Oshënar Pafnuti
Oshënar Pafnuti ishte bashkëkohës i shën Andonit të Madh.Ai jetoi 80 vjet në shkretëtirë e vishte vetëm një rrobë.I pajisur me një urtësi të madhe dhe me dhuratën e mësimdhënies, e përmbante veten të mos gjykonte mëkatarët dhe dinte shumë mirë të fliste për dobinë shpirtërore të atyre që e dëgjonin.Oshënari thoshte se ajo që na ndodh neve, mund të ndodhë ose për hir të vullnetit të Perëndisë, ose ngaqë Ai e lejon.Vetëm aktet dhe ngjarjet që kontribuojnë për lavdinë e Perëndisë ndodhin për hir të vullnetit të Tij, ndërsa aksidentet dhe mundimet lejohen nga Perëndia për të na korrigjuar dhe për të na çuar drejt pendimit, kur ne jemi të dhënë pas vetvetes, pa ia kushtuar Perëndisë veprimet tona të mira.Oshënar Pafnuti shtonte:
“Është e pamundur për dikë të bjerë pa lejen e Perëndisë ose pa marrë ndihmën e nevojshme të engjëllit të tij mbrojtës.”
Thonë për oshënar Pafnutin ose për një atë tjetër me të njëjtin emër, se, pasi i kërkoi tri herë me rradhë Zotit t’i zbulonte se cilit shenjtor i ngjasonte, Ai i dërgoi një engjëll që zbriti nga qielli për t’i treguar tri herë me rradhë, në fillim një këngëtar shëtitës, pastaj një punëtor, e më në fund një tregtar që, pavarësisht nga kushtet e tyre të jetesës në botë, praktikonin fshehtazi virtytet e shenjta të dashurisë për të afërmin, të lëmoshës dhe të mikpritjes.
Oshënari iu thoshte nxënësve të tij:
“Preferoni më tepër hidhërimin se prehjen, çnderimin se lavdinë, është më mirë të jepni sesa të merrni.”