Kujtime dhe bashkëbisedime ( Pjesa e Parë )
Perëndia e thirri shpirtin mëkatar në pendim, ai u kthye te Zoti dhe Ai e takoi atë me mëshirë dhe e zbuloi Vetveten tek ai.
Dhe shpirti i njeriut e njohu Perëndinë - Perëndi i mëshirshëm, i dashur, më i miri - e deshi atë pa masë dhe nga bollëku i zjarrit të dashurisë ai u drejtua me një dëshirë të pashuar drejt Tij dhe nuk mund ta harronte Atë, sepse zjarri i kësaj dashurie ndaj Perëndisë, nuk do ta lejojë shpirtin ta harrojë Atë, as ditën dhe as natën, as edhe për një çast të vetëm.
Dhe ujërat e hirit do të zmbrapseshin në shpirtin - me çfarë mund ta krahasoj hidhërimin e tij? O si ai e lut Perëndinë t’i kthejë hirin, të cilin ai e ka shijuar!
Për mua është një gjë e çuditshme që Zoti nuk më la mua, krijesën e Tij të rënë. Ka disa që dëshpërohen, duke menduar se Zoti nuk do t’ua falë atyre mëkatet e tyre. Mendime të tilla janë nga armiku. Zoti është kaq shumë i mëshirshëm, saqë e kapërcen mendjen tonë. Njeriu, shpirti i të cilit, është mbushur me dashurinë e Perëndisë në Shpirtin e Shenjtë, e di se sa Zoti e do njerëzimin. Por, kur shpirti e humbet këtë dashuri, ai trishtohet dhe vajton dhe mendja nuk ka më asnjë dëshirë për asgjë tjetër, por vetëm kërkon Perëndinë.
Një dhjak, më tregoi njëherë, se Satanai i ishte shfaqur atij dhe i tha, “Unë i dua njerëzit krenarë dhe ata më përkasin mua. Ti je krenar dhe unë do të të marr ty te vetja ime.” Por, ai iu përgjigj Satanait dhe i tha: “Unë jam më i keqi i njerëzve;” dhe Satanai u zhduk menjëherë.
Unë gjithashtu, pata një përvojë të ngjashme kur demonët m’u shfaqën. Isha pak i trembur por thashë: “Zot, Ti e shikon që demonët po më pengojnë që të lutem. Tregomë, çfarë duhet të bëj, që demonët të largohen prej meje.”
Dhe Zoti tha në shpirtin tim:
“Shpirtrat që mburren gjithmonë pësojnë prej demonëve.”
Dhe unë thashë:
“Zot, tregomë, çfarë duhet të mendoj që shpirti im të jetë i përunjur.”
Dhe në shpirtin tim erdhi përgjigjja:
“Mbaje mendjen në ferr, por mos u dëshpëro.”
Qysh prej asaj kohe unë fillova ta bëj këtë dhe shpirti im gjeti prehje në Perëndinë.
(Shkëputur nga libri i Arkimandrit Sofronit Shën Siluan Athoniti)