Të ruajmë ne murgjërit gjërat që i provuan etërit - Shën Pais Agjioriti Vitamina shpirtërore
- Jerond, kur një motër është e re në një shërbim dhe gjen një rregull të caktuar, është e drejtë të bëjë ndryshime?
- Jo, të mos bëjë qysh në fillim ndryshime edhe në qoftë se është e vetme në atë punë që kryen. Këtë gjë e bënë vëllazëritë e reja që shkuan në manastire të vjetra; nuk e respektuan përvojën e të vjetërve. Kur një person shkon dhe bën programin e tij dhe i heq rregullat e vjetra, domethënë rregullin që ekzistonte më parë, ato gjëra të provuara në praktikë të cilat ishin ndihmë për murgun, jo vetëm që nuk përbëjnë traditë, por gjithashtu nuk përbëjnë respekt ndaj saj. Por më vonë do ta kuptojnë se sa të vyera ishin ato që ndryshuan. Ata të cilët vunë këto gjëra diçka dinin. Gjithçka e vjetër e cila ekziston në murgjëri është e peshuar mirë nga përvoja. Edhe në një zanat mjeshtri duhet të respektojë rregullat e tij. Si marangoz që kam qenë e di se një tavolinë e rregullt është e lartë tetëdhjetë centimetra, dhe shkallarja njëzet e shtatë centimetra gjerësi. Të gjitha këto janë të provuara dhe të caktuara që më parë dhe nxënësi duhet t'i kapë, nuk nevojitet shpjegim. Kanë dalë nga përvoja dhe duhet patur besim tek mjeshtri e respekt për përvojën e tij. Ai i cili nuk respekton rregullat e zanatit, nuk do të bëjë punë të saktë, ose do ta bëjë tavolinën të ulët ose do ta bëjë të lartë.
Jetova në shumë qela. Jam kafsokalivit. Sa herë që bëra ndryshime në dyer, dola në përfundimin se të gjitha ishin vendosur me shumë urtësi. Prandaj tani edhe kur kam vështirësi, përsëri nuk bëj ndryshime. Nuk nxjerr as dhe një gozhdë nga muret. Në qoftë se unë axhamiu (i parrituri) i shkul, do t'i ngul përsëri në vendin ku qenë e do të prish suvanë e mureve, sepse aty e nguli atë gozhdë pas një prove një atë tjetër. Për shembull, duhet të ketë një gozhdë në mur, për të varur një fanellë, një raso, etj. Në një qelë ku shkova, në çdo qoshe kishte një bastun të trashë e plot me gunga. Unë i merrja dhe ua jepja njerëzve. Pastaj e kuptova se ato i kishte murgu i cili banonte aty më parë, sepse aty kishte shumë gjarpërinj, që të mos lodhej për t'i kërkuar.
Më e rëndësishmja është që të ruani ato gjëra që i kanë provuar të tjerët. Përndryshe, largohet tradita dhe hyn shkelja. Ç'do të thotë traditë e çdo të thotë shkelje. Sa shumë ndryshon njëra nga tjetra?! Çfarë, mos duhet ta bëjmë shkeljen traditë? Sot disa manastire bëjnë çfarë t'u pëlqejë dhe e konsiderojnë si diçka të traditës, edhe pse ajo gjë mund të jetë shkelje e saj. Si do të vijë maturia shpirtërore në qoftë se më parë nuk ekziston ndjeshmëria shpirtërore? Në manastir duhet patur një tjetër vijë as ushtarake, as si në një vëllazëri laikësh në botë apo diçka si në kooperativë, por murgjërorja, e provuara e cila ka karakterin e vijës së etërve. Ndonjëherë mund të quhet vija e etërve ose dhe tjetra vija pseudoteorike murgjërore, por që nuk ka asnjë lidhje të brendshme me murgjërinë dhe etërit, por e quajnë kështu thjesht sepse e lexuan tek etërit.
Disa manastire të rinj sot funksionojnë si institucione. Natyrisht ato janë disi të justifikuara, sepse nuk gjetën maja shpirtërore. Pas pushtimit turk, kur manastiret e para filluan përsëri të funksionojnë nuk ekzistonte maja shpirtërore. Bavarezët donin t'i shkrinin manastiret për t'u marrë pasurinë. Arritën deri aty saqë nxorën një urdhër me anë të të cilit urdhëronin murgjërit të martoheshin që të prishnin manastiret! Nga ana tjetër, tanët nuk kërkuan të shihnin se si ishte murgjëria më parë dhe të ktheheshin në traditë. Ata shihnin se manastiret kishin lopë, viça, derra, sepse gjatë kohës së pushtimit turk ata që kishin pasuri ua jepnin manastireve që t'i ruanin për të mos ua marrë turqit. Në manastire çonin të sëmurë, njerëz të gjymtuar dhe i mbanin aty me bukë. Ato ushqenin dhe njerëzit e varfër. Të gjithë njerëzit që vuanin shkonin në manastire. Atëhere nuk kishte institucione. Kështu që murgjërit detyroheshin të merreshin edhe me kafshë që të ndihmonin njerëzinë. Më vonë, kur nuk kishte më arsye vazhduan të kenë lopë, dele, viça, kafshë shtëpiake, saqë shumë njerëz shpirtërorë të asaj epoke thanë se: "Ja, kjo është murgjëria jonë!", - dhe morën nga perëndimorët murgjërinë e tyre me misionarizmin që kishin ata e kështu i morën të gjitha elementet perëndimore. Nuk u kthyen prapa në traditën tonë për të parë se çfarë ekzistonte e të mendonin: "Mirë, këto mbetën prej kohës së pushtimit turk. Atëhere nuk mundeshin të jetonin në mënyrën murgjërore siç duhej. Kjo është një sëmundje nga gjendja e vjetër. Tani duhet të kthehemi përsëri në traditë". Por ata nuk u kthyen në traditën tonë, por u kthyen në gjendjen e perëndimorëve! Morën shembujt prej andej, për t'i zbatuar këtu. Ky është gabimi i tyre, që nuk u kthyen në traditë. Turqit i nderojnë vakëfet, sepse panë shumë herë mrekulli nga shenjtorët tanë dhe i nderojnë manastiret, sepse nga ato kërkonin ndihmë hyjnore dhe jo mikpritje.