Për pesë arsyet pse duhet të kishërohen të krishterët : ( Arsyeja e pestë është nga detyrimi i shenjtë) : Nga Shën Nikodhimi Agjioriti
Arsyeja e fundit, duhet ne të krishterët të shkojmë patjetër në Tempullin e Perëndisë. Sepse vetëm emri që ka Kisha, na detyron të shkojmë tek ajo, sepse emri i Kishës ka dy kuptime. Kryesisht dhe në vetvete Kishë domethënë mbledhje dhe takim i besimtarëve. Për këtë lexojmë në Ligjin e Përtërirë: “Sipas atyre që kërkuam nga Zoti dhe Perëndia gjatë ditës së Kishës (dmth të mbledhjes së popullit)”. Prandaj Isidor Polusioti tha: “Tjetër është Kisha dhe tjetër vendi i lutjes (Tempulli), sepse e para përbëhet nga shpirtrat që duan Perëndinë, ndërsa Tempulli ndërtohet me gurë dhe drurë” (Episkop Theodhosio). Dhe Shën Kirilli i Aleksandrisë thotë: “Duke thënë Kishë nuk e kemi zakon ta përdorim fjalën për muret që e rrethojnë, por më shumë deklarojmë hapur dhe dukshëm ata që me devotshmëri mblidhen aty”. Dhe Shën Gjermanoi thekson: “Kisha është takimi i popullit besimtar, Trupi i Krishtit” ( Interpretim i Liturgjisë Hyjnore). Gjithmonë, sigurisht, Kishë quhet edhe Tempulli i Perëndisë, në të cilin mblidhen besimtarët e krishterë. Prandaj tha Agustini i shenjtë: “Kisha është vendi në të cilin është Kisha”. Dhe Gjermanoi i Shenjtë: “Kisha është tempulli i Perëndisë, altar i shenjtë, ndërtesë lutjeje”.
Kemi pra, detyrim ne të krishterët të shkojmë në Kishën e Perëndisë dhe për të dyja këto kuptime që ka Kisha, nëse duam që ta ketë emrin sipas realitetit. Sepse si mundet ajo të quhet mbledhje e të krishterëve, në kohën kur ne nuk mblidhemi tek ajo? Si mundet Kisha të quhet Trupi i Krishtit, në kohën kur ne, anëtarët e saj, mungojmë tek ajo? Ose si mund të quhet Kisha vendi dhe Tempulli i Perëndisë, kur ne e përbuzim dhe nuk mblidhemi tek ai vend që ti drejtojmë lutjet dhe lavdërimet tona drejt Perëndisë? Sipas Gojartit të shenjtë: “Prandaj quhet Kishë, sepse na pranon të gjithëve bashkë”. Kisha quhet akoma Kishë, sepse fton të gjithë të krishterët tek vetja e saj, herë me talandin dhe herë me këmbanat. Atëherë, si mund ta ketë të vërtetë emrin e saj, kur ajo i bie këmbanave të shenjta dhe talandit dhe na fton, dhe ne përçmojmë vathën tonë shpirtërore dhe nuk shkojmë tek ajo?
Ku janë atëherë, ata të krishterë që dëgjojnë këmbanat e shenjta të Kishës të bien dhe ti ftojnë të çohen nga gjumi të shkojnë të dielën në Kishë, dhe ata e lënë pas dore dhe nuk çohen? Ku janë ata që dëgjojnë Kishën ti ftojë të shkojnë në Kishë dhe ata tërësisht të përkushtuar tek letrat dhe në të tjera lojra fati dhe spektakle të ndyra dhe të liga, refuzojnë dhe nuk shkojnë në Tempull? Ku janë ata që dëgjojnë kishën ti ftoj në Liturgjinë e shenjtë, dhe ata gjenden në dyqane dhe refuzojnë mbledhjen e përbashkët të vëllezërve të tyre të krishterë?
Sigurisht, kur shkoni të takoni miqtë tuaj, ose të ndiqni teatro, ose të luani letra dhe lojra të tjera të tilla, atëherë nuk thoni se nuk keni kohë të lirë, por shumë herë, ditë dhe natë të tëra shpenzoni tek ato. Por kur ju fton Kisha dhe kur është koha që të shkoni të luteni në Tempullin e Perëndisë dhe të dëgjoni fjalën e Perëndisë, atëherë thoni se keni mijëra punë dhe nuk keni kohë të lirë. Ah, dhe nuk kuptoni, vëllezërit e mi, se të gjitha ato janë pengesa dhe pretekste të dukshme me të cilat djalli kërkon t'ju pengojë nga dobia dhe shpëtimi i shpirtit tuaj? Nuk mendoni se shpenzoni shumicën e kohës së jetës suaj tek gjërat pa jetë dhe të kota, tek të nevojshmet, shpëtimtaret dhe për të shenjtat nuk doni të shpenzoni aspak kohë të jetës suaj, duke i konsideruar ato të pavlefshme dhe të tepërta? Nuk mendoni, e përsëris, se në këtë mënyrë nuk jeni më të denjë të jetoni dhe të merrni këtë diell?
