Vajtimi i Adamit ( Pjesa e tretë ) - (Shkëputur nga libri i Arkimandrit Sofronit Shën Siluan Athoniti)
Po shkruaj për ty, o Adam;
Por ti je dëshmitar, mendja ime e dobët nuk mund dot
ta kuptojë mallin tënd për Perëndinë,
as sesi ti e mbajte barrën e pendimit.
O Adam, ti e shikon sesi unë, biri yt, vuaj këtu në tokë.
I vogël është zjarri brenda meje,
dhe flaka e dashurisë sime dridhet dobët.
O Adam, këndo te ne këngën e Zotit,
që shpirti im të gëzohet në Zotin
dhe të këndojë lavde dhe ta lavdërojë Atë
ashtu si Keruvimet dhe Serafimet e lavdërojnë në qiejt,
dhe të gjitha ushtritë qiellore të engjëjve i këndojnë Atij
himnin trishenjtor.
O Adam ati ynë, këndo te ne këngën e Zotit,
që e tërë bota të mund ta dëgjojë,
dhe të gjithë bijtë e tu të mund t’i ngrenë mendjet te Perëndia
dhe të dëfrehen në tingujt e himnit qiellor,
dhe të harrojnë hidhërimet e tyre në tokë.
Shpirti i Shenjtë është dashuri dhe ëmbëlsi për shpirtin, mendjen dhe trupin. Ata që kanë arritur ta njohin Perëndinë me anë të Shpirtit të Shenjtë, drejtohen lart ditë edhe natë, me dëshirë të pashuar drejt Perëndisë së gjallë, sepse dashuria e Perëndisë është shumë e ëmbël. Por, kur shpirti e humbet hirin, lotët e tij rrjedhin, ndërsa e kërkon përsëri Shpirtin e Shenjtë.
Por njeriu, i cili nuk e njeh Perëndinë, nëpërmjet Shpirtit të Shenjtë, nuk mund ta kërkojë Atë me lotë, dhe shpirti i tij është vazhdimisht i sëkëlldisur nga pasionet; mendja e tij është në gjërat tokësore. Soditja nuk është për atë, dhe ai nuk mund të arrijë ta njohë Jisu Krishtin. Jisu Krishti është bërë i njohur me anë të Shpirtit të Shenjtë.
Adami e njohu Perëndinë në parajsë, dhe mbas rënies së tij, ai e kërkoi Atë me lotë.
O Adam, ati ynë, tregona, ne bijve të tu, për Zotin.
Shpirti yt e njohu Perëndinë në tokë,
E njohu parajsën gjithashtu, dhe ëmbëlsinë dhe lumturinë e saj,
Dhe tani ti jeton në qiell dhe shikon lavdinë e Zotit.
Trego, sesi Zoti ynë është lavdëruar për pësimin e Tij.
Folna, për këngët që këndohen në qiell, sa të ëmbla janë ato, sepse ato këndohen në Shpirtin e Shenjtë.
Tregona, për të Tërëshenjtën Nënë të Perëndisë, sesi ajo është madhëruar në qiell,
Dhe himnet që e quajnë atë të lumur.
Tregona, sesi shenjtorët gëzohen atje, të ndriçuar me hir.
Tregona, sesi ata e duan Zotin,
dhe në çfarë përunjësie qëndrojnë para Perëndisë.
O Adam, ngushëllo dhe gëzo shpirtrat tanë të turbulluar.
Folna, për gjërat që ti vështron në Qiell . . .