por në vend të të gjithë këtyreve ofroi modestinë dhe u shkarkua nga pesha e rëndë e mëkateve që e rëndonin.(Llukai 18,13)
Ja pra, treguam pesë rrugë pendimi:
E Para - Pranimi dhe Dënimi i mëkateve tona;
E Dyta - Falja e mëkateve të të tjerëve;
E Treta - Ajo që rrjedh prej lutjes;
E katërta - Ajo që rrjedh prej mëshirës;
E Pesata - Ajo që vjen prej modestisë;
Mos u vono, por përditë t’i kesh vath në vesh të gjitha rrugët e pendimit, sepse këto rrugë janë të lehta dhe nuk mund të nxjerrësh si pengesë varfërinë, por edhe në rast se rron në varfëri, leje atë mënjanë dhe do përulesh, do kesh mundësi edhe të lutesh në mënyrë të mjaftueshme edhe të dënosh mëkatet e tua, dhe duhet të dish se varfëria nuk bëhet pengesë në asgjë.Përderisa as për atë rrugë pendimi që kërkon pare (domethënë mëshirën) nuk përbën pengesë varfëria.
Përderisa mësuam për mjekimin e plagëve tona, le të vëmë mbi to ilaçet, në mënyrë që pasi të marrim veten, domethënë të kemi shëndetin tonë mirë, të shijojmë edhe Tavolinën e Shenjtë me guxim dhe me lavdi të madhe, të takohemi me Mbretin e Lavdisë, Krishtin, dhe të arrijmë të mirat e përjetëshme me hirin, përdëllimet dhe njeridashjen e Zotit tonë Jisu Krisht, nëpërmjet të Cilit do kemi lavdi, fuqi dhe nder, tani e përherë e në jetë të jetëve.Amin.