Për pesë arsyet pse duhet të kishërohen të krishterët (Arsyeja e katër është me pastërti) : Nga Shën Nikodhim Agjioriti
Ne të krishterët duhet të shkojmë në tempull me pastërti shpirtërore, domethënë nëse kemi armiqësi ose mëri me ndonjë vëlla, të shkojmë më parë të kërkojmë falje e të pajtohemi dhe më pas të shkojmë në Tempull. Sepse, nëse kemi mëri me dikë, nuk është më e pranuar oferta dhe lutja jonë tek Perëndia, prandaj tha Zoti: “Nëse ti, pra, po paraqet ofertën tënde te altari, dhe atje kujtohesh se yt vëlla ka diçka kundër teje, lëre atje ofertën tënde para altarit dhe shko pajtohu më parë me vëllanë tënd; pastaj kthehu dhe paraqite ofertën tënde”. Sepse kush ka mëri, jo vetëm nuk është i denjë të shkoj në Tempullin e Perëndisë, por as nuk është i denjë të thotë: “Ati ynë që je në qiej” dhe “falna fajet tona, sikurse edhe ne ua falim fajtorëve tanë”, sepse e tregon veten gënjeshtar, dhe pa falur ai vëllain e tij, kërkon ta falë Perëndia. Kisha e Perëndisë quhet nga Gojarti i shenjtë ngjyrues: “Kisha është ngjyrues. Nëse largoheni nga ajo gjithmonë pa marrë ndonjë lyerje, cila është dobia që vini vazhdimisht këtu?”.
Kështu, ashtu siç lanë më parë rrobat ai që do ti lyej me një ngjyrë të bukur dhe të shkëlqyeshme, kështu edhe ai që shkon në Tempullin e Krishtit, që të marrë në shpirtin e tij bojën e shenjtë dhe qiellore, duhet më parë të shpëlaj dhe të pastroj veten e tij nga çdo papastërti shpirtërore.
Ekzistonte më parë zakoni tek të krishterët dhe kush donte të shkonte në Kishë lante më parë duart e tij dhe atëherë shkonte. Ky zakon mbijeton edhe sot e kësaj dite tek shumë të krishterë. Dhe çfarë tregon kjo larje e duarve? Se, ashtu si dikush lan duart e tij nga papastërtitë trupore, ashtu duhet të laj edhe mendjen edhe ndërgjegjen e tij nga mëkatet, të cilat janë si duart e shpirtit, dhe kështu të shkoj në Tempull.
Siç shkruan Shën Gjermanoi në interpretimin e Liturgjisë Hyjnore: “Larja e duarve tregon pastrimin e ndërgjegjes, të mëndjes dhe të njohjes, të cilat janë duart e shpirtrave tonë që të lutem në Tryezën e Shenjtë me respekt dhe dashuri”. Sepse nëse lajmë vetëm duart tona dhe e lëmë shpirtin tonë të papastër, nuk kemi asnjë dobi.
Sepse Perëndia nuk shikon tek duart e pastra dhe të lara, por në zemrën dhe shpirtin e pastër. Dhe sigurisht të shkoj dikush në Tempull me duar të papastra dhe të lutet, kjo gjë është indiferencë, por që të shkoj me zemër dhe shpirt të papastër kjo është më keq se të gjithë të këqijat, siç thotë Gojarti i shenjtë: “Përderisa duart i lajmë kur hymë në Tempull, zemrën jo? Mos dmth duart flasin? Shpirti ofron fjalët, tek ai Perëndia ka kthyer shikimin e Tij. Nuk ka asnjë nevojë të pastërtisë së trupit, kur ai është i “infektuar”. Sepse cila është dobia nëse duart e jashtme i pastron, të brendshmet i ke të papastra? Sepse e frikshmja që të gjitha i përmbys është kjo, se ndërkohë që kemi frikë për të voglat, përbuzim të mëdhatë. Pra të lutemi me duar të papastra është indiferencë, ndërsa të lutemi me mendje të papastër, kjo është më e frikshmja nga të gjithë të këqijat”.