Shën Joan Gojëarti - Rreth Pendimit
Ashtu siç ndodh me bujqit, që nuk kanë asnjë dobi po t’a mbjellin farën në rrugë, ashtu edhe ne nuk kemi asnjë dobi të na quajnë të krishterë, në qoftë se veprat tona bien ndesh me emrin tonë.Dhe po të doni, ju paraqes dëshmitar të sigurtë Jakovin, vëllain e Perëndisë që thotë:
“Besimi pa vepra është i vdekur.”(Jak.2,17) Pra, siç e shikojmë, kudo është e nevojshme edhe kryerja e veprave, sepse kur ato mungojnë nuk mund të na sjellë dobi emri se jemi të krishterë.Mos u çudit.Më thuaj ç’dobi ka ushtari në ushtri në qoftë se nuk është i zoti të luftojë për mbretin nga i cili ushqehet?Ndoshta do ishte më mirë të mos rekrutohej se sa të rekrutohet edhe të neglizhojë për nderin e mbretit.
Pse, nuk do dënohet ai që ushqehet nga mbreti, por nuk lufton për mbretin?
Dhe pse them për mbretin?Shyqyr, të kujdeseshim pak për shpirtet tona.
Dhe si ka mundësi të shpëtoj duke jetuar brenda kësaj bote dhe në gjëra kozmike?
Ç’thua o njeri?Do të të tregoj shkurtimisht se nuk është vendi që shpëton, por mënyra e drejtë e jetesës dhe predispozicioni i mirë.Adami pësoi disfatën si në liman brenda në Parajsë.Loti përsëri shpëtoi si në det brenda në Sodoma.Jovi arriti drejtësinë mbi pleh.Kurse Sauli megjithëse jetonte brenda në thesare, humbi edhe këtë mbretëri edhe atë atje.
Duke ditur këto dhe duke menduar atë ditë të tmerrshme, atë zjarr dhe torturat e tmerrshme, le të kthehemi nga rruga jonë e gabuar.Sepse do vijë koha që do të shpërndahet ky teatri i kësaj bote.Nuk është e mundur që pas kalimit nga kjo jetë të bëjë diçka njeriu, nuk është e mundur të kurorëzohet pas shpërndarjes së teatrit.Kjo kohë është kohë pendimi, kurse ajo është kohë gjykimi, kjo është koha e përpjekjeve, kurse ajo e kurorave, kjo është koha e mundit, kurse ajo e prehjes, kjo është koha e kamatave, kurse ajo e shpërblimeve.
Hajdeni në vete, ju lutem, zgjohuni dhe le t’i dëgjojmë me vëmendje këto.
Jetuam për trupin, le të jetojmë edhe për shpirtin, jetuam për qejfet le të jetojmë edhe për virtytet, jetuam me indiferentizëm, le të jetojmë edhe për pendimin.
“Pse krenohet balta dhe hiri?”
Pse fryhesh nga arroganca, o njeri?Pse bëhesh mendjemadh?
Çfarë shpreson nga lavdia e kësaj bote dhe nga pasuria?
Le të shkojmë, ju lutem, në varreza dhe le të shikojmë atje mistere.Le të shikojmë natyrën njerëzore të shpërndarë, kocka të kalbura, trupa të kalbura dhe në qoftë se je i mençur, mendohu dhe më thuaj, kush është atje mbreti dhe kush është i thjeshti, kush është bujari dhe kush është shërbëtori, kush ishte i urti dhe kush budallai?Ku është bukuria e rinisë atje?Ku është fytyra e gëzuar?Ku janë sytë e bukura?Ku është hunda e mirëbërë?Ku janë buzët e flakta?Ku është balli i shkëlqyer?Nuk u bënë të gjitha pluhur?Nuk janë të gjitha krimba dhe qelbësira?
Duke menduar këto, vëllezër, dhe duke sjellë ndërmend ditën e fundit sa kemi akoma kohë, le të kthehemi nga rruga jonë e gabuar.Me gjak të çmuar u blemë.(A. Petr. 1,2) Prandaj u shfaq Perëndia mbi tokë.
Gjykatësi shkon në gjyq për të gjykuar.Jeta shijon vdekjen.Krijuesi spërkatet nga krijesa.Ai që nuk e shikojnë Serafimet pështyhet nga shërbëtori, shijon uthull dhe vrer, qëndiset me shpatë, vendoset në varr, dhe ti, më thuaj, rri indiferent, fle dhe i përbuz të gjitha këto?
Nuk e di se, sikur edhe gjakun tënd t’a derdhësh për Atë, edhe me këtë sakrificë nuk e bëre atë që duhej bërë.Sepse ndryshe është gjaku Zotëror dhe ndryshe është ai i shërbëtorit.Përpiqu të jesh i gatshëm në çdo kohë, i penduar, se mos të vjen vdekja dhe nuk ke më mundësi shërimi.Sepse në tokë pendimi ka fuqi, kurse te Hadhi nuk është e mundur të ndodhë kjo.
Le t’a kërkojmë Zotin sa kemi kohë, le të bëjmë të mira, në mënyrë që edhe në jetën e ardhshme të pavdekshme, të bëhemi të denjë për Mbretërinë Qiellore, me hirin dhe njeridashjen e Zotit tonë Jisu Krisht të Cilit i përket nderi, lavdia dhe fuqia, tani e përherë e në jetë të jetëve.Amin.
“...Ai që nuk i bën padrejtësi vetes së tij, atij, nuk do të mund t’i bëj dëm asnjeri tjetër..., edhe ti nëqoftëse bën çdo gjë që varet nga ty, patjetër do vijë edhe ndihma e Perëndisë...por, nëqoftëse dikush dëmtohet dhe i bëhet padrejtësi, kjo patjetër i vjen nga vetja e tij, jo nga të tjerët, sikur këta që i bëjnë padrejtësi dhe e dëmtojnë të jenë të panumëruar.Sepse nëqoftëse nuk do t’i vijë dëmi nga vetja e tij, sikur të gjithë bashkë sa banojnë në botë t’a qëllojnë, nuk do të mund t’a dëmtojnë aspak atë që vigjëlon dhe ndodhet gjithmonë pranë Zotit...”