Vajtimi i Adamit ( Pjesa e parë )
Adami, ati i gjithë njerëzimit, e njohu në parajsë ëmbëlsinë e dashurisë së Perëndisë; dhe kështu, kur për shkak të mëkatit të tij ai u përzu nga kopshti i Edenit dhe u nda nga dashuria e Perëndisë, ai vuajti me hidhërim dhe vajtoi me një rënkim të madh. Dhe e gjithë shkretëtira kumboi nga vajtimet e tij. Shpirti i tij torturohej kur mendonte: “Kam hidhëruar Zotin tim të dashur.” Atij nuk i vinte aq shumë keq për parajsën dhe bukuritë e saj, sesa i vinte keq që ishte zhveshur nga dashuria e Perëndisë, që pangopërisht, në çdo çast, e tërhiqte shpirtin e tij drejt Atij.
Në të njëjtën mënyrë edhe shpirti që ka arritur ta njohë Perëndinë me anë të Shpirtit të Shenjtë, por pastaj e ka humbur hirin, përjeton torturën që pësoi Adami.
Ka një dhembje dhe një keqardhje të thellë në shpirtin që ka hidhëruar Zotin e dashur.
Adami tretej nga malli në tokë, vajtonte hidhur dhe toka nuk ishte e pëlqyeshme te ai. Ai kishte mall për Perëndinë dhe ky ishte vaji i tij:
“Shpirti im mundohet për Zotin, dhe e kërkoj Atë me lotë.
“Si do të mundem unë mos ta kërkoj?
“Kur isha me Atë, shpirti im ishte i lumtur dhe në paqe,
dhe armiku nuk mund të më afrohej.
“Por, tani, fryma e ligësisë ka fituar pushtet mbi mua,
duke e bezdisur dhe shtypur shpirtin tim,
“kështu që unë lodhem për Zotin deri në vdekje,
“dhe shpirti im tërhiqet me mundim drejt Perëndisë,
dhe nuk ka asgjë në tokë që mund të më bëjë të lumtur,
“As shpirti im nuk mund të gjejë ngushëllim në ndonjë gjë,
por dëshiron me zjarr për ta parë edhe një herë Zotin,
që etja e tij të shuhet.
“Unë nuk mund ta harroj Atë për asnjë çast,
dhe shpirti im lëngon për Atë,
“dhe nga shumica e hidhërimeve të mia, thërres me zë lartë:
“Ki mëshirë për mua, O Perëndi. Ki mëshirë për krijesën
Tënde të rënë.”
Kështu vajtoi Adami, dhe lotët i rridhnin lumë nga faqet nëpër mjekër, poshtë në tokë nën këmbët e tij, dhe e tërë shkretëtira e dëgjoi kumbimin e rënkimit të tij. Kafshët dhe shpendët qëndronin të hidhëruara në heshtje; ndërsa Adami vajtoi, sepse paqja dhe dashuria, humbën për të gjithë njerëzit, për shkak të mëkatit të tij.
Adami njohu hidhërim të madh kur u përzu nga parajsa, por, kur ai pa djalin e tij Abelin, të vrarë nga Kaini, vëllai i tij, hidhërimi i Adamit ishte akoma më i madh. Shpirti i tij u rëndua dhe ai vajtoi dhe mendoi:
“Popuj dhe kombe do të vijnë prej meje, dhe do të shtohen,
dhe vuajtja do të jetë shorti i tyre, dhe ata do të rrojnë në armiqësi
dhe do të përpiqen të vrasin njëri-tjetrin.”
Dhe hidhërimi i tij shtrihej më i gjërë se deti, dhe vetëm shpirti, i cili ka arritur ta njohë Zotin dhe madhështinë e dashurisë së Tij për ne, mund ta kuptojë.
Unë, gjithashtu, e kam humbur hirin dhe thërres me Adamin:
“Ji i mëshirshëm me mua, o Zot! Jepmë frymën e përunjësisë dhe të dashurisë.”