Të mjerë, Krishti e deshi Kishën kaq shumë, sa dha jetën e Tij për atë dhe ju e urreni atë? Kisha është kaq e çmuar pranë Perëndisë, sa që ka engjëj të caktuar që ta ruajnë. Dhe siç thotë Shën Grigor Theologu në fjalimin e tij redaktore: “Besoj se në çdo Kishë ka engjëj mbrojtës”. E përsëris, Kishën e ruajnë Engjëjt e Perëndisë dhe ju të mjerët e përbuzni? Dhe nuk e dini se, kur urreni dhe përbuzni Kishën, urreni dhe përbuzni Atë vet Krishtin, i Cili është “kreu i Kishës”? Nuk mendoni se, kur ju nuk shkoni në Kishë, shkëputeni nga të krishterët e tjerë si anëtarë të kalbur të gjithë trupit të Kishës? Si e ndani vetë, veten tuaj nga vatha e Krishtit si dele të zgjebosura? Dhe si shkëputeni nga kreu i Kishës, Krishti, dhe nuk merrni asnjë hir dhe ndihmë nga Ai? Çfarë them? Kur ju e përbuzni dhe nuk shkoni tani në Kishën e Krishtit, por shkëputeni me dëshirën tuaj nga Krishti dhe nga mbledhja e të krishterëve të devotshëm, të dini se do ndaheni dhe atëherë në gjyqin e ardhshëm nga mbledhja e të krishterëve të vërtetë.
Sepse, ashtu si Kisha e poshtme militante është tip dhe ikonë e Kishës së sipërme triumfale, ashtu edhe shkëputja me dëshirë që ju bëni tani nga ajo, është tip i asaj ndarjeje që pritet të merrni, siç thotë Dionis Aeoropagjiti: “Në fakt, të dukshmet janë ikona të dukshme të të padukshmeve. Sepse në shekujt e ardhshëm, nuk është shkaktar Perëndia i ndarjes së drejtë, të dinakes nga Ai, por ata që veçojnë përfundimisht vetet e tyre nga Perëndia” (Letër drejtuar Joan Theologut).
Dhe nëse, atëherë, pretendon dikush nga ju dhe thotë: Unë mund edhe në shtëpinë time të lutem, dhe çfarë nevoje ekziston që të shkoj në Tempull? I përgjigjem atij me Gojartin e shenjtë dhe i them se mashtron dhe tall veten tënde, njeri, kushdo qofsh ti që i thua këto. Se, po, mundesh të lutesh edhe në shtëpinë tënde, por lutja e shtëpisë nuk ka atë fuqi që ka lutja e Kishës, në të cilën ka një grup të madh me priftërinj dhe të krishterë, në të cilën i drejtohet Perëndisë një zë nga të gjithë, në të cilën dëgjohet nga Perëndia më mirë lutja jote, në të cilën ekziston kaq pajtim, dashuri, dakortësi dhe urata nga priftërinjtë.
“Por cili është justifikimi i ftohtë i shumicës? Mundem, thotë, të lutem edhe në shtëpinë time. Mashtron veten tënde, njeri. Sigurisht është e mundur të lutesh në shtëpinë tënde, por është e pamundur të lutesh ashtu si lutesh në Kishë, ku ka një turmë të madhe priftërinjsh, ku drejtohet nga të gjithë bashkë lutje e përbashkët drejtuar Perëndisë. Nuk dëgjohesh aq shumë duke ju lutur vetëm Zotit, sa kur lutesh bashkë me vëllezërit e tu. Sepse këtu në Kishë ekziston diçka më shumë, siç është pajtimi, dakortësia, lidhja e dashurisë dhe uratat e priftërinjve. Për këtë sigurisht dhe drejtues i shërbesës janë priftërinjtë, në mënyrë që lutjet e turmës, që janë më të dobëta, të përforcuara me lutjet më të fuqishme të tyre të ngjiten bashkë me ato në qiell”. Për këtë arsye edhe profeti David kishte zakon në Kisha të lutej dhe të himnonte Zotin, kështu thoshte: “Në Kisha do të lavdëroj O Zot”. Dhe përsëri: “Në mes të Kishës do të Të himnoj”. Dhe jo vetëm ai lutej në Kishë, por nxiste dhe të tjerët të luten në Kisha duke thënë: “Në Kisha lavdëroni Perëndinë”
Për këtë arsye, vëllezërit e mi të dashur, turpërohuni nga të gjitha këto që thamë, dhe sigurisht nga emri i Kishës, dhe menjëherë sapo dëgjoni të bjerë këmbana ose talandi i Tempullit të dielën në mëngjes të vraponi dhe të shkoni si fëmijë tek nëna juaj, si ata që i zë deti në breg, si të uritur dhe të etur në tryezën shpirtërore të Mistereve dhe të fjalës hyjnore, si të plagosur dhe të sëmurë në spitalin e përbashkët.