Shën Athanasi i Methonit
Shën Athanasi lindi në Katania të Siçilisë, ndoshta rreth viteve 814-818. Rreth vitit 827, prindërit e tij, për shkak të arabëve që zbarkuan në Siçili, erdhën në Patrën e Vjetër në Peloponez. Ishte koha e madhe kur në Patra jetonte Hierarku i ardhshëm i madh dhe i ditur i Qesarisë, Aretha nga Patra. Edhe pse i vogël në moshë, Athanasi kërkoi dhe u bë murg në një prej manastireve të zonës.
Me burrëri përballet me betejat murgjërore dhe nxiton që të fitojë çmimin e thirrjes së lartë, për këtë arsye edhe Mitropoliti i atëhershëm i Patrës e vendosi igumen të manastirit, megjithë refuzimet e vazhdueshme të tij.
Detyra e tij si igumen jo vetëm që nuk e ndërpreu nga jeta e tij e vyrtytshme, por vërtetoi se ai ishte i aftë që t’i shërbente Kishës në një gradë më të lartë, për këtë arsye Mitropoliti i Patrës e dorëzoi episkop të Methonit, e cila atëherë ishte nën juridiksionin e Mitropolisë së tij.
Si episkop, Athanasi në Methonin e vogël, veproi me zell të mrekullueshëm, në mënyrë që t’i përgjigjej të gjitha nevojave materiale dhe shpirtërore të grigjës së tij, dhe paralelisht ai vetë ishte shembull i përsosur i urdhërimeve ungjillore dhe i të gjithë vyrtyteve të krishtera. Kur afroi koha e fjetjes së tij, thirri nxënësit e tij dhe i këshilloi që të ushtrojnë gjithmonë vyrtytin e dashurisë dhe të ruajnë paprerë kujtimin e Ardhjes së dytë të Zotit. Pas fjetjes së tij të lumur (rreth vitit 880), varri i tij u bë burim mrekullish, për këtë arsye një numër i madh njerëzish nxitonte për të gjetur shërimin e tyre.