Arsyeja e parë pse duhet të kishërohemi është nga nevoja : Nga Shën Nikodhim Agjioriti
Së pari duhet të shkojmë nga nevoja në Kishë. Pasi, ashtu si të uriturit dhe të eturit kanë nevojë të shkojnë në tavolinë dhe në burim që të ngopen me ushqim dhe ujë dhe të kënaqin urinë dhe etjen e tyre, kështu dhe ne të krishterët, që jemi të uritur si për “bukën e gjallë”, që është Trupi i gjallë i Zotit, aq edhe për bukën qiellore, që është Fjala e Perëndisë (sepse Shën Grigor Theologu thotë “Buka është fjala e Perëndisë, me të cilin ushqehen shpirtrat që kanë uri për Perëndinë”), dhe që jemi të etur si për pijen e pavdekshme, që është Gjaku i gjallë i Zotit tonë Jisu, aq edhe për pijen shpirtërore, që është vera e fjalës së shenjtë dhe mësimdhënies, kështu, them, dhe ne të krishterët e uritur dhe të etur duhet të shkojmë në Tempullin e Perëndisë që të kënaqim urinë tonë nga Tryeza e Shenjtë e Trupit të Zotit që gjendet në Kishë dhe nga fjala hyjnore, që të kënaqim etjen tonë nga Gjaku i Zotit, nga i cili rrjedh jeta, dhe nga nama e mësimdhënies së Shkrimeve të Shenjta, të cilat rrjedhin brenda kishës së Krishtit.
Sepse, nëse ne nuk shkojmë në Tempull për të ngrënë dhe për të pirë shpesh ushqimet dhe pijet e pavdekshme dhe të gjalla, me siguri dobësohemi dhe vdesim shpirtërisht, siç tha Zoti: “Po të mos hani mishin e Birit të njeriut dhe të mos pini gjakun e Tij, nuk keni jetën në veten tuaj”. Dhe këto të mira të ushqimit të dyfishtë dhe pijes së dyfishtë gjenden brenda në Tempullin e Kishës së shenjtë të Perëndisë, shumë më parë se Profeti David të profetizonte me këto fjalë: “Do të jemi të kënaqur me të mirat e tua, tempulli yt është i shenjtë, i admirueshëm në vepra dashurie”. Edhe Profeti Joel, gjithashtu, duke profetizuar për pijen e mësimdhënies së shenjtë, që buron nga Kisha e shenjtë dhe vadit të krishterët që janë të tharë dhe pa fryt si gjembat, thoshte: "Atë ditë do të ndodhë që nga tempulli i Zotit do të rrjedhë një burim uji dhe ujërat e tij do të ujitin edhe luginën më të tharë".
Të shkojmë pra ne të krishterët në Tempull nga nevoja, sepse Kisha është Arkë shpëtimi. Ashtu si në kohën e përmbytjes sa njerëz dhe sa kafshë hynë brenda në arkë shpëtuan nga përmbytja, dhe sa njerëz dhe kafshë mbetën jashtë nga varka u mbytën dhe u zhdukën, kështu edhe tani, të krishterët që shkojnë në Kishë shpëtojnë nga përmbytja mendore e mëkatit dhe pasioneve. Por ata të krishterë që qëndrojnë jashtë Kishës, zhyten dhe zhduken.
Prandaj thoshte Shën Joan Gojarti : “Ajo që ndodhi ishte një tip i asaj që do të ndodhte, domethënë Kisha është Arka, Noeu është Krishti, Pëllumbi është Fryma e Shenjtë, gjethja e ullirit është bamirësia e Zotit. Por ata ishin djem, ndërsa këta janë e vërteta. Sepse ashtu si Arka në det i shpëtoi ata që ishin brenda, ashtu edhe Kisha shpëton të gjithë ata që dëshirojnë të vijnë brënda.”
Vëllezër të shkoni në Tempull sepse Kisha është vatha shpirtërore dhe ne jemi delet e arsyeshme të kësaj vathe. Kështu, ashtu siç kur janë delet jashtë vathës janë në rrezik dhe humbasin, sepse i rrëmben ose ujku ose çakalli ose egërsira të tjera, dhe ato dele që gjenden brenda në vathë nuk kanë asnjë rrezik, kështu edhe ata të krishterë që nuk shkojnë në Kishë por gjenden jashtë saj rrezikojnë dhe vriten nga ujku mendor−djalli dhe nga egërsirat e tjera të pasioneve, dhe ata që ndodhen në Kishë shpëtojnë nga rreziku. Prandaj tha edhe Gojarti i shenjtë: “Qëndro në Kishë, dhe Kisha nuk të tradhton. Por nëse del jashtë, atëherë të kapin egërsirat. Dhe kjo nuk ndodh për shkak të vathës, por për shkak të dobësisë tënde. Asgjë nuk është e barabartë me Kishën. Mos u largo nga Kisha, sepse asgjë nuk është më e fuqishme se ajo. Shpresa jote është Kisha, shpëtimi jot është Kisha, streha jote është Kisha. Është më e lartë se qielli, është më e gjerë se toka. Kurr nuk plaket dhe gjithmonë është e re”.
Të përpiqemi të shkojmë në Kishë, sepse është një spital i përbashkët që shëron të gjithë mëkatarët që shpirtërisht plagosen nga djalli. Ashtu siç të gjithë ata që kanë plagë në trupin e tyre detyrohen të shkojnë tek mjeku që ti shëroj dhe të mos vdesin, kështu edhe sa të krishterë janë të plagosur nga plagët mendore të pasioneve dhe të mëkatit gjenden në nevojë të madhe dhe duhet të shkojnë në spitalin e përbashkët në Kishë, që ti tregojnë plagët e tyre tek ati shpirtëror dhe të marrin nga ai ilaçet dhe patch[1] përkatëse për tu shëruar.
Sepse, nëse përbuzin dhe nuk shkojnë, kalben plagët e tyre dhe i shkaktojnë vdekje shpirtërore dhe të përjetëshme. Për këtë arsye Shën Joan Gojarti tha për Kishën: “Kjo ndërtesë është spital shpirtëror që të shërojmë lëndimet që pranojmë”. Dhe në vend tjetër: “Kisha është spital i shpirtrave dhe duhet, sikur shkojmë në spital, të dalim pasi marrim ilaçet përkatëse për sëmundjet që kemi”.