Shën Dhionisit i Zakinthit : Mrekullit
Sot më 17 Dhjetor, Kisha nderon kujtimin e Shën Dhionisit të Zakinthit. E kremte e madhe për të gjithë ishullin dhe për të gjithë Jonin, pasi Shenjti dëshmon prezencën e tij dhe dashurinë e tij për Zakinthin me mrekullitë e tij të vazhdueshme.
Mrekullitë që ka bërë Shën Dhionisi i Zakinthit nuk janë thjesht të shumta, por njëkohësisht janë edhe të paprecedenta dhe të çuditëshme. Sot do t’ju paraqesim disa nga mrekullitë e Shenjtit.
Kalimi i përroit
Kur Shenjti murgjëronte në Manastirin e Anafonitrias, u detyrua që të zbriste në qytet i shoqëruar prej dhjakonit Daniel. Gjatë rrugës binte një shi i dendur, por për çudi prej tij nuk u lag as Shenjti edhe as shoqëruesi i tij.
Pas pak takuan një përrua i cili ishte i pakalueshëm. Atëherë Shenjti bekoi përroin, i cili ndaloi duke lënë Shenjtin dhe shoqëruesin e tij të kalonin.
Gjetja e burimit
Kur Shenjti asketizonte në Strofadhes, zbriti një ditë bashkë me nxënësin e tij në plazhë për të peshkuar. Nxënësi i tij kishte etje dhe u kthye pas në Manastir që të pinte ujë, pasi aty pranë nuk kishte ujë të pijshëm.
Atëherë Shenjti e drejtoi në një vend afër plazhit, ku me të vërtetë Murgu gjeti ujë dhe shoi etjen. Ky burim sot quhet “Çezma e Shenjtit”.
Pendimi i peshkatarëve skeptik
Shën Dhionisi dikur shkonte me disa klerikë të tjerë si mysafir në Manastirin e Shën Gjergjit në ishullin Voidhi. Por peshkatarët, të cilët i sollën me anijen e tyre ishin paragjykues ndaj rasoforëve dhe dështimin e tyre në peshkim ia atribuan pranisë së klerit.
Shjenti, duke dashur t’i disiplinonte ata ju tregoi se ku duhet të hidhnin rrjetat e tyre, edhe pse në vendin e treguar nuk kishte patur kurrë peshq, peshkatarët zunë kaq shumë, sa që nuk mundën të ngrinin rrjetat e tyre. Atëherë i’u falën Shenjtit dhe kërkuan faljen.
Zgjidhja e mallkimit
Në kishën e Shën Nikollës të të Huajve u gjend trupi i një gruaje të aforizuar, e cila kishte kohë që kishte vdekur, por nuk ishte tretur. Shenjti u thirr prej të afërmve të gruas që të zgjidhte këtë problem. Atëherë, Shenjti urdhëroi që kufomën ta vendosnin në një ndenjëse.
Më pas u lut i gjunjëzuar dhe me lot për zgjidhjen e aforizmit. Sapo Shenjti përfundoi uratën e ndjesës, kufoma uli kokën sikur t’i falej Shenjtit dhe më pas u tret në kocka dhe dhe.
Ëndrra e gruas së devotshme
Një grua e devotshme nga Zakinthi, ishte e hidhëruar pasi kishte lindur katër vajza dhe asnjë djalë. Nga të afërmit e saj dëgjoi për Shën Dhionisin dhe për mrekullitë që bënte për besimtarët që kërkonin ndihmën e tij, për këtë arsye edhe ajo me besim u lut që me ndërmjetimin e tij të mund të lindte një djalë.
Pas shumë lutjesh, një natë shikon në gjumë një Kryeprift që t’i thotë: “Çfarë kërkon prej meje që më lutesh? Nëse dëshiron që të arrish atë që dëshiron shko në Strofadhes për të marrë nga bima dhe nga një tjetër që gjendeshin pas Hierores së Kishës Qëndrore.
Më pas të pish prej tyre dhe do të lindësh një djalë siç t’i dëshiron”. Më pas e bekoi në fytyrë dhe u zhduk. Gruaja u zgjua duke menduar për vizionin, besonte se ai që i’u shfaq në gjumë ishte Shën Dhionisi, që dëgjoi lutjet e saj dhe sigurisht i kujtoi Strofadhet ku ishte edhe Lipsani i tij i Shenjtë.
Menjëherë dërgoi vëllain e saj që të merrte me shumë kujdes bimët që i tha Shenjti, të cilat i piu me shumë besim siç e porositi. Me të vërtetë pas pak kohësh mbeti me barrë dhe lindi një djalë duke falenderuar Perëndinë dhe Shën Dhionisin.
Dëbimi i karkalecave
Në livadhin që Murgjit e Strofadheve kultivonin për nevojat e tyre, shpesh të mbjellat kërcënoheshin nga mijëra karkaleca që i gllabëronin ato. Si shpëtim prej këtij kërcënimi Murgjit kishin gjetur Litaninë e Lipsanit të Shenjtë të Shën Dhionisit në arat e Manastirit, gjë që i bëri karkalecat të largoheshin.
Ëndrra paralajmëruese e murgut Mattheo
Murgu Mattheo i Manastirit të Strofadheve, i cili ishte edhe nxënës i Shën Dhionisit, dikur pa në gjumë Shenjtin që t’i thoshte se pas tetë ditësh do të ndodhë një tërmet katastrofik, që do të shkaktoi dëme për Manastirin, për këtë arsye i tha që të lajmërojë Igumenin.
Por murgu nuk i dha rëndësi këtij vegimi, duke e kondsideruar atë si një fantazi të gjumit. Saktësisht ditën e tetë ndodhi tërmeti katastrofik, që shembi pjesën më të madhe të Manastirit. Mes atyre që u shembën ishte edhe një kullë, e cila duke rënë plagosi edhe një murg që gjendej mbi të, i cili shpëtoi vetëm me thirrjen e Shenjtorit, edhe pse u rrëzua prej një lartësie të madhe.
Forcimi shpirtëror i murgut
Dikur, në Manastirin e Strofadheve, asketizonte murgu Kaliop prej Qefalonisë, i cili dëshironte që të rikthehej në atdheun e tij dhe të braktiste Manastirin. Një natë në gjumë i shfaqet Shenjti, për ta këshilluar që të mos braktiste jetën murgjërore. Këtë gjë bëri edhe murgu dhe qëndroi në Manastir deri në fund të jetës.
Vegimi i Igumenit Daniel
Kur pas fjetjes së Shën Dhionisit, dhe pas transferimit të Lipsaneve të tij, Trupi i tij që u gjend i paprishur, u vendos prej Murgjërve të Manastirit të Strofadheve në një arkë të veçantë brenda në Kishën Qëndrore të Manastirit, deri në njohjen e tij si Shenjtor në vitin 1703.
Para kësaj ngjarjeje hieromonaku Daniel, që ishte edhe igumeni i Manastirit të Strofadheve, dyshonte për shenjtërinë e Hierarkut.
Kur Igumeni u drejtua për në Kishë, duke hyrë pa Shenjtin e ndriçuar të qëndronte drejt jashtë arkës së Lipaneve dhe të Meshonte i shërbyer prej Priftërinjve dhe Dhjakonëve. Atëherë një prej Priftërinjve i thotë Igumenit Daniel: “U binde tani, apo dyshon akoma”?
Igumeni i frikësuar, u largua prej Kishës dhe kur u rikthye që të bindej për vegimin, pa Shenjtin të hynte në arkën e tij, dritat e Kishës të shuheshin dhe Meshuesit të zhdukeshin.