Oshënar Leonti, që asketizoi në Akai
Oshënar Leonti lindi në Monemvasi të Peloponezit prej Andreas dhe Theodhorës. I ati i tij ishte i pasur dhe një burrë i shquar. Perandori Andronik II Paleolog (1283-1328) e emëroi atë në një vend të rëndësishëm në administratën e Moresë. Leoni, kështu quhej më parë, mori një kujdes të madh prej prindërve të tij dhe studioi në Kostandinopojë gjuhë të huaja, filozofi dhe teologji.
Kur vdiq i ati i tij, u kthye në Monemvasi dhe u kujdes për nënën e tij. Më pas nëna e tij u tërhoq në një Manastir dhe Leoni me bekimin e saj u martua. Ishte një bashkëshort model, familjar dhe një bamirës social.
Por më pas erdhën edhe sprovat e mëdha. Gruaja e tij vdiq, më pas vdiqën edhe fëmijët e tij dhe ai vendos që të bëhet murg. U bë murg me emrin Leontio dhe shkoi pranë një asketi me përvojë, të quajtur Menidhi, ku qëndroi për një periudhë kohore të madhe.
Në vazhdim shkoi në Malin e Shenjtë, ku mori një përvojë të madhe asketike dhe u rikthye në Peloponez. Aty zgjodhi që të qëndronte tek një mal që gjendej pranë Egjios dhe prej andej shkonte nëpër qytetet e Akaisë për të predikuar fjalën e Perëndisë. Pranë tij shkuan edhe zellotë të tjerë të jetës ëngjëllore, prej të cilëve shumë u bënë priftërinj.
Leonti ndërroi jetë në paqe dhe fama e vyrtytit të tij mbeti edhe pas vdekjes së tij. Vëllezërit Paleologë, Thoma dhe Theodhor, për nderim të Oshënarit, ndërtuan një Manastir në vendin e aksetizmit të tij, në emrin e kryeëngjëllit Mihail